Parathënia e librit të Koço Danajt, “Shqipëria Natyrale” III
Libri që marrin në dorë Shkëlqesitë e tyre të ndritura në Europë dhe përtej saj, është i një lloji të veçantë. Nuk ngjan me librat që ata kanë në bibliotekat e tyre, sepse ka disa veçantësi. Është një libër i madh e i rëndë, po jo nga përmasat fizike.Është edhe libër, edhe Akt. Më mirë të themi, është një Akt i botuar në libër.Për vite të tëra, autori i këtij libri, me nivel të lartë njohjeje dhe analizë të mprehtë, ka përcjellë zhvillimet politike në Ballkan e më gjerë, zhvillime të cilat, të paktën brenda Ballkanit, “ngado të rrotullohesh”, nxjerrin në pah çështjen ende të hapur e të pazgjidhur shqiptare.Stili kalorësiak me të cilin është shkruar libri, ka të bëjë me faktin se autori është kalorës i nderit, nga ata të parët. Ai është kalorës i lirisë, një kalorës në rrafshin intelekutal. Dhe kalorësit intelektualë, kanë një kalë jo si ata që përdoren në luftë. Ata kuaj që bënë luftërat, nuk jetojnë më. As kali i Skënderbeut, doemos as Skënderbeu vetë. Sepse të dy, njeriu dhe kali, si qenie të gjalla janë të vdekshme. Po Skënderbeu mbeti në mbamendjen e gjithë Europës, si Kalorës i përjetshëm, e si Atlet i krishterimit.Kurse “kali” me të cilin kalëron autori i këtij libri është e vërteta, është argumentum-i i latinëve të lashtë.Koço Danaj i takon kombit që nxori edhe një Kalorëse të famshme, pa një të dytë të ngjashme në botë, Nënë Terezën. Ajo kalëron qiejve, me Kalin e Mirësisë dhe të Bamirësisë.Koço Danaj u drejton një ftesë të gjithë drejtuesve të shteteve dhe të qeverive europiane. I fton si një fisnik i vërtetë, i fton për të lexuar, e jo për duel. I fton për të biseduar, e jo në front. I fton për të reaguar, e jo për t`u uthulluar.Madje, ai shkon dhe pi kafe në zyrat e tyre, përmes librit që u dhuron, duke ua nisur me postë, me shpenzimet e tij, të cilat i mbulon “më së miri” me pensionin që merr.Në këtë kuptim, e vërteta e tij nuk ka nevojë për vizë konsullore dhe as për afate kohëqëndrimi në kryeqytetet e Europës.Libri, ashtu si autori i tij, nuk është kundër Europës, nuk është euroskeptik. Përkundrazi, autori do t`i bënte nder cilitdo kryeqyteti të Europës, nëse do ishte banor i tij. Do t`i bënte nder, sa me sharmin e tij qytetar, aq edhe me kulturën e gjerë që zotëron.Ky libër është një provë morali, është provë e arsyes, është “Ultima Ratio”. Është provë e vetëdijes, e humanizmit të simboleve mendore.Mirëpo autori njëherazi nuk është as etnoskeptik. Ai është po aq patriot, sa janë për vendet dhe kombet e tyre edhe ata të cilëve u shkon ky libër, në tryezat e tyre të punës. Ai nuk mendon dhe nuk vepron si individ, por si bartës i ndërgjegjes kombëtare. Prandaj ai nuk mund të heshtë, pasi e di mirë se heshtja përballë së vërtetës është skllavëri mendore, e cila është më e keqja nga të gjitha skllavëritë. Në fjalorin e natyrës, nuk gjendet fjala “skllavëri”.Me intelektualët e mëdhenj ndodh gjithmonë dukuria e mrekullueshme. Sa më shumë që japin ata, aq më shumë fitojnë. Dhe egoja vetjake e tyre humbet, sepse vetë ata, kthehen në alter egon e popullit të tyre.Ky libër i Koço Danajt nuk është doktrinë shovene, si ato që u hartuan nga viti 1840 e këtej në Ballkan; nuk është folklor, por as edhe teori vetjake e tij. Ai nuk bën thirrje për luftë, nuk kërkon spastrime etnike, si ato që u bënë me kryq në dorë në vitet 1913-1945, në Çamërinë e sotme, në Kosovën e sotme, në Maqedoninë e Veriut të sotme, e në Malin e Zi të sotëm, që atëherë ishin një shtet e një territor. Përkundrazi, ka dy referenca në veprën e tij: Traktatet Ndërkombëtare dhe Kuvendet Mbarëshqiptare. Brenda këtyre dy shtyllave, ai shikon dhe kërkon zgjidhjen e çështjes shqiptare. Kancelarive europiane ai u drejtohet paqësisht dhe u flet në gjuhët e tyre.Europianët e njohin mirë faktin, se sot ne shqiptarët, jemi i vetmi komb që jemi “fqinjë” me… vetveten!Prandaj autori zgjidhjen nuk e sheh të realizueshme me dhe vetëm në rrugë, pa i mohuar asaj rëndësinë. Brenda një kombi lidhjet janë më së pari të gjakut, të gjuhës, shpirtërore, historike, e pastaj edhe fizike. E këto lloj lidhjesh nuk bëhen apo zhbëhen me traktate dhe marrëveshje, cilatdo qofshin ato.Nga të gjithë këta faktorë, ai u mëshon lidhjeve historike. Prandaj revokon Kuvendet e Shqiptarëve, qysh prej Lezhës e deri në Bujan, duke sjellë në këtë libër, thelbin e programeve të tyre.Padrejtësitë e bëra pas luftërave shkatërruese që solli fillimi i shekullit të kaluar, ishin shumë herë më të rënda sesa vrasjet, djegiet, shkatërrimet, çrrënjosjet dhe përzëniet me zjarr e me hekur të pjesëve të tëra të kombit shqiptar nga trojet e tij etnike mijëvjeçare e natyrore. Pikërisht, zgjidhjen e këtyre padrejtësive bën thirrje autori për ta bërë në fillim të këtij shekulli.Kanë kaluar mbi njëqind vjet nga kjo tragjedi. Ajo është “mplakur” në vite, por kullon e tëra gjak, njësoj si nga venat e një 20-vjeçari. Autori i bën thirrje ndërgjegjes intelektuale të Europës, të bashkohet në një Marrëveshje të Madhe, Historike, i fton ata në Kuvend, e jo thjesht në parlament.Libri është thirrje për veprim e jo për fjalë. Europa e sotme nuk i kursen fjalët e mira e të përgjithshme. Por është shembulli ai që edukon. “Verba docent, exempla trahunt”-thoshin latinët e moçëm. Sepse këmisha, kurrë nuk mund ta fshehë karakterin.Autori ua dhuron librin bashkëkombësve të Lord Bajronit. Por edhe bashkëkombësve të Liza Obrisë (Elise Aubry), e cila në vitin 1917 botoi librin me titull “L`Albanie et la France”, me parathënie nga Gijom Apolineri (Guillaume Apollinaire).Në vitin 1986, në Itali u zhvillua gjyqi “Maxiprocesso”, i cili ishte gjyqi më i madh në historinë botërore kundër mafies. Një proces penal me pjesëmarrjen edhe të “gjyqtarëve nga populli”(njerëz të nderuar dhe të pakorruptuar në fushat e tyre).Autori i këtij libri, nuk kërkon “Maxiprocesso” e as gjykatës popullorë. Sepse popujt, ata popuj që përfaqësoheshin nga gjashtë amabasadorët, atje ku kanë qenë janë. E nuk pushojnë së qeni popuj, me të njëjtat probleme e preokupime, ashtu si edhe populli shqiptar.Koço Danaj u drejtohet pasardhësve të atyre që bisedonin pasditeve, duke pirë çaj të ngrohtë, dhe me bisturi në dorë prisnin pa narkozë trupin e kombit shqiptar dhe trojet e tij.Duket e pabesueshme, por burrat e mëdhenj, kanë thënë të vërteta të mëdha e të hidhura për vetë shtetet dhe politikat e tyre.Çurçilli shkroi: “Disa herë shtetet e mëdhenj shfaqin madhështinë dhe fisnikërinë. Por herë të tjera, po ata, të njëjtët, sillen si fëmijë të pazhvilluar nga ana psikike”.Kurse Klemansoja shkruante: “Të mëdhenjtë, flasin për drejtësi, e bëjnë padrejtësi”. “Grandeurs et Miseres”.Por të paktën dy prej atyre që bënë ato bisedime, e treguan veten intelektualë trima, qoftë edhe post factum.I paharruari Eduard Grei do të deklaronte hapur në parlamentin britanik: “U vendos që bregdeti dhe Shkodra t`i mbeten Shqipërisë, ndërsa Peja, Prizreni, Dibra dhe pas shumë bisedimesh, Gjakova, të lihen jashtë Shqipërisë. Kjo marrëveshje la një pjesë të madhe territori për t`u ndarë midis Serbisë dhe Malit të Zi, si fryt i fitores së tyre…Unë e di fare mirë, se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje do të japë shkas në shumë pika, për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin… Por ne e bëmë këtë, për të ruajtur paqen europiane”… (Fjala e mbajtur në Dhomën e Komuneve, në shkurt 1914).Ashtu siç gjashtë vjet para se të ndërronte jetë, Grei shkroi në “Kujtimet” e tij: “… Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja. Serbia donte të kishte dalje në Adriatik. Dhe kishte shumë mundësi që ajo (Serbia) dhe Mali i Zi, të dëshironin të merrnin disa rajone të Shqipërisë, duke i konsideruar pjesë të plaçkës së luftës.”Po ashtu, i paharruari Pol Cambon i la të shkruara të vërtetat, të cilat i botoi nipi i tij: ”Ballkanikët tanë ikën, por mbetën pa u zgjidhur problemet më të rënda, kufijtë e Shqipërisë…” (“Korrespondenca”, 1946).Ata ikën nga jeta me shpirt të qetësuar, sepse e lanë të shkruar të vërtetën, duke kryer detyrimin e tyre ndaj Historisë.E bën këtë autori, sepse beson në vlerat e Europës së Bashkuar, e cila në themelet e vlerave të saj ka parimin: “Ekziston e drejta e të urtit, jo ajo e të fortit”. Dhe sepse autori beson thellësisht atë që kanë vërtetuar shekujt: “Me rrugën e së keqes, nuk arrihet tek e mira”.Koço Danaj ua vendos Shkëlqesive të tyre në tryezat e punës, të shkruar Fjalën e tij.Fjala i përket përgjysmë atij që e shkruan dhe përgjysmë atij që e lexon.Tani, mbetet që Shkëlqesitë e tyre të marrin gjysmën e Fjalës, gjysmën që u përket atyre…Post Skriptum: Gjithë shqiptarët, brenda kombit dhe jashtë shtetit(shqiptar londinez), ende sot pas tridhjetë vitesh, nuk “shtëtitin” dot pa vizë. Ata, ose do kenë shtetësinë tjetër, ose u numërohen ditët e qëndrimit në vende të tjera. Brenda nëntëdhjetë ditëshit, kuptohet. Europa fajëson shqiptarët për këtë, e shqiptarët fajësojnë Europën.Kurse e Vërteta që përmendet në titull, nuk pati nevojë për vizë. Shkoi në zyrat e shteteve të Europës, thjesht, duke paguar tarifat e Postës Shqiptare…
Comments