top of page

Dritë


Dritë

Fatmir Terziu


Ishte kohë e errët atëherë

dita shkurtohej nga nata e gjatë

pas dimrit më erdhe pranverë

në ëndërr më dilje përnatë.


Dhe ja papritur një ditë

u shtrydh ndjesia në një

në qiell shihja vetëm dritë

isha pështjellë thellë në të.


E zbritën sytë atë dritë

Drita u shtua mbi një vegim

shikimet e bënë natën ditë

pa fjalë, një ëndërr, një zgjim.


Isha zgjuar bashkë me dritën e bardhë

në dorën time shtrëngoja një Yll

vërtet kisha mbetur pa fjalë

po dilte nga vendi zemra në gji…


Nga emri kuptova më shumë

në gjuhë të atillë të ndaluar

me peri kisha folur në gjumë

kuaj të bardhë kisha shaluar.


Dhe drita u afrua më afër

emrin peritë ma përkthyen

në sytë e mi po aq pastër

dritëza të tjera shpërthyen.


Kështu ndodhi me ty Luçiana,

më bëre atë natë krejt dritë

u gëzua edhe baba dhe nana,

të kishin gllabëruar sytë.


E mbaj mend qasjen e asaj drite

e doja ta kem për një kohë të gjatë

dhe ka mbetur një pikë befasie

ajo ëndërr sa shumë ka zgjat.


Fytyra dhe shikimi ishin të buta

shkëlqimi ishte i qartë për mua

faqet m'u skuqën rishtas si fruta

kur të thashë menjëherë: „Të dua!'


Tani eci pranë teje mjaft rrëndë

shkitazi lexoj dritën mes syve

gjithnjë ata kanë një Hënë

në mos vetëm shkëlqim drite.

107 views1 comment

1 Comment


mich.maska
Feb 28, 2021

Lirike e ngrohte, teper e ndjere dhe brilante. Plot vezullime drite dhe musht jete.

Urime! Myslim Maska.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page