top of page

E kush thotë se Shqipëria nuk do të bëhet?!


E kush thotë se Shqipëria nuk do të bëhet?!


Prof. Dr. Fatmir Terziu

E kush thotë se Shqipëria nuk do të bëhet?! E kush thotë se Elbasani, qyteti në zemër të saj nuk ka gjakun e ri, atë që i duhet të nesërmes së afërt?! E kush… Pyetjet e tilla janë me një numër pafund, por përgjigjja është e vetme: atë e jep me një punë të paqme dhe në heshtje, mësuesja Alma Lika, ajo që vetëm me pesë vitet e filloristëve të shkollës “Luigj Gurakuqi” ndërton një mesazh të qartë, të saktë, të lartë e të domosdoshëm, si në kohë të lirë, si në kohë me Covid-19-të, si në kohë me lëvizje të qetë. E ajo është art në memorje. E ajo është një lëvizje e bukur, e magjishme, e moshës filloriste, jashtë “avangardës” monotone të rrugëve, ajo është magjia e magjishme e brezit që flet bukur, qartë dhe saktë, me gjuhën më të bukur në botë: “Ne jemi pesë vitet, ku brenda nesh dashuria për Atdheun, Shqipërinë tonë të dashur vetëm rritet e rritet!”.

“Ju harruat?”- thotë vajza bukuroshe, dhe vazhdon “sot është ora e fundit e mësimit të Klasës së Pestë”.

Në fakt është një vlerë, tek e cila natyra e shkulur nga mijëvjeçarët e harruar lëviz ngadalë mbi sepetet e bukura të natyrës, që mbahet rrëndë dhe krenare në murret e Kalasë së Elbasanit. Atje janë disa sinonimitete: nxënësit dhe lulet, fjalët dhe gonxhet, bilbilat e shqipes, dhe trëndafilat që rriten, janë e gjitha, janë të gjithë djem e vajza që mahnisin me një program dhe tekst të bukur… janë të gjithë shpirtra që fluturojnë si ndonjë flutur në kalldrëmet e lashta, ku ka shkulur baltëra dhe ka ngulur estetikën dhe modelin vetë mjeshtëria e vëllezërve Stafa.


Aty ka një zë që mbledh dhe shtrydh pesë vitet në një. Është Dejni Palloshi, që zgjidhet të drejtojë një klasë, është brezi i tij që di mjaft bukur të flasë… dhe në heshtje është aty ku çdo kërshërie i vihet pika, natyrisht fare e padukshme, mësuesja model Alma Lika. E dukshmja është bukuri, është tekst, është fjalë, është familje, është respekt. Është histori, është gazetari, është mesazh, është art, është shpresë që të mban gjallë dhe të ngre optimizmin lart… Është natyrisht e gjithëpërfshirshme, dhe kur ecën, dhe kur ndalet, dhe gëzohet dhe kur qahet, dhe kur rrëfen historinë e Skënderbeut në Muzeumin e Krujës, dhe kur rrëfen për pazarin e Krujës, dhe kur shkon tek shoku e shoqja, dhe kur ndalet tek nëna…, dhe kur luajnë teatër, dhe kur sjellin gjërat e memorjeve të tyre pastër… E ku qëndron e pathëna?

Një video që rastëisht e pashë në Youtube. Një video që më solli të them se duhet përgëzuar. Duhet vlerësuar e përqafuar…, se fundja pesë vitet e këtyre fëmijëve, janë më shumë se miliona përgjigje. Shikojeni këtu, mbani sytë hapur, dhe ndoshta dhe shënimet tuaja të munguara dhe do të kuptoni menjëherë se ç’është fëmijëria, do të kuptoni se me këta do të bëhet Shqipëria! Se ata dëgjojnë edhe mësuesen në hallet dhe kusuret e saj të vjetra e të dhimbshme, edhe inxhinierin e mjeshtrin që ndërtoi udhë e hekurudhë në kohë të tjera, edhe jetën që herë struket e herë troket ndjeshëm tek dera. Kjo është jeta! Kjo është e ardhmja nga vetë dita, nga vetë merita, nga vetë ajo që i flak tutje me pikëpyetje e pika, se modele të tilla duhen të frymëzojnë fëmijët që janë art më vete, plot ide dhe vlera të kësaj jete, të tillë duhen si mësuesja Alma Lika! E kush thotë se Shqipëria nuk do të bëhet?! Shikojeni dhe do të më besoni… Klikoni këtu!




337 views7 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page