top of page

DY FJALË PËR NJË LIBËR TË DASHUR


Alma Zenellari

(Shënime për romanin “Shpirt i Braktisur” i Leon Lekajt)

Nga Alma Zenellari


Të lexosh një libër gati me një frymë dhe të ndjesh keqardhje kur mbërrin në paragrafët e fundit të tij. Ky është fati i librit të autorit Leon Lekaj me titull “Shpirt i braktisur” , i cili erdhi në dorën time jo krejt rastësisht.Është ky një libër që të emocionon deri në përlotje, një libër që të bën të rrënqethesh dhe të vuash me vuajtjen e njeriut që jeton aty brenda. Madje të vuash me mendimin se i gjithë ky kalvar dhimbjeje është e pamundur të jetë pjesë e vetme, përjetim vetëm i një individi. Në çdo fletë, nga fillimi deri në fund, në çdo paragraph dëgjohet klithma e një zemre të lënduar, të fyer, shpirti i trazuar i një njeriu të madh, i cili gjen forcën, kurajën për të na rrëfyer një të kaluar të hidhur. Edhe pse për ‘të kjo është një barrë e rëndë , tejmase e vështirë, sepse siç thotë vet autori, rikthimi në të kaluarën e bën nervoz dhe e kthen në një gjendje të plogët. Dhe për më tepër, çdo rikthim e ka një çmim.Çdo faqe e këtij libri është një thirrje, një ndërhyrje në vetëdijen njerëzore për të parë qartë brenda saj sesi përplaset dhe vajton një shpirt kur i prekin gjënë më të çmuar, gjithë jetën. Aty ndihet lebetia e thekshme, tronditëse e një shpirti që kërkon me ngut arsyet e braktisjes, arsyet e padrejta të vuajtjeve të tij gjer në palcë, gjer në ekstrem. Dhe pse ai i vetëdijshëm i ka të gjitha përgjigjet: janë qyteti, provinca, perdja e zymtë dhe e rëndë e moralit fallc që e bëri këtë kapacitet, këtë njeri të pasur me dije, inteligjencë, të kalonte në një rrugë të paparashikuar as nga vet Zoti. Një rrugë që kalonte përmes ferrit dantesk. Një rrugë që çuditërisht e mësoi sesi të mbijetonte mbi Jagot e frikshëm, mbi Doracët vrasës, manjakët xheloz, meduzat dhe hidrat e asaj diktature që nuk e kishte për gjë të të helmonte, të të çnderonte apo të të çmëndtte, pse jo edhe të të merrte jetën në mënyrën më monstruoze, gjoja në emër të popullit. Dhe të tillët vazhdojnë të shfaqen, të jenë ngado si metastaza kanceri në mënyra të frikshme, edhe sot por në një formë më të moderuar.Libri “Shpirt i braktisur” është e pamundur të refuzohet, është e pamundur të mos lexohet. Përkundrazi çdo faqe e kthyer është një rënkim i thellë, një dhimbje e pacak e tij. Aty nëpër rreshta me fjalë të skalitura nga dhimbja apo dhe me tingujt dëshpërues të firzamonikës, autori përpiqet të nxjerri jashtë kraharorit mijëra psherëtima, lot, lutje të padëgjuara thënë në gjysëm errësirë nga goja e nënës apo të dashurës, që ka frikë nga e nesërmja. Mbi gjithçka ai përpiqet të nxjerri jashtë mllefin, zemërimin, revoltën therrëse të njeriut, që padrejtësisht i përndjekin familjen, atin- njeriun e çmuar që nuk mundi ta mbronte dot nga e liga. Edukatorin fisnik ndaj të cilit edhe sot çdo qytetar i ndershëm që mundi ta njoh dikur, mban mbi vete një ndjesë të paartikuluar për heshtjen e pafalshme (të imponuar).



Në çdo paragraph të shkruar me drithërima zemre, ndihet britma e njeriut që i përndiqen vitet më të bukura të jetës, jo vetëm hapat, jo vetëm shikimet, buzëqeshjet, por edhe mendimet edhe ëndrrat.Ishte koha kur paqja ishte thjesht një fjalë e nëpërkëmbur a e nëmur. Ishte koha e çmendurive dhe dramave të mëdha thotë autori. Ishte koha e ngjarjeve tronditëse të zëshme të pazëshme, intrigave të përzishme, të dukshme a të padukshme gati të nëndheshme, jo vetëm ndaj një individi, por ndaj një populli të tërë. Një popull i cili nuk mundej të dilte dot prej asaj jete të veshur me mjerim të paskaj, i cili pavarësisht djersës dhe gjakut që derdhte nuk duhej ta gëzonte frytin e vet. Për çdo gjë duhej të lavdërohej dhe ngrihej në piedestal vetëm një emër.Në këtë libër nuk është shpalosur vetëm drama rrënqethëse e disa prej personazheve të cilët jetojnë, ecin, qeshin, ëndërrojnë në mënyrë të kufizuar pse jo dhe të diktuar, por shpaloset frikshëm edhe drama e një populli të tërë i cili e tkurrte jetën e vet brenda varfërisë therrëse, përndjekur nga tymi i oxhakëve, djersa dhe zifti. Shpaloset fataliteti i një populli që nuk e lanë të gëzonte sipas mënyrës së vet, sipas asaj që duhej të diktonte liria e fituar me gjak. Po cila liri?...Kudo, në çdo vend, në çdo qoshe të errët apo rrugë qorre do të ishte një hije, një qënie vrastare e cila do të thurrte më pas me një çmim të shëmtuar, vdekjet, tragjeditë më të pabesueshme, duke lënduar, fyer dhe masakruar çdo gjë të bukur, duke shkelur mbi ndjenjat e brishta, duke mbytur pamëshirë edhe dashuritë.Unë e lexova e uritur këtë histori homazh për të kuptuar, për të ndjerë pse jo dhe për të derdhur lot bashkë me heronjtë e pafajshëm të cilët u dënuan vetëm e vetëm se fati nuk i përkiste. Aty ishin heroinat perëndesha të vuajtura me fatin e tyre tragjik, (sytë tundues të Ildës, koka e bukur e Edës së pafajshme), të cilat shfaqen si oaze lumturie, oaze prehjeje vetëm për pak kohë, përbri zemrës së heroit tonë. E që fatkeqësisht humbasin po aq shpejt dhe pabesisht siç ndodh me mirazhet e një shkretëtire.Të shijosh një libër të dëshirosh t’i rikthehesh sërish nuk besoj se janë vetëm ngjarjet që përbëjnë subjektin e tij në tërësi. Mendoj se rrëfimtari ka meritën të na bëjë për vete edhe me gjuhën e pasur, gjuhën e mirëartikuluar dhe të përzgjedhur me kujdes e cila na prek, na emocionon, na josh dhe na rizgjon dëshira të habitshme për t’u ndodhur edhe ne pikërisht në ato vende ku fatet kryqëzohen hidhur.Kjo gjuhë me këtë figuracion të pasur me metafora tronditëse, na fut në labirinte të së kaluarës, na kthen dhe ne në personazhe të heshtur ku gjithësecili ngre heshtazi historinë e vet, duke dashur të tillë dashuri kaq të thjeshtë dhe naïve, kaq të fortë, sublime dhe pse të parealizuar. Por, sa do të mund të jemi të aftë të përballojmë ato që autori ka përjetuar çdo ditë në ferrin e shëmtuar dantesk, këtu fantazia jonë do të donte të ndalej për të thënë, se përballë këtyre njerëzve me kapacitet të tillë, duhet të dimë të përulemi me respekt të thellë, në një nderim solemn për atë çka humbën, për atë çka fatalisht jetuan, për çdo pasthirrmë dëshpërimi dhe pikë loti që derdhën.Të falenderoj shpirt i braktisur për emocionet e thella që më fale, faleminderit edhe për lotët që derdha jo vetëm prej dhimbjes, por edhe prej zhgënjimit, faljes, pendesës ndaj asaj jete që na kishin diktuar të besonim.

67 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page