Edhe unë jam Njeri
Fatmir Terziu
Edhe unë jam Njeri, edhe unë
edhe unë jam si Ty, edhe unë
ndjenjat më dalin nga buzët e mia si mjaltë
e vështirë për mua për të hedhur baltë.
E kam thënë këtë ndoshta njëqind herë
Unë jam si Ti nga kjo botë reale, jo fiktive
dua të ngrij brenda heshtjes sime të thellë...
nuk jam një zgjua i mendimeve negative.
Ndjenjë e kyçur në thinjën e pandërprerë
në rënien e zbardhjen e flokëve të lirë
kur i ledhatoj, mendoj se do t’i kem përherë
vazhdoj t’i mbaj në sojin e tyre më të mirë.
Ti krihesh sikur ndodh në syrin tim
derdh flokun gjerë e gjatë në pasqyrë
unë harroj që është vetëm një vegim
nga koha kur ishim shokë të mirë.
Të lexoj sikur dihamat në qelqin bri
i hutuar pakuptueshëm vetëm me ty
harroj për një çast se të kam në sy
në mendje një album me fotografi.
Gjerb ekspresin e lëngët në porcelan
në qelqin kristal me avull kafeneje aty
buzët mbi ty natyrshëm bëhen palë
nën thinja të bardha të ndjekin dy sy.
Dhe ndoshta dëgjoj një fjalë të paqartë
zhurmërat shuhen me vegimin që rend
rinoshi i pamatur ndoshta hedh baltë
nuri yt nuk njeh moshë ende të çmend…
…dhe kthej kohën pas si të jetë fletore
udhëtoj me mendje, me ndjesi e me sy
më gjan se ende jemi dorë për dore
diku në atë memorje që zbardhet aty.
Edhe unë jam Njeri, edhe unë
edhe unë jam si Ty, edhe unë
edhe kur flokët zbardhin kokën time në fakt
ndjenjat ngjysin mjaltë në fytin tim si zamkë.
Comments