top of page

E vitet rrodhën


Angjelina dhe Bashkim Saliasi

Nga Bashkim Saliasi


Dielli im, hëna ime, e shtrenjta ime, bashkëudhëtare, shoqe, kolege dhe bashkëpuntore në shkrimet e mia Angjelina, të dua në jetë të jetëve, zemra ime! Edhe një 100 pranvera të lumtura të uroj.

Nuk po gjej fjalë të shpreh mirënjohjen time për dekadat që shkuan dhe ne së bashku ndërtuam kështjellën tonë, që Ti e shtrenjta ime mundohesh me çdo kusht ta ruash të fortë dhe ti zgjasësh jetëgjatësinë.

Të jam mirënjohëse për çfarë ke bërë për mua dhe fëmijët e mi. Qe fat nga Zoti që unë i besimit musliman dhe ti ortodoks të mos pyesnim për fe dhe xhami, por të lidhnim jetën së bashku. Kudo bashkëudhëtar, në shkollë, në punë dhe në jetë.

Më lumturove kur më bëre baba për herë të parë dhe në jetë solle princeshën tonë të shtrenjtë, Julin që unë ato ditë rendja në punë pesëmbjdhjetë kilometra larg teje nga Dobrusha në shkollën e Therepelit. S’më shqiten nga kujtesa kur të çova në maternitet në Çorovodë dhe ika në punë në shkollë se prisnin fëmijët. Në ora dhjetë u lajmërova se më kërkonin në telefon dhe kur ti zemra ime më dhe lajmin se u bëre baba mu duk se më fale gjithë botën. Nuk pyeta më dhe renda drejtë qytetit për të përshëndetur dhe për të uruar për princeshën tonë të shtrenjtë që sole në jetë.

Rrugëtimi jonë që disi i vështirë, por s’ka gjë më të bukur kur njeriu ndeshet me vështirësitë dhe gjen forca ti përballojë ato dhe lumturohet me familjen e tij.

Si mund ta harroj ditën kur u shpërngulëm nga vendlindja ime e shtrenjtë ku më kishte rënë koka, fshati më i bukur për mua në rrethin e Skraparit, Dobrusha. Qava atë ditë që u larguam së bashku me princeshën tonë dhe u strehuam në kështjellën tonë në fshatin Nishovë. Po për çudi edhe kur u larguam nga Nishova pas 8 vitesh të dy së bashku qam se lam pas vlera që kujtohen edhe sot edhe kësaj dite nga banorët e fshatrave Nishovë, Novaj e Bargullas.

Eee ç’ë hoqëm deri sa e kompletuam shtëpinë për ti siguruar princeshës sonë kushtet minimale. Pastaj rrethimi dritareve me hekura. E më vonë vendosja e gardhit rreth e rrotull shtëpisë ku çdo mëngjes vinin e na përshëndesnin lopët e koperativës. Mbjellja e pemëve, ndërtimi kotecit të pulave etj…

Si mund të harroj ardhjen e vëllezërve të mi pas një muaj që u trasferuam në shkollën e bashkuar Bargullas dhe sollën me vete dërrasat për përgatitjen e divanve me komeradare dhe shtrimin e drekës me gjithë vëllezërit e mi Syten, Hysenin, Zylfon dhe Izetin.

E vitet rrodhën si përrenjtë që dalëngadal mbledhin ujrat dhe formojnë lumenjë dhe ne e dashur ndërtuam jetën tonë me mund e sakrifica që nga Nishova, në Poliçan dhe së fundi ja sot kemi rreth 25 vjet që ngritëm çerdhen tonë me mund e sakrifica në Tiranë.

Ardhja në jetë e djalit tonë Melit na gëzoi pa masë dhe u gëzuam në vitet në vazhdim me dy festa, vitin e Ri dhe 3 janar ditëlindja e Melit. Por ja që qenka e shkruar që janarin mos ta kalojmë vetëm me dy festa, por edhe me ditëlindjen tuaj e shtrenjta ime, hëna ime, drita ime që të kam dashur, të dua dhe do të dua sa të jem gjallë me jetën time më 10 janar. I lutem zotit që gjithëmonë të jesh pas meje, dhe të kujdesesh për fëmijët tanë.

Do thuash që paska luajtur burri. Jo e shtrenjta ime se nuk kam luajtur, por këto janë fjalë zemre sepse në ditët më të vështira të jetës sime të kam pasur pranë. Si mund ta harroj vitin 1994, muaji qershor kur unë u “helmova” nga një helm që ngordhte insektet, por zoti e deshi që unë mos ikja, por të isha krah teje në ditë të mira dhe të vështira. Zoti më fali se më se duam njëri-tjetrin pa hile. Nuk kam si të harroj ditët kur ti e dashura ime shkoje në mbledhje në Çorovodë dhe unë të prisja te lëmi Kiços në ditë me diell, shi apo suferinë.

Së bashku u lumturuam edhe kur na erdhi në jetë djali vogël, Idi që e lindëm dhe e rritëm në Nishovë. Po si mund të harroj vullnetin e mirë të kunatit tim Hekuran Çelës që lejoj motrën time Sheriban dhe qendroj me Ty ditët kur unë kryeja kualifikimin në Berat në vitin 1984 dhe djali u sëmur rëndë.

Kujtesa ime shkoj edhe në ditët e vështira që kaluam së bashku kur na sëmureshin fëmijët dhe detyroheshim ti ulnim në spital në lagjen Kalluç në poliçan në çdo orë të ditës apo të natës sipas rastit.

Në kujtesën time sot vijnë si një ajzberg mendime që nuk po gjej mundësi ti rendis, por ajo që mua më lumturonë është çiltërsia jote dhe dashuria që ushqen për mua dhe familjen time.

Nuk të thashë gjë dhe dola me mendimin se livadhin ku do këpusja lulet për të lumturuar do ti gjeja te Lapidari, por nuk u mërzita eca ngadal edhe pse shiu bënte punën e tij drejtë Medresesë.

-Për çfarë i do lulet?- më pyeti shitsja.

-Për ditëlindjen e njeriut më të shtrenjtë të zemrës sime.

Shitsja nuk foli, por zgjodhi lulet më të bukura dhe në fund pyeti: -po kartolinë do?

-Jo iu përgjigja, kartolinën ia kam dhuruar, por më rregullo buqetën mirë. Më në fund shitsja më falenderoj dhe më uroj për bashkëshorte.

Mora rrugën ngadal dhe më mirë mendova ta përshkruaj në këmb se me autobus. E kështu bëra. Rrugës më vinin lloj-lloj mendimesh. Në kujtesën time erdhi vetvetiu dita e parë e njohjes me njeriun tim të shtrenjtë, Angjelinën. Ishte mesi i qershorit dhe në shkollën tonë atë vitë organizoheshin shumë mbrëmje dëfrimi. Kërcyem së bashku po thuajse gjithë mbrëmjen. Gjatë verës letrat tona ranë në “duara” të gabuara. Por ne nuk u stepëm nga rruga e ndjenjës së dashurisë që kishte hedhur rrënjë të thella në zemrat tona. Në shtator në aksion në hekurudhën Librazhd-Përrenjas, në sektorin e Quksit. Pasi u sistemuam nëpër çadra u takuam një pasdite pas biblotekës mbi dydyqanet e Quksit. Aty i dhuruam njëri-tjetrit puthjet e para dhe dashuria jonë mori rrugë të pa kthyeshme.

Ee sa kemi hequr gjatë rrugës nga mentalitetet, por në këto çaste gëzimi nuk kam qejf të kujtoj asnjëgjë, dua ti harroj dhe mos ti kujtoj asnjë herë.

Të uroj e shtrenjta ime Angjelina shoqe, kolege, nënë e fëmijve të mi, këshilltare dhe bashkëpuntore në shkrimet e mia jetë të gjatë dhe bashkëudhëtar deri në orët e fundit të jetës sonë. Të dua pa kufi, në infinit hëna ime e shtrenjtë.

Tiranë, 10 janar 2021

1 Comment


E shkruar me dashuri... Ju jeni një model i asaj që vetë jeta e kërkon nga Njeriu me te cilën nis, ndërtohet dhe trashëgohet jeta. Ju roj 100 vite të tjera bashkë z Bashkim Saliasi.

F. Terziu

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page