
MËKATI YT
Më shpoi gjëmbi i zi i trëndafilit tënd.
Nga dhimbja
U zbardh
Hija ime mbi dhe.
VIJA E ASHTIT
Mua më përshkon vija e ashtit mespërmes
Siç përshkon kokrrën e grurit
A kokrrën e kafesë.
Vetëm lotin kam të plotë
Pa vijë në mes.
DUKE PRITUR OFELINË
Vallëzojnë trishtueshëm degët e varura të shelgjeve
Mbi ujrat e liqenit të vashave
Teksa drurët këndojnë ritet e luleve
Lulet këndojnë ritet e frutave.
Unë e di se ujrat e njelmëta të liqenit
Janë kripur nga lotët e Ofelive të botës
Që vajtojnë fatin e Hamletëve të panjohur.
Po ku është Ofelia ime.
Të derdhi për mua një pikëz loti?
Prita e prita e mbolla një pyll me shelgje
Të vajtojnë me zërin e asaj
Që nuk më erdhi kurrë.
Tashmë rri në breg e vështroj
Vallëzimin e trishtueshëm të shelgjeve
Mbi ujrat e liqenit të vashave.
Teksa në pyllin e tyre
Vijnë murgjërit e marin trungje
Të gdhendin kryqet e kishave.
KUR IKEN TI
Kur ikën ti e më nuk vjen
Unë ndihem i penduar
I shtrir në shtratin e pafat
Dergjem i vetmuar.
Kur nata ikën arratiset
Në shpella plot mister
Unë ende jam duke menduar
Në shtratin e bërë ferr.
Kur dielli del në horizont
Unë ndihem si i mpirë
Kur jeta zë e gjallëron
Unë ende nuk jam gdhirë.
留言