top of page

Duke lexuar: "Me më shumë mall"; Poezi nga Fatmir Terziu


Duke lexuar: "Me më shumë mall"; Poezi nga Fatmir Terziu


Dr. Shpresa Fundo Gjergji (Phd)


Hyrje


Si përherë kur e lexoj poetin Fatmir Terziu, edhe sot më tërhoqi poezia "Me më shumë mall" dhe e gjeta veten duke shkruar, për të bërë një përmbledhje sado 'modeste', por që dëshiroja vërtet të shkruaja për të...


Vargu si një plotës


Poezia e Fatmir Terziut, në tërësinë e saj ka një shtrirje të gjerë dhe përmbledh detaje dhe elemente të shumtë për tu plotësuar. Ka brenda një fantazi, që kalon në një poezi shumëplanëshe dhe ndërthuret ëmbël, natyrshëm nëpërmjet një vargu të lirë, të brishtë, me nyje, i mprehtë, shpesh metaforik e shumë domethënës.

Një varg që kërkon pa ndërprerë ardhjen e vargut tjetër si një plotës me një mendim më të gjerë e gjithë muzikalitet, ku ritmi i jep formën e përsosur! Nuk mund të them se si e mas ritmin aty. Po, di të them, se e ndjej kur lexoj poezinë dhe vetiu ky ritëm sjell herë herë butësine e asaj çfarë shpreh autori, here here vjen si shpërthim i lules kur çel apo i një stuhie me dallgë kur vjen... apo, edhe si një monolog me intonacionin e duhur.


Situatat marrin karakter


Lexoj poezinë e Fatmir Terziut dhe ndonjeherë e gjej veten, ose ulur duke biseduar me të, ose diku ku elementet jetësore janë përzjerë me natyrën, me situatat sociale mjaft delikate, me zëra që gëlojnë përbrenda nga malli, nga optimizmi për ta jetuar jetën si të vij, ku poeti ynë nuk është: "nuk jam kurrë duarbosh"; ose i "ka zbritur qielli në sy"...

Mjaft bukur vijnë edhe momente trishtimi, dhe këtu më duket se situatat marrin karakter paksa dramatik, kur shprehet "zbras sytë që shiun kanë pirë"; ose "ndërsa shiu na binte si dallgë"...

Vijnë edhe momente më "luftarake", momente të pritura, ku autori i jep përgjigje të thellë dialektikës së zhvillimit me një diapazon të gjerë e motivues nëpërmjet krahasimit, personifikimit artistik të metaforizuar: "ne si veriu"; "bëhemi zjarr" shrehje që e veshin poezinë me elemente të vyera dhe e bëjnë të jetojë...


Retorika dhe vlera e saj poetike


Është kaq paqësor, sa "ngre një dolli" (dhe ndihet së tepërmi që i merr gjërat shtruar dhe me qetësi intelektuali, kënaqet nga arritjet, dëshironë të festojë, apo ndoshta të ndihet me miq të mirë pranë, të cilët i ka të shumtë por i mungojnë shpesh, sepse këtë dolli e ngre me foton e tij. Të jep përshtypjen e një monologu, që do të shkëmbejë dy fjalë me vetveten si miku mikut.)

Ka një etikë të pakrahasueshme kur kërkon të tregojë gjithë politesë (është e karakterit të tij):

Kur pyetja retorike shfaqet e "beftë", lexuesi e ndjen forcën e arsyes së autorit, madje poeti ynë pyet dhe e di vetë përgjigjen! Ai është i mirëformuar për këtë.... Por ka arsye të fort që e bën: "a ia kemi gjetur thelbin kurës?!"

Është i pakursyer në retorikën e vet, pavarësisht se është edhe racional. Zgjedh me kujdes gjithë detajet që të sjellë poezinë në ato shtigje, ku ai vetë i di mirë. Dhe retorika vjen si një thirrje qe kumbon brenda saj me zë dashamirës, por që të vë përpara një situate bashkëvuajtëse, bashkëjetuese, ku hallet dhe gezimet kërkon t'i kurojë bashkë me lexuesin e tij.

Është një poezi paksa ndryshe, jo e ngjashme me askënd, mjaft elokuente, elastike, me nerv, me botë, me stil, me dritë, me ndjenjë, me një arsye të thellë dhe mjaft metaforike, ku karakteri filozofik është pjesa më interesante, ( kjo vjen për vetë faktin se poeti i përket hapsirës intelektuale, i mirëstudjuar dhe me një botë të madhe).


Konkluzion


Vargjet që përmbyllin poezinë, sjellin një fund, që është jetësor i përjetuar, i bukurthënë, me ndjenje sublime që vetëm poetët dinë ta shprehin: "jetojnë dhe vdesin me më shumë mall…"

Është cikli i jetës, jetojmë, ndjejmë mall për çfarë na mungon dhe do vdesim një ditë...këtë më së miri, e gjen të mishëruar në poezinë e Fatmir Terziut, si pjesë e pandarë në gjithë krijimtarinë e tij, në forma e mënyra nga më të ndryshmet.

E tillë është poezia e tij, është gjurma e identitetit që spikat ngado tek ky poet i veçantë nga përmasat, i jashtëzakonshëm e plot energji poetike!

44 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page