Dr. Bardhyl Maliqi
Shënime për librin poetik të Kristo Çipës
Kristo Çipa, edhe unë e vesha mjegullën e hollë, e bëra këmishë për vete dhe fëmijët e mi dhe vërejta se kjo këmishë u rrinte bukur! Gjatë viteve të mia të fillimeve të mësuesisë përditë ngjitesha maleve duke udhëtuar orë të tëra nëpër mjegull, por atëherë s’ më binte ndërmend ta veshja mjegullën e hollë. I ri, plot energji fizike, as që doja t’ia dija për mjegullat. Por vjen një moshë që ti mendon për to, filozofon për misteret që fshihen brenda tyre dhe i poetizon ato, i shet, i tjerr dhe i bën edhe këmishë djalërie.
Me dhjetëra herë e kisha parë edhe mjegullën që mbulonte Pilurin, kur shkoja apo kur kthehesha nga Vlora, por erdhi edhe dita që shkova në Pilur, hëngra bukën e tij dhe piva ujë gurrash dhe natyrisht rakinë e rrushit gjysmë të egër, laraman e kokërrfortë bashkë me aromat e fushës së Vanovës dhe erën e malit të Çipthit e të Lëmit të Brinjave ku është mbështetur, bashkë me aromën e vaskove dhe të sherebelës.
Katër librat poetikë të Timo Mërkurit me këngë të mbledhura në krahinën e Himarës i kam lexuar qysh në përgatitje dhe goditjen e parë estetik për këngën isopolifonike piluriote e kam pasur me kohë, që kur isha nxënës dhe si recitues dhe prezantues ndiqja shfaqjet e grupeve folklorike të krahinës sime. Kam lexuar mjaft edhe për këngën himarjote dhe pilurjote si pjesë e saj. I kam lexuar poezitë e Timos dhe të Aleksandër Çipës, kisha vërejtur modernitetin e mjeteve shprehëse, motivet e larmishme, aktualitetin e teksteve, madhështinë e ideve dhe humanizmin e mesazheve. Kisha njohur dhe autorë tekstesh si ato të Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit Lefter Çipës, kisha dëgjuar këngë me tekste polifonike të Kristo Çipës, këngëtar virtuoz e Mjeshtër i Madh, por nuke dija se ishte edhe poet, mjegullhollë e namusqar.
Në poezitë e librit të tij të katërt më bënë përshtypje së pari hapësira dhe koha, që evokojnë këto motive. Janë bërë këngë për tokën, për kurbetin e brengat e mërgimtarëve, për barin e për lulet, për gurët e lotit, por dhe për figura të dashura historike, për Skënderbeun e Ismail Qemalin, për pleqtë e plakat të mbetura vetëm në fshat si kërcunj të thinjur, për djemtë emigrantë, për nuset e vashat belholla. Por dihet që bërthamat rrezatojnë, një rrezatim i tillë vjen përmes poezisë Gjeniu gjirokastrit për Kadarenë apo Zambaku i Paramithisë, për vajzën çame. Koha e kësaj krijimtarie vjen nga antikiteti me mitet e tij deri tek problemet e Shqipërisë së sotme. Nga gjaku me dritësime tek shenjtëria e thjeshtësisë.
Përmenda vajzat çame, pra edhe motivet e Çamërisë e të çamërishtes nuk janë të huaja për Kristo Çipën. E bukura është se e fillon qysh në kryeherë me dedikimin e librit kur më shkruan se ja kushtoj “poetit çam që ligjëron gjuhën e mallkuar me dhespot, por të bekuar nga Zoti!” Këtë e kam lexuar së pari tek Naim Frashëri, që duket se më thotë mua “Eni vjen prej Çamërie, / me një gjuhë Perëndie”?
Por te “Zambaku i Paramithisë” në të vërtetë, siç e përmenda, iu përkushtohet vajzave çame. E pyeta një herë se nga i vinte kjo qasje dhe më tha se a e di ti që kemi dhe kami marrë nuse te njeri-tjetri? Në të vërtetë unë e dija. Nusja e vëllait të shokut tim piluriot është çame, ndërsa nusja e kushëririt tim është piluriote. Kur ishte djali im i vogël i thoshte pilulake dhe ne qeshnim me lot. Si mësues në shkollën ekonomike kisha nxënës nga të gjitha fiset e Pilurit, që jetojnë në Sarandë: Priftaj, Qurkaj, Mërkuraj, Nesturaj, Mërtiri, Kolaqi, Çakalli etj. Të gjithë këndonin bukur këngën isopolifonike, disa kishin mjaft talent, një vajzë e Qurkajve fitoi një konkurs letrar kombëtar, i botoi librin fondacioni për Shqipërinë e hapur, ndërsa djemtë e Priftajve ishin nxënës ekselentë, kjo është një përmasë tjetër shpirtërore e imja për Pilurin dhe piluriotët.
Por kjo është reciproke. Ja si i drejtohet Kristo Çipa vajzës çame, që vinte vetëtimë si lumi kur del nga prita, e bukur dhe e ftohtë, që brenda pusit të mërive di të mbajë ndezur kandilin: “Zambak i Parmithisë, / hapja shtegun dashurisë. / Vjen si erë e t’i puth sytë / flet me gjiret nën këmishë. // Bashkë me erën do vij vetë, / të ndajmë diellin nga retë. /Të hap zemrën fletë-fletë, /kokën ta vë mbi gërshetë.”{ fq.109}
Por për vlerësimin e këtij libri shumëfunlsional, pasi të jep kënqaësinë e leximit, të këngës isopolifonike, pasi një pjesë e tij janë tekste këngësh, por edhe kënaqësinë e debatit do t’i referohesha këngës së parë, them këngës, pasi ajo është melodioze në vetvete edhe pa u kënduar. Titulli shpreh dhimbje: “Toka ime e dëshpëruar”. Dëshpërimi i tokës së Pilurit në të vërtetë fillon viteve të para pas luftës së dytë botërore, kohë kur shumë familje piluriote u detyruan të migronin në Sarandë, Vlorë e Tiranë. Nëse më parë kishte mundësira emigrimi në kushtet e diktaturës së proletariatit kjo u ndërpre, siç u pre për 40 vjet edhe migrimi, deri sa erdhën vitet e demokracisë. Ku emigrimi dhe imigrimi u liberalizuan. Por mungesa e djeshme u kthye në mërzi të sotme. Në Pilur tani ka vetëm pleq dhe plaka. Pra u tejkalua pritshmëria duke sjellë një ekstrem tjetër. Atë të moskthimit, të zhbërjes së fshatit Pilur. Kjo i dhemb tej mase secilit prej nesh, por më tepër Kristo Çipës, ky është dëshpërimi tragjik i tokës së tij: “Emigrimi rrjedh si venë / edhe zogjtë e lanë folenë / ca yje të rrallë që qenë /në qelq të qiellit u prenë.” fq. 15. Kjo dhimbje gati tragjike gatuan poezinë “Tretja e fshatit” fq, 53-34 Nata e rënduar bie në dheun pa gojë, hijet e qeparista të burrave fillikatë thyejnë heshtjen. Gurët kanë harruar të përqafojnë këmbët e jetës, drurët përtojnë të jeshilojnë lëngun e gjetheve. Për cilat femra t’i nxjerrin drizat gjembat, se vajza me pulpat përjashta s’ka. Pleqtë i kërkojnë zëra heshtjes, por jo vetëm ata, por edhe ne poetët e qyteteve. Shkoj në vendin tim të origjinës dhe nuk më pret askush. Kërkëllijnë vetëm kanatat e dritareve nga era. Edhe ujqit edhe yjet janë të vetmuar dhe qarkojnë vetëm degët fletë braktisura të qiparisit vetmitar.
Është kohë e çuditshme, nata rri e nuk e njeh mëngjesin, ditët janë njëngjyrëshe, mjegull dhe shi, pra vetë gri dëshpëruese “Mitet penduar po vdesin”, ndërsa jeta për ditë e shkurtohet më tepër, shkon e shtrëngon mesin. Kështu edhe titulli i filmit humoristik grek “Thanas, shtrëngo rrypin” duket sikur merr kuptim serioz. Pyetja që shtrohet është shumë serioze. Mos vallë largimi i mjerimit ekonomik ka një kosto të jashtëzakonshme: robërimin e trupit dhe të shpirtit?! Shqiptarë me fat tragjik, të mbetur pa atdhe. Brezat shpirtpushtuar po mohojë vetveten. “Këndej hiq e andej vuaj, / në të dy anët të huaj”. Ky është fati tragjik i shqiptarëve të sotmë. Pse ndodh kjo: Mos vallë ka qasje me ato që përshkruan Fishta në vitet ’30 të shekullit të kaluar, për njerëzit e e kohës së tij idealet i kishin në kuletë. Kjo i spjegon të gjitha të këqiat e sotme: emigrimi masiv, korrupsioni i pushtetarëve, droga, trafiku i armëve dhe i qenieve njerëzore.
Pleq të vetmuar, të mbetur si hijet e maleve të djeshme, që rrojnë me mallin e fëmijëve të vajtur jashtë dhe presin ta marrin dheun mbi supe e të shkojnë në rrugën pa kthim. Kjo më kujton ditën kur u nisa për në Vlorë, por takimi i anulluar më gjeti në Himarë dhe do të kisha përfunduar në Pilur, por atje kishte një vdekje dhe ftesa e Timo Mërkurit më bëri të rrija në veprimtari bashkë me Kristo Çipën, se ishte dita kur Timua shpallej: “Nderi i Himarës”. Por i vdekuri duhet të priste i pavarrosur ardhjen e fëmijëve nga emigracioni?! Unë pata një dhëmbje tragjike, mbase se disa nga pilurotët e mundshëm për takimin e Timos nuk erdhën, pasi duhej bërë ceremonia e varrimit.
Timua ka shkuar një jetë duke mbledhur e duke studiuar isopolifoninë bashkë me Lefterin dhe Kiston. Dhjetra vajza, gra dhe burra piluriotë e kanë kënduar këngën iso -polifonike të Lefterit dhe të Kristos nëpër festivale, koncerte, por edhe sipas rastit. Kjo është një qasje shpirtërore që s’ka nevojë për grumbulime apo urdhra, ajo vjen vetë. E të mos vinte vetë isopolifonia shqiptare nuk shkonte dot deri në UNESKO, që të bëhej thesar i trashëgimisë botërore!
Autori i kërkon baltës së Atdheut që t’i kthejë sërish njerëzit e ikur nga kjo jetë e paktë pasi gjiri i Shqipërisë, që mund të lindë një perandori, nuk mban dot në gji as fëmijët e vet, ndaj rri e dëshpëruar e shpresëprerë. kjo është arsyeja pse autori thotë : “Qepe venën të mos rrjedhë / mbill një trëndafil në derë.” Kristua thotë se djemtë e mërguar kthehen "në se i mohohet gjiri lakmisë", kështu fshihen lotët, qeshin sytë, qetësohet shpirti i nënës dhe djemtë, vajzat dhe udhët ndritin prej bekimit të dashurisë. Dhe strofa fundore është një pasthirrmë hiperbolike ku autori i drejtohet Zotit, si bir i tij, "O Zot me fuqinë që ke / merr nga balta një grusht dhe, / rikrijo botën e re, / me njerëz që rrojnë në atdhe!”.
Kështu Kristua bëhet zëdhënës i një prej problemeve të shoqërisë shqiptare dhe më gjerë. Emigrimi nuk bren vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe ata të Serbisë jugore, të Maqedonisë veriore, të Malit të Zi, të Italisë jugore e gjetiu, në kërkim të një jete më të mirë. Në aspektin psikologjik emigrimi është sindroma e kohës. Ai ka përfshirë të gjitha vendet e Evropës Lindore, të mos flasim për botën, se ajo dihet.
Por le ta qetësojmë veten duke u zhytur në botën e këngës, ajo duket sikur na i heq hallet e botës lanete, ne që i mbushëm detet me lot e nuk jemi të aftë të sendërtojmë gëzimin e vërtetë, prehjen dhe qetësinë shpirtërore. Një shpirt me këngë plot shëron plagët dhe jeshilon malet. Kënga është ilaç i kësaj bote, thotë Kristua si usta i thekur i saj. Kënga ta lumturon shpirtin, palcën e shtyllës sonë e bën si palcën e lisit të fortë. Por para prindërve tanë, veçanërisht para nënave ne mbetemi fëmijë. Nënat kur emigrojmë na përcjellin me lot e sytë u shuhen në portat e shtëpive duke na pritur. Kur jemi fëmijë na puthin, na përkëdhelin, por edhe na qortojnë. Por shpirti i tyre i egër dhe i bukur vjen një çast që ikën në qetësi, ashtu si stuhitë që shkojnë të çlodhen sërish në maja malesh. Dhe shkojmë në varreza të kujtojmë prindërit duke pyetur veten, se si është e mundur, që njerëzit tanë t’i mbajë balta robër të përjetshëm! Dhe gjejmë kurajon e i themi zotit: - Usta, këtë punë nuk e bëre mirë!
Kristo Çipa në poezitë intime, erotike apo psikologjike është talent i lindur, por kur vjen puna te poezitë atdhetare i ndikuar nga leximet, përdor figura dhe detaje të konsumuara, megjithëse të thëna bukur, ato në të vërtetë nuk mbartin vlera. P.sh te poezitë: “O ju trima, gjak flamuri!” dhe “Kemi ty, o Skënderbe!” është vështirë të gjesh ide dhe mesazhe origjinale. Po kështu te poezia “Ejani bashkë te flamuri”. E megjithatë Kristo Çipa kuturis, që të gjejë zgjidhje dhe gjen disa. Ja p.sh si e përfundon poezinë për Skënderbeun: “Sa kohë jeta frymë të marrë, / dhe kombit t’i rrahë zemra, / besoni, o shqiptarë, / se pa Gjergj, nuk na lë nëna!”fq. 27, kjo justifikon edhe të tashmen e titullit, të kemi ty e jo të kishim ty, o Skënderbe. Kjo ndodh edhe gjetiu p.sh. te poezia për flamurin “Prej Kosovë e Çamërisë, / vijnë lumenjtë e trimërisë, / Derdhen në det të lirisë, /në Vlorën e Pavarësisë!” fq. 36. Bukur e thotë, lumenjtë derdhen në det si dje dhe sot dhe nesër. Edhe Isa Boletini me trimat e tij edhe Muharrem Rushiti me çetën “Çamëria “ ishin ato ditë në Vlorë.
Koha ka treguar se atdheu, ashtu si toka e djegur jeshilon sërish nga bari e nga lulet, ka gjithmonë fuqi ripërtëritëse, kjo na jep shpresë dhe besim! Dhe vjen një ditë që e zëmë sërish brumin e jetës dhe fyellin e këngës, ndaj poeti i lutet vajzës, që të mos shkojë si Shën Mëria duke trembur trëndafilin, por të kthehet një çast e ta trëndafilojë djalin, të mos e krehë krenarinë, që kalon kreshtat e malit, se dashuria bukurinë e lan dhe e ngjall si vesa barin. Po që ta zësh brumin duhet të rrish e pastaj të zësh petët e një jete të re. ”Se më vitet nuk i gjejmë, / shkojnë si lumi brenda detit, / aman, të lutem mos shko / aman, kthehu e më rino!”fq.32
Nganjëherë dashura nuk pyet as për moshë, për racë, fe apo etni dhe ti beson një çast se dashuria është e verbër, por gabon, dashuria ka shqisat e saj, që nuk varen nga receptorët e jashtëm, ajo është thirrja e brendshme e gjakut, që vrundullon: “Greke e bukur, borë në hënë, / shikim ndukur, vetullngrënë! /Udhëhumbur më ke lënë, / një të puthur s’të kam dhënë.” fq.34. Dashuria bën të duash dhe fijen e barit, Kjo më kujton Uitmanin dhe librin e tij poetik “Fije bari”. Edhe “Belisma belhollë” një fije bari është, por nënkupton vashën e bukur belhollë të rritur në shkëmbinj e harca. Ajo bën që në lojën e dashurisë, pra në këtë bela të bukur të futesh kapardisur e të dalësh zemërkëputur. Ju nuk mund të më thoni se nuk e keni këtë përvojë, se ndryshe nuk ju themi dot poetë!
Comentarios