Edhe me fjalë sikur ta kishim bërë ne këtë takim


KUJTIM, TAKIMI IM I PAPRITUR, MBRESËLËNËS ME POETIN E MIRËNJOHUR, I SUKSESSHMI: AGIM DOÇI

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Zakonisht, ndodh me të gjithë ne të larguarit nga At-mëmëdheu ynë që, kur shkojmë në Shqipëri, përveç takimeve të përmallshëm me njerëzit, familjarët tanë, të drekojmë, darkojmë edhe në restorante të ndryshme.

Kështu ndodhi edhe me ne, unë dhe bashkëshortja ime atë mbasdite e dielë e para pak viteve, kur kunata ime, motra e madhe e bashkëshortes sime zonja Natasha Tola, na ftoi të hanim një drekë në një nga restorantet e bukur në Durrës, pranë banesës ku edhe ajo banon.

Restorant i bukur, gatime të shijshme dhe personeli i shërbimit shembullor.

Zumë vend në një nga tavolinat ku na drejtoi një nga punonjësit e restorantit.

Në bisedë e sipër, Natasha më thotë: Në krahun tënd nga e djathta, dy tavolina më tutje, qenka edhe poeti ynë i mirënjohur Agim Doçi.

Ndjeva kënaqësi të madhe sapo dëgjova emrin e poetit tonë të ndritur, fitues i shumë çmimeve të ndryshme në aktivitetet kulturore artistike nëpër vite organizuar nga Radiotelevizioni Shqiptar, festivalet e këngës në radiotelevizion, anketat muzikore të vitit, koncertet e majit, festivalet e këngës në rrethe...

Agim Doçi, që i ka dhuruar Artit, Kulturës Shqiptare qindra e qindra këngë të ndryshme dhe që ne, këngëdashësit e shumtë jemi rritur me ato këngë, i kemi kënduar dhe i këndojmë edhe në ditët e sotme, madje, edhe pse janë krijuar dekada më parë, çuditërisht, e ruajnë freskinë, bukurinë e tyre.

Një pjesë të mirë të krijimtarisë poetike tekste këngësh të krijuara nga Agim Doçi, unë i di përmendësh...

Poeti ishte i shoqëruar me katër - pesë njerëz të tjerë, midis tyre edhe bashkëshortja e tij e nderuar dhe kishin filluar një bisedë, për shtatë palë qejfe, siç e përdorim ne këtë shprehje popullore.

Këtë ia dallova, me takt, ktheva kokën nga tavolina ku po rrinin ulur. Doja t'iu hyja në bisedë, por nuk mundesha, sepse edhe nuk njiheshim fizikisht, përveçse jemi miq në face book.

Mendova të përdor një taktikë tjetër: Nga telefoni im celular, hyra menjëherë në youtube dhe klikova këngën "Zemër nëne", tekstin e së cilës e ka shkruar Agim Doçi, muzika nga Enver Shëngjergji dhe e kënduar nga Myfarete Laze në Festivalin e 26-të të Këngës në Radiotelevizion.

Sapo filloi kënga, ia ngrita zërin telefonit dhe tingujt e saj kënge të bukur u dëgjuan edhe në tavolina të tjera.

Dëgjova, nga tavolina ku rrinte ulur poeti Agim Doçi u ndërpre bised, ndërsa unë me zë të ulët shoqëroja këngën.

Pranë tavolinës sonë erdhi dhe u afrua një grua dhe, siç mësuam nga ajo, ishte bashkëshortja e poetit.

Pasi na përshëndeti me mirësjellje, na u drejtua: - Ju pëlqen kjo kënga?

- Sigurisht, iu përgjigja unë buzagaz dhe pse na pëlqen edhe po e dëgjojmë.

- E dini kush e ka shkruar këtë këngë...?

- Po, - iu përgjigja menjëherë, poeti ynë i suksesshëm Agim Doçi e ka shkruar dhe lëviza kokën nga ku po rrinte ulur poeti.

I miri, i mrekullueshmi poet Agim Doçi, u çua menjëherë nga ndenjësja, veprim të cilin e bëra edhe unë dhe u afrua.

Iu prezantova dhe, sapo më dëgjoi emrin tim, si të ishim të njohur prej vitesh u përqafuam.

- Le t'i lëmë gratë në bisedën e tyre dhe ne ulemi në një tavolinë tjetër e të bisedojmë, - shprehu dëshirën poeti.

A ka kënaqësi më të madhe kur je ulur me një njeri, me një emër të ndritur në kulturën shqiptare, të bisedosh për artin, kulturën, letërsinë...?!

A ka kënaqësi më të madhe të shkëmbesh mendime të ndryshme me vlerë nga njerëz të kulturuar, të thjeshtë, që shpesh herë bisedën e shoqëron edhe me humor, siç është poeti Agim Doçi?!

Në bisedë e sipër, i them poetit: Edhe me fjalë sikur ta kishim bërë ne këtë takim, nuk do ishte kaq i bukur dhe emocionues! E ku na i priste ne mendja që një mbasdite vere të takoheshim rastësisht në një nga restorantete e Durrësit?!

Biseduam gjatë me poetin për këngën shqiptare, për muzikën, për festivalet e këngës, për.. për...

Kujtuam miq, shokë, kolegë të ndryshëm, poetë, muzikantë dhe ata të ndjerë që nuk jetojnë më që poeti ka bashkpunuar nëpër vite të ndryshme duke na sjellë ato këngë perla të muzikës shqiptare.

Dhe, ndërsa tani po shkruaj këtë kujtim të bukur, të paharuar, takimin tim me poetin e mirënjohur Agim Doçi, më kujtohet edhe një emër tjetër i ndritur në muzikën e bukur shqiptare; takimi im i bukur, i paharuar, mbresëlënës, në Trieste, Itali të para disa viteve me poeten e madhërishme, të suksesshmen, që me të drejtë shumica e popullit e quajnë: Mbretëresha e teksteve të këngës shqiptare, emërndritura Zhuliana Jorganxhi, për të cilën unë kam shkruar disa herë për të, madje edhe bashkbisedimin në formën e intervistës.

Dhe janë këta emra të ndritur në muzikën e bukur shqiptare që me tekstet e tyre në bashkpunim me muzikshkruesit e ndryshëm na kanë dhuruar këngë, shumë këngë të ndryshme, të suksesshme, të vlerësuara nga juritë e ndryshme, të pëlqyeshme nga mbarë populli që vazhdojnë të këndohen edhe në ditët e sotme ashtu, të bukura, të freskëta.

Janë këta emra të ndritur: Agim Doçi, Zhuliana Jorganxhi, Xhevair Spahiu, Vladimir Kotani, Aleksandër Peçi, Skënder Rusi ... që duhen vlerësuar, dekoruar nga instancat më të larta të shtetit shqiptar me titullin e madh: NDERI I KOMBIT, pavarësisht se atë titull ata e kanë marrë nga publiku i gjërë artdashës.

33 views

Shkrimet e fundit