top of page

E ÇMENDURA E TIRANËS …


Odise Kote


Tregim.

E ka emrin Morihana. Ajo banon në apartament, në katin e pestë. Apartamenti është përballë malit të Dajtit dhe dy ballkonet e Morihanës, njëri përshëndet diellin në lindjen e tij dhe tjetri nga ana e kundërt, perëndimin. Para pallatit, gjendet një kopësht fëmijësh, parku dhe këndi lojërave përanash, ndërsa pas tij një grumbull vilash trikatëshe. Më tutje vijon grumbulli i pallateve dhe në skaj, kryqëzimi i madh i Lanës. Morihana jeton e vetme në apartamentin e saj. Dikur inxhiniere e talentuar dhe plot hire, ndërsa me vdekjen e nënës, më pas të babait, ajo mbeti fillikat në këtë botë të zhurmshme e të pamëshirshme. Me flokë të prera shkurt, dy rrathë mavi poshtë syve bojëqielli që ende ruajnë misterin e një bukurie të hershme, me trup të bjertë e kockëhollë, ajo ngjan si një lilak kacavjerrës që shkon drejt tharjes së plotë. E tejdukshme si një xham! Por fati i xhamit është të thyhet. Gjithë ditën Morihana qëndron në apartament. Nuk del thuajse aspak. Pastron për të disatën herë çdo gjë që gjendet në apartament me mani gati persekutuese. Pastërtia ngjan se është ai zëri qiellor që i sjell paqe. Aty duket se është kapur edhe kujtesa e brishtë e saj që i ngjan sikur ia përshkon rrëkeza e dritës. Aty tek gjëja e pastërt, ngjan se ajo e liron disi zemrën dhe e do botën që e rrethon në një mënyrë tjetër. Krejt sipas modelit të saj. Mbase si një ninullë…! Ndonjëherë kënaqësitë e vogla janë tejet të rëndësishme për jetën e njeriut. Këto janë çastet kur banorët e pallatit përshëndeten normalisht me Morihanën, bisedojnë për gjëra të zakonshme të përditshmërisë dhe shkëmbejnë urime. Kur dallon tek ata këto gjëra të vogla pastërtie, ajo gjen përherë fjalët e duhura, të ngrohta, të ëmbla, madje me peshë duke thënë edhe profeci inteligjente e duke patur në mendje mbase të tjera edhe më intriguese. Pas kësaj qetësie, vjen pas disa orësh ai çasti trishtues i shpërthimit. Banorët e pallatit i dinë këto orare. Dhe koha është aty rreth orës katër të mbasdites. Ajo del në ballkonin prej ku nis perëndimi i diellit. Fjalitë e para të Morihanës janë një klithmë erotike kundër të gjithë të pabesëve në dashurinë njerëzore, pushtëve dhe laraskave që s’gjejnë rehat në asnjë shtrat. Pasi e lodh kraharorin e ngushtë sa të një pulëbardhe, ajo nis të bërtasë me ton filozofik : - “E sharruan kalin e Trojës, por hileja, truku, mbeti në kujtesën tuaj. Hileja është në ndërgjegjen tuaj. S’më gënjeni dot! E kush pa…? Ju të pagdhendur! Ju të paditur! ” Ndërkaq kapitulli i tretë i fjalimit çmendurak të saj është i lidhur pazgjidhsahmërisht me aktualitetin. Përshembull përdorimi i maskave për mbrojtjen nga covid 19, taksat e ngritura, fatura e energjisë elektrike, mungesa e ujit të pijshëm apo shitja e detit nga kryeministri tek grekët. Në këtë moment ajo mobilizon gjithë fuqitë dhe bërtima e saj shkul themelet e pallatit dhe lëkund deri në rrëzim pemët e parkut të madh para vilave trekatëshe. I gjithë procesi zgjat jo më shumë se pesë minuta. Pas përfundimit, ajo bie e këputur në ballkon. Si në gjendje të fikti. Nuk do askënd pranë. Askush prej banorëve nuk shkon ta ndihë. Ajo e ndjen se jeton në një vend ku humanizmi nuk ekziston. Qëndron palëvizur për orë të tëra. Deri në mbrëmje. Kur muzgu bie, me ç’duket në kllapinë e errët pus, ajo përpiqet të kuptojë që krenaria e shqyrtuar po e çon në gabime, duke ecur në rrugën prej të cilës të tjerët i ka përjashtuar. Kuptimi është gjëja me të cilën jeton. Sakristia, domethënë dhoma e lotëve brenda saj, vlon, e më pas derdh si ujvarë lotë të nxehtë. Një brengë e ngjizur fort përbrenda dhe kujtimi i gjakosur qajnë në krahët e njëra - tjetrës. Mëkatet e vogla xixëllojnë aty – këtu duke dashur t’i japin guxim të vazhdojë jetën. Çfarë përgjërime dhe ahe ngjiten lart në qiell ato çaste?! Dënesat e mekëta të saj zbresin thellë tokës. Deri në rrënjët. Vonë, diku në nisje të natës, kur yjet pëlcasin nga shkëlqimi, ajo gjen prehjen e pakët. Fle disa orë gjumë. "Këto janë orët normale të saj - i thotë në intimitet Laurës, shoqes së ngushtë, psikologe Floida - por problemin Morihana nuk e ka me njerëzit, por me diellin. Hahaha – qesh Laura dhe gati mbytet duke gjerbur makiaton e ngrohtë. Si me diellin moj? Po, po – vijon me ton të sigurt, me vendosmëri shkencëtareje Floida - me ciklin e lindjes dhe të perëndimit të diellit. E ke vënë re? Morihana fjalimet çmendurake i mban në perëndim dhe në lindje të diellit." Fakti i kohës është i vërtetë. Aty rreth orës katër e gjysëm a pesë, pa zbardhur ende, në ag, sapo dielli bëhet gati të lindë, Morihana del në ballkonin që bie nga mali i Dajtit. Dielli atë çast, gatitet të dalë prej folesë për të ndriçuar dhe ngrohur botën. Historia ka mënyrën e saj të përsëritjes, pavarësisht nga përpjekja që bën për ta zbehur. Dielli lind. Çdo ditë që dielli lind, thotë diçka të re. Këtë mesazh Morihana përpiqet ta kapë, ta dërgojë bashkë me shpirtin në parajsë, ndërsa zemrën, ah zemrën do ta zbresë poshtë tek varret. Atje … tek përvëlimi. Kujtimet e së shkuarës djegin. Mbushet me parandjenja fatale. A mund t’i fshehë vetes të vërtetën që e di se qëndron në fund të ndërgjgjegjes? Ngasje e parrëfyeshme. Në thelb e gërryen makthi shqetësues që ende nuk arrin dot ta zhbirilojë. Përse …? Natën dyshimet janë të dendura. S’mund të jesh shenjtor nëse jeton në ferr. Ndaj territ që vdes edhe gjumi i saj ka vdekur. Njeriu jeton brenda mendjes se tij. Ajo nis të flasë me të vdekurit e saj, sikur kërkon të kuptojë më mirë të gjallët. Bota është e zotit. Le t'i gjykojë zoti disa gjëra. Falja është një udhëtim. Sikur mbin nga hija. Kështu fjala e saj e nisjes, në prag të zgjimit të botës është disi më e qetë, më e shtruar. Por fare pak më vonë, ajo sikur merr vesh që brenga është nisur e po vjen nga skëtera. Pas kësaj, toni i zërit të saj lëshohet si gulç dhe gracka e arsyes s’pranon asnjë farë përgjigje. Acarim i egër, ndjesi ankthi. Sharjet e mallkimet rrokullisen si gurë mali teposhtë. Sikur kërkon të shembë fantazmat e hijet e natës. Honet e natës. Rreket të mbedhë shpirtin e saj nëpër terr... Bërtet, shan, mallkon… Ndërsa në ballkonin karshi, Ramizeja, nëntëdhjetë e kusur vjeçarja, banorja më e vjetër e pallatit që di çdo gjë, që s’fle asnjëherë gjumë se flet me xhindet, psherëtin : - S’i gëlltite dot asnjëherë "moj e ngratë" tradhëtinë e babait dhe helmet e njerkës gjuhëpiperkë… Jeta është e ndërlikuar, nuk e çon njeriun atje ku ai dëshiron të shkojë. Jetëgjatësia e fillikates është gjithnjë shumë e shkurtër…

34 views1 comment

1 comentário


mich.maska
11 de set. de 2020

Pa u futur ne hollesira: Tregimi juaj me pelqen. Urime! Suksese. Me respekt,

Myslim Maska

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page