Nga Fatmir Minguli

Me Moikom Zeqon, janar 2020,Tiranё
E fshehta e dorёshkrimit
Dorёshkrimet nuk digjen
Mihail Bulgakov
Nё kёto ditё karantine duket se vlera e atij rafti modest me libra tё vendosura krejt pa rregull, nё koridorin e ngushtё tё shtёpisё, sikur merr njё vёmendje tjetёr, mё tё sinqertё, parё me njё dashuri tjetёr. Eshtё ndoshta efekti “kohё e lirё” qё transformon vlerat, preferencat e nё fund tё fundit ato shqisat e ndjeshmёrisё maksimale.
Ishtё pikёrisht njё ditё e tillё karantanimi kur mё erdhёn disa dorёshkrime tё Moikom Zeqos, tё cilat i po i shkruan pёr tё botuar librin e ardhshёm mbi Mona Lizёn, mё mirё tё themi njё ribotim tё njё libri tё botuar qё nё vitin 1999, apo nё fillim tё vitit 2000.
Ishin fotokopje tё njё dorёshkrimi tё shkruar me dorё, me atё shkrimin karakteristik tё Moikomit, njё lloj shkrimi midis kaligrafisё dhe shkrimit teknik, me disa kapёrdredhje tё shkronjave qё tё kujtojnё arabeskat.
Duke u pёrqёndruar nё kёto dorёshkrime, duke i lexuar me atё kёrshёrinё qё ndjellin shkrimet e reja, dalёngadalё po kuptoja, po ndjeja njё lloj largimi edhe nga librat e rreshtuar ashtu tё çregullt nё bibliotekёn time modeste. Nuk ishte thjeshtё largim, ishte njё tёrheqje e magjishme qё shkaktonte dorёshkrimi, ishte njё avullim i njё proçesi alkimik, ku shkronjat merrenin kuptime tё ndryshme, jo tё qёndrueshme, dukeshin sikur fluturonin e mёpastaj, ashtu tё lodhuar nga shtegtimi vinin e zinin vend aty ku dora e shkrimtarit i kishte vendosur.
Dashje pa dashje mendja mё shkoi tё njё shkrimtare gjermane bashkёkohore, Cornelia Funke qё ka shkruar libra pёr fёmijё dhe qё ka njё pragraf nga libri i njohur i saj “ Labirinthi i Faun-it” e ku thuhet:
“ Faun nuk besonte në libra. Ishte shumë më i vjetër se dorëshkrimi më i vjetër në bibliotekën e Mbretëreshës dhe mund të pretendonte në mënyrë të ligjshme të dinte shumë më tepër për botën sesa të gjitha faqet e zverdhёruara ".
Mё vuri nё mendime, por duke u rikthyer nё dorёshkrimin e Moikomit mendoja pikёrisht se nё esetё e shkruara aty, zbulova edhe njё tё fshehtё midis gjithё ato tё fshehtave qё pёrmban dorёshkrimi, atё tё sistemit tё kuptimeve “underground”. Nёse ato do tё botohen do tё shpallin mistikёn e tyre, por dorёshkrimi ka nёnmistikat e tij. Eshtё si tё thuash vatra e lindjes sё mistikave, e qё andej do dalё libri vetёm nё njё version, aq i shumёpritur, por me faqet e mbushura me shkronja kompjuterike.
Por dorёshkrimi ka dhe tё fshehtёn tjetёr atё tё mundёsisё pёr t’u shprehur jo vetёm nё njё libёr, por nё mё shumё libra, pёr tё mos thёnё se mund edhe tё mos botohet kurrё. Atёhere e fshehta e dorёshkrimit merr pёrmasa tё tjera, pёrzjerё me misterin dhe frikёn, dyshimin dhe ngurrimin, aspak atё tё çёshtjes financiare, por kthehet nё njё enigmё. Eshtё enigma qё dhe vetё shkrimtari qё e ka shkruar nuk e kupton pёrse nuk botohet ai dorёshkrim.
Por le tё kthehem te dorёshkrimi qё kam nё dorё. Moikom Zeqo, pёrmes njё portreti tё magjisё Mona Liza dhe krijuesit tё kёtij portreti Leonardo Da Vinçit, sjell emrat e tё mёdhejve tё mendimit filozofik. Ja sentenca e Steve Jobsit pёr Leonardon: “Ai shikonte bukurinё nё art ashtu si nё inxhineri dhe aftёsia e tij pёr t’i kombinuar tё dyja ishte ajo qё e bёnte atё njё gjeni.”
Brenda dorёshkrimit ka aq pjesё interesante siç janё sjellё nё esenё e çuditshme “E padukshmja si dukshmёri” qё tё kujton thёnien e madhe tё Zhyl Vernit “ Mobilis in mobile” – i lёvizshёm nё ambjent tё lёvizshёm-, ku Moikomi, artisti, kthehet nё njё lajmёtar tё njё profecie qё vjen nga dorёshkrimet e vjetra e qё flenё diku…me shpresё pёr t’u rishfaqur por jo nё duart e murgjёve tё Umberto Ekos apo tё atij tё panjohurit autor tё dorёshkrimit tё Vojniçit.
Nё dorёshkrim lёvizin figurat e Georg Steinerit, qё u largua nga jeta pak ditё mё parё, e mendimtarёve Focault e Derrida, Gёte, Jorge Luis Borges, Hajdeger, Kavafi, Erik Maria Rilke, James Joys, etj, tё cilёt hynё e dalin nё kёtё dorёshkrim tё çuditshёm po ashtu si shkronjat e tij. Ata ikin, lёnё mendimet e tyre dhe vinё prap, por duke mbetur nё mendjen tonё. Thua se po kёrkojnё tё fshehtёn e rrethit kontural tё njeriut Vitrual, sikur duan tё debatojnё jo vetёm me atё qё e solli kёtё emёr, Markus Vitruvias, por dhe me pasuesin gjenial, Leonardo Da Vinçi e nuk mungojnё as studjuesi ndryshe i historisё sё njerёzimit, anglezi Keneth Klark e as vetё Leonardo Da Vinçi.
Dorёshkrimi i Moikom Zeqos me disa ese ёshtё njё ftesё pёr kёta mendimtarё e shumё tё tjerё qё dorёshkrimi i jep njё nga njё,njё ftesё pёr tё hequr rrethin e njeriut vitruvian e pёr tё parё nё thellёsinё e sipёrfaqes sё kufizuar brenda rrethit. Kjo natyrisht ёshtё e fshehta tjetёr, rreze tё holla tё sё cilёs arrijnё e dalin nga shkronjat e shkruar me bojё kine e me pendёn e njё shqiponje.
Esetё “ Dielli nuk lёviz”, “ Njeriu vitruvian”, “ Ç’tha vdekja?”, e tё tjera janё thjeshtё çelёsa tё dyerve ku fshihet e fshehta kёndjellёse e dorёshkrimit.
Edhe ndodh ajo qё kam dashur ta them qё nё fillim tё kёsaj eseje, se shkrimtari ёshtё mё i vjetёr se dorёshkrimi. Po deshёt ta vёrtetoni kёtё pohim, lexoni librin e Mona Lizёs, kur tё botohet, shkruar sipas dorёshkrimit tё Moikom Zeqos.
26 mars 2020
Comments