DUKET SE PO TRASHEN PUNËT RRETH TRUALLIT TË SHTËPISË


Frank Shkreli

SË NËNE TEREZËS NË SHKUP – Ka gisht edhe një firmë nga Shqipëria

Nga Frank Shkreli

Pardje kisha bërë një analizë modeste mbi njoftimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së) ndaj asaj që thuhej se është, “Shlyerja e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës”, nobelistes shqiptare, në sheshin e Shkupit. Unë citova një deklaratë për mediat vendore në Shkup të Shefit të ITSHKSH-së -- një ent zyrtar ky i akredituar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut -- Z. Skender Asani, në të cilën shprehte indinjatën e tij të thellë për këtë veprim të pa përgjegjëshëm. Z. Asani e ka e cilësuar shlyerjen e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup si, “një sulm ndaj figurës së Nënës Terezë, ndaj veprës së saj të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, por edhe ndaj admiruesve të saj gjithandej nëpër botë”.

https://www.fjalaelire.com/post/a-di-kush-se-çka-po-ndodhë-në-shkup-me-shtëpinë-e-nënë-terezës

Por, sipas një njoftimi sot nga Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe (shikoni raportin e plotë nga korrespondenti i VOA-s, Isak Ramadani nga Shkupi), trualli nga ku janë shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës, siç kam njoftuar në një shkrim pardje – e për të cilën Z. Asani njoftoi botën para dy ditësh – trualli në fjalë i qenka shitur “vite më parë” një kompanie nga Shqipëria. Sipas raportit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, i cili sjell sot një reagim të ri në lidhje me ketë çështje nga Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), raporti I VOA-s thekson në lidhje me ketë çështje reagimin e Kryetarit të Bashkisë së Shkupit, i cili njofton përzierjen e një firme nga Shqipëria, në ketë ndërmarrje, duke thënë: “Kreu i Shkupit, Petre Shilegov, ndërkaq i kritikon palët që reagojnë tani, sepse ato nuk kishin reaguar vite më parë kur parcela u privatizua dhe iu dha një kompanie nga ana e strukturave të mëparshme qeverisëse. Zoti Shilegov u tha gazetarëve se, sipas VOA-s se Ky lokacion do t’u kthehet qytetarëve”. Parcela i ishte shitur kompanisë Amadeus Group nga Shqipëria gjatë qeverisjes mbi dhjetë vjeçare të VMRO-DPMNE-së me Nikolla Gruevskin në krye, dhe aty duhej të ndërtohej një kopje e “Shkallëve spanjolle”, ka thënë zyrtari i lartë i Shkupit. “Qeveria e mëparshme e ndërtoi para disa vitesh shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës disa qindra metra larg sheshit, ku ndodhej shtëpia e lindjes së nobelistes dhe shenjtores që ishte prishur nga autoritetet komuniste të kohës me arsyetimin se ishte dëmtuar në tërmetin e vitit 1963”, raportoi sot, Zëri i Amerikës.

https://www.zeriamerikes.com/a/shkup-reagime-ndaj-heqjes-së-shenjave-në-shtëpinë-e-lindjes-së-nënë-terezës/5419732.html

Lind pyetja tani. Kush është kjo kompani nga Shqipëria dhe a ka gisht ajo – drejt për drejt ose tërthorazi -- në zhdukjen e gjurmëve të truallit të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkup? Po qeveria shqiptare në Tiranë kishte dijeni për ketë transakcion të blerjes së këtij trualli nga një kompani shqiptare dhe a kishte dijeni Tirana zyrtare se për çfarë qellimi do përdorej kjo tokë eventualisht dhe nëse ishte në plan, ç’prej atëherë, që të shlyheshin gjurmët e shtëpisë së Nënën Terezës në atë vend? Media shqiptare duhet të bëjë pyetje për ndriçimin e mëtejm të kësaj situate.

Urime Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), i cili po përpiqet t’ia dali në krye kësaj çështjeje dhe të zbulohet se ç’po ndodhë, me të vërtetë, në këtë mes – një zhvillim ky, të cilit të pakën nga një këndveshtrim imi nga këndej oqeanit, nuk i vjen erë e mirë hiç.

Do të ishte një veprim tepër ironik, në mos edhe kriminal, anti-patriotik po se po, që një firmë nga Shqipëria të bëhet shkak i shlyerjes së gjurmëve të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkupin, dikurë shqiptar – në përpjekjet e sllavo-maqedonasve për të shlyer gjurmët e identitetit dhe të pranisë historike shekullore të shqiptarëve në trojet e veta. Fatkqesisht, nuk do të çuditesha!

Frank Shkreli

15 views

Shkrimet e fundit