Sprovë
Dy fakte janë të denja për t’a kujtuar mbretin maqedon Dhimitër, që: E braktisën trupat e tij dhe u bashkuan me kundërshtarin, Pirron e Epirit; dhe që, mbreti Dhimitërr, kur e braktisi ushtria, hoqi rrobat e arta dhe me petka të thjeshta u vesh. Humbja e kujtesës s’eshte vetëm fiziologjike, ajo është edhe dobësi njerëzore, se është një humbje e qëllimshme. Kavafi e shkroi poezinë ”Mbreti Dhimitër” për ta bërë emnesë, që kujtesën t’a çliroj nga e sotmja. Fjalët që janë thënë atëherë për mbretin Dhimitër janë harruar, a ndoshta, s’kanë qenë të denja për t’u mbajtur mend. Ligjërim i vërtetë ka qenë veprimi i mbretit Dhimitër. “Kur e braktisën maqedonasit”, këtë varg nistor dëftor të poezisë po e kthej në pyetës, “Kur e braktisën maqedonasit (mbretin)? Plutarku thotë më 288 p.e.r. Është një datë e fiksuar, e megjithatë s’eshtë data e braktisjes, është data e një vendimi të shpallur. Braktisja e fshehtë, e vërtetë, s’është një datë në histori apo një çast në jetë, ajo është një kohë në mendim. Historia asnjëherë nuk e ka shpjeguar çiltër ç’ka ndodhur në shpirt në një kohë të caktuar. Po të kishim mundesi të pyesnim pjestarë të ushtrisë që e braktisën mbretin, ata do të na tregonin plagët në shkëmbim të fjalëve. Ushtarakët, në cdo kohë, kanë plagë dhe dekorata. Në plagë dhe në dekorata është ndryrë iluzioni i jetës. Plagët janë monedhë këmbimi për dekoratat dhe dekoratat, gjithashtu, monedhë këmbimi për plagët. Më lehtë është të marrësh plagë se sa dekorata. Përse s’do t’i tregonin dekoratat ushtarët e mbretit Dhimitër? Ata i kishin këputur lidhjet shpirtërore me mbretin, ishin vetëm në një lidhje vartësie, edhe ajo, nga çasti në çast, pritej të këputej në vitin 288 p.e.r. Lidhjet e besimit midis mbretit dhe ushtrisë së tij, ishin këputur shumë kohë më parë, para vitit të shpallur si vit i braktisjes. Me një term të sotëm ata ishin bërë të ndërgjegjshëm për plagët që u kishte shkaktuar mbreti. Në një çast, dekoratat e mbretit s’kishin kuptim. “Dhe donin Pirron në vend të tij”. Të thuash që një mbret është për t’u adhuruar më shumë se një mbret tjetër, kjo prirje entuziazmi, në thelb, s’ka kuptim. Plagët e kishin bërë ushtrinë maqedonase të zgjidhte një mbret tjetër. Nëqoftëse ata u bënë të ndërgjegjshëm për plagët, kjo ishte një meritë e madhe e tyre, nëqoftëse ata shkuan te mbreti Pirro, kishin se çfarë t’i tregonin. Plagët që ishin shkak për t’u larguar nga mbreti Dhimitër, ishin edhe arsye për t’u paraqitur të denjë te mbreti Pirro. Një gjë të vogëlth harruan ata, shkuan nga një mbret te një tjetër. Nëqoftëse te mbreti Pirro shkonin për t’i treguar plagët, nga mbreti Pirro kërkonin dekoratat. Energjia e ushtrisë maqedonase, që braktisi mbretin, u fut nën zotërimin e një mbreti tjetër. Ajo s’mbeti energji e lirë, e papërdorur. Ajo u përdor nga një mbret tjetër, për të njejtat qëllime që e kishte përdorur edhe mbreti Dhimitër, por u bë edhe energji mercenare.
“Mbreti Dhimitër (një burrë i lartë) Aspak- kështu thonë, si mbret s’u mbajt”.
Ajo që e vë në lëvizje mendimin e Kavafit, ështe habia dhe adhurimi për atë që Dhimitri “si mbret s’u mbajt”. Ajo që gjenia e Kavafit, e ka lenë në hije, është veprimi i braktisjes së ushtrisë. Për Kavafin, kjo gjëmë vë në provë vlerat morale të mbretit Dhimitër. Ajo që është ngjizur si natyrë e dytë te njeriu nëpërmjet rregullimeve shoqërore është adhurimi i mbretërve. Braktisja e mbretit nga ushtria e tij ka barabartësinë e një ndalimi fetar. Është një shkelje e një ndalimi për të treguar plagët. Në këtë kuptim është një çlirim. Prandaj, braktisja e ushtrisë, është e denjë për t’u përmendur, por ajo nuk bëri mbylljen në drejtimin e duhur. E mundshme ishte, që mbreti Dhimitër, të kishte një Makiavel, që t’i ketë dhënë mësime pushteti. E, megjithatë, ai s’e përdori tagrin e tij. Dhimitri jetoi në një kohë kur e thjeshta si mjaftueshmëri e vetvetes, krahës mënyrave të tjera të jetesës, ende kishte fuqi morale. Ai ndjeu atë që mbretërit s’duan ta kuptojnë, përkohshmërinë e rrethanave ndihmuese. E kaluara, skeptri, pasuria, kurrora, përvoja, tradita, tagri, epiteti, kërkonin nga Dhimitri të mbahej si mbret, por ai bëri të kundrtën. Adhurimi i Kavafit, për mbretin Dhimitër, është i përligjur, se ai iu shmang traditës. Kujtesa është rilidhja e shqisave me të djeshmen, por ka një rast kur rilidhja e shqisave me të djeshmen bëhet e pamundur, kur mbreti Dhimiter “si mbret s’u mbajt”. Midis kujtesës dhe rrethanave, Dhimitri zgjodhi të jetë në gjendjen e re. Është një vendim që takohet rrallë në jetën e mbretërve. Dhimitri si mbret ishte tiran. I braktisur nga ushtria e tij, ai mund ta shpallte veten martir dhe me tagrin e mbretit mund të kërkonte shpagim. Ai kishte qënë një herë tiran, po të pranonte të ishte martir, do të kthehej përsëri në tiran. Gjithnjë gjej rast të ndjek mrrekullimin e Kavafit për mbretin Dhimitër “që si mbret s’u mbajt”. Kujtesa ka një trajtë më të brendëshme se rilidhja e shqisave me të djeshmen, që është thadruar në psikikë. Ajo ishte përcjellë te Dhimitri dhe te Dhimitri mbret nga koha e tij dhe nga koha e paraardhësve, por Dhimitri, në gjendjen e re, kujtoi që shpirti është natyra që merr frymë brenda njeriut. “Dhe rrobat e arta dhe çizmet e purpurta hodhi tej”. Mendimi i tij filloi të lëvizë nga ceremonalja drejtë të thjeshtës. Rrobat e arta ishin shenjat e fundit që e lidhnin me mbretin. Heqja është thelbi i kësaj poezie. Heqje e madhe ishte braktisja e ushtrisë, që ai “si mbret s’u mbajt”, ishte heqja e madhe morale e tagrit të mbretit që ka shkaktuar plagë, që s’e shpalli veten martir, heqje ishte që s’iu bind kujtesës së të shkuares së fuqisë. Heqjet Dhimitri s’i bëri kur ishte mbret. Ai u kthjellua në një çast që përkon me heqjen e fuqive mbretërore. Heqja e fuqisë bëhet kusht për t’a përcjellë mbretin Dhimitër te Dhimitri njeri. Ndërmjet pyetjeve të shumta që mund ta kenë ngërthyer mbretin në çastet kur e braktiste ushtria dhe po prej tij kërkonin një përgjigje, për t’u futur në një mënyrë të re jetese, kur gjithcka që kishte ndërtuar (nje mbreteri), u shpërbë, dhe siç thotë Herakliti “Sa më e madhe rënia aq më e madhe fama”, por para se të vij fama ka ardhur rrënimi, mbreti Dhimitër mund ta ketë pyetur veten: “Ç’jam, lëndë në shërbim të shpirtit apo shpirt në shërbim të lëndës?” Mund të ketë arsyetuar: Unë e vura lëndën në shërbim të shpirtit dhe u braktisa dhe, po aq, e vura shpirtin në shërbim të lëndës dhe më solli të njejtën gjendje. Askush s’mund t’a dijë se çfarë përgjigje i ka dhënë mbreti Dhimitër Dhimitrit. Ne sot na ka mbetur një veprim i tij, “si mbret s’u mbajt dhe me rroba të thjeshta u vesh”. Ai hoqi shkëlqimin e arit dhe veshi petkat e thjeshta. E kishte provuar me jeten e tij se ç’ishte lënda në shërbim të shpirtit dhe shpirti pa ndalime, në shërbim të lëndës. Ato i kishin kërkuar ta shterte fuqitë e tij dhe të ushtrisë dhe, më në fund, një rrënim. E thjeshta kishte qenë Sokrati, përshendetjet, përshembull “Tungjatjeta!”, që shprehte kujdes për ruajtjen e qenies si e barabartë me çdo qenie. Në çastin e braktisjes nga ushtria, mbreti Dhimitër kuptoi se e thjeshta është shterimi i së mundeshmes pa ndërmjetësi, pa shpatën, pa skeptrin. Jeta po i kerkonte mënyra të reja të menduari. Po zbriste nga shkalla më e epërme e hirrarkisë te më e thjeshta e njeriut. E thjeshta është më e veshtirë për t’u bërë sepse është shterimi i së mundeshmes, i vetvetes pa ndërmjetësi, është trajta më thelbësore e qenies, është e barabartë me vetveten, është e plota e drejtëpërdrejtë e vetvetes. Dhimitri kishte sunduar në një mbreteri, tani duhet te sundonte vetveten, mendjen, trupin dhe pasionet. Ai kishte qënë njeri me fuqi, mijra herë më shumë se vetvetja. E gjithë jeta e tij kishte qenë një dalje nga trajta më thelbësore e qenies. Ai kishte patur fuqinë e ceremonialit. Tani, e më pastaj, atij do ti mjaftonte vetvetja, do bëj vetveten gjersa të gjejë një përkim midis jetës dhe mënyrës së të jetuarit. Në saje të një menduari ndryshe, mbreti Dhimitër, mundi të mbajë një drejtpeshim mendor që i hapi rrugën arsyetimit, se të zbresesh duke vajtur drejt të përsosurës, ideales, nuk është një rënie, është një çast i përputhjes së ideales me realen. Dhimitrit po i dilnin pamjet e jetës së tij para syve. E thjeshta kishte qenë kudo, përveçse në ceremonial, në pushtet. Pati fuqi mendore ta zhvishte jetën e tij nga ceremoniali dhe dalloi të thjeshtën, e pa në gjithçka që ndërtohej dhe tha: “E thjeshta është e shenjta e jetës”. Në një çast meditimi po e rrokte jetën si një të tërë, pastaj e ndau të tërën në atë që e quajti të thjeshtë dhe në ceremoniale. Dhe shestimi i tij u përmblodh në fjalën e “thjeshtë” dhe në fjalën “ceremonial”. Mendimi i tij shkoi më tej nëpërmjet një shëmbëllimi. Ceremoniali e kishte kapur trupin e së thjeshtës si rrjeta e Klitemnestrës trupin e Agamemnonit në vaskën e banjes. Prandaj Dhimitri u largua qetë-qetë (ndoshta jo aq qetë sa thotë Kavafi), pas zbulimit të madh, ndoshta si një aktor u largua qetë-qetë, por kur kuptoi se çfarë roli kishte luajtur në skenën e jetës, çfarë përgjakje kishte bërë në emër të disa ideve, të disa pasioneve, roli i tij si mbret i të tjerëve, iu duk qesharak, madje i neveritshëm. Me ikjen e tij nga skena si mbret po bënte lëvizjen në drejtimin e duhur, pavarsisht nga hierarkia ku do vendosej dhe nga idetë e shoqerisë. Ai po bënte kapërcimin e madh nga teatri në jetë. Ai teatrin e kishte kuptuar shumë thellë, e kishte luajtur vetë protagonistin, ndërsa që nga ky çast, do të ishte në jetë, domethënë në vetvete, në rolin e tij, për të cilin kishte lindur. Tani e mëpastaj, edhe pesë vite të tjera, që i kishin mbetur, ai do të plotësonte vetveten, njeriun. Dhimitri s’donte ta ngateronte prore thelbin e qenies me përfytyrime madhështie të rreme. Sokrati kishte qenë e thjeshta e përjetëshme kur kishte shpallur urdhërimin për njeriun: “ NJIH VETVETEN!”. Kavafi, me një qartësi klasike, ka dhënë te “Mbreti Dhimiter”, mbretin dhe njeriun si dy qenie të ndryshme, në çastin që ndahen brenda së njejtës qenie.
Nga libri: “DRITA(ret) e Arsyes si TIRAN(i), 2012
Comments