ZYBA HYSEN HYSA: DUKE PËRMBLEDHUR LIBRIN "ISUF LUZAJ - NJE SHTIZË DIELL MBI ATDHENË" NË PAK FAQE…
Aty ku deti ndahet në dy dete, aty ku janë dy vende të shenjta, aty ku folenë ka shqiponja dykrenore, aty ku lindi historia e një shteti, aty ku e shkuara puthet me të tashmen, aty ku e tashmja zgjat duart së ardhmes... aty është Meka shqiptare, zemra e zemrës së Kombit... është Vlora legjendare...
Vlorë... Vlorë moj Vlorë/ Zgjatmi duart të t’i puth/ Ato mbajnë vulën e kohës/ Mbajnë të shkruar Historinë/ Në pëllëmbë të dorës... Vlorë, Vlorë moj, Vlorë/ Pasqyrë e stërmadhe/ Ku historia shqiptare shihet/ Nga përplasja e dallgëve/ Stërkala gjaku ngrihet/ toka i thith/ Vlaga... aromë lirie!
Sa herë kthehemi pas në vite, sa herë që lexojmë historinë e sa herë kërkojmë rrënjët e historisë sonë kombëtare... ngado që shkojmë me mend, përsëri vijmë e qëndrojmë mbi Kaninë për të prekur shenjtërinë e baltës së saj, ku lindi dhe u rrit mbretëresha, e shoqja e luftëtarit të madh të Evropës, trimit tonë të madh, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, është altari i princeshës së Kaninës, Rugjina Balsha, e cila ka mbetur simbol i qëndresës dhe i krenarisë kombëtare, model i pavdekshëm i femrës shqiptare ndër shekuj, aty takojmë figura të shquara, burra me emër si princi Gjergj Araniti, një luftëtar i madh që kundërshtoi dhe fitoi ndaj ushtrive të Perandorisë Aziatike, duke u barazçmuar nga Evropa si një Skënderbe i dytë, Andrea Vrana, një fisnik i shekullit XIII, Gjegju Sinan Pasha, sanxhakbej i Vlorës dhe i Kaninës, Hadër Resul Kanina (Murati), Sinan Pashë Vlorës, kryeministrit shqiptar gjatë sundimit të sulltan Bajazitit të dytë në shekullin e XV, i Ferit Pashë Vlorës, kryeministri shqiptar në vitin 1902 – 1908, Ismail Qemali, prijësi i Shqipërisë dhe i krijimit të shtetit të parë shqiptar në 28 nëntor 1912, Abaz Nuri Hamzaraj, i cili themeloi “Shoqërinë e gjuhës shqipe” dhe hapi shkollën shqipe në Kaninë, më 1902, Elmaz Xhaferri, anëtar i “Komisionit përgatitor për shpalljen e Pavarësisë”, Zini Abaz Kanina, një nga katër firmëtarët e pavarësisë...
Kështu, lindja e një personaliteti të jashtëzakonshëm, siç ishte Prof. Dr. Isuf Luzaj, nuk ishte as e rrallë dhe as befasuese, por ishte në vazhdën e burimit të gjakut të pastër shqiptar që më shumë se çdo gjë tjetër në botë deshën lirinë dhe mëvetësinë kombëtare, por ajo që e bën të vecantë Isuf Luzajn, është se bëmat dhe fuqia e tij intelektuale e krijuese, na bën të besojmë se përpos këtyre fakteve të pamohueshme, ai ka pasur dhe bekimin e perëndisë e sot që e njohim fuqinë e tij të jashtëzakonshme si një patriot që luftoi me pushkë ( Kur ka ardhur një herë nga lufta Isufi e kishte kapotën shoshë nga plumbat para gjoksit, por asnjë nuk e kishte marrë, kujton e ëma), ai luftoi me gojë( nuk gjeje të dytë orator si ai, ku shkeli me këmbë gjithë fshatrat e veriu deri në Gjakovë e Prishtinë duke folur gjithmonë pa letër, me fjalët e zemrës për liri e pavarësi), ai luftoi me penë, ku shkruante poezi, për të cilat dhe do të burgosej nga poezia “Neroni” dhe “Gjarpëri” që aludonin për mbretin Zog... më pas në çlirimin e vendit me pushkë në dore, herë si luftëtar, herë si komandant e më pas i detyruar të mërgojë i burgosur me ëndrrën e Atdheut brenda kantinës së vetmisë si një poet, shkrimtar, dramaturg, historian, filozof me përmasa përtej reales së besueshme, se vetëm tituj janë mbi 100 vepra, por shumë tituj, kanë me mbi 6 – 7 volume, ne duhet të besojmë fjalëve të së bijës Elisabetës se këto tregojnë vërtetësinë e legjendës së lindjes së tij: “Gjyshja ime kishte lindur nëntë fëmijë dhe të nëntë i kishin vdekur. Atëherë gjyshi dërgoi në Mekë para për ta kënduar e që andej i sollën një letër ku i thuhej: “Nusen e ke me barrë dhe e ka djalë. Kur të lindi do ta prisni mbi këtë tabaka (kishin sjellë një tabaka) e t’i vendosni emrin Isuf...” dhe vërtet gjyshja kishte qenë shtatzënë e nuk e dinte. Lindi djalë dhe rrojti, emrin ia pagëzuan Isuf...”
E pra, vetëm pak muaj mes zjarrit ngazëllues që ndezi Ismail Qemali me shpalljen e Pavarësisë, lindi në Kaninë më 21 shkurt 1913 Isuf Muhamet Luzaj nga një fis i hershjëm prej 500 e ca vjet më parë i ngulur në Kaninë
Kur vendi ynë ishte i pushtuar, - tregon Çoban Fejzo, - Nexhat Pashaj, një shqiptar, që në atë kohë kishte funksione në qeverinë turke, solli nga Turqia një hoxhë, por shqiptar dhe e nguli në këtë lagje. Në atë kohë edhe kalanë e kishin pushtuar turqit dhe qyteza filloi të shpërndahej dhe të ngriheshin lagjet e vjetra të fshatit, hoxha lindi tre djem; Shakon, Llanon dhe Muratin, nga Shakua lindën fiset Fejze, Llano ose Alirajt dhe po nga Shakaj lindën dhe Luzi, që sot i themi Luzaj, kështu lagjja ku ka jetuar familja Luzaj nga Hoxha e ka marrë emrin Hoxhollaj... ‘ Po këtë gjë thotë edhe Kastriot Hoxha në librin “Kanina në gjurmët e qytetërimit” : “Kjo xhami e ndërtuar që në shekullin e XVI, rreth V shekuj më parë është inauguruar ose e ka fillesën nga një hoxhë i ardhur nga Turqia...” Edhe biri i tij, Dalan Luzaj thotë: “S'di sa thellë shkojnë Luzajt, por për një gjë jam i sigurt se, për katër breza, para Isufit (babait) të parët tanë, kanë studiuar në Stamboll për hoxhë dhe janë kthyer e kanë jetuar dhe punuar në Kaninë”
Kur detin rrëmbejmë me vështrim, ndalojmë në Sazan, ku Isufi do të thoshte se ngjan me një vigan të kërrusur, dënuar nga Dodona të qëndrojë gjysmë brenda - gjysmë sipër detit, ngopemi gjer ne dehje nga hiret e tij sikur të kemi pirë verë shekullore, më pas kthejmë krahët detit për t’i shpëtuar bukurisë hyjnore, pushtojmë me sy pllajën e gjelbër me një peizazh po aq magjik që na detyron të ngremë kokën për t’i prekur me vështrim deri majën më të lartë, ku na shfaqet krenare mbi kodrinë një fortesë e hershme, që ne e thërrasim me gojën plot “Kalaja e Kaninës”... por në prekjen e parë vështrimi ynë përqafohet me rrënojat e një shtëpie, ku në 1920 do të prishej nga bombardimet italiane (thuhet rastësisht), por ajo edhe sot e kësaj dite, ashtu si kalaja e Kaninës, si një gërmadhë me hir selvie, qëndron për të rrëfyer histori, historinë e birit të saj, Isuf Luzajt.
Aty, në atë shtëpi ku dritaret putheshin çdo mëngjes me valët e detit e çdo mbrëmje reflektonin portokallinë e perëndimit të diellit që linte mbi det, aty, në këtë magji peizazhi, gërshetuar me një kulturë të gjerë familjare, sa fetare, po aq atdhetare, filloi të hidhte hapat e para një gjeni, të mësonte ritet e para të kulturës së fesë islame nga Mulla Muhamet, babai i tij, ku vetë Prof. Dr. Isuf Luzaj do të shkruante: “Fetar gjer në eshtër, i thellë si deti,/ E fike zërin me lutje Profetit;/ Më shtrëngove kokën fort në kraharuar./ Ta dëgjova pëshpëritjen: “Vazhdo mësimin,/ Zbuloje dhe ndiqe gjurmë për gjurmë mendimin,/ Kurseje kohën: nat’ e ditë duke shkruar!”, aty, pra në Kaninën e historisë, mori dhe mësimet e para, ku mësoi të shkruante dhe të lexonte gjuhën e mëmës, atë gjuhë që kurrë nuk e harroi e me atë gjuhë shkroi pafundësisht poezi, prozë, filozofi... histori, hodhi shpirtin në letër, për ta kthyer dritë për brezat që do të vijnë.
Më 1926 ai mbaroi shkollën fillore dhe më 1933 përfundoi Gjimnazin e Shtetit, Dega Normale, Shkodër. Në vitin 1933 e pse ishte një nxënës i shkëlqyer, nuk përfitoi bursë nga shteti, ndaj detyrohet të dalë ilegalisht nga atdheu. U regjistrua në Sorbonë, ku studioi deri në nëntor 1935 ndërpreu studimet, për arsye financiare (të cilat do t’i përfundonte më vonë në 1954 fiton me vota të plota doktoraturë në Filozofi dhe në 1957 fiton po me vota të plota doktoraturë në Letërsi) kthehet në Atdhe dhe në vitin 1936 emërohet mësues i gjuhës frëngjishte në Normalen e Elbasanit (Janar – Korrik), ku për pak kohë lë punën se nuk pranoi të puthte dorën e beut të Elbasanit dhe emërohet më pas mësues i gjuhës frëngjishte në Liceun e Korçës, periudhë që punuan bashkë me ish diktatorin Enver Hoxha, ku organizojnë demonstratën e parë, ku Isufi kundërshton policinë duke thënë që studentët nuk kërkojnë komunizmin, por liri dhe demokraci Aty punoi nga viti 1936 – 1938 e nga 1938 – 1939 mësues i letërsisë në Institutin Tregtar, Vlorë, punë që e braktisi me ardhjen e Italisë fashiste, se më 7 prill ai bashkë me çetën e Sevasterit me komandant Rrapo Celon e patriotë tjerë do të luftonte në Mol kundër zbarkimit fashist e më pas ai nuk pranoi që në shkollë të heqë flamurin shqiptar dhe të vendoste atë italian, si dhe nuk pranoi që të bëheshin përshëndetje fashiste.
Më 28 Nëntor 1939 krijon në Vlorë Shoqërinë “Mbrojtja Kombëtare” me Aristidh Rrucin, Ali Beqirin, Alush Runën , Rrapo Celon etj, më 1939 – 1940 organizon rininë qytetare dhe studentë të Institutit Tregëtar Vlorë, Gjimnazin e Shtetit Tiranë, Gjimnazin e shtetit Shkodër në demostrata anti – italiane dhe në 1940 formon Partinë Social – Demokrate me Gjergj Kokoshin, Filip Llupin, Nexhat e Manush Peshkëpia, Kujtim Koculi, Myzafer Pipa... Musine Kokalari, kjo sekretare e Partisë dhe editor e organit “Demokracia”.
Duke lexuar jetën dhe veprën e patriotëve më të shquar të vendit tonë, vihet re se të gjithë kanë provuar burgjet si këtu në vendin tonë, të burgosur nga pushtuesit (për fat të keq, edhe nga shteti ynë) si dhe në burgjet larg Atdheut në Turqi, Serbi, Greqi, Itali dhe me dhembje në shpirt themi: “Kur kemi pasur ndonjëherë qeveri shqiptare? Vetëm qeveria e Ismail Qemalit dhe e Fan Nolit nuk vranë e nuk burgosën shqiptarë, por për fat të keq, vetë drejtuesit e shtetit patën fat tragjik (Ismail Qemali u helmua, Fan Noli provoi mërgim të përhershëm si Isuf Luzaj dhe shokët e tij, u burgosën, u vranë, apo ikën syrgjyn;
O Kaninë... o moj e mirë/ Si s’u trete, si nuk vdiqe/ Kur në ’19 – ën/ Shtyllën e shtëpisë ta helmuan/ Dhe në ’44 – ën/ Dritën e syve ta verbuan…/ Si s’u trete si nuk vdiqe/ Si s’u hodhe përmbi dete/ Si nuk plase… ç’ilaç gjete?
- Nuk kish mort më mort se aq/ Kur më erdh vigani shtrirë/ Të kisha vdekur qe më mirë/ I thashë vetes: “Qëndro!/ Nuk është fikur zjarr’ i zemrës,/ Nuk është shuar mjalti i këngës/ S’është tharë gjiri i nënës/ Viganë tjerë për të lindur/ Shtyllën e shtëpisë për të ngritur.../ Po… moj motër… kaluar motër/ Kur kam parë bijtë e mi/ Ngritur pushkët njëri – tjetrit/ Skish më tmerr… lebeti/ Veç atëherë kam shpëtuar/ Nga idhnia pa u shuar.../ Por... një zë... një dritë më bindi/ (Nga të gjithë bijtë më i dituri)/ Të qëndroja... të shpresoja... - Mos u tut, e dashur mëmë/ Do të rilindësh si një këngë/ Do të këndohet:/ Herë e fshehur, herë mbi skena/ Gjer të shfaqet ndër bedena/Si flamur i Kastriotit/ Amanet i Ismailit,/ Lajtmotiv... bir pas birit...!” (Fotot dhe filmime nga busti Ismail Q. Dhe Isuf Luzajt ne Kaninë)
Me fillimin e shfaqjeve te tij në shtyp dhe aktiviteti i tij për evoluim shoqëror dhe kundër rregjimit të fashizmit në Shqipëri, nga viti 1937, deri në vitin 1942, provoi kalvarin në të gjitha ato lloje burgjesh që nga Shqipëria deri në përtej detit në Itali, kështu në 1941 arrestohet bashkë me 12 studentë të tregtares së Vlorës që organizonte Duro Kreshpani dhe burgoset në Durrës prej nga transferohet në burgun e Napolit dhe më vonë në ishullin e Ventotenes dhe në 1942 për arsye shëndetësore, dërgohet në kështjellën Cortona d’Arezzo, ku takohet me Ali Këlcyrën dhe harton Dekalogun e Organizatës “Ballit Kombëtar”, ku ai propozoi të hynte dhe pika e 7: “Organizata e Ballit Kombëtar do të zbulojë vlerat e vërteta, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike.”
22 Maj 1939
“Nata e parë e burgut më qe e tmerrshme, - do kujtonte Isuf Luzaj. - Kur dëgjova për të parën herë që gardiani më mbylli derën për së jashtmi, kur pashë që më hodhi bukën nga vrima si një qen, kur kuptova që më shikonte nga vrima se çfarë bëja, kur më pruri ujë në një teneqe të vjetër e një kuti të vjetër për nevojat fiziologjike, qe me të vërtetë një poshtërsi kundrejt jetës”. Isuf Luzaj “Po, o Zot i madh/ Zot i adhuruar/ Kur shoh gjurmët nga kam udhëtuar/ Çuditem me shpirtin, si i pati duruar / Gjithë padrejtësitë që erdhën kundra meje/ Asnjë mirënjohje, as mendje, as feje/ Kur u dhashë bukë, më qëlluan me gurë/ I nxora nga deti, më hodhën në lumë/ I përqafova, më ndukën me dhëmbë/ U shërova plagët, më shtytën me këmbë/ U dhashë dashuri, më dhanë hidhërim, Kam qenë i bindur, i dashur, i urtë/ Kam ndezur në ballë fener diturie/ Ngado më shpuri çdo furi stuhie/ Kam edukuar breza rinie/ I sinqertë në paqë, mëshironjës në luftë/ O Zot i madh/ Zot i adhuruar...
Në qershor, Të vitit 1942 lirohet nga burgu i Kortonës dhe hyri në atdhe, shumë i sëmurë nga vuajtjet dhe në tetor 1942 del ilegal. Komiteti Qendror i Organizatës “Balli Kombëtar” e ngarkon të formojë Komitetin Krahinor të Vlorës me Aristidh Rrucin, Doktor Vasilin, Bego Gjonzenelaj... Isuf Luzaj ka qenë i pari misionar i Organizatës së Ballit Kombëtar në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë dhe 1942 – 1944 me një oratori të pashoqe organizon popullin për luftë nën kuadër të Organizatës së Ballit Kombëtar dhe lufton edhe me pushkë herë si ushtar, herë si komandant, herë i vetëm në: Gjorm, Ruzhdije, Sykuq, Hekal, Ballsh, kundra Isa Toskës, operacionin e Mallakastrës, Kucovë, Qafë Pllocë, Qafë Dardhë, Tepelenë, Sinanaj, Vasjar dhe Selenicë, ku komandon luftën 13 orësh me fitore të plotë, ku u vranë 117 karabinierë italianë, 9 oficerë dhe u zu rob kolonel Rreci. Në 1943 përpiqet kundra një autoblinde italiane në Vajzë, vetëm filli; lufton afër një orë rresh.
Në 1 – 3 gusht 1943 Isuf Luzaj bashkë me 12 delegatë përfaqësues të Organizatës së Ballit Kombëtar dhe 12 tjerë të Frontit Nacionalclirimtar, morën pjesë në Kongresin e Mukjes në mes Atje mbron tezën e Kosovës dhe të Camërisë për t’u bashkangjitur Shqipërisë në Shqipërinë Etnike “Konferenca e Mukjes, - do shkruante Isuf Luzaj, në vitin 1943, është ngjarja pa të cilën është vështirë të flitet për historinë e asaj kohe. Ata që morën pjesë në të, me të vërtetë ishin përfaqësues të popullit. Në të merrnin pjesë edhe kosovarët, edhe çamët, edhe komandantët e forcave të armatosura... 12 përfaqësues kishte Balli, e po aq kishte edhe Partia Komuniste... Merrnin pjesë mijëra veta, do kujtonte prof. Dr Isuf Luzaj, - Në shesh ishin vendosur 24 veta, ndërsa të tjerët rrinin anash. U bisedua tërë ditën çështja e Kosovës dhe më në fund komunistët dërguan kasnecin që merrte urdhra nga Enver Hoxha: u pranua Marrëveshja. Kur u mor vendimi i përbashkët nga përfaqësuesit e Ballit dhe PK, që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë Etnike, jehuan kodrat e fushat nga duartrokitjet e turmës, së cilës nuk i shihej fundi. Gëzim më të madh në jetë nuk kam pasur. Më vonë, siç e dini, nga presioni i komunistëve jugosllavë, komunistët shqiptarë na e kthyen shpinën”.
Kur çeta nacionaliste e Kaninës, mori pjesë në luftën e Drashovicës, kundër garnizonit gjerman, në shtator 1943 si dhe në luftën e Gjormit më vonë, pas vrasjes së të riut Hazis Sharra me urdhër nga KQ të PKSH më 7 tetor 1943, doli hapur tradhtia komuniste e shpalli vëllavrasjen, luftën civile në Shqipëri, luftë që do vazhdonte që nga ajo ditë e në vazhdim dhe po të shikojmë biografinë e firmëtarëve të kësaj Marrëveshje që u zhvillua në Mukje, të gjithë janë vrarë, ballistë e komunistë, apo pa parti; burgosur, internuar, apo detyruar të arratisen në mërgim, fat të cilin e pati dhe Isuf Luzaj që më 28 nëntor 1944, bashkë me shoqëruesit Ifraimin, vëllanë e tij të vetëm, Hydaiun kushëririn e tij dhe shoqërues tjerë si Ali Mane Aliu nga Shkoza, Sulejman Tahiri nga Kanina dhe Safet Liko nga Trevllazeri ... bile para se të ikte nga Shqipëria ai ka mbajtur një fjalim në Shkodër, ku u dha shpresë se me ndihmën e aleatëve do të ktheheshin për të shpëtuar Shqipërinë... dhe gjithë jetën Kosova dhe Çamëria, gjithë trojet tona etnike shqiptare mbetën më mendjen dhe zemrën e tij shqetësim i përhershëm. Kur ishte në spital i thotë së bijës, Elisabetës: “Unë besoj që Kosova do jetë e lirë, por unë nuk do jem gjallë, ndaj kur Kosova të bashkohet me Shqipërinë, eja bijë tek varri e më thuaj...”
JETA NË MËRGIM:
Prof. Isuf Luzaj më 1945 iku nga Shqipëria ne Austri e më pas shkoi në Itali. Aty e arrestuan duke dyshuar, siç thotë ai, “se kisha vrarë gjeneral Xaninin, i cili kishte vrarë Qazim Koculin”. U bë gjyqi dhe e dënuan me vdekje. Pastaj u shpall amnistia dhe i falën të gjithë ata që ishin të dënuar me vdekje.
Nga viti 1945 – 1948, Isuf Luzaj ka punuar mësues i Latinishtes në seminarin Brescia, Itali, më 1948 emigron në Argjentinë, si përkthyes në Ministrinë e Arsimit: Frengjisht, Italisht, Latinisht, në gjuhën spanjolle, librash arsimorë, etj. Në të njëjtën kohë hartonte lajmet e natës “Radio Evropa”, në gazetën “La Prensa”, dy turne punë, 16 orë ditë e natë. Në vitin 1954 fiton me vota të plota doktoraturë në Filozofi dhe në 1957 fiton po me vota të plota doktoraturë në Letërsi dhe nga viti 1957 – 1965 punon si profesor i Filozofisë “Shekulli XX – të, në Universitetin e Buenos Aires, Argjentinë, më pas, në vitin 1960 emërohet Drejtor i Institutit Frëng për Studimet e Larta subvencionuar nga Shteti Francez dhe në vitin 1961 – 1965 si Këshilltar i Direktoriumit të Ministrisë së Arsimit, Argjentinë: Për hartimin e Programeve Akademike, për Universitetin e Argjentinës.
Në vitin 1965 ai merr Medalje nderi në Universitetin e Argjentinës, për kontribut pozitiv në USA dhe në vitin 1965 emigron në SHBA, ku fiton me konkurs: Profesor i Filozofisë Frënge të dhënë në gjuhën Frëngjishte në Universitetin e Shtetit Neë – Hampshire.
Në vitin 1966 jep provimet në Harvard University për njohjen e diplomave frënge dhe argjentinase dhe fiton të tri diplomat, të njohura nga Ministria e Arsimit Federal të Ëashington DC.(DISI)
Gjatë viteve 1967 - 1968 emërohet Titullar Katedre, në Universitetin e Neë – Hampshire: Filozofi e Përgjithshme. Për arsye shëndetësore të klimës së ftohtë, jep dorëheqjen, në 1968 – 1970 punon si Profesor i Letërsisë Frënge në ST. Joseph College of Indiana dhe në vitin 1970 – 1980 – Profesot Emeritus – Titullar Katedre në Universitetin e Indianës. Programon dhe drejton kurset e Profesorëve të Filozofisë.
Në vitin 1980 del në Pension, por në vitet 1980 – 1990 – Riemërohet Titullar Katedre të Filozofisë në Universitetin e Illinois. Programon dhe drejton profesorë të Filozofisë.
Në vitin 1990 Universiteti i Shtetit të Indianës i jep medalje nderi, për shërbim të jashtëzakonshëm akademik. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë Governor i Indianës; Ministri i Arsimit dhe Presidenti REGAN.
1990 – 2000 – 20 dhjetor jep dorëheqjen për arsye moshe dhe shëndetësore.
SHKRIMTARI:
Nëse do ta krahasonim letërsinë shqiptare me një orkestër, ku çdo vegël muzikore ka rëndësinë e saj, Isuf luzaj do ishte një nga veglat muzikore që shpesh luajnë vetëm dhe do të fitonte më shumë duartrokitje, sesa kur do luante gjithë orkestra... kur lexon Isufin, humb nga realiteti, nuk e sheh veten mes turmës, por ballë për ballë me autorin, i cili flet me gjuhën e një kulture të gjerë botërore të bluar më nge në mullirin e mendjes së tij prej një shqiptari me kualitet brilant e të duket vetja në oazën më të bukur të dijes njerëzore. Në krijimtarinë e Isufit hyn, por kur del, je tjetër njeri...
Botimin e parë e ka publikuar në vitin 1938 me vëllimin poetik “Rrëfime”, Dhori Kote, Korcë, Vargje lirike, konfiskohet libri dhe burgoset autori, 94 ditë. Në gjyq, kryegjykatësi, Çoba, shkodran, refuzon akuzën e censurës që vjersha “Neroni", bën aluzion për mbretin Zog dhe në vitin 1946 botoi “Ideologji e falimentuar si interpretim materialist i Historisë”. Librezë 180 faqe, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë.
Më 1954 boton novelën “Lumenjtë Zbresin të Kuq” (Los Rios Rotos), Editoriali Ultraviar: Argjentinë, Spanjë, Peru, Kolombia, Guatemala, , Chile. Novelë politike – shoqërore – filozofike, kundra Marksizmit. Pas tri ditë në shitje, Partia Komuniste argjentinase , bleu të gjithë tirazhin (u shitën afro 1000 copë). Gjenden akoma kopje origjinale te Ultramar...
Përveç këtyre botimeve ai gjate viteve 1954 – 1965 merr pjesë në kongreset anti – komuniste botërore si përfaqësues i 76 shoqërive të komuniteteve të popujve nën perden e hekurt refugjatë në: Argjentinë, Brazil, Peru, Guatemala, Colombia, Uruguay, Bolivia, Mexiko.
Kongreset celebrohen në: Brazil, Buenos – Aires, Aipës, Peru, Guatemala, Colombia, Taluan, Tokio, Filipinas, Neë York, këtu, Kryetari i Bashkisë Laguardia, i dorëzon medaljen: “Eisen Haver For Liberty” si dhe gjatë viteve 1955 – 1990 – Merr pjesë në Kongreset Botërore të Filozofisë në Buenos Aries, Lima, Rio Detaneiro, Paris, Bonn, Londër, Romë, Madrid, Athinë, Neë York, përfundon në Universitetin e Buenos Aries, Indianës, Illinois, ku referatet e tij botoheshin ne shtyp dhe ne broshura.
Në vitet 1954 – 1965 – Bashkëpunon me gazetat: “La Nacion” dhe “La Prens” të Buenos Aires, Peru, Brazil, Colombia, Filozofi, Epistemollogji. Në Estudios Sobre El Comunisho të Chiles. Revista “Veritas”, të Buenos Aires, në 1965 botohet nga Universiteti i Buenos Airesit libreza e vogël me 135 faqe: “Metodologji për Studimin e Filozofisë”, me përdorim për Shkollat e Mesme “Ballalavrent”, në vitet 1973 – 1990 botohen artikuj mbi Filozofinë e Historisë dhe Marksizmi në teori dhe në praktikë, në Gazetat “Ëashington Post”, “Neë York Tribuni”, “Chicago”, “Sun Time”, “El Progreso”
1990 – 23 dhjetor. Shoqëria e Gazetarëve të Amerikës, i jep medalje nderi për ato punime, 94 artikuj përkatës të: Edistemollogjia e Materializmit Historik. Ia dërgon medaljen governori Illmsisit Thompson.
Ka sot me mbi 100 tituj, por ndër ta 32 vëllime në dorëshkrim në shqip mbi: “Historinë e Shqipërisë”, “Origjinën Prehistorike”, “Lufta e Vlorës 1920”, “Probleme Filozofike”, “Paleontologji”, “Ditari Metafizik”, “Poezi Lirike”, “Poemë Heroi – Komik”, “Përpjekja e tonë”, “Poezi Ekzistencialiste”, “Morali Shkollor”, “Psikollogjitë e Popullit Shqiptar, “”Rilindja Shqiptare në Shekullin XXI”, “Falimenti i Marksizmit”, “Sëmundja e politikës ndërkombëtare në këtë shekull (1900 – 1990)”, “Faje dhe Fajtorë”, :Tmerre dhe Viktimë”, “Armët e popujve”.
“Jemi racë e pastër, me origjinë Iliro - Thrake dhe e meritojmë të radhitemi përkrah kombeve të zhvilluara”, do thoshte Isuf Luzaj.
Si çdo shqiptar që padrejtësisht u detyrua të jetonte jashtë atdheut, amanetin e tyre kanë lënë të varrosen në; Atdhe, që kockat të prehen në dheun amë dhe sipas amanetit, bijtë e tij e sollën trupin në Vlorë për t’i dhënë lamtumirën e fundit populli i Vlorës, ai popull që e lindi, e deshi, e përqeshi, e nderoi më në fund, sot trupi i tij prehet në Kaninë, rrëzë kalasë, kështjellës së qëndresës shqiptare në kohëra.
“Idealet që më kanë nxehur dhe ndriçuar jetën kanë qenë: mirësia, bukuria dhe e vërteta. Për lumturinë time nuk jam kujdesur shumë. Interesi im i pasionuar për drejtësi shoqërore dhe përgjegjësi shtetërore ka qenë në kundërshtim me dëshirën time, të shoqërohesha me njerëzit për karrierizëm” (Isuf Luzaj) Kështu vjen mes nesh Isuf Luzaj, biri i Kaninës që jetoi e punoi nëpër botë dhe kohën e vuri në shërbim të Atdheut duke folur në tribunat universitare të botës kundër komunizmit, si ideologji antinatyrale që nuk të çon në zhvillim, por në shkatërrim, ai i la Kombit tonë, sidomos rinisë së shekullit XXI një pasuri të pallogaritshme deri më tani, ai i la shpirtin patriot të endur mes mijëra vargjeve poetike, ai la mendjen e tij në rreshta pafundme të historisë dhe filozofisë, ai na ka lënë një dritë të plotë për të parë rrugën drejt zhvillimit përmes dritës së diturisë.
«Ideali politik imi ka qenë demokracia e për këtë kam luftuar i vetmuar, pa pritur kurrë mirënjohje…”
Prof. Dr. Isuf Luzaj u ndëshkua nga komunistët megjithëse kontribuoi dhe e deshi Shqipërinë më shumë, por ndryshe nga ata. Edhe në kushte të vështira madje tepër të vështira Prof. Dr. Isuf Luzaj nuk pushoi së luftuari për çështjen kombëtare shqiptare. Ai jo vetëm ka qenë misionari i parë i Ballit Kombëtar, por dhe një ndër themeluesit e Partisë Social – Demokrate shqiptare bashke me Musine Kokalarin, Skënder Muco, Ymer Quku... ai kurrë nuk e quante kundërshtarin politik, si armikun e tij, por armik quante atë që ishte në kundërshtim të interesave kombëtare, ndaj dhe ai ia tha në sy Enver Hoxhës: "Jam i sigurte, ju do ta fitoni këtë lufte... Unë nuk kam frike dhe as turp siç thua ti, shok i mire, por nuk bashkohem me ty. Unë kam turp nga ndërgjegjja ime qe nuk beson ne ideologjinë Marksiste - Leniniste, si zhvillimi me i mire i jetës se popujve"
Dëshmi janë një seri dokumentesh historike e letërkëmbime që Isuf Luzaj ka lënë si gjurmë të formimit shkencor dhe kontributit të tij madhor disa prej të cilave kanë rezistuar prej kujdesit te bijës së tij, Elizabetës. Mbi këto dokumente gjendet një letër - amanet e lënë prej tij “Beti, vashë e vetme, mbaji për kujtim, kur unë nuk do të jem më. Yt atë Isufi”.
Nëse në Kaninë në kohën e sundimit osman ka qenë një njeri i zgjuar që nga turqit u quajt “Velo Mendja”, me bindje themi, që Kanina e ringjalli një bir për të marrë emrin “Isuf Mendja”, jo vetëm nga zgjuarsia e lindur, por me plot kuptimin e fjalës mendje, me një mendje të ndriçuar nga dituria... ai ka qenë truri i lëvizjes nacionaliste jo vetëm për krahinën e Vlorës, por gjithë Kombit. Drita e mendjes së tij u përhap kudo dhe tërhoqi vëmendjen e opinionin shqiptar e deri armiqve më të betuar të kombit tonë Stalinit dhe Titos. Në vitet 1946-1950, Stalini i kërkoi qeverisë italiane, kthimin në atdhe, për t’iu nënshtruar “gjyqit të popullit për krime lufte, kjo jo se Isuf Luzaj ishte vërtet kriminel lufte, por se ishte një politikan idealist, antikomunist dhe patriot, një personalitet i zoti për të orientuar, drejtuar, luftuar për liri e bashkim kombëtar, ndaj ai mbeti “i rrezikshëm” përherë e asnjëherë nuk u dha e drejta të kthehej në atdhe. Isuf Luzaj nuk ishte vetëm i mençur, por me një shpirt sa luftarak, ne të njëjtën kohë po aq të butë e të dhembshur, deri në fëmijëror, se vetëm një njeri me shpirt të tillë, nuk do të hiqte kurrë dorë prej aspiratës së lirisë së kombit të vet... ai ishte krenarë për origjinën e tij Iliro – Trake dhe kishte besim se një ditë shqiptarët do bashkoheshin dhe do radhiten me popujt e tjerë të Evropës, ai jetoi me mallin dhe brengën e Kombit të vet , ndaj shprehet:
“Sa më shumë vuaja, aq më shumë më forcohej besimi që pata në lirinë e popullit tim, sa më shumë gjendesha i vetmuar, aq më shumë jetoja në mes të racës sime.../ Ashtu, sigurisht, një ditë do të vijë,/ Një djalë shqiptari, prej mëme shqiptare. Ndoshta i panjohur as në fshatin e tij/ Do ujdisë pikëpjekje me histori fatbardhë,/ Në një çast të papritur do bëjë mrekulli,/ Do ta ngrejë në këmbë racën tonë krenare,/ Do ta vërë në radhë në mes të Evropës,/ Shembull e pasqyrë, për popujt e botës,/ Të binden, të besojnë që ka Perëndi...”
Ç’është një zë, që nga Kanina,/ Herë si këngë… herë si vaj…/ Një gurë varr që nga kodrina,/ Farfurinë si një fanarë…!/ Ngjanë si flakët përmbi male,/ Në çdo mal, kur Skënderbeu/ Do sulmonte… ndizte zjarre,/ Zjarr e flakë mëmëdheu!/ Çdo gur i kalasë trime,/ Iso mbanë… kënga shpërtheu,/ Lart gurë varri ndrin me dridhje,/ Brenda varrit... Prometheu!”
Biografia e Isuf Luzajt, është biografia e vendit tonë këto 100 vjet, është historia moderne e Shqipërisë, një histori që ka ekzistuar, por e mohuar nga diktatura komuniste, Isuf luzaj është modeli i së ardhmes së kombit tonë përmes dritës së diturisë... se Isuf Luzaj kurrë nuk reshti së renduri drejt së panjohurës, misterit... pas asaj që ndrit përtej errësirës, por që duhet guxim dhe dritë përtej dritës ti shkosh pranë për ta prekur... Kjo e bën Isuf Luzajn të pavdekshëm në thesarin e kulturës sonë elite kombëtare.
Comments