E PËRDALA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 11, 2020
- 4 min read

E PËRDALA
" Nuk është për ty- më tha një shok, Ka shkuar me shumë të tjerë" Pa mosha më bëri çamarrok, Rrugën i preva disa herë.
Si një drenushë lozonjare Shpërfillte këndshëm vështrimin tim, Heshtur, vetëm, në trotuare, Barisja me inat, me qortim.
Sa kryeneçe, pse nuk ndalon? Pa shih si jam, nuk kam të sharë. Çdo vajzë krah meje kur kalon Kryet i kthen për të më parë.
Nisa dyshimet te shoku im, Si mund të jetë e përdalë? Të afron ajo te çdo burim, Po s'të jep as ujë, as fjalë.
Ditët s'iknin, netët u zgjatën, E shqeu ankthi t'urtin durim, Dhe si re që sjellin shtrëngatën, Ma trazonin papre shpirtin tim.
Kurtizane? Bah. E përdalë? Mos me djallin shortin ka mëdysh? Shkruar asnjë s'e ka në ballë... S'më hiqej prej mendjes, as prej sysh.
Ditët me vrap dimrin po binin, Zbrazur qyteti do ish , e di. Mbrëmjet dhe mëngjeset do ngrinin, Po unë do prisja dhe në shi.
M'u bë fiksim kjo " e përdala", Mos kisha rënë nëdashuri? Kur një ditë, si në përralla, U ndal dhe më foli, për çudi.
La vështrimin të ish i parë. N'ëndërr po i shihja ata sy? Thellë, atje ish bota mbarë... Isha dhe unë, ishim të dy.
Tej dallgëzonin oqeanet, Flakë zjarresh ngriheshin aty, Qetoheshin diku tufanet, Burim lumturie kish n'ata sy.
I marr dorën në dorën time, O Zot, pse u rrënqethëm të dy. Folën gishtat gjuhën intime, Apo ish dëshira n'ata sy?
Pastaj tha me zë errësire : -Shoku yt për mua foli keq? Plot një vit, me lak egërsire Më ndoqi, po s'më zu dot , për dreq.
Gishtat memec i mbyllën gojën Dhe sytë qortuan pa fjalë, Pa buzët mjaltuan dhe hojën... Nektar i vajzës së " përdalë".
Shoku m'u largua turpëruar, S'kish kurajo të thosh pse e si, Ndodh shpesh, ai që ka dështuar Të njollosi nder e virgjëri. Pajtim Xhelo, 11 korrik 2019
ÇIFUTJA
( I KA NDODHUR NJË MIKUT TIM,PO E KAM SHKRUAR NË VETËN E PARË)
Qëndrova në Pire lashtësinë për të prekur. Në mendim udhëtonin shekujt si në një ekran. Aty,ballë meje,padashur ekrani kish ndjekur Një ëndër parajse,hyri deti aty pranë.
Ylbervetëtima ma turbulluan shikimin. -O Zot !- gati thirra - Nga ma zbrite këtë perri? Në ëndër isha a u takova me vegimin E një tjetër vajze,që kiusha njohur në rini?
Me dikë më ngjante kjo puhizë mbrëmësore, Me një tjetër vashë,harruar vitesh,shumë larg. Si mëngjes ledhator pas natës vjeshtore, Si valle Andaluzie,që të mbetet merak.
Fytyrën gjatoshe si një arabe zeshkane, Mollëzat këcyer si dy bisqe në një degë, Dy faqet si dy pjeshkë napolitane; Sytë jeshil pasionin e hidhnin në një breg.
Gjithë të tjerat pantallona,ajo me fustan, Basëm jeshile,valëzuar argjend e gri. I feksnin sytë nën vetullat e zeza gajtan Dhe gusha i zbardhonte poshtë gjerdanit flori.
Diç më kujtonte kjo çupë,po koha rëndonte Mendimin ,mjegulluar ne bregun e rinisë. E qetë ,buzëqeshur,diçka po më trazonte, Diç,që ardhur kish nga viset e tejjetësisë.
Flakë i tëri u skuqa çastin kur mendova, Se për këtë hyjni mund te isha edhe një gjysh; Zotërova veten,,kërshërinë e largova... Veç nuk po bëhesha dot burrë që ta hiqja sysh.
Edhe pse kish shumë njerez,edhe pse bëhej zhurmë Pireun e zunë keto dyshime si hija;... Nga Athina e madhe s'kish mbetur asnjë gjurmë Po dhe vajza po qeshte...Mos me thinjat e mia?!
Dikur u ngrit dhe me hap te shpejtë m'u afrua. U shqetësova,doja të largohesha me vrik, Po vashëza e mençur e shpejtë u tregua, Që gjatë e pash,mos më fyente pata frikë.
Ula kryet,s'dija ç'të bëja,ju vodha sysh, Po zëri agimtrazor i vajzës më kish sjellë Largimin e dyshimit ngatrrestar ' si e qysh? ' Pçr të hepuar dallgët e një të vjetre ndjenjë.
-Je nga ..... ?- pyeti dhe lotët e tradhëtuaqn; Si vesa mbi petalet i shndritën sytë jeshil. Si horizont i kthjelluar, kujtimet afruan Vitet tejlarg një vajzë tjetër si kjo, mbrëmjeprill.
Pa zgjati dorën,në emër zëdredhur më foli. E pyeta :- Me mbiemrin Soloni jeni ju? - Po,hebre.- Për një çast m;u duk se e ëma doli Nga rrugica e lagjes dhe ja ku është, këtu..
Si ta kuptonte hutimin ,çifutja shpjegoi: -Ju kam parë me mamin tim në një fotografi. S'ju heq nga goja- pas pakëz hezitimi shtoi -Nuk fshiet kollaj miqësia e pastër në rini!
Sa shumë desh t'i thoja,po nuk i thash asgjë. I erdhi skafi dhe vasha si zog fluturoi. Para se të ikte u ndal dhe diëka tha nën zë. Në sytë kish trishtim.S'mori përgjigje dhe...Shkoi.
Kuptova menjëhere që ishte ime bijë, Shihej fare qartë që i mungonte një baba, Po thash :-Më mirë në jetën e saj le të rrijë Nga varfëria ime asgjë të mirë nuk ka.
Pa më merr malli shumë shpesh tani që e njojta. Mbase i mungonte fare thjesht vetëm një baba! Të paktën disa fjalë te ngrohta pse s'i shkrova... Më kokë mënjanë e lash të ikte me ata.
Veç në mendimet e mia mbeti një lëndinë, Plot lulemargarite,luleverdhë,luletresh, Një lirishtë ,mbushur zogjylber ,trëndelinë, Një qiell maji,i thellë blu,pastruar prej resh. Pajtim Xhelo
留言