E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak


Elvi Sidheri


Nga Elvi Sidheri


Të gjithë me siguri kemi dëgjuar për të ashtuquajturën “Fitore të Pirros”, një frazë përçmuese me origjinë nga romakët e lashtë, të cilët, të pamësuar historikisht me humbjet në fushën e betejës, ia patën bashkëngjitur këtë “detaj”, bëmave dhe jetës të udhëheqësit të shquar, mbretit të paharruar epirot.

Si është e vërteta e mirëfilltë historike ndërkohë?

Në vitin e largët 279 para Krishtit, rreth pesëdhjetë vite pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, botëpushtuesit legjendar maqedonas-ilir, perandoria e tij që shtrihej nga Maqedonia gjer në Egjipt e Hindukush në Indinë e skajit tjetër të globit, ishte ndarë në disa pjesë.

Njëri nga shtetet e këtillë ishte edhe Mbretëria e Epirit, që në epokën e Aleksandrit pati qenë aleate e Maqedonisë, sepse faktikisht vetë nëna e Aleksandrit të Madh, Olimpia, ishte një princeshë epirote, para se të martohej me Filipin II, që gjithashtu nga nëna kishte origjinë ilire. Ndërkaq, familja mbretërore epirote mbështetej në lidhje gjaku të drejtpërdrejtë me heroin epik mitologjik, Akilin.

Në vitin 297 para Krishtit, Pirro do të ngjitej në fronin epirot, teksa përgjatë dhjetëvjeçarit të mëparshëm ai ishte përgatitur në artin e luftës, kurse në 25 vitet pasues epiroti i pamposhtur do të shndërrohej në tmerrin e Romës, Kartagjenës, Maqedonisë dhe Spartës, fuqive më të mëdha të kohës.

Në vitin 281 para Krishtit, Pirro i Epirit tashmë 38 vjeçar, do të thirrej nga qytet-shteti i Tarentit, Taranto i sotëm, që dikur ishte themeluar nga kolonët spartanë, por në trojet e banuara nga populli ilir i Japigëve (bashkë me Mesapët, shkrimet e të cilëve, përbëjnë dëshmitë e vetme të shkruara të ilirishtes, dhe Daunët, popujt ilirë të gadishullit italik), që paskëtaj do t’i jepte emrin edhe vetë rajonit të sotëm italian të Puljas.

Tarenti kërcënohej nga ushtria romake dhe Pirro, duke pikasur mundësinë për t’u zgjeruar në tokat italiane, menjëherë pati nisur përgatitjet për fushatën ushtarake përtej detit. Pas aleancës me Maqedoninë, për të mos patur andralla prapa shpinës, ai gjithaq do të kërkonte udhëzime në orakullin e Delfit, e pas miratimit nga orakulli, Pirro do të nisej për në Itali.

Pasi do t’i mbijetonte edhe një stuhie të llahtarshme, mbreti epirot do të zbarkonte në Tarent në vitin 280 para Krishtit me 23 mijë ushtarë këmbësorie, shumica e të cilëve qenë trupa të armatosura rëndë të falangave të këmbësorisë, e gjithashtu 3 mijë kalorës nga Thesalia, 3 mijë harkëtarë, pesëqind hobetarë nga Rodosi dhe njëzet elefantë lufte.

Elefantët qenë një risi për luftën e kohës, mjaft përpara përdorimit të tyre nga ushtaraku i shquar kartagjenas, Hanibali, dhe ishin ofruar nga mbreti maqedonas i Egjiptit, Ptolemeu II.

Po në këtë vit, Pirro i Epirit do të përballej me romakët në betejën e madhe të Herakleas. Kulmi i betejës do të ndodhte kur elefantët e patën tmerruar kalorësinë romake, duke dërrmuar krejt ushtrinë romake rrjedhimisht. Do të ishte hera e parë që romakët përballeshin me këto kafshë e pas betejës thuhet se mbreti Pirro kish treguar një vlerësim të lartë për ushtarët romakë, duke pohuar se mund të pushtonte tërë botën me njerëz të tillë në ushtrinë e tij.

Përkundër ngadhënjimit, humbjet në radhët e ushtrisë epirote ishin të shumta, në masë të atillë saqë do të kishin ligështuar këdo udhëheqës tjetër, por Pirro gjithsesi pati vijuar marshimin drejt Romës deri kur do të njoftohej për faktin se romakët kishin bërë paqe me etruskët, me të cilët gjithashtu ishin në luftë. Më tutje mbreti i Epirit do të kthehej në Tarent për të kaluar dimrin.

Në pranverën e hershme të vitit 279, romakët do të mblidhnin një ushtri të re, nën komandën e përbashkët të konsujve Publius Decius Mus dhe Publius Sulpicius Saverio, që mori udhën për në Tarent.

Kur Pirro i Epirit do të dëgjonte për këtë orvatje të re ushtarake të romakëve, do t’i quante bijtë e ulkonjës si “Hidra të cilës i dalin dy koka të reja për çdo kokë që unë i pres”.

Pa humbur kohë, Pirro i Epirit nisi gjithashtu marshimin nga Tarenti drejt Rrugës Apia për në Romë dhe dy ushtritë do të takoheshin pranë qytetit të Askulumit (Ascoli Satriano i sotëm).

Ushtria romake në këtë betejë vendimtare, përbëhej nga katër legjione, me rreth shtatëmbëdhjetë mijë ushtarë të mirëstërvitur romakë këmbësorie, të tjerë njëzet mijë ushtarë këmbësorie nga aleatët e Romës, 1200 kalorës romakë dhe 1800 kalorës Daunë (fis ilir i Puljas së sotme), duke e shndërruar këtë përballje thuajse epike ushtarake të lashtësisë, edhe në njëfarë beteje mes ilirësh të ndryshëm, në anën e Pirros të Epirit apo Romës e aleatëve të saj.

Në radhët e ushtrisë së Pirros së Epirit, vendin e nderit e mbante falanga maqedonase, ndërsa në qendër të fushëbetejës qendronin krenarë Thesprotët dhe Kaonët, fise të paepura nga Epiri i mbretit Pirro, ndërkohë të dyja palët ndërluftuese numëronin rreth dyzet mijë ushtarë në radhët e tyre.

Dita e parë e betejës do të kthehej në një ngecje të përgjakur, teksa Pirro do ta hidhte tërë këmbësorinë në mësymje dhe romakët do të bënin qëndresë në kodrat e pyllëzuara ku qenë vendosur.

Gjatë luftimeve që zgjatën thuajse një ditë të plotë, në fushën e betejës do të spikatnin pikërisht kalorësit ilirë Daunë, aleatë të romakëve, që do të sulmonin drejtpërdrejt fushimin e Pirros së Epirit, i cili do të detyrohej të dërgonte Gardën e vet Mbretërore dhe disa nga elefantët, për t’i sprapsur Daunët e ndërsyer.