top of page

DY ZONJA TË NDERUARA TË SKENËS ARTISTIKE SHQIPTARE TË KOSOVËS





Nga Sinan GASHI


Kur përmbyllen kapitujt e veprimtarisë ose të jetës, del realisht vlera dhe antivlera në sipërfaqe, madje edhe trajtohen realisht veprat që tashmë u kanë ikur subjektivizmeve vlerësuese, të cilat mund të jenë konstatime në një periudhë kohore tjetër. Për dy artistet e merituara, tashti fjala zë vend dhe është i qëndrueshëm konstatimi se vërtet ishin vlera të çmuara, ngase njëra, Katerina Josipi, aktore dhe tjetra, Nexhmije Pagarusha – soliste, që më nuk janë në mesin tonë.

Si një rezyme që i bëhet një vepre shkencore, e cila ka në vete shumëçka të vlerave të pamohueshme, e aftësive që ende nuk janë parë, ashtu si formë e rezymesë është vlerësimi që mund t’i bëhet tërë krijimtarisë disavjeçare një aktoreje ose një këngëtareje, të cilat ishin të përkushtuara në profesion, përjetuan shqetësime tej mase dhe, njëkohësisht, begatuan me vlera të padiskutueshme artin skenik, përkatësisht atë muzikor të Kosovës dhe më gjerë.

Katerina Josipi, një aktore e rrallë dhe ndër të parat që u prezentua dhe vuri gurthemelin e teatrit shqiptar në Kosovë, dhe e dyta, Nexhmije Pagarusha, një soliste me një vokal të jashtëzakonshëm, e cila dëshmoi se si duhet të jetë artisti i vërtetë, me këngët xhevahire të muzikës shqiptare, janë dy personalitete që vështirë do të zëvendësohen më në atë nivel. Ato mbeten flakadanë e artit që synon përjetësinë.


1. Katarina Josipi për 20 vjet aktroi në skenën e Teatrit të Kosovës




Në kohën kur femra ishte e rrallë në angazhimet shoqërore, e aq më pak në atë të artit skenik, që sapo kishte shprehur ambiciet të bëjë hapat e parë, u paraqit një vajzë e bukur nga fiziku dhe madhështore nga fuqia interpretative, zymjania Katerina Josipi, që po ishte gjallë do t’i festonim 80-vjetorin e lindjes së saj.

Rruga e saj jetësore dhe fati specifik që e përcolli, ishte në të vërtetë një lloj drame, që në shpirtin e ndjeshëm të artistes nuk kishte kaluar pa lënë gjurmë.

U lind më 19 nëntor 1923 në Zym të Hasit. Ngase i ati nisi rrugën e kurbetit, ajo familjarisht rininë e kaloi në Nish, ku kreu shkollimin fillor dhe disa klasë të një shkolle të mesme për rrobaqepëse. Pastaj, i ati, i zanatit të bukëpjekësit, u vendos në Ferizaj, në të cilin qytet ajo shprehu talentin e parë prej aktoreje.

Me t’u hapur Teatri i Kosovës, më 1949, ajo veç u përcaktua përjetësisht për profesionin, me të cilin dëshmoi vlera artistike dhe njëkohësisht la emër personal të një aktoreje që mbahet në kujtesë vazhdimisht. Gjatë tërë asaj kohe në skenën e teatrit ajo realizoi më se 60 role të cilat ishin edhe mjaft të ndërlikuara, duke u paraqitur edhe në radio, në televizion dhe film.

Jetën e mbylli në pranverën e vitit 1969.

Për t’i konkretizuar mendimet e parathëna, do përmendur disa nga rolet e arritura të saj ose edhe disa nga çmimet vlerësuese të cilat i janë ndarë. Ajo interpretoi në “Personi i dyshimtë”, në “Zhelanët”, “Martesa”, “Deputeti i popullit”, në ”Sikur t’isha djalë”, “Kryet e hudhrës”, “Hanka” e mjaft role të tjera. Ajo që e cilësonte është mundësia e interpretative e personazheve që nuk ishin të shumtat aso kohe të botës shqiptare. I ngjallte para shikuesit në teatër të gjalla ato femra të huaja, me mentalitete dhe botë psikologjike krejt tjetërfare. Kjo dëshmon , veç talentit , edhe përkushtimin e përhershëm të saj, që t’i studjojë dhe madje gjatë të meditojë lidhur me pamjen, qëllimin, lëvizjen dhe kulturën e atyre vetjeve të botës së huaj. Pra, edhe kur ishte si Rutare, si Angjë, si Fjollkë, si Dila e tjerë, ajo ishte ndryshe në gjithçka shprehëse, ngase ashtu ishte edhe kërkesa e tekstit dhe e regjisorit. Njëzimi aktor-rol ishte tepër ngjizur te ajo. Se vërtet kishte dhunti dhe përkushtim, dëshmojnë edhe tri shpërblimet e rëndësishme që jepeshin aso kohe për rolet teatrale.

Mosha 46-vjeçare, kur mbylli jetën, është fare e re dhe tepër e re për një artiste e cila veç e kishte arritur pjekurinë interpretative, që la një zbrazëti të madhe për kohën. Mu për këtë Teatri Kombëtar i Kosovës shpall konkursin për dramë origjinale në nderim të emrit të saj.


2. Nexhmije Pagarusha, legjendë e këngës shqiptare




Për meritat e jashtëzakonshme interpretuese të këngës shqipe, ajo mori epitete të shumta, ndër të cilat shquhet “Bilbili i Kosovës”. Këto nuk ishin të imponuara, por ishin dëshmi e një dhuntie e aktiviteti të rrallë të një këngëtareje.

Nexhmije Pagarusha u lind më 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. I ati Veseli, mësues e atdhetar i shquar, ishte edhe prijës në emancipimin e femrës shqiptare, detyrë kjo parësore për fillet e jetës sonë arsimore. Kështu kjo këngëtare e madhe e së ardhmes punoi një kohë edhe në arsim, për t’iu përcaktuar më pastaj përjetësisht vetëm këndimit. Një vlerë solli bashkëpunimi i saj në sferën e muzikës, me kompozitorin e madh Rexho Mulliqin.

Opusi i veprave të saj është tejet i madh dhe po ashtu interpretimet e saj arrijnë kulminacionin, madje edhe në të gjitha zhanret muzikore. Ajo edhe në këngën popullore, edhe në atë të kultivuarën, por edhe në ariet operistike, mbeti e paarritshme. Do t’i radhisim disa nga krijimet e vlerave të larta muzikore të saj, si këngët “Çou, more, Rexho”, “Lulëzoi fusha…”, “Baresha”, “Një lule” e të tjera. Do theksuar edhe interpretimin në origjinal të këngës hebraike “Hava Nagilla”, që i pati mahnitur dëgjuesit në Izrael.

Ariet operistike ishin po ashtu të një niveli të lartë, si ato të operave të Bethovenit, Puçinit, Verdit e kompozitorëve të tjerë. Vokali i saj i përballonte të gjitha këto zhanre dhe mbeteshin shëmbëllesë e mënyrës interpretative. Ajo prezentoi këngën shqipe në koncertet e mbajtura anekënd botës, nga Austria në gjithë Evropën e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sesa ishte cilësore kënga e saj dhe interpretimi i rrallë, do cituar vlerësimet profesionale dhe artsitike që i bënë shumë kompozitorë, këngëtarë, shkrimtarë e të tjerë. Po e zëmë Zhylijet Greko shprehet: “Nexhmijen nuk do të mund ta krahasoj me asnjë këngëtare, sepse mendoj se do ta fyeja”. Këngëtare e talentuar, me një diapazon të gjerë emocional dhe me mjeshtëri të lartë interpretimi, e cilëson kompozitori Çesk Zadeja. Marie Kraja, artiste e shquar, te Nexhmija sheh shpirtin e madh që bën muzikë të madhe. Po këso vlerësimesh, në superlativ, kanë dhënë edhe kompozitori e këngëtari Avni Mula, si edhe këngëtarja e operës Inva Mula.

Nexhmije Pagarusha ka dëshmuar dhuntinë e aktrimit edhe në film. Ajo interpretoi në filmin artistik “Dasma e përgjakur maqedonase”, pastaj në dramat televizive “E kafshoja terrin”, “Tre veta kapërcejnë malin”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Fluturimi i Micakut” e të tjerë.

Nexhmije Pagarushi, e quajtur me të drejtë bilbili i këngës shqipe, përfundoi jetën në Prishtinë, më 2020.

Së fundi qëndron konstatimi se Nexhmije Pagarusha i la një thesar artit shqiptar, i cili ia krijoi pavdekshmërinë.




16 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page