
Edhe ikjet duhen njerëzisht zbukuruar
Fatmir Terziu
Rrjedh lotë në suprinën e qeltë të dhimbjes
dhe ngutem të hesht,
brenda një kornize të drunjtë postmoderne,
ku e shkuara frymohet pa frymë,
e syri arratiset,
të gjej një grimë për shkrimin e radhës
në këtë Libër të Jetës
unë jam një pikë loti,
që çmendet brenda kësaj dhimbjeje,
nga thirrma dashurore e Prindit
e zemra plasaritet pa u ndjerë në thjerrëza
që zhbirrojnë matufepsjen e kohës,
që zbrasin funeralet si lodra të të gjallëve,
ikatar të tjerë shënohen në listën e biznesit
nga kjo zbehje arkaike,
palo kohë,
palo frike
me ngjyra dhe maska të ngjyrosura ai të brendshme,
sa kotësi,
sa zbrazëti e ndjeshme
e lutem fort,
aq fort sa Zoti i Madh të rikthej sytë tek Njeriu,
tek krijesa e tij e trembur.
Zot i Madh
të lexoj dëshirën tënde të madhe për të na rikujtuar
se edhe ikjet duhen njerëzisht zbukuruar…
U sos lumi
Fatmir Terziu
…u troshit lumi.
Perdet janë fryrë me frymëra të shpërndara,
shtatë lëkurë shpërndajnë zajet nën Këmishë të Bardhë.
Atje janë fjalët e mia,
një tjetër arsye të mbajnë dallgët,
ndërsa në gjoks mbaj me forcë lëkurën e parë.
Është njerëzore edhe pritja e largët, edhe ikja e një Burri
në damarë ndjej përpëlimat e ftohjes
pa fshirë ilkën e ujtë që i bashkohet lumit
Zoti u ul të mendohet mbi qoshe të gdhendura guri
i ka zgjedhur fjalët
asnjë nuk zhbëhet, asnjë për t’u hequr
edhe pse sot është e Dielë e mund të ishte ndrequr…
lëkura e parë,
e dytë,
e tretë…
kaq pak
lëkura e shtatë…
…po gjumi si gjumi
kurë nuk pyet a u sos lumi.