DUKE KUJTUAR ME MALL DHIMBJE MOTRËN E SHTRENJTË
FIQIRETE MARA MUHAJ
Kaluan 25 vite pa Ty motër .Më duket sikur koha ka ngrirë në atë ikjen tënde të beftë e të trishtë, motra ime e dashur…Nuk më besoshet që për ty më duhet të flas në kohën e shkuar dhe gjurmët e lotëve në sytë e mi nuk e ndjekin dot kurbën e kujtimit…
E shtrenjta motra ime Fiqirete, na ike me dhimbje në moshë të re. E ndjej shumë mungesën tënde,më shfaqet në endërr fëmijëria që kemi kaluar bashkë.U rritëm bashkë nga prindërit tanë të dashur, të cilët me shumë mundime e sakrifica punonin ditën e natën, duke përballuar vëshitërsitë ekonomike të familjes me shumë fëmijë. Së bashku luanim në avllinë e shtëpisë së prindërve. Asnjëherë nuk grindeshim, por kishim shumë mirëkuptim e dashuri vëllazërore. Edhe pse koha që jetonim kishte varfëri,e sfidonim varfërinë, me dashurinë e motrave që na jepnit shumë gëzime. Kur u largova për në Shkollën Pedagogjike, më merte shumë malli. Kur vija në shtëpi te prindërit më prisje me shumë dashuri. Dashuria e motrës për vëllezrit nuk matet me fjalë.Na doje të gjithëve me shpirtin tënd të pastër. Edhe pse fizikisht ishit e dobët, kishit shpirtin e sakrificës, duke punuar në moshën e vajzërisë. Ditën e martesës tënde gëzuam shumë që krijove familjen . Prindërit tanë të dashur u lumturuan kur ike nga shtëpia nuse dhe të uruam të gjithë lumturi!
Kujtoj me mall kohën që jetuam në qytetin e Selenicës, ku krijove familjen tënde të dashur. Na gëzove me lindjen e fëmijve të dashur Arben e Mimoza. Ishit një nënë tepër e përkushtuar, duke sakrifikuar nga jeta jote. I rrite fëmijët me shumë dashuri.Edhe pse të sulmonin sëmundje,punoje me përkushtim për familjen. Vjzat e mia merrnin shumë dashuri, nga ty e dashur motër Fiqirete. Disa herë vajza ime Brunilda në moshën dy vjeçe, tek kopshti shtëpisë ku banoja, kishte hapur një shteg dhe ikte fshehurazi për të ardhur te shtëpia e hallës së dashur Fiqirete, pa na njoftuar. Ne dilnim dhe e kërkonim me merak dhe e gjenim te shtëpia e motrës ku ajo luante me Benin dhe Mozën. Distanca nga shtëpia e motrës ishte larg, afër fushës së futbollit dhe Brunilda e vogël nuk ngatërronte të merrte rrugët e tjera. Brunilda e donte shumë hallën Fiqrete, e cila e ledhatonte me shumë dashuri. Në kopshtin e saj te shtëpia e banimit motra ime e shtrenjtë Fiqrete kishte fruta e perime dhe shpendë shtëpiakë. Vezët e freskëta ja dhuronte mbesës së vogël Brunilda, e cila sapo filloi të ecte në këmbë vraponte te shtëpia e hallës së dashur Fiqrete. Zemra e motrës Fiqrete rrezatonte vetëm dashuri për të gjithë. Ajo ishte shumë humanitare, dashamirëse me të gjithë. Familja e motrës Fiqirete me bashkshortin , me fëmijët e dashur Beni e Moza e prisnin me shumë dashuri Brunildën
Kur motra Fiqrete u bë operacion në Tiranë nga bllokimi venave të gjakut u shqetësuam për shëndetin e motrës tonë të dashur, e cila qëndroi me kurajë para operacionit. Brunilda erdhi në Tiranë për të takuar hallën e dashur. Në një stol të lulishtes së spitalit, para se të bëhej operacioni, vajzat Brunilda e Anita e takuan me shumë dashuri.
Brunilda ishte e vogël dhe nuk kuptonte sëmundjen që kishte halla, por ndjente mall për hallën e saj që e po e shikonte me rrobat e spitalit. Qëndruam disa orë duke u çmallur. Kur motra doli nga spitali Brunilda shkonte me gëzim te shtëpia e saj, dhe luante me shumë dashuri me Benin dhe Mozën.
Ne u larguam në emigracion e hidhur dhe malli na zhuriti zemrën për ty motër Fiqirete që po luftoje me sëmundjen e keqe. Erdhe dhe të takova me shumë dhimbje që të shikoja që vuaje nga sëmundja. Në kohën që prisnim të lumturoheshe me martesat e fëmijëve, na ike motër e dashur Fiqirte. Ike në moshën 44 vjeçare duke lënë dy fëmijë jetim.E hidhërove nënën që qëndronte pran teje. Lotët e pikëllimit që ike në moshën e re helmuan zemrën e nënës tonë. U hidhëruan të gjithë për ty. Nëna vajtonte shumë për ty motër Fiqirete,deri sa pas pesë viteve në vitin 2000 erdhi pran teje.
Në gusht të vitit 2013 ishte dasma e djalit tuaj të shtrenjtë dhe nipit tonë të dashur Arben Muhaj Unë nuk kisha fatin të isha në dasëm,kisha përfunduar nëpër spitale nga Tirana,Itali dhe Nju Jork. Unë nuk kisha fatin të isha atje, sepse më largoi kërcënimi jetës nga ataku zemrës në Tiranë. Tre ditë para se të më ndodhte ataku zemrës, më 25 maj 2013 e takova nipin në Tiranë me të fejuarën Daniela, të cilët do shkonin në Vlorë për të prenotuar ceremoninë e dasmës më 23 gusht 2013. Biseduam pak minuta duke bërë disa foto në qendrën e Tiranës. Gjatë kohës që isha në spitalin gjerman në Tiranë dhe në Torino e Milano, nipi dashur Arben Muhaj kishte ndjekur me shqetësim nga afër sëmundjen time dhe kishte kontribuar me ndihma financiare. Një javë pasi kisha bërë operacionin e transplantit me aparatura ishte bërë martesa ku vëllazëria ime e kishte rrethuar me shumë dashuri nipin e dashur Arben Muhaj rreth fotografisë së motrës të paharruar Fiqirete.
Në shtratin e spitalit ku kisha dhimbje nga aparaturat që ishin instaluar në barkushen e majtë të zemrës sime më dërguan foton e dasmës që ishte organizuar bukur edhe me parodistët aq të njohur vlonjatë, të cilët në fillim të dasmës kishin ngritur një dolli për shpëtimin e jetës sime nga kërcënimi sëmundjes. Kur lexova mesazhin e pashë fotot ndjeva shumë gëzim për martesën e nipit të shtrenjtë Arben Muhaj, që krijoi familje në Londër. Isha në gjendje melankolie ku sytë rrinin të lotuar, por martesa e nipit më solli gëzimin në shpirtin tim të malluar
Në gushttin e vitit 2016 erdha të takova në banesën e fundit . Ledhatova pllakën e mermerit ku ndjeva shumë emocione. Edhe pse në kraharorin tim pulson një zemër e huaj, dashuria për ty motër e shtrenjtë është e përjetshme. Erdha përsëri në vitin 2018 dhe 2019 .Pres të vij përsëri të takohem me ty motër Fiqirete. Unë do të mbetem në dheun e huaj me një dhimbje që nuk do jem afër me banesën e përjetshme aty në Qafën e Gurit..Arbeni ka dy djem motër Fiqirete të cilët nuk patin fatin të ledhatoheshin nga gjyshja e dashur Fiqiretepor shpirti jot është pran tyre.
U prehësh në paqe motër e shtrenjtë Fiqirete!
Qatip Mara
Nju Jork 6 nëntor 2020
Comments