top of page

Dritë mbi të panjohurat


Halil Rama "Mjeshtër i Madh"

Një monografi shumëvlerëshe për historinë e fisit e të fshatit që pati dhjetra luftëtarë në luftën për çlirimin e Shkodrës


FISI BRUÇI I LUKANIT TË DIBRËS



Ky botim shkencor i Faik Bruçit dëshmon për arritjen e një niveli të lartë në artin e të shkruarit. Kjo për faktin se Faiku, ashtu si në çeshtje të sipërmarrjes, edhe në këtë libër dëshmon se din të përveçojë me inteligjencë, fakte dhe ngjarje, si pjesë substanciale e karakterit të personazheve, duke e bërë librin e tij me vlera njohëse, edukuese dhe estetike



Në historinë e zhvillimeve epokale botërore dhe lokale, fiset e mëdha identifikohen me emrat e personaliteteve që ata kanë nxjerrë në kohëra e rrethana të ndryshme. Kështu ka ndodhur edhe me fisin Bruçi të Lukanit të Dibrës, për historinë e lavdishme të të cilit është shkruar dhe botuar një monografi interesante nga studiuesi dhe sipërmarrësi i mirënjohur Faik Bruçi.

Nëse Muhurri, njëri nga Nandë Malet e Dibrës identifikohet me emrin e filozofit popullor Dine Hoxha, një nga këshilltarët më të afërt të Mbretit Zog i I-rë, emër ky i përjetësuar në xhaminë e Rrugës së Kavajë në Tiranë, (financuar prej tij në vitin 1930), Lukani i Katër Grykëve të Dibrës, i njohur për prijësit e mendimtarët Hoxhë Buci e Lam Tahiri (Bruçi), në kohët e sotme moderne identifikohet edhe me një emër mjaftë të njohur në metropolin shqiptar. Ky është Faik Bruçi, ndër sipërmërrësit më të susksesshëm (pronar i “Capital Tirana Hotel” tek Pazari i ri i Tiranës, fare pranë selisë së Prokurorisë së Përgjithshme), promovues i vlerave atdhetare, historike dhe kombëtare. Në këtë kontekst, treguesi më i qartë është botimi me autorësinë e tij i librit “Fisi Bruçi i Lukanit të Dibrës”, (monografi) një botim special me me 230 faqe.

Ky botim shkencor i Faik Bruçit dëshmon për arritjen e një niveli të lartë në artin e të shkruarit. Kjo për faktin se Faiku, ashtu si në çeshtje të sipërmarrjes, edhe në këtë libër dëshmon se din të përveçojë me inteligjencë, fakte dhe ngjarje, si pjesë substanciale e karakterit të personazheve, duke e bërë librin e tij me vlera njohëse, edukuese dhe estetike.


Pak nga vështrimi gjeografik e historik i Lukanit me histori të lavdishme


Në morinë e detajeve dhe fakteve interesante nga historia e vendlindjes së tij, F. Bruçi e bën ndalesën e parë tek vështrimi gjeografik e historik i Lukanit me histori të lavdishme.

Kështu, nëse përcakton saktë pozicionin gjeografik të fshatit në zemër të maleve që kufizohet: në veri me Lurën, në lindje me Muhurrin, në jug me Selishtën dhe Kacninë, në Perëndim me Qafë Murrën, (ndërsa ka si mburojë Runjën hijerëndë e kreshnike, 2048 metra mbi nivelin e detit), po aq bindës është edhe në vështrimin etimologjik për emërtimin e fshatit Lukan, që vjen nga fjala “lug” - luginë, dhe që në gjuhën dibrane shqiptohet “luk”. Pra, nga fjala “luk” erdhi emri i fshatit Lukan. Për këtë autori i kësaj monografie i referohet periudhës historike të shekullit XV. Por kjo sipas tij nuk do të thotë se Lukani nuk ka prejardhje më të herëshme, siç kanë shkruar dhe lënë dorëshkrime historianët Hysen Lala e Bajram Totraku.

Parë nga ky këndvështrim, Faik Bruçi argumenton se edhe në aspektin ushtarak Lukani është katundi më strategjik i Katër Grykëve – një nga Nandë Malet e Dibrës që luftoi dhe nuk u mposht në luftra me pushtuesit turq, serbë, austriakë etj (Mal në Dibër dhe bajrak në Mat).

Në këtë mori faktesh, meritë e autorit është përshkrimi në pak rreshta i prejardhjes së herëshme të fisit BRUÇI, nga Dardania-Kosova e sotme. “Kjo prejardhje është treguar gojarisht brez pas brezi deri në ditët e sotme. Përmes faktesh bindëse për ekzistencën prej 250 vjetësh të fisit Bruçi në Lukan të Katër Grykëve të Dibrës, Faik Bruçi ndër të tjera shkruan se: “Burime të herëshme gojore tregojnë se fisi Bruçi ka ardhur nga Kosova, është vendosur në Shkodër, nga Shkodra në Domgjon e Fan të Mirditës. Stacioni i parafundit ka qenë Fushë Lura”. (fq.14).


KUVENDI I KULLAVE


Mjaftë bukur shkruan autori i kësaj monografie për institucionin e kuvendit të kullave. Në Lukan nuk ka shtëpi, por kulla. Çdo shtëpi është një kullë, është një kala trimërie që ka brenda saj burra të mençur dhe trima të vendosur. Në këto kulla të bekuara nga Zoti dhe të uruara nga Dede Bruçi, Hoxhë Bushi, Hoxhë Buci e Dede Ndregjoni kanë lindur, janë ritur e burrëruar qindra e mijëra djem petrita. (Djemtë dhe vajzat e tyre gjenden sot në disa vende të Europës, Amerikës, Kanadasë e Australisë, si sipërmarrës, mjekë e artistë mwe emër).

“Në muret e këtyre kullave u varën qindra armë miqsh e trimash, bujtës nga Katër Grykët, Muhurri, Luznia, Lura, Dibra e Madhe, Mati Kruja etj. Nga krismat e pushkëve të këtyre kullave u bekuan qindra dasma dhe lindje djemsh. Njerëzit ndër vite u dhanë jetë kullave dhe kullat ndër vite mbrojtën njerëzit. Në kullat e Katër Grykëve bujtën Abdyl Frashëri, Iljaz Pashë Dibra dhe udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Këtu mori jetë jeta jonë, rruga jonë”, - shkruan F.Bruçi në monografinë “FISI BRUÇI I LUKANIT”. Në këtë libër, faqe pas faqeje hidhet dritë mbi luftimet e trimave të Lukanit e të krejt Katër Grykëve në betejat kundër trurqve e serbëve, ndërkohë që mjaftë bukur autori e përshkruan Lukanin si strehë të njerëzve të shpërngulur nga raprezaljet serbe. Kësisoj karakteret humanë shfaqen si shëmbëlltyra të përzgjedhura nga dora e një studjuesi të zellshëm dhe me talent, duke të bërë për vete me stilin e të shkruarit. Dhe ajo që e bën të veçantë librin “FISI BRUÇI I LUKANIT, në raport me disa botime tjera në formë monografie apo encikopedie për fshatra tjerë të Dibrës, është fakti se ai rrok brenda tij një periudhe të gjatë, gati njëshekullore, duke derdhur dashuri dhe mirënjohje për personazhe dominantë të historisë sonë kombëtare. Kështu ai sjell për lexuesin profilin e Bajram Bucit, i njohur ndryshe si Hoxhë Buci, i cili si njeri i zgjuar, i arsimuar dhe atdhetar ishte i pranishëm në të gjitha ngjarjet e mëdha historike që kaloi vendi ynë në vitet 1860-1913, veçanërisht si përfaqësues i Lukanit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor 1878.

“Veprimtaria e Hoxhë Bucit është shumë e gjerë. Për të kanë shkruar historianët Kristo Frashëri, Kristaq Prifti, Selami Pulaha, Stefanaq Pollo, Bajram Xhafa etj. Për veprimtarinë e tij, përveçse në Arkivin Qëndror të Shtetit Shqiptar ka të dhëna e dokumenta edhe në arkivat e Turqisë, Austrisë etj”,-nënvizon autori F.Bruçi në këtë monografi kushtuar fisit të tij emërndritur në historinë tonë kombëtare.

Një tjetër personazh interesant i këtij libri është Islam Tahiri (Bruçi), simbol i zgjuarsisë dhe trimërisë dibrane. Duke e profilizuar si një njeri bashkkohor, autori shkruan se: “Lami njihet si njeri i kohës, i muhabetit, me zgjuarsi natyrale dhe i zoti. Jetoi në periudhën e sundimit otoman, kohën e pushtimit serb, Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, në periudhën e regjimit komunist, dhe kurdoherë diti të orientohej drejt dhe të mbijetonte”. Më tej autori i kësaj monografie shkruan për Tofik Xhafer Bruçin që ishte lezeti i odës së burrave, i odës dibrane por dhe arkitekt i unitetit të fshatit, si dhe për Bajram Totrakun që ia ngiti lart emrin Lukanit dhe Katër Grykëve të Dibrës.


Lavdi burrave të Lukanit që luftuan për çlirimin e Shkodrës


Një shembull frymëzues atdhedashurie janë 14 burrat e Lukanit, nga të cilët 4 të fisit Bruçi, që shkruan faqe heroizmi në luftën legjendare për çlirimin e Shkodrës.

Gjatë rrethimi që iu bë nga 28 tetori 1912 deri më 23 prill 1913, në kuadrin e Luftës së Parë Ballkanike, prej forcave aleate të Malit të Zi dhe Serbisë kundër forcave të Perandorisë Osmane, Shkodra qëndroi e pamposhtur, falë edhe mbështetjes prej forcave rezerviste dibrane. Studiuesi F.Bruçi, referuar dokumentave arkivore shkruan në këtë monografi se në luftën për çlirimin e Shkodrës, ndër 17 batalionet rezerviste të rezistencës, njëri ishte Batalioni i Dibrës. “Udhëheqësit kryesorë të forcave vullnetare të Katër Grykëve kanë qenë Hoxhë Buci dhe Smajl Nika. Lufta zgjati 6 muaj. Në këto luftime dhanë jetën 114 dibranë, midis tyre edhe disa luftëtarë nga Lukani dhe Katër Grykët”, shkruan F.Bruçi në këtë monografi (fq.38). Madje sipas tij, Smajl Nika prej Qafë Murre, shpëtoi përveç flamurit (bajrakut) të Katër Grykëve edhe bajrakun e Lurës dhe të Matit. Gjithashtu në respekt të kontributit të të parëve të fisit e fshatit të tij të lindjes ai rendit emrat e disa burrave të Lukanit që luftuan për çlirimin e Shkodrës si: Hoxhë Buci; Islam Tahir Bruçi, Shaban Ali Bruçi; Xhafer Can Bruçi, Shaban Xhafer Dervishi; Ali Lik Dervishi; Selman Dervishi; Mustafa Buci; Sali Totraku; Llan Koka; Ibrahim Ndregjoni, Destan Ndregjoni, Zeqir Ndreka etj.

Pjesë e kësaj monografie shumëvlerëshe është edhe kontributi i Dine Hoxhës e Llan Destan Ndregjonit në mobilizimin e trimave të Lukanit përballë qëllimeve shoviniste të Sebisë, si dhe mbështetja që Katërgrykasit i dhanë qeverisë së Arrasit më 1920.

Këtë monografi e bëjnë tërheqëse kapitujt “Njerëz të thjeshtë që ja kushtuan jetën Lukanit”, “Nderim dhe respekt për luftëtëtarët dhe veteranët e Luftës së Dytë Botërore”, “Fisi Bruçi, fis me tradita të shquara bujarie”, sidhe artikujt: “Lukani, fshat arsimdashës”; “Përkrahës të kulturës dhe qytetërimit”, “Intelektualët e rinj”, “Plejadë burrash që siguruan mbijetesën e fshatit”, dhe “Bijtë e Lukanit, biznesnenë të fuqishëm në shkallë vendi”. Brenda faqeve të kësaj monografie gjen plot emra të spikatur të fisit Bruçi e të gjithë fshatit Lukan të Dibrës që qëndrojnë me dinjite në panteonin e vlerave.


Faik Bruçi, “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Qarku Dibër”


Autori i kësaj monografie, Faik Bruçi është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh" me motivacionin “Në vlerësim të të kontributit të çmuar në ndërtimin e veprave hidroteknike në mbarë vendin. I dalluar si humanist dhe kontribues në dobi të bashkësisë dibrane dhe promovues i vlerave atdhetare, historike dhe kombëtare.” (Dekret Nr.11272, datë 12.09.2019).

Po ashtu, Këshilli i Qarkut Dibër, me vendim Nr.5, datë 13 mars 2018, e ka nderuar Faik Bruçin me titullin më të lartë “Nderi i Qarku Dibër”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij, për mbështetjen financiare, në ruajtjen dhe promovimin e vlerave për historinë, artin, sportin dhe kulturën dibrane”.

Këto tituj të lartë nderi janë vlerësim i kontributit të tij të dukshëm si një nga sipërmarrësit shqiptarë më të suksesshëm. Për shumë vite ai ka themeluar dhe drejtuar Kompaninë “Bruçi” shpk, kompaninë “Jon 2002” si dhe ka qenë aksioner i rëndësishëm dhe i suksesshëm në

“Bankën Popullore”, Kompaninë e Sigurimeve “Albsig”, Hidrocentralin “Gjanç” Korçë dhe njëkohësisht sot është pronar i vetëm i “Capital Tirana Hotel”. Biznesi dhe aktiviteti i tij çdo vit ka njohur vetëm ngritje dhe suksese. Për këtë, kompanisë që ai drejton dhe personalitetit të tij angazhues, me aftësi të mira menaxhuese, i janë akorduar tituj dhe simbole vlerësuese nga institucione brenda dhe jashtë vendit tonë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page