Drita Ademi: SËMUNDJA E GJAKUT
- May 22
- 2 min read

N’rrashta t’kodrave rritet kopra e egër.
Dikush thotë: diktatori ka dekë moti,
e muret hala i mbajnë veshtë hapun.
N’Durrës burrat lujnë domino
me duer t’nxime prej diellit,
Italia ndryshket
mbi barkun e anijeve.
N’Tiranë beton i lagun,
erë nafte,
kafja piqet dy herë
për etnitë e pagjumë.
Mbi Kukës arkivat ruejnë
erën e bukës,
duer të zgjatuna
si flamuj lirije.
Para se me ardhë turqit
kuajt pinin ujë n’Drin,
e priftnit shkruejshin ungjij
me gishta t’ngrimë prej dimnash.
Mbi ato toka t’lashta
historia asht derdhë udhëve
si thes me elb.
Perandori mbi perandori,
çizme pushtuesish
n’oborre shqiptare,
flamuj t’ndryshëm
mbi t’njajtat vorre.
N’Prishtinë gratë pritshin lajme
me bukë t’thatë n’shami,
djemtë i çojshin ushtar kah veriu
e i kthenin veç n’emna guri.
Prej Llapi deri n’Drenicë
tymi rrinte ulun
si sorrë e zezë mbi shpija,
e fëmija msojshin alfabetin
nën dhe.
N’Shkup pazari i vjetër
merr erë duhani e shiu,
ezani përzihet me kambana,
Vardari, si bishë e lodhun,
kalon ngadalë.
Nji plak shet sahata t’prishun
e flet me vete
n’nji gjuhë
që s’e kupton ma askush.
N’Ulqin deti i han brigjet
copë-copë çdo dimën,
kripa hyn n’eshtna
si kujtim i vjetër ilir.
Burrat me drita t’fikuna
n’anije
flasin me za t’ultë
për kufijtë,
për sëmundjen e gjakut.
N’Shkodër jezuitët ruenin libra
kur digjej qyteti,
e n’jug ikonat
kanë ftyra t’nxime
prej tymit t’shekujve.
Mbi Rozafë
muratorët pinë raki
me i harrue britmat e grave
n’mure.
N’Gjirokastër gurët
bahen gjuhë dalëngadalë,
e n’çdo dritare
varet nga nji shekull
i lodhun.
Kahdo që shkon
dikush thërret:
o vlla, a ki zjerm?
dikush përgjigjet greqisht,
dikush shan sllavisht,
dikush pëshpërit italisht,
dikush hesht
si nën dritë hetuesie.
Natën, kur ik drita,
Shqiptaria rri zgjuet
si trup me temperaturë,
tu i numrue kufijtë
si plagë t’vjetra.
E deti rreh Europën
si derë t’mbyllun me hekur.
Drita Ademi








Comments