E nesërmja më e mirë


Aleksis Satka


Jo shumë larg nga festat e Nëntorit, nuk rri dot pa menduar se sa e dua vendin tim. Njëkohësisht, rri e pyes veten se sa më do ai mua. Së fundmi jam ndjerë sikur nuk më do dhe aq shumë. E vërteta e trishtë për mua dhe bashkëmoshatarët e mi është se jetojmë në një kohë ku mendojmë se kemi shumë pak ndikim në shkaqet e gjërave që na ndodhin, por shpeshherë marrim shumicën e pasojave të tyre. Jetojmë në ca vite që na duken fiks si vitet e tranzicionit, teksa mundohemi t'u shpëtojmë tabuve, misinformimit dhe korrupsionit, por na mungon shpresa dhe besimi në zërin tonë si individë dhe si brez.

Si fillim, ne vuajmë nga tabutë që rrethojnë çdo temë sociale dhe situatë të sikletshme. Nuk është gjë tjetër, veç natyrë njerëzore të vraposh nga ajo që nuk e di ose nga ajo që ke frikë. Në këtë mënyrë dhe nxitur nga ish-regjimi komunist që nuk u jepte të drejtën e fjalës, shqiptarët i morën gjithë pikëpyetjet që kishin dhe i kthyen në tema 'të turpshme' të cilat nuk diskutohen nga shoqëria për të qënë politikisht korrektë. Kjo gjë bën që rinia shqiptare e shekullit ku jetojmë të jetë vazhdimisht në luftë me mentalitetin e shekullit të shkuar, gjë që sjell frustrim dhe pasiguri te secili prej nesh dhe na bën të tregojmë me gisht ata që janë ndryshe.

Si bashkërendës i problemit të parë, rininë shqiptare e godet çdo ditë një problem tjetër i madh - misinformimi. Ky misinformim i dëmshëm nuk vjen vetëm për temat tabu dhe temat 'e turpit' por edhe për gjëra të tjera të rëndësishme si shkenca dhe politika. Misinformimi na vjen pa dashje nga prindërit dhe shokët që ndoshta nuk dinë më shumë as vetë, por edhe me dashje nga politikanët, një pjesë e të cilëve e kanë kthyer qeverinë e Shqipërisë në një arenë qesharake ku thjesht kritikojnë kundërshtarët dhe bëjnë po të njëjtat gabime kur vijnë në pushtet. Ka shumë pak burime informacioni të sakta në gjuhën shqipe, dhe të rinjtë por jo vetëm bombardohen çdo ditë me lajme të rreme që nuk dinë t'i dallojnë, qoftë lidhur me situatën aktuale të COVID-19, qoftë për shumë tema të tjera. Njëkohësisht, të rriturit në përgjithësi dhe sidomos qeveritaret kanë një tendencë të mos pranojnë gabimet që bëjnë dhe aq më pak të mësojnë prej tyre.

Sikur të mos mjaftonin këto, sistemi që na ka rritur që të vegjël ndërtohet mbi korrupsionin si bazë e 'demokracisë' që ne po përjetojmë aktualisht. Ky i yni është një sistem ku tenderat jepen sikur të jenë thasë me patate, votat shiten si gjelat e Vitit të Ri dhe media akoma po mundohet të na bindë se problemi më serioz ekonomik që kemi janë tregtarët që shesin kopër dhe majdanoz pa faturë. Është një sistem ku ata pak politikanë që duan të bëjnë ndryshime rrënjësore detyrohen të heshtin dhe askush nuk pret më që qeveria të mbajë fjalën e dhënë apo që të marrim frytet e plota të punës sonë, pasi që në nëntë vjeçare jemi mësuar se, sado e mirë të jetë eseja jote, nuk do të jetë kurrë aq e mirë sa ajo e shokut apo shoqes që ka njohje në drejtori.

Së fundmi, mes gjithë këtij demotivimi, rinisë shqiptare i mungon shpresa. Goditje pas godtjeje, shpirti rinor i brezit tonë është strukur duke u ndjerë i padëgjuar, i pavlerësuar, i pabarabartë dhe, më e keqja, i pashpresë. Shpesh dëgjojmë të thuhet se vendi ynë nuk bëhet, sikur përgjegjësia për ta bërë vendin i takon gjithëkujt, por vetëm ne jo. Dhe kjo mungesë shprese, mendoj unë, është ajo që i thellon të gjitha problematikat e tjera në pikën që duken si një mur i madh pas të cilit nuk shihet dot asgjë.

Por shpresa nuk duhet humbur kurrësesi. Ne mund të jemi të vegjël vetëm, por bëhemi si një trup i tërë kur bashkohemi. Historia e Shqipërisë ndër vite provon se guximi dhe shpresa janë më të fuqishme se çdo numër ushtarësh dhe formë artilerie. Shqipëria ka luftuar pushtuesit, jo më korrupsionin, misinformimin dhe problemet e tjera të kësaj natyre. Në vena ne kemi të njëjtin gjak të trimave që çliruan Shqipërinë, dhe tani duhet të çlirojmë mendjet e shqiptarëve, jo më me armë, por me zërin dhe votën tonë. Duke ndihmuar njëri-tjetrin, të gjithe ne mund ta kalojmë murin. Unë besoj se çdo vit është vit tranzicioni dhe çdo brez është përgjegjës të luftojë që brezat pasardhës të kenë një të nesërme më të mirë, ku zëri i tyre dëgjohet dhe shteti është në krah dhe jo kundër mendimit të lirë dhe integrimit rinor në mirëqeverisje.

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif