1.Drejt përjetësisë
Fatmir Terziu
Iku nëna ime…, iku
mblodhi fëmijërinë e saj kurorë luledelesh
floku i saj ndriti,
bardhësive.
Iku nëna ime…, iku
pështolli rininë krahëve të saj ujin qelibar
trupi i saj vegoi
kaltërsive.
Iku nëna ime…, iku
shtrëngoi vitet në sytë e saj qiell
shpëlau betejën e ëndrrave
udhës.
Iku nëna ime…, iku
bekoi me puthje Yjet e fotografive
lotët iu kthyen trëndafila
Afërdite.
Iku nëna ime…, iku
uratat i shkuli perla gjoksit midis
tik-taket morrën rrugën e tyre të pushimit
drejt përjetësisë.
Iku nëna ime…, iku
mosha e kish lodhur duhej fjetur
në shtratin e saj të bekuar si një kukull
e buzëqeshur.
2.Lamtumirë Nënë!
E ndjeu zemra ime dhimbjen e largët
mban një dimër tjetër të ashpër.
Në një natë të qetë
kur Galaktika do të (ri)bëj Ligjësinë e saj,
mos druaj të meritosh vendin tënd të vërtetë.
Megjithëse të lashë në gjumë
ditët që ikën e mbarsën këtë lumë.
Me kristale lotësh do të të përzgjedh si këngët,
unë do jem i ndjeshëm më shumë,
të përqafoj në ëndërr.
3. Ju jeni...
U hollua astari blu. Shirat e ëmbël pthuqin detet e qeta,
kënga e kumurive dehet në erë,
mbrëmja dremit me hallet e veta,
dita shuhet mbi poterë,
çfarë qëndron në mes,
pikturuar,
ujëra të turbulluar, në muzg ju shfaqeni,
kohë e qëndisur në thes.
Horizontet lindin dhe fshihen natën,
tinguj kënge
çdo yll i vogël në mënyrë të paimagjinueshme të ndritshme,
ëndërron në gjumë,
rropatet,
njëri gërmon në zemrën tënde,
sa larg shkruhen fatet.
Tingujt ju zgjojnë butësisht
mëngjesi shfaqet duke ju lotuar më shumë. Ju jeni
pafundësisht,
ëndërra të pafajshme .
Male dhe kanione, të kripura dhe të ëmbla,
ujëra që shponi retinën time. Ti je e imja,
dashuria,
jeta, transferta dialektike,
Shtëpia, … dhe përgjithmonë vetëm një
Nënë magjike.
Ju jeni … Nëna ime!
4. Kërkojnë fole dallëndyshet
Të përhumbura
akoma janë të njëjtat hije perle si qielli im
të njëjtat urtësi si bletët e trëndafilave në maj
po ato piklat e vesës çukiten me sqep
të përhumbura nga unë
mendoj se mbase
ende jam në gjumë. Më zgjuat
duhet të kisha ardhur në shtëpi më herët
tani po mendoj se mbase, foleja nuk jam unë
nuk mund t'i përkas për një kohë të gjatë
por këtu unë qëndroj në karantinë si të tjerët
këtu unë banoj dhe asnjë lot nuk do të më kthejë,
të jem foleja juaj.
Unë jam e njëjta hije gri si qielli i huaj
jam njësoj si shiu që sillni mbi lulet
i përhumbur nga Ju
koha mund të jetë pluhurosur në lëkurën time
akoma është pranverë këtu,
si qielli është edhe qyteti
kështu që unë jam në tokë
pra jam edhe në brigje deti,
kështu që unë jam në pemë
kështu që unë jam i përhumbur pa Ju,
mos u lodhni të më gjeni,
unë jam akoma aq i përhumbur
nga Ju këtu.
Po Ju ku jeni strukur?
Po Ju prisni, prisni të bekojmë folenë e duhur.
Ky cikël me ndjeshmëri e sinqeritet therës është një përmendore dashurie për Nënën, që për "material" kryesorë ka dhimbjen më të thellë dhe adhurimin e nderimin më të lartë të Poetit. Dashuria, poezia, arti janë ndër mrekullitë që përjetësojnë dhe sfidojnë e mundin ikjen e harrimin. Me respekt, /K.Gj./