Ishin dy. Njeri ka hapur në tërë faqen e parë “Emigranti”-n kurse i dyti ndjek me sy titujt dhe shokun që i lexon ato me zë të lartë. Më tërhoqi poza e qetë dhe shprehja dashamirëse e vështrimit të tyre mbi gazetë. Nga pas pamja ishte anonime. Dukej gazeta por nuk dukeshin lexuesit e saj. U dola përpara dhe u kërkova leje që t’i fotografoja. M’u përgjigjën me mirësjellje dhe morën pamjen e parë pa u ndruajtur dhe pa atë emocion kur dikush të sheh nëpërmjet syut të fotoaparatit.
Nuk më pyetën se kush isha dhe pse i fotografova. I pyeta unë me formën standarte të njohjes.
- Nga jeni ?
- Nga Dibra,
- Nga cili vend i Dibrës ?
- Nga Ostreni.
- Nga Ostreni i Madh apo nga Ostreni i Vogël ?
- Nga Ostreni i Madh.
- Ç’farë fisi ?
- Rama.
Në atë çast mëndja më fluturoi në Ostrenin e Madh, në atë fundkupe të maleve mbushur me burime kristal e gjelbrim. Njihja shumë nga Ramat e Ostrenit por mendimi nuk mund të mos ndalej tek njeri, një mjeshtër i madh i mundjes, lojës burrërore gollobordase që dasmat ka si shkollë të parë të ngjitjes drejt titujve të lartë.
- E njeh Fiqiri Ramën - pyeta menjëherë.
- E kam vëlla – tha i pari, ai që mbante gazetën në dorë.
- E kam kushëri të parë, baballarët vëllezër – tha i dyti.
Më befasuan, veçanrisht i pari që e kishte trupin dy pëllëmbë më të gjatë se Fiqiriu.
- Fiqiriu i shkurtër, kurse ju i gjatë- e ngacmoj.
- Babai dhe nëna e kishin “provë të parë“- tha ai duke qeshur.
- Atë e paskan zënë në Ostren kurse ty në Testikamen, i them duke nënkuptuar ultësirën e fushëzës së Ostrenit dhe lartësinë e malit të Testikamenit.
- I njihke mirë ato vende - më thonë të dy me një fjalë duke qeshur me shpirt. - Mos jeni edhe ju andej ?
U tregova emrin dhe mbiemrin. Më tundën gazetën që kishin në dorë, më “tundën” edhe gazetat e kohëve të shkuara. Biseda u ngroh, u bë më intime.
Vazhduam të kuvendojmë.
- E keni ringritur xhaminë në qendër të Ostrenit ? - pyeta ngacmueshëm.
- Më të bukur se e para.
- Me gurë apo me beton ?- vazhdona t’i grryej.
- Me beton.
- Atëhere nuk qenka më e bukur se e para – u them - Ajo ishte e ndërtuar me gurë të gëdhendur, kishte vulën mjeshtrore të duarve të mrekullueshme të mjeshtrave të vjetër ostrenas...
Fjala u ndal tek ajo nyjë e jetës që përbën shpirtin e gollobordasit ndërtues, tek mjeshtrat e punimit të gurit monumentet e të cilëve i gjen në kullat e Llangës, Ostrenit, Trebishtit, Okshtunit... Por më të shumtët e më madhështorët i gjen larg atyre trojeve e maleve në qendrën gjeografike shqipfolëse që po të matet përkon pikrisht me atë zonë. I gjen veçanrisht në Stamboll dhe vise të tjera të Rumelisë. Janë kaq të veçantë, kaqë madhështorë këto ndërtime sa një historian perendimor njohës i madh i kohës së tij, pat thënë pa mëdyshje. “Nëqoftëse digjet Stambolli Dibra e ndërton të ri nga e para. Në qoftëse digjet Dibra...” E pat thënë ai rreth dy shekuj më parë, e pat thënë për kohën e tij pa e ditur se ajo thënie do të jetonte dhe jeton akoma. Dibra, e në veçanti gollobordasit, kanë qenë ndërtuesit e Shqipërisë nga Veriu në Jug. Nuk ka vepër të kohës së shkuar pesëdhjetëvjeçare që nuk ka në mure dhe kollonat e betonta djersën, kallot e duarve, mençurinë gollobordase. Nuk ka trevë të Shqipërisë që të ketë nxjerrë kaq inxhinierë popullorë e mjeshtra të ndërtimit të urave, kanaleve ujitëse, veprave të artit, hidrocentraleve etj., Heronj të Punës, sa ka nxjerrë Golloborda. Gollobordasit ndërtuan Shqipërinë kurse Shqipëria nuk e ndërtoi dot Gollobordën...
- Me familje jeni këtu ? - vazhdoj bisedën me pyetjen rutinë
- Jo, më përgjigjen njëzëri.
- Ku i keni familjet ?
- Unë nuk e kam lëshuar Ostrenin, thotë i pari.
- Unë jam vendosur në Tiranë, thotë i dyti.
- Ju, i drejtohem të parit, vëllait të Fiqiriut, nuk i qenkeni larguar traditës shekullore. Gollobordasit kanë rrahur rrugët e tërë Ballkanit, rrugët e Bullgarisë, Greqisë, Turqisë dhe më thellë. Familjen, gruan dhe fëmijët, themelet e jetesës së tyre i kanë pasur vazhdimisht në fshatin e tyre. Gollobordasit janë ngjitur në tërë lartësitë e ndërtimeve në tërë Shqipërinë. Tek familjet e tyre vinin vetëm kur merrnin lejen ose në prag e pas Një Majit dhe 10 Korrikut, kohë kur gjatë tërë javës, nga e diela në të dielë bënin dasma e vinin në mes të tapetit të blertë dashin e të zotit të dasmës, fitues i të cilit do të ishte më i forti në mundje klasike apo të lirë. Edhe fëmijët i bënin me fushata...
- E njihke mirë Gollobordën, më thonë tashmë me një afri shpirtrore që u dilte nga zemra.
- E njoh paksa - u them – E njoh që nga Tërbaçi, Tuçepi, Ostreni, Okshtuni, Trebishti, Klenja e deri në Llangë. E kam shetitur në këmbë që në ultësirën e Drinit kur bashkohet me Zallin poshtë Gjoricës e deri në malet e Klenjës dhe të Steblevës, male që kanë në duar një ndër bukuritë dhe pasuritë më mëdha të Dibrës, livadhet dhe kullotat alpine dhe pyjet ku më të mëdhenjtë shtrihen në Steblevë e Okshtun...
E pashë me sy dhe e ndjeva që u malluan. Kisha hyrë në kujtimet e tyre, ato lloj kujtimesh që lidhen me fëmijërinë, me truallin ku kanë lindur, me malet e gërxhet ku kanë ndjerë t’u hyjnë ferrat në këmbë përmes opingave të llastikut e ku shkurreve kanë lënë ndonjë copë rrobë në kërkim të vendeve të fshehta të vendlindjes.
- Sa fëmijë keni ?
- Unë kam tre - thotë i dyti – Dy djem e një vajzë.
- Unë kam katër - thotë i pari – Kam tre djem e një vajzë. Djalin e madh, Ledion, e kam me vete.
- Me çfarë kategorie kanë lindur djemtë ? – e ngacmoj të parin.
- Me të gjashtën – më përgjigjet duke qeshur – Kategorinë e shtatë e marrin ditën që venë tullën e parë.
- Folëm - u them - por nuk u muarëm vesht. Mbollëm tërë arën e nuk i vumë degën në mes...
Qeshën të dy sa u ndritën sytë.
- Mua më quajnë Skënder Rama, tha i pari.
- Kurse mua më quajnë Xhevdet Rama, shtoi i dyti.
- Punojmë në Aspopirgos, - tha Skënderi. – Të dielat vijmë në Omonia, marrim rregullisht gazetën “Emigranti”, pimë ndonjë kafe, takojmë ndonjë shok...
I dhamë dorën njeri tjetrit. I shtrënguam fort siç i shtrëngojnë ata që ndjejnë dashuri dhe respekt për njerëzit dhe vendlindjet e tyre.
Abdurahim Ashiku
Comentarios