top of page

EDHE IKJA, DASHURI ËSHTË


EDHE IKJA, DASHURI ËSHTE


…sidomos kur shpirtin nuk e merr dot me vete!


Nga Faruk Myrtaj


Titulli i librit të Gjon Ndoj, “Shpirtin nuk e mora me vete”, është përfaqësues, shkon për bukuri me lëndën edhe pse brenda tij gjallojnë tri pjesë që herët a vonë do meritojnë fat të pavarur.

Rrëfimet e para '90, pjesa më ‘brutale’, karakteret të brishtë nën korracën/zhguallin e auto-censurës. Minierat e florinjta të bakrit, njerëzit e lirë që punonin e vuanin thuajse njëlloj me të burgosurit, inxhinierët e nëntokës në rrekje për të pajtuar specialistin me …operativët që u ngatërroheshin nëpërkëmbë). Udha si punëtor, si teknik pastaj si inxhinier nëntoke është krejt e veçantë, e pastër sado e vështirë, e rreptë, plot kurthe të ngritura për të gjithë por autorin/heroin e shpëton Njeriu që ka ardhur duke u bërë pa pra, deri aty. Disa personazhe ndër të burgosurit ta rrëmbejnë gëzimin njerëzor, por edhe trishtimin e lotin. Disa sigurimsa ta rrëmbejnë urrejtjen, me ‘shpirtin e tyre të pa-shpirt’ që ndodh e kapërcen edhe ligjin e shkruar. Disa drejtues punimesh-në këto ndërmarrje që shëmbëllejnë si reparte ushtarak nën rrethim, mbase janë maksimumi që mund të bëj Njeriu në atë kohë anti-njeri.

Mërgimi i parë, brenda-ballkanik, Greqia-fizikisht Evropa më e afërt, të ngjethë me brutalitetin e saj arakaik-ballknik, shkruhet tërë ndjesi në këtë libër. Gjon Ndoj, në vetë të parë, rrëfen “Pse nisej shqiptari për mërgim, në fillim-vitet 90”? Pastaj, përse vazhdon të niset edhe sot e kësaj dite?

Ndodh diçka apo gjendet dikush, që ta prish mendjen për të mërguar. Rruga por në Greqi e inxhinierit Gjon Ndoj, udhëtimi mes malesh të rreptë dhe rojash që mund ta marrin jetët, me ato këpucët e fashuara dhe të paketuara dhe, e tera me tej...sado qe kemi dëgjuar jo pak, Ndoj na e bën konkrete Natyrën e gjelbër Greke, ku jo se mungon Njeriu-ai është te qytetari i thjeshtë, por se ekziston edhe Anti-Njeriu social, ushtaraku e policia që, sado në shoqëri të hapur tregu është ende arkaik. Tërë bota është kudo, por në Greqi është së pari Ballkan, me tërë mëritë dhe hakmarrjet pa shkak. Emigrantët shqiptarë fyhen e ndëshkohen sepse Tirana zyrtare ka njohur Ish Republikën e Maqedonisë!


Gjon Ndoj

Muajt e Greqisë në pendën e Gjon Ndojt lexohen si libër më vete.

Të paketuar, e kthejnë në Mëmëdhe! Nuk ka ndryshuar aq gjëra sa të mos mendohet për mërgim tjetër. Zhgënjyer rreptë nga Avropi Ballkanik Grek, nisin përgatitjet per Perëndimin Real, Kanada, Intervista në Poloni dhe ndarja me Atdheun, Merditën dhe Simonin- oh sa dashuri ka për vendlindjen, në të gjithë faqet e librit, për prindërit dhe…shpirtin që mbetet atje pas…

Mërgimi i detyruar, qysh në ndarjen me nënën, rrëfehet si ftesë për sfidë të gjatë…

Historitë me Traditat e Veriut, shfaqet lënda më virgjine, nëse mund ta quajmë kështu. Sidomos ne kete sipermarrje, Ndoji shkelqen.

Rrëfimet plotë detaje në lidhje me traditat e zakonet ndonjëherë trishtojnë pak, jo me moçmërinë e tyre, por jo në mënyrën e për-shkrimit të tyre. Gjon Ndoj shkëlqen në këtë mision qytetar, edhe pse duket se shpirtin e ka në Simon, te mulliri...

Në disa prej tyre, sidomos te proza kur prindi që nuk po e merr dot gjakun, dhe djali po i rritet, del për Nuse për Djalin! Vizatim i ndierë e mjeshtëror i mjedisit ku kalon i Panjohuri. Cilat fjalë përdoren për gratë që mund të përballen atyre lartësive, në rrugë për të arritur tek ajo Kulla njerëzit e të cilës “e kanë mbytur arushën me duar”?!



Si të ftojnë në Kullë, si të nderojnë, normat e rregullat për mikun , armët ne muret mbi të dy, gjumi përbri me të, keqkuptimet dhe rregullat e gjak-marrjes dhe hak-marrjes, etje etj., janë perla. Të mrekullojnë detajet e paraqitjes së familjarëve por edhe ato të dhënies së fjalës për “njërën nga tri vajzat e shtëpisë që zgjidhet në gjumë”…

Nuk di t'i ketë përshkruar kush më dhembshurisht, më nga brenda.

Me dy fjalë: libri ka pasuri të madhe, lëndë jetësorë nga ato që mezi i ka letërsia e zgjedhur.

Të shkruarit është proces përsosje, por atje ku autori e ka lënë shpirtin natyrshëm, bëhet i shkëlqyer, tërë ato karaktere, që bëhen karakteri i vet librit. Ka ngjyrë të qartë humane e mëmëdhetare, por me shume se gjithçka rrëfen si gjurmë shpirti atë truall, atdheun, të pasur e të varfër, të bukur në shkujdesje, tërë shpresë zhgënjimesh...

Edhe IKJA, Mërgimi, shenjë e provë dashurie është…

277 views1 comment

1 Comment


Qatip Mara
Qatip Mara
Oct 19, 2023

Urime e suksese poeti e shkrimtari talentuar Faruk Myrtaj. Ju uroj jetëgjatë me lumturi! Ju lexojmë me vemendje e kënaqësi. Respekte

Qatip Mara

North Carolina USA 19.10.2023

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page