top of page

Drejtimi i shkollës nuk është thjesht vend punësimi



ARSIMI PARAUNIVERSITAR

Shkruar nga: Fran GJOKA


“Meritat” partiake dhe militantizmin, dikush le t’i shfaqë në një vend pune tjetër, por kurrsesi në fushën e arsimit, këtë sektor delikat, prioritar dhe shumë të ndjeshëm për shoqërinë dhe të ardhmen.


Arsimi nuk është një grumbull reformash subjektive që përzihen dhe ngatërrojnë njëra-tjetrën, duke shkaktuar shpeshherë paqartësi dhe konfuzion. Ai është një program i mirëmenduar dhe një projekt plotësisht i zbatueshëm dhe inteligjent, që kërkon një menaxhim intelektual e të kualifikuar, si në rang qarqesh e rrethesh, ashtu dhe në çdo shkollë ku ai zbatohet konkretisht. Ndërkohë ai është edhe reformim dhe sistem shumplanesh, që realizohet si rezultat i bashkëndikimit dhe bashkëpunimit të shumë faktorëve e aktorëve, që ndikojnë drejtpërsedrejti në reformat bashkëkohore që ndërmerren në arsim hap pas hapi.


Përzgjedhje e drejtuesve në arsim


Në këtë kuadër mendojmë se jo kushdo mund të bëhet drejtues, pavarësisht nga vullneti e dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. Theksojmë këtë fakt se emërimi dhe përzgjedhja e kuadrit drejtues në organe drejtuese arsimore dhe në shkolla jo sipas kritereve shkencore dhe profesionale, por me preferenca dhe fushata partiake, e ka dëmtuar rëndë sistemin e arsimit të vendit. Shumëkush mund të sjellë në mendje raste të “përzgjedhjes” së kuadrit drejtues të arsimit, mbi bazën e kritereve nepotike, partiake e, pse jo, edhe korruptive e servile. Këto “përzgjedhje” e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar mendimin e gabuar se drejtor arsimi dhe, për më tepër, drejtor shkolle, mund të bëhet kushdo. Kësisoj i ofrohet një shërbim i keq institucionit të arsimit, shkollës dhe së ardhmes. Rastet shpeshherë janë deri skandaloze, sidomos kur drejtorit, “që ka fituar” të ashtuquajturin “konkurs”, i mungon arsimi i duhur, i mungojnë kualifikimet e nevojshme dhe përgatitja profesionale, shkencore e pedagogjike. Kështu ai është nën nivelin e vartësve të vet dhe, sigurisht që s`ka se si t`i drejtoj ata. “Meritat” partiake dhe militantizmin, dikush le t’i shfaqë në një vend pune tjetër, por kurrsesi në fushën e arsimit, këtë sektor delikat, prioritar dhe shumë të ndjeshëm për shoqërinë dhe të ardhmen.

Të shqetëson fakti se në mesin e vitit shkollor MAS bën ndërhyrje, duke ndryshuar strukturën e orëve dhe të lëndëve mësimore. Pra tre lëndë të ndryshme në një ditë, nga gjashtë lëndë që bëheshin. Kjo demagogji afatshkurtër e “peshës së çantës së lehtë” do të zëvendësohet ngadalë me dije të cunguara të nxënësve. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë e përligj me faktin se s’kemi shkollë e kushte minimale të domosdoshme për punë në shumë fshatra e qytete të vendit, prindërit s’kanë patur ndonjë informacion paraprak për orët e ndryshuara, kuadrin ligjor dhe, mbi të gjitha, s’janë parë kushtet sociale dhe ekonomike të familjeve shqiptare.



Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi


I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë”, është huazuar në formën më kaotike në arsimin tonë. Është paradoks i vërtetë, praktikimi i kësaj formule abstrakte, kur në vendin fqinj, Itali dhe vende të tjera evropiane bazohet në meritë dhe është i vërtetë e kuptimplotë. Për Italinë, mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë dhe jetesë. E kundërta ndodh në sistemin tonë arsimorë. Ky është portal, por shërben thjesht si fasadë, ai pak ose aspak i vjen në ndihmë mësuesit, ndërkohë që e mbingarkon atë me udhëzime, orientime, praktika burokratike të panevojshme. Me të drejtë Frederik Vilhelm thoshte “Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”.E kemi thënë edhe herë të tjera se kemi drejtorë shkollash që po e shkatërrojnë sistemin tonë arsimor, që nuk i shërbejnë vendit të punës, që janë nën nivelin e formimit shkencor – pedagogjik dhe profesional të mësuesisë në shkolla.

Me keqardhje shikojmë aty-këtu një liberalizim të theksuar të veprimtarisë mësimore dhe edukative të punës në shkollat shtetërore, ku mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësit, ku mësuesi e sidomos nxënësi, fillon e mbaron ditën e mësimit duke lëvizur sa andej-këndej dhe, më keq akoma, duke e lënë vetëm klasën e tij në kujdestari. Në pikun e punës së ditës mësimore grupe mësuesish i gjenë kafeneve, të ulur për shtatë palë qejfe, madje shpesh, bashkë me drejtuesin, duke lënë kështu hapësira për çthurrje disipline apo ndodhinë e ngjarjeve të pakëndëshme.


Domosdoshmëria

e reformimit të kuadrove drejtuese në arsim


Kemi drejtues shkollash që kanë mbi 25 – 30 vjet në drejtim dhe janë kthyer si feudalë, apo pronarë në shkollat e tyre. Ka ardhur koha të kemi një lidership të formuar në mënyrë të plotë, kundërkonformist e racional, që me kurajë civile dhe guxim intelektual të gjenerojë intelekt e qytetari, duke iu larguar “lidershipit partiak të të gjitha niveleve që ka kapur për fyti sot shumë drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve të vendit. Stërgjatja e drejtimit kur kuadrot shfaqen të pasuksesshëm, jo vetëm që dëmton rëndë gjallërinë e shkollës, por shuan interesimin dhe i plogështon mësuesit në kryerjen e detyrës së tyre mësimore. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive dhe korruptive, nga media e shkruar dhe ajo vizive. Me sa vemë re, MAS nuk e ka impenjimin e duhur për të parë nëse është e domosdoshme një ndërhyrje në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha nivelet në arsimin tonë, ku ndihet një nevojë urgjente reformuese e me kritere shkencore.


Administrata shkollore është e fryrë tej mase


Mendoj se duhet të vendosen në krye të arsimit rajonal, apo të ZA – ve drejtues që kanë guxim intelektual, persona apolitikë dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racionalë dhe të realizojnë aktin e pastrimit dhe të ndryshimit në administratën publike të arsimit. Ka mbi 20 vjet që qëndrojnë në një vend pune, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik, apo didaktik, në një kohë që kemi breza të rinjsh që janë të shkëlqyer e me një apo dy mastera shkencor e profesionalë, që kushedi pse i mbajmë larg institucionit të arsimit rajonal. Do të thosha se administrata shkollore është e fryrë tej mase dhe mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.


Nevoja e kontrollit të rreptë të performancës


Në çdo drejtori qarku apo dhe të zyrave vendore të arsimit ka specialist, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkollë pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur vetëm në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesit, vështirësitë e punës së tyre, nuk merret askush. Fatkeqësisht, u hoq kontrolli i inspektoriatit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë për MAS-n. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit e shkollave dhe mësuesit do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore.

Sado të flasim, përsëri është politika që po e frenon sistemin arsimor, sepse simpatizantët po e mbajnë gjallë politikën e ditës në arsim. Ka ardhur koha që në drejtim të sillen prurje të reja, edhe në qarqe e zyra, por sidomos në shkolla.

Vetëm kështu i bëjmë nder shkollës dhe komunitetit arsimdashës. Vetëm kur të heqim dorë nga preferencat politike dhe servilizmat në punën me kuadrin në arsim dhe të orientohemi vetëm nga ana profesionale, do të garantojmë disi realizimin me sukses të reformës dhe plotësimin e standardeve në arsim.


Tekste me nivel të lartë shkencor


Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit, për libra të mbingarkuar me material pa vlerë, për asimilim të vështirë të marrjes së njohurive nga nxënësit, për peshën e rëndë të çantës, per Altertekstin një “fatkeqësi” tjetër e arsimit etj, janë me dhjetëra libra gjeografie, diturie që botohen sipas oreksit të autorëve të ndryshëm.

Çfarë po ndodh me tekstet shkollore, ku janë vlerat intelektuale kombëtare që përçohen me anë të tyre? Po bota akademike pse është mënjanuar në mënyrën më të qëllimshme dhe më dashakeqëse përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të “kopjojmë” librat e vendeve të tjera të botës, kur programet mësimore mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë dhe vlerat tona të çmuara kombëtare.

Flitet se sistemi i arsimit me kohë të pjesshme do të hiqet. Të rinjtë që kanë kaluar moshën e adoleshencës kërkojnë të arsimohen dhe pse janë koshient për vonesën e marrjes në kohë të arsimimit. Të rinjtë e sotëm mbeten të shqetësuar dhe i bëjnë apel MAS-s të përcaktohet edhe për vitin e ri mësimor kuadri ligjor, që këto grupe moshash të vonuara të mos mbeten të paarsimuar.


Drejtimi i shkollës

nuk është thjesht vend punësimi


Studimet e sotme tregojnë se mësuesit e suksesshëm janë të drejtë, të përgjegjshëm të kuptueshëm, të dashur, nxitës, origjinalë, tërheqës, të ekuilibruar, të matur dhe me besim në vetvete dhe me aftësi për të drejtuar saktë procesin e diagnostikimit pedagogjik të nxënësve. Më këto risi bëhet e mundur që nxënësit të jenë perceptues dhe marrës të mirë të emocioneve që transmeton mësuesi dhe shpesh ato kanë kurajon të reagojnë ndaj tyre. Një mësues që është entuziast për lëndën, që e tregon edhe përmes shprehjeve të fytyrës, ka më shumë të ngjarë të mbajë të përqëndruar vëmendjen e nxënësve, se sa një që nuk i ka këto cilësi. Në drejtim të shkollave duhet të përzgjedhim më të zotët e më të aftët në mësuesi dhe jo ata mësues e drejtues shkollash, që arsimin e shohin si vend punësimi. Sepse sikurse duket edhe në “epokën dixhitale”, roli i shkollës dhe puna e mësuesit janë të pazëvendësueshme. Ata kanë në dorë “armët e duhura” për të ndihmuar nxënësit të hapin udhët e dijes dhe mënçurisë. Në se duam që shkollës t’i japim përfundimisht vendin që meriton, në se duam që ajo të qëndrojë në “themele të qëndrueshme”, do të ishte udhës që të gërshetojmë më mirë mësimin pedagogjik me atë social-edukativ. Janë të gjitha mundësitë që mësuesit dhe drejtuesit të plotësojnë këtë imperativ të shkollës sonë moderne.

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page