top of page

EDHE TË MUNDUR, ATA FITUAN


NË SHALË INAUGUROHET MEMORIALI KUSHTUAR MARTIRËVE

TË KISHËS KATOLIKE ME ORIGJINË NGA DUKAGJINI

Nga Frank Shkreli

Memoriali në Shalë u kushtohet 7 burrave të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe të shpallurve “të lumnuar” nga Kisha Katolike Universale: At Ciprian Nika, O.F.M, At Bernardin Palaj, O.F.M, At Gjon Shllaku, O.F.M, At Gaspër Suma, O.F.M, Dom Dedë Plani, Dom Lazer Shantoja dhe Gjelosh Lulashi, martir laik.”


Sot është një ditë historike – kunjtohen përjetësisht 8 burra të Dukagjinit, të cilët ashtu si edhe shumë të tjerë anë e mbanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare kanë flijuar jetën – duke kundërshtua dhe rezistuar komunizmin ndërkombëtar në Shqipëri dhe anë e mbanë e botës.


Duke dhënë jetën e tyre, këta burra të Kishës e të Kombit shqiptar – shembuj të qendresës anti-komuniste -- ndihmuan përpjekjet historike gjysëm shekullore për shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe atij ndërkombëtar në mbarë Evropën duke çuar, eventualisht, në gjunjëzimin e diktaturës së perandorisë komuniste.


Jo vetëm Shqipëria dhe Evropa, por e mbarë historia botërore do kujtojë shekullin e kaluar si njërin prej shekujve më të përgjakshëm në historinë e njerëzimit.


Krimet e atij regjimi sllavo-aziatik – ndër barbarizmat më të egra të përjetuara në Evropë dhe në botë – po kujtohen sot, pikërisht, këtu në Shalë, me inaugurimin e këtij Memoriali kushtuar këtyre 8 burrave të mëdhej të Dukagjinit. Ngritja e këtij monumenti është një përgjigje dinjitoze e thirrjes së këtyre martirëve: “Mos na harroni, por na kujtoni!


Ky Memorial është ngritur në kujtim të këtyre viktimave të pafajshme të komunizmit, por ky Memorial shërben gjithashtu edhe si një detyrim ndaj brezave të ardhëshëm për tu kujtuar atyre, krimet e komunizmit me shpresën që ato krime barbare të mos përsëriten kurrë më. Ky Memorial është njëherazi edhe një monument që na sjell në mend se e keqja ekziston në këtë botë dhe si e tillë shoqëria duhet të përballet me të.


Vendosja e këtij monumenti kushtuar burrave të kësaj ane, në Breglum të Shalës, rrethi Shkodër, është një ditë gëzimi por edhe një ditë vajtimi. Të gëzuar dhe kryelartë për këta vëllezër shqiptarë, të një gjaku e një Kombi, të cilët heroikisht, kanë dhenë jetën duke qendruar besnikë ndaj fesë së tyre dhe Kombit të vet – besnikë ndaj lirisë, drejtësisë, besës e burrënisë, nderit dhe të drejtave të njeriut.


Ditë vajtimi --se na kujton një grup të vogël fanatik shqiptar i influencuar nga një ideologji e pa fe dhe e pa atdhe, komuniste sllavo-aziatike, një grup i dalur nga i njëjti Komb, por që në emër të kësaj ideologjie vriste e priste bijtë më të mirë të Kombi Shqiptar sepse nuk pajtoheshin me të. Mos përballimi, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste dhe mos dënimi i krimeve të komunizmit nga Shqipëria, mbetet sot e kësaj dite një njollë e zezë në fytyrën e Kombit – 30-e sa vjet pas rënjës së komunizmit zyrtar.


Por, megjithëktë, më në fund, e mira dhe e verteta triumfojnë gjithmonë kundër së keqës dhe gënjeshtrave. Duke ndenjur besnikë ndaj idealeve dhe vlerave më të larta të fesë dhe Atdheut, këta heronjë na kujtojnë se me sakrificën e tyre sublime, sipas frazës latine, “Vinci, Vincimus”. Ata edhe “Të mundur, fituan!


Ky memorial, do të thoshte At Zef Valentini, njëri prej albanologëve më të mëdhej, “Dëshmon se jo vetëm që Shqipëria ka pasur martirë të spiritualizmës e të demokracisë, në krahasim, më shumë se çdo vend tjetër, por njëherazi tregon edhe se shpirti i tyre ndër ata që mbetën gjallë e përkujtojnë sot, nuk është shëndërruar në një ankim të kotë, në një shpirt vëllavrasës, por vazhdon të jetë ndërtues i një ndërgjegje kombëtare me mendime e caqe të prehta, por me ndjesi drejtpeshimi e bashkimi.”


Urime familjes Gjin Markaj dhe Dedë Prenaj të cilat ideuan dhe mundësuan vendosjen e këtij Memoriali në Shalë kushtuar 8 burrave të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, por edhe të gjithë atyre që ndihmuan në realizimin e kësaj nisme.


I paharrueshëm qoftë kujtimi i martirëve të Kombit Shqiptar të cilët dhanë jetën për “Fe, Atdhe e Përparim” -- për liri e demokraci, për të gjithë dhe pa dallim!


Frank Shkreli



Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi gjatë, por që njëkohësisht, edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë të thjeshtë…” Papa Gjon Pali II, Otranto, Itali, Shtator, 1980


“…Ty, o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! I dimë të gjitha ngjarjet e trishtueshme që të është dashur të përballosh, veçanërisht në 25 vitet e fundit. Vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit, koha me vështirësi do të arrijë t’i fshij dhe që Evropa dhe e gjithë bota nuk duhet t’i harrojë!” Papa Gjon Pali II, Aeroporti Rinas, Tiranë, Prill, 1993




Fotot janë marrë nga faqja -- Ngjarjet Kisha Katolike Shkoder-Pult (Arkidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult)

6 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page