DREJTORËT, DREJTORËT E KORRUPTUAR, DREJTORËT “LEGENË” DHE “ÇUPKAT E PARTISË”.
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 7, 2020
- 6 min read

Askush nuk lind drejtor, për më tepër drejtor i korruptuar dhe për më keq akoma, drejtor “legen”, dhe as “çupkë partie”. Të tillë i bën partia apo partitë. Pra fajin e kanë partitë por fare pa ‘të nuk janë as individët. Përse ndodh kështu? Njerëzit vijnë në jetë krejt të barabartë: të pastër, të drejtë, pa vese dhe uqe. Por gjatë jetës nuk udhëtojnë apo rrugëtojnë krejt kështu. Në të kundërtën, fillojnë të bëhen “pis”, më vonë të bëhen “helaq” (shumë pis), pra të mvishen me vese dhe uqe deri në shëmti. Kjo nuk vjen për shkak të natyrës së vetë njeriut më shumë se sa për shkak të ndërhyrjes të të tretëve në natyrën e tij. Në vogëli, në adoleshencë, por deri diku edhe në rini nuk ka shumë arësye për ndërhyrje, ndërkohë kur fillon marrëdhënia midis njerëzve në punë, krijohet edhe hapësira për ndërhyrjen te njëri-tjetri apo e të tretëve. Kjo sepse në marrëdhëniet e punës ka në shumicë zbatues dhe në pakicë drejtues apo kontrollues. Kështu lind edhe interesi për t’u diferencuar nga zbatues në drejtues e kontrollues. Secili ose e synon vetë këtë ose e kërkon si favor nga të tjerët, kuptohet fillimisht kundrejt shprehjes së mirënjohjes, ndërsa më tej edhe kundrejt shpërblimit si një detyrim taksativ. Kështu lind pra mania për t’u bërë drejtues që të largohesh sa të jetë e mundur nga funksioni i zbatuesit. Dhe në këtë tendencë apo sipërmarrje faktor ndihmues bëhet ai apo ata, që kanë mundësi të luajnë rolin e mikluesit, të nxitësit dhe të promovuesit. Drejtuesit e shtetit, sidomos të shtetit monopartiak, synojnë dhe tentojnë të vendosin në funksionet drejtuese e kontrolluese, njerëzit e tyre të afërt në pikëpamje të gjakut, miqësisë, krushqisë, shoqërisë etj. për ta patur situatën tërësisht, kudo dhe mbi çdo gjë nën kontroll të plotë. Prandaj popullit “raja” i është dashur që të pranojë si drejtuesë dhe kontrolluesë jo pak njerëz mediokër dhe të paaftë por që ishin degë të pemës pushtetore. Pra, jemi në periudhën kur drejtorë dhe drejtuesë bëhen besnikët e pushtetit, paçka se janë profanë në çdo pikëpamje. Është koha kur drejtorë dhe drejtuesë bëhen kryesisht ata me biografi të pastër, të cilët edhe pse thuajse të paaftë, u vihen mbi krye të tjerëve që kanë aftësi intelektuale e drejtuese por kanë biografinë jo aqë të pastër.
Me ndryshimin e marrëdhënieve në prodhim në kushtet e eknomisë së tregut, natyrisht që duhen drejtuesë e kontrolluesë si edhe në të kaluarën apo edhe në të ardhmen. Në sektorin privat punëdhënësit kanë nevojë dhe interesohen për drejtuesë të aftë por edhe të ndershëm, që të udhëheqin procesin e prodhimit me efektivitet sa më të lartë dhe fitimprurës për punëdhënësin. Kjo formë marrëdhëniesh në procesin e punës e shmang disi korruptimin e drejtuesve, sepse punëdhënësi është më shumë i interesuar për administrimin financiar. Ai vetë është “drejtues mbi drejtuesit” prandaj edhe rrjedhja financiare është më e pakët. Në sektorin publik (shtetëror) punëdhënësit, pra administratën e lartë shtetërore, nuk i ha “meraku” për rritjen e efektivitetit në procesin e prodhimit, sepse financimi nuk bëhet nga portofoli i tyre por nga buxheti i shtetit. Për ata ka më shumë rëndësi të mbyllet cikli i punës dhe jo të sigurohet një fitim sa më i lartë përmes një administrimi me dije dhe përgjegjësi të procesit. Drejtuesit e lartë përzgjedhin dhe promovojnë drejtuesë (drejtorë) që dinë dhe janë të gatshëm të punojnë për veten e tyre dhe për ata që kanë mbi krye. Kështu zë fill procesi i korruptimit galopant të drejtuesve duke gjykuar që funksioni si drejtues i është deleguar që të punojë për të “shlyer” detyrimin ndaj drejtuesit më të lartë që e ka promovuar në atë funksion. Këta drejtuesë para së gjithash e mbi të gjitha mendojnë e punojnë për të siguruar sa më shumë privilegje të pamerituara, duke lakmuar me pangopësi sidomos të sigurojnë të ardhura monetare e materiale krejtësisht në rrugë jo ligjore. Ata korruptimin dhe korrupsionin nuk e quajnë më turp dhe as ves, por nder e krenari, një arritje që jo kushdo nuk mund ta provojë, për më tej ta arrijë. Ata shndërrohen në maniakë të vesit, shndërrohen në çdo ind të krijesës së tyre në ves e korruptim. Mendojnë, veprojnë e punojnë me çdo mjet e mënyrë për të përfituar sa më shumë nga korruptimi i të tjerëve, duke e shndërruar mjedisin ku punojnë në një makineri që prodhon korruptim dhe të korruptuar. Në këtë veprim “trimoshësh” të pafre dhe të papërmbajtur i ysht dhe i nxit drejtuesi apo drejtuesët më të lartë që i kanë promovuar në këto detyra apo përgjegjësi. Është një kohë kur funksioni apo përgjegjësia publike parapaguhen, aqë sa i sapovendosuri në detyrë mendon e vepron, se si dhe kur do të shlyejë borxhin e dhënë për emërimin në detyrë. Ka patur shumë të vërteta për kësi rastesh, aqë sa ndonjë është kthyer dhe përdorur si barcoletë. Para disa vitesh kur një shef komisariati u shkarkua nga detyra për parregullsi dhe korrupsion të hapët në detyrë, i tha eprorit të vet pak a shumë, se nuk kishte shlyer akoma ato që kish parapaguar për t’u emëruar në atë funksion. Këto veprime natyrisht që kryheshin me dijeninë e partisë që i kishte promovuar, në të kundërtën nuk mund të lulëzonin dhe as të shumoheshin me shumicë dhe thuajse krejt haptazi. Janë jo pak drejtorët e partive të korruptuar, të cilët dikur nuk mund të mbaheshin më nën sqetull, dhe drejtuesi i partisë e shkarkonte përgjegjësinë duke u shprehur afërsisht se partia ka përgjegjësi, por tek e fundit përgjegjësia është individuale. Ishte një kohë kur një drejtoreshë arësimi në Lushnjë, një drejtor i fondit të sigurimeve shëndetsore, një tjetër i rrugëve, disa të burgjeve, ndonjë i transportit i epitetuar nga fqinjët jugorë “Eskobari i Ballkanit”, deri tek më i fundit pedagogu i Universitetit “F. Noli” të Korçës, por i angazhuar në detyrën e kordinatorit nga një parti që pretendon se promovon vetën kuadro të pakorruptuar, pa bërë fjalë për drejtues të institucioneve të drejtësisë e cila ishte infektuar rëndshëm dhe shndërruar në malinjë, nuk e kishin për turp të kryenin veprime korruptive, por edhe të merreshin në mbrojtje nga drejtuesit e administratës shtetërore, që ishin po ashtu të promovuar nga partia politike. Shumëkujt i kujtohet fare mirë se pas zgjedhjeve politike të vitit 2017, kur edhe u shkërrmoq një koalicion qeverisës, drejtuesit e partisë së larguar nga koalicioni qeverisës, gati me krenari pohonin: “tashmë ne nuk kemi më drejtorë të korruptuar”, “tashmë jemi çliruar nga drejtuesë të korruptuar” etj.. por pa marrë asnjë përgjegjësi se këta ish drejtorë të korruptuar ishin promovuar nga partia në fjalë dhe nga drejtuesit e tyre. Nga këta drejtuesë a drejtorë të korruptuar kanë prodhuar për fat të keq kush më shumë e kush më pak, por gjithësesi me shumicë, gati të gjitha partitë politike.
Më vonë e deri në ditët e sotme kanë vijuar të bashkëjetojnë me administratën shtetërore dhe qeverisjen lokale e qëndrore me dhjetra drejtorë po kaqë a më shumë të korruptuar sa ata të mëparshmit. E veçanta është se tashmë drejtuesit e lartë të administratës qëndrore apo lokale, kur vartësit e tyre dekonspirohen keqas dhe haptas si të korruptuar, nuk i marrin më në mbrojtje drejtpërdrejt apo nën sqetullën e partisë, por i “sikterisin” duke i epitetuar me nocione pejorative të tipit “drejtorë legenë” apo nocione të tjera më të zbutura. Shumëkujt i kujtohet fare mirë edhe raste të drejtuesve të pushtetit lokal (në bashki, komuna etj.) të cilët përveçse të korruptuar skajshmërisht, janë ekspozuar edhe pa asnjë fije morali duke kërkuar deri edhe favore seksi në këmbim të një vendi pune apo ndonjë privilegj tjetër. Edhe më përpara, por edhe në ditët e sotme, janë shtuar me shumicë si kërpudhat mbas shiut “çupkat e partisë”. Janë bija të drejtuesve të partive apo edhe të administratës të cilat shpërblehen me poste pune dhe përgjegjësi të tjera, akoma pa u hequr pelenat dhe pa asnjë kontribut në shtet apo shoqëri. Janë mbushur plot e përplot partitë dhe institucionet shtetërore me të tilla, të cilat bëhen persona publikë duke recituar konceptime të drejtuesve të tyre në rolin e zëdhënësve, apo duke debatuar pa asnjë fije “bereqeti” në studio të ndryshme televizive, veçse tërheqin vëmendjen e teleshikuesve përmes paraqitjes së jashtme estravagante me veshje firmato apo krehje flokësh “allafrënga” e makiazh të theksuar të fytyrës. Duke qënë të pazëna me punë gjejnë kohë të marrin pjesë në protestat e tipit “Mbroteatrin”, dhe kur u del boja japin “me krenari’ dorëheqjen nga posti i Zv/ministres apo drejtoreshës së ndonjë Shtëpie muze.
E kështu pra kjo mund të jetë një metamorfozë e rëndomtë dhe e shëmtuar e shndërrimit të njerëzve të zakonshëm, të ardhur në jetë si të barabartë midis tyre dhe para Zotit, por të shndërruar në drejtorë biografish, drejtorë të korruptuar, drejtorë “legenë” dhe “çupka partie”. Zot, na ruaj nga ky shpërfytyrim njerëzor!
Tetor, 2020
Comments