
SHPENDI TOPOLLAJ
Sapo mbarova së lexuari librin dinjitoz dhe të rrallë për nga lloji, të autorit plot pasion profesional, të intelektualit dhe atdhetarit Dritan Çoku, kushtuar historisë së Kullave të Sahatit në qytetet tona, ashtu si pa dashje m`u kujtua ajo shprehja e lundërtarit kinez të shekullit të XV - të Zheng Hi i cili tha se “anijet tona lundronin nëpër dete, sikur donin të qendisnin historinë”. Këtë rol kanë luajtur edhe në vendin tonë kështjellat e moçme, zbulimet arkeologjike, objektet e kultit apo kullat e sahatit, të cilat jo vetëm e kanë zbukuruar historinë tonë jo gjithmonë të shkruar, dhe jo gjithmonë të suksesshme, por edhe u kanë dhënë përgjigjen e duhur shumë dyshimeve, shpifjeve apo tezave keqdashëse se ne ishim një popull relativisht gjysmë barbar dhe jo shtetformues. Këto, bashkë me njerëzit ka parë edhe miku i vendit tonë Justin Godart, kur deklaronte se “Letërsia e ka shtrembëruar të vërtetën… Ajo na ka gënjyer për shqiptarët, duke na i paraqitur ata si cuba dhe njerëz të egër”. Do të ndalem vetëm këtu në Berat, në Antipatrian e dikurshme, ku emocionet i kam të dyfishta, pasi është qyteti ku unë jam lindur, dhe do të sjell në vëmendjen tuaj rëndësinë që i jep atij kalaja sipër nesh që ka pasur 24 kulla, e cila veç të tjerave, mbetet edhe dëshmitarja më autentike e ngjarjeve të ndryshme si ajo e vitit 1458, kur pas bisedimeve me Ilia Beun, Muzak Topia dhe Gjergj Araniti, i besuan atij dhe i dhanë kohën që u kërkoi për t`u dorëzuar, dhe ai me pabesi, me anën e një korrieri njoftoi Isa Evrenozin i cili me 40.000 ushtarët e tij bëri kërdinë mes shqiptarëve. T`i ndjekësh që nga gjeneza, t`i hulumtosh, t`i konfigurosh dhe të shkruash rreth vlerave të këtyre objekteve, mendoj se është diçka që duhet përshëndetur, pasi ky është një veprim nga ata, për të cilat tragjiku nga Salamina, Euripidi këshillonte: “O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”. Këtë virtyt e kam vërejtur te miku im Dritan Çoku qysh te libri i tij i parë “Sahat kulla e Kavajës” për të cilin kam shkruar ndër të tjera: “Të mos shkojmë larg, po le t`i hedhim sytë nga Italia fqinje, dhe të kujtohemi se çfarë vendi zë në kulturën dhe historinë e popullit të saj arkitektura, me ato kullat e kudogjendura. Kushdo e di mirë se çfarë vendi të nderuar zënë në Panteonin e këtij shteti emrat e Bruneleskit, Bramantes, Mikelanxhelos, Della Portas, Berninit, Fontanës, Palladios, Sansovinos, Boroninit etj. Po ne, përse ngurojmë të akordojmë fondet e duhura si për gjetjen e arkitektëve, ashtu dhe për restaurimin e mirëmbajtjen e këtyre monumenteve aq domethënëse për prejardhjen tonë? Ky është shqetësimi i Dritan Çokut i cili ngre zërin për nevojën e ndërhyrjes konservuese dhe restauruese të objekteve të tilla që ai i sheh si elemente që na ndihmojnë të ecim në korridore të errëta, në tunelet pafund të shekujve të shkuar. Dhe e gjithë puna e tij, e kryer prej një shtyse të brendshme, prej një intelektuali të ndërgjegjshëm dhe atdhetari të kulluar, që punon pareshtur me modesti dhe këmbëngulje, duke përballuar edhe vështirësitë e mëdha të botimit, është një kujtesë për institucionet, që t`i kthejnë sytë dhe të tregohen shumë më të vëmendshëm, ndaj këtyre pasurive që gjysh - stërgjyshët, si njerëz me prirje evropiane, na lanë trashëgim”. Me këtë botim jemi para një libri - album, ku veç një studimi racional shkencor të këtij autori, ndeshim skica, foto të vjetra e të reja, dhe vizatime nga udhëtarë - piktorë të kohës, dhe kjo ja shton atij akoma më shumë vlerat. Parakalon nga faqja në faqe vepra, do thoja jo vetëm e ngrohtë dhe plot dritë, por edhe aq dokumentare e Edward Lear, Jeorge Stockli, Hristofor Zefaroviç, Jan dhe Cora Gordon, Vincenzo Coronelli, William Hugh William, Aladar Szollosy, Shjefën Gjeçovi e deri Charles Cockorell i cili na ka dhënë ndofta Beratin më romantik që është pikturuar ndonjëherë. Dhe e gjithë vepra e tyre, nga ana e Dritanit është vendosur në funksion të qëllimit që libri i tij ka. Dritani ka ditur ku të rëmojë gjithçka, dhe çfarë të zgjedhë për ta pasqyruar sa më bindshëm atë që shtjellon sipas kapitujve. Interesimi i disa personazheve të kohës, qofshin ata dhe nëpunësa të lartë nëpër qytete të ndryshme, për ndërtimin sa më estetik të kullave ku do vendosej sahati, vërteton mësë miri se ata jetonin me përparimin dhe kulturën e Evropës së qytetëruar të asaj kohe. Duket sikur ishin në garë se kush do ta kishte sa më impozante kullën e tij të sahatit, pasi asnjëra nuk ngjan me tjetrën. Dritani, pasi shtjellon nisiativat, projektet, përpjekjet dhe përballimin e shpenzimeve për ndërtimin e kullave, pasi shpjegon pozicionin ku kullat e sahatit do vendoseshin në korelacion me mjedisin rrethues, futet deri te kornizat e ndryshme të gdhendura në muret e gurta, strehët e çatisë në mjedisin e këmbanës, simbolet specifike, llojet e sahatëve dhe vendet prej nga ato u porositën, dhe ilustron edhe me ndodhi mjaft interesante rreth tyre, apo rrjedhat nga kaloi fati i tyre si pasojë e rrebesheve historike. Fystel dë Kulanzh kishte mendimin se “Historia nuk studion vetëm faktet dhe institucionet materiale; objekti i saj i vërtetë është shpirti njerëzor”. Dhe ja, këtë ka synuar të na japë edhe Dritan Çoku në librin e tij. E ka bërë këtë me përgjegjësinë e një njeriu me ndjenja dhe emocione, ashtu sikurse thotë qysh në krye, kur sqaron se librin ja kushton babait të tij Pëllumbit i cili ishte i dëshiruar të shihte arritjet sa më cilësore të të birit në trashëgiminë kulturore shqiptare. Punën e këtij autori që s`ka lënë vend pa shkelur, do ta quaja pa asnjë mëdyshje një punim akademik, për të mos thënë se edhe vetë Akademia e Shkencave po t`i futej me grup pune dhe fonde të posaçme, vështirë se do realizonte diçka më të mirë. Dritani me këtë libër i bën një nder të madh edhe Beratit, i cili duhet ta vlerësojë punën e birit të devotshëm të tij. Ai me modestinë e tij, hesht dhe nuk bërtet e nuk rreh gjoksin, por s` duhet harruar ajo thënia e Mark Tweinit se “Zhurma nuk provon asgjë, shpesh një pulë që ka bërë vetëm një vezë, kakarit sikur ka bërë një asteroid”. Sido që vetë puna, duam apo s`duam, flet. Ajo sipas Romen Rolanit është i vetmi titull i vërtetë i fisnikërisë. Dhe Dritan Çoku këtë titull e ka fituar.
Comments