EDUARD A. SKUFI: PËRJETIM
- Jan 17
- 6 min read

PARADOKSI I NJE PAKO SURPRIZE
Përjetim
DR. EDUARD A. SKUFI
ATHINE
Njeriu nga natyra e ka të vështirë të ndahet nga kënaqësia, që i lë pas bukuria festive e fundvitit. Dhe për më tepër kur rastësia e fatit, i ofron ditë të tjera të tilla, ai vazhdon me dëshirë refrenin e hijshëm të kremtimeve, mbase dhe përballjen me surpriza.
Iasoni, inxhinjer elektronik, pregatitej të festonte ditëlindjen por dhe pensionimin e gruas së tij Dr.Fedrës, në vilën e tyre në kodrën e Politisë, në periferi të Athinës. Atje ku aristokracia konkuron me komfortin e jetës, në ndriçimin e diellit të përhershëm. Bashkë vendosën që festimin ta ndanin në dy ditë, ditën e parë me familjen dhe nipërit, ditën tjetër me shokë e miq. Në të cilën ishim ftuar dhe unë bashkë me time shoqe. Morëm me vete një buqetë me lule të fresketa dhe një shishe vere “Moscato D'Asti” dhe u nisëm. Derën na e hapi kujdestarja e shtëpisë, filipinezja e qeshur, e cila mbasi na uroi mirëseardhjen dhe u paraqit si Karmelita, na mori palltot dhe i vari në “porte manteau”. Iasoni u ngrit me ngut, nga pianua Steinway ku interpretonte dhe na prezantoi me mikun e ri të familjes, i cili ishte vendosur pranë një etazheri, përbri një kuklle Pinokio. Ai ishte një robot domestik, i veshur në plasikë gri dhe metal shkëlqyes, në harmoni estetike. “Hello, welcome home”, u dëgjua tingulli i fragmentuar i zërit të tij. Kuptova se inxhinjeri, realizoi trikun me “remote control” dhe e bëri të flas. Eshtë Optimus,miku ynë,roboti i Teslas, që na erdhi dhuratë surprizë nga Florida, nga kunata im, Diana, për ditëlindjen e Fedrës. Ne e shikonim me kuriozitet dhe me një formë habije. Nga dhurata e kohës tonë Pinokion, në atë të kësaj kohe Robotin, u shpreha duke qeshur. Vetëm qenushi Xhaku, me pellushë të bardhë, i racës Canis, nuk e mirëpriti ardhjen e robotit, duke lehur vazhdimisht i revoltuar, por edhe papagalli tropikal Roni, i vinte rrotull Robotit, shoqëruar me cicërima frenetike.

Ambjenti i dhomës, ku kombinohej gustua klasike elegante me atë moderne, me llampadarë në dritë të sfumuar dhe qirinj aromatikë, ku flakëzat e tyre krijonin reflekse ngjyrash mbi pikturat e varura në mur, ishte zbukuruar me kujdes e shije. Në njerën anë të dhomës, atje ku tavani bënte një thyerje, vazhdonte vetrata prej kristali, që të lidhte me imazhin panoramik të qiellit plot yje dhe hënën medaljon, si pejsazh natyror magjepës.
Një atmosferë e ngrohtë dhe romantike pranë oxhakut, ku si fillim u servir wiski me fruta të thata, që e çlironin bisedën. Iasoni u ul në një kolltuk pranë nesh dhe filloi rrëfimin: “Ishim duke u pregatitur për drekën dhe ardhja e një deliveri me një pako të madhe e të rëndë, mbi të cilën ishte shkruar “Attention-frangible”, na befasoi. Pako rreth 70kg, me gjatësi 1,85cm, çfarë surprize mund të ofronte?!...
Na pushtoi një ndjenjë kënaqësie që zakonisht sjell çdo dhuratë, por dhe dilema e të panjohurës që fshihet në të. Ndërmend më erdhi paradoksi i “Kutisë së Pandorës”. Me ato ndjenja e hapa pakon dhe shpërtheva duke qeshur me lot. Aty veç manualit të përdorimit, gjeta dhe një kartolinë urimi nga motra e Fedrës, që e përfundonte me fjalët: “Motër e dashur, besoj se zgjodha dhuratën më të spikatur për jubilen. Tani me ndihmën e robotit shtëpijak, antropomorf, asistentit tënd, do të lehtësohesh nga punët shtepijake dhe së fundi artriti reumatoid kapricioz, nuk do të shqetësojë më”. Ndërkaq ai bëri një pauzë, mori në dorë gotën e wiskit dhe duke ju drejtuar pianos shtoi “Dëshiroj ta zbukuroj darkën dhe tju uroj mirëseardhjen me “Nocturne” e Shopenit, çka është dhe preferencë e doktorit. Ishte një ambjent romantik, që mes tingujve të pianos, në atë recital, të jepte një ndjenjë prehje dhe ngazëllimi. Mandej kaluam në trapezari për të shijuar varietetet kulinare të zonjës Fedra, dhe barbequen që pregatiste Karmelita në verandë. Megjithëse flisnim për çështje të ndryshme, biseda vinte përsëri tek Roboti, i cili u bë kryefjala e asaj mbrëmje. Ku Fedra na tregoi paradokset nga përdorimi fillestar i tij. Sesi roboti duke përdorur fshesën me korent në pastrimin e tapetit persian, në një vend qëndroi më gjatë, duke dëmtuar me vakumin, thekët e tapetit. Vetëm një “stop”, i Iasonit e ndaloi, mandej Roboti me fshesën e korentit, po i afrohej oxhakut, ku ishte shtrirë Xhaku, dhe me tubin thithës bashkë me ndonjë grimcë të mbetur, tërhoqi me forcë bishtin e qenushit, i cili klithi i trembur. Ne qeshëm të rezervuar, duke diskutuar me njeri tjetrin. Ndërkaq ndërhyri Iasoni, si specialist i asaj fushe: “Vërtet roboti është një servitor perfekt, por mbetet akoma larg niveleve biologjike. Kështu kërkon një asistencë të kontrolluar, ndryshe mund të të vendosi në situata të paparashikuara. Integrimi i tij në familje nuk është i thjeshtë, sepse ai krijon entusiazëm modern, futurist”. Unë me rezervat e mia mbi përdorimin e inteligjencës artificiale, plotësova se inteligjenca artificiale mbetet një inteligjencë sintetike, të cilës i mungon një nga tiparet themelore të inteligjencës humane, koshienca dhe vullneti i lirë. Roboti vërtetë është një mrekulli, një dhuratë që po ndryshon botën, por duhet menaxhuar me kujdes, ai nuk ka ndjenjë dhe bazohet në një programim. Ime shoqe për ti ndryshuar kahun bisedës, ngriti gotën e verës, dhe uroi znj. Fedra për ditëlindjen, por dhe për dhuratën surprizë, robotin. Ndërsa ne bisedonim dhe bënim shakara, u dëgjua një zhurmë si kërcitje, me një sinjal “beep”, që vinte nga qoshja ku ishte vendosur roboti: “Ju lutem, më vendosni për karikim”, kurse ne qeshëm me të madhe, Iasoni këshilloi Karmeliten, për ta zbatuar atë. Atë çast Fedra i kërkoi Iasonit të luante në piano “Serenatën” e Shubertit. Po na kthen mbrapa ato momente të bukura, i tha, i shoqi dhe u ul në piano. Ajo muzikë magjepëse na udhëtonte në kujtime...

Mandej Iasoni kaloj në rock and roll, me “The King” të Elvis Presley, muzikë që të elektrizon e emeton impakt, moment që troket në sentiment dhe ne filluam të lëviznim ritmikisht. Por këtu ndodhi një e papritur e këndshme, Roboti papritur, ju përgjigj me tinguj dhe lëvizje, muzikës. “Duket, që ka kulture amerikane”, tha Iasoni duke qeshur. Mua më mbetej përshtypja, nga përvoja e pakët e Robotit, se ajo shtrihej midis të lezetshmes dhe misteriozes, midis magjepsjes dhe zhgënjimit funksional.
Mandej ai hapi shishen e shampanjës, dhe të gjithë ngritëm godat e kristalta dhe filluam të këndojmë “Happy Birthday”. Gratë nuk pritën dhe u sulën mes humorit, mbi tortë, keik dhe bakllava, të gjitha të mbështjella në një atmosferë dashurie dhe vlerësimi. “Nuk mund të ecësh përpara, pa i thënë lamtumirë të kaluarës, veçse ajo nuk është një lamtumirë, por një "A bientôt" që të kujton”..., “Mendoj se është me vlerë, t'ju komplimentoj, zonja ime, për shijet e servirura”, tha me emocione Iasoni duke përqafuar Fedrën. Ne dakortuam me duartrokitje. Zëri i ëmbël i zonjës së shtëpisë na ftoi të zhvendosemi në kolltukë, për të pirë çaj apo kafe. Ndërkaq Iasoni këshilloi Karmilën ta thërrasi robotin me foni dhe jo duke përdorur telekomandë, për të mbledhur serviciot dhe gotat nga trapeza. Ndërsa na bisedonim, duke luajtur me letra pokerin klasik, nga guzhina u dëgjua zhurma, prej thyerjes të disa pjatave. Karmila me një “my god” shikonte e habitur. Robotit i kishin rënë pjatat nga dora, në momentin që ai po i vendoste në lavastovilje. Fedra e alarmuar, mbasi u afrua pranë tyre, shqiptoi e dëshpëruar “sa keq, ishin kujtim me vlerë i prindërve të mi”, mandej në një buzëqeshje mekanike, për mos ta rënduar situatën, u kthye pranë nesh me shikimin nga i shoqi. Befasia jonë mbeti e pa fund, ishte e dukshme pozita e vështirë dhe zhgënjimi i familjarëve. Mua mu krijua dilema, se i jepet leje kalimi një të panjohuri, të hyjë në skenën e familjes, ku besimi pa transparencë sjell thjesht, stres me adrenalinë dhe pasivitet, veshur me një petk modern.
Iasoni, ndezi puron dhe duke tundur kokën, me shikimin e fiksuar në mur, tek piktura e E.Delacroix “Greqia mbi rrënojat e Mesolongjit”, citoi: “Egziton një aksiomë që specialistët e kanë emërtuar, “paradoksi i Moravecit”, ideja se, “ato detyra që njerëzit i quajnë të lehta, mbeten të vështira për robotët”. Roboti anashkalon programimin kur dikush ndërhyn në hapësirën e tij të veprimit. Kjo gjë duhet respektuar. Me një fjalë është një autonomi në asistencë dhe bashkëpunim, që kërkon dhe një periudhë adaptimi”…“Pse nuk thua që futëm belanë në shtëpi, më duket si aventurë cirku. Çudi, çdo dhuratë ka hijen e “kutisë së Pandorës”, shtoi Fedra e trishtuar, në një zhgënjim mirësjellës. Ndërkaq u ul në piano dhe vazhdoi: Më lejoni tani tju argëtoj në piano me "The Best is yet to Come" nga Frank Sinatra. Ne spontanisht filluam të kërcejmë, dhe fjalët e këngës më çuan në meditim, vërtet mendova “Më e mira ende nuk ka ardhur”. Por kësaj here roboti mbase i fyer, mbeti i heshtur, në hijen e qoshes së tij dhe nuk lëvizi, ndërsa Xhaku luante me papagallin.
…Ana e vetratës e kishte prerë hënën në dysh, yjet dukeshin në shkëlqim të zbehtë dhe nata me një ndriçim të skajshëm, që reflektonte nga lindja. Agimi i një dite të re po çelte. Bota po ndryshon shpejt, larmia e opsioneve të inteligjencës artificiale, në një farë mënyre po bëhet e ngjajshme, me “trendet” e mentalitetit. Mbasi u përshëndetëm me miqtë tanë u larguam, me një vorbull emocionesh, nga ajo mbrëmje e këndshme ku shijuam miqësinë, mikpritjen dhe paradoksinë e asaj “pako surprizë”.
...Ajo nuk ishte fabul, por një mbrëmje që hapi dritaren e të ardhmes, e cila na vendosi në një aktualitet, që troket në ndjenjë dhe në koshiencë.
Janar 2026









Comments