top of page

DREJTËSI AMERIKANE…



-Tregim nga Shefqet Meko-


Shkallët e ndërtesës qeveritare i ngjita gati me vrap dhe isha gati të bërtisja “Fitova!” Një punonjës i sigurisë së godinës hijerëndë, më hodhi një vështrim tangent si për të prerë hovin tim. Ai nuk e dinte se përse isha aq i gëzuar dhe besimplotë. Pse më shikoi ashtu? Sikur desh të më thoshte “qesh mirë ai që qesh i fundit”. E shpërfilla. Mbase në punën e vet të përditshme ai shihte sa e sa njerëz që vinin tërë gaz dhe mbase ktheheshin kokulur nga ajo godinë me blloqe mermeri. Por unë nuk do isha një nga ata. Unë kisha ngritur padinë më të kompletuar ndaj bashkisë të qytetit tim, dhe mezi prisja të argumentoja fitoren mbi ata zyrtarë që nuk e di pse të gjithë më dukeshin aq të ngjashëm me burrokratët e Shqipërisë që kisha lënë buzë Adriatikut. Në fakt kjo ishte edhe iluzive. E vërteta është se në çdo zyrë që trokita, kudo ku u ankova dhe protestova për padrejtësinë që më ishte bërë, të gjithë më dëgjuan më vëmendje, mbanin shënime dhe takimi mbyllej duke shtrënguar duart e duke thënë “do ta shqyrtojmë dhe do të dërgojmë përgjigje”. Ankesa ime kishte shkuar deri tek kryebashkiaku i qytetit, që më priti edhe në zyrë, por në fund më tha “Edhe unë do isha po aq i revoltuar sa edhe juve, por nuk kam fuqinë të çbëj gjobat që vendosen nga departamentet përkatëse”. Të gjitha përgjigjet që më erdhën me postë ishin negative. “Na vjen keq, ju si investitor dhe pronar i ri jeni përgjegjës për gjobën ndaj kësaj prone”.Mua më vinte të pëlcisja.Tashmë dosja ime, sipas mendimi tim, ishte një nga më të kopsiturat në sekretarinë e gjykatës dhe unë po provoja gjyqin si shkallën më të lartë e më të fundme, ku ose do të kthenin dollarët mbrapsh, ose “opingën e Sheros” siç përdorej një shprehje në fshatin tim. Këtë “opengat e Sheros” ma kishte thënë disa here edhe imeshoqe, por unë kurrë nuk e besova. Lola më tepër si gjithshka preferonte qetsinë në jetë dhe biznes, duke iu shmangur çdo lloj konfrontimi. Unë mendoja ndryshe. I thashë se po nuk bërtite nuk dëgjon kush, po nuk u ankove nuk gjen do të drejtën. Kjo është gjoba më idjote në gjithë globin,i thosha tërë passion, dhe unë do t’I bëj të mi kthejnë dollarët mbrapsh. Ajo më shikonte me mosbesim të qartë dhe do më thoshte: “Mirë provoje, paguaj akoma më shumë se asgjë nuk është falas në Amerikë.Dhe mos harro i dashur, gjykatat janë “turbinat” që punojnë me dollar, jo me ujë fushe…Ty do të të shkojë tre mijë dollar kjo valle që ke marrë. Mbaje mend” Gjykimi i timeshoqe më nxiste edhe më shumë për t’i shkuar deri në fund luftës më zyrtarët e qeverisë lokalepër një gjobë që nuk ishte e imja por tashmë e kisha paguar.

Mora shkallët lëvizëse dhe u ngjita në katin e dytë. Kontrollorët me armë deri në dhëmbë ma bënë me shënjë ta lija çantën tek skaneri dhe vetë lëviza lirshëm. Ndërsa kapërceva në anën tjetër pa ndonjë problem, sikur ndjeva peshën e rëndë të ligjit dhe qeverisjes. Për herë të parë më shkoi mendja se ata, njerëzit që i zgjedh populli për popullin, kujdesen së pari për veten dhe sigurinë e tyre. Ndaj ndërtesat qeveritare kudo në Amerikë, kanë një prezencë konstante dhe të dukshme të punjojësve të sigurisë dhe policë të shumtë që nuk e di se në cilin cep të shfaqen. Aty ndjeva peshën njutjoniane të ligjit amerikan dhe befas isha gati të ikja pa u shfaqur në sallën e gjyqit, duke ua dhënë kështu afrofe fitoren burrokratëve të bashkisë. “Jo, nuk bëjnë burrat kështu. Vetë e çove këtë çështje në gjyq, tani përballu. Nuk e dëgjove tëtshoqe kur të thoshte mos, tani të hyri frika?!…” më vinte një zë nga brenda si pëshpërimat e deputeëve në parlement. Nuk kisha frikë, veç një lloj ankthi i përthyer brënda meje. Mu kujtua një miku im amerikan që punonte në Shqipëri kur unë sapo kisha marrë vizën që do më thoshte “Vetëm me ligjin mos u ngatërro, sepse aty fillon ferri amerikan…aty nuk del dot kollaj…”.

Nuk kisha shkelur asnjë ligj. Unë thjesht po kërkoja drejtësi ndaj bashkisë që më kishte gllabëruar $2,500.00 për hiçgjë. Sapo kisha bërë investimin e parë duke blerë një vilë të braktisur, me një çmim të arsyeshëm sipas asaj kohe. Bashkë me timeshoqe menduam se kishim hedhur me sukses hapin e parë të biznesit privat dhe lirisë së vërtetë, por kur kërkova të merrja liçensën e qiradhënies, zyrtarja në sportelin e shërbimit më tha se nuk mund ta lëshonte dokumentin pa u paguar së pari $2,500.00 një gjobë që i ishte vënë pronarit të dikurshëm, për braktisjen e shtëpisë. “Unë e shëndrova këtë shtëpi në të banueshme, pse kjo gjobë e pakuptimtë”? pyeta vajzën simpatike. Ajo me qetsi më tregoi se gjoba i përkiste pikërisht shtëpisë që kisha blerë. Duke argumetuar paqësisht i thashë se duhej tja kërkonte ish-pronarit këtë gjobë, jo mua që kisha futur aq shumë punë dhe kosto financiare per ta kthyer atë në shtëpi të banueshme. Ajo më qeshi lehtë duke më thënë: “Unë të kuptoj qartë, por ligji thotë se gjoba i ngelet shtëpisë dhe kushdo qoftë pronari duhet ta paguajë…Unë nuk mund të liçensoj pa përë bërë pagesë”. Ajo ishte një nga ato nëpunëset e bukura të qytetit që bënte detyrën dhe si të thuash me buzëqeshjen e saj të bënte të paguaje. Kot të argumentoja.Ju binda shpjegimit së saj e cila ma ligjëroi liçensën, duke qënë gati për ta lëshuar shtëpinë me qira. Unë mbetesha me bindjen e pathyeshme se kjo shumë do më kthehej mbrapsh nga këshilli i qytetit. Nëse unë do humbisja këtë betejë, kot thonë se ka drejtësi në Amerikë.

Sapo u futa në sallën e gjyqit, sikur ndieva djersë të ftohta. Salla ishte krejt bosh me një solemnitet ligji amerikan. Dy nëpunës në detyrë sistemonin dosjen në podjumin e gjykatsit, ndërsa unë shtrëngoja çantën ku kisha të gjitha dokumentet. Ndërkohë shefja e inspektimit të qytetit, bashkë me juristin e bashkisë, erdhën pasa meje duke u ulur në radhën tjetër. Ata nuk ishin njerëz të këqinj, thjesht bëni detyrën, por mua më dukej se më kishin gjobitur vetëm se isha emigrant nga Shqipëria. “Erdhi momenti, sikur desha t’u thosha.Tani do jemi ballë përballë në gjyq ku fiton e drejta”. Kurrë nuk e kuptova pse nuk mund tua mbushja mendjen që të ma kthenin gjobën. “Pse aq këmbëngulës për 2,500 dollarët e mia, kur kishin një buxhet prej disa milionësh?” bluante mendja ime.Ishte një gjobë aq e padrejtë saqë të shokonte. Edhe një nxënës i klasës së parë do të më kishte dhënë të drejtë, por kurrë juristi dhe krejt bashkia. I përshëndeta lehtë me kokë dhe mezi prisja të fillonte momenti im. Kisha një bindje të verbër që jo vetëm do ta bindja gjykatën se bashkia kishte vepruar gabim, por me siguri ajo do të më falenderote për punën dhe këmbënguljen time si një rast i rrallë në katedrën e vet. Pas gjyqit unë do ta merrja Lolën dhe t’i jepja drekë tek restoranti më i shtrenjtë i qytetit, duke iu mburrur për fitoren dhe këmbënguljen time tipike revolucionare.

Saktësisht në orën 9:00 gjykatsja, veshur me rrobën e zezë, u shfaq në sallë.Polici që qëndronte si statujë në derën nga doli ajo njoftoi hyrjen e njeriut të ligjit, duke na bërë të çoheshim automotikisht më këmbë në nderim të ligjit dhe asaj që ishte shëmbëlltyrë e tij.E quanin Kimberli Hill. Ishte një grua tipike amerikane rreth të 40-ve, me flokë pak bjondë të prerë shkurt dhe me një qeshje magjike në fytyrë. Sytë e saj të shkruar kishin një shkëlqim që sikur ndriste gjithë sallën.Prania e saj solemne dhe autoritare në krye të sallës gjyqyësore sikur të injektonte një besim tek fuqia e ligjit dhe së drejtës amerikane. Dukej e freskët dhe gati të shqyrtonte dosjet e asaj dite duke e filluar me rastin tim.Nuk e di pse mu krijua një lloj sigurie që ajo do të vuloste për herë të parë për mua, fitoren e një gjyqi në Amerikë. Kjo jo vetëm do më jepte kurajo, por do të nxiste edhe më shumë fantazitë e mia investuese në pasuritë e patundshme. Ajo fytyrë gjykatse do ishte edhe frymëzimi im i madh për më shumë punë në kontinentin e lirisë që edhe ajrin e kishte dryshe, edhe qiellin e kishte më të madh se Shqipëria, siç më kishte thënë dikur një miku im mysafir nga Tirana.Por gjithë ajo madhështi dhe liri pa fund e Amerikës, në fund të fundit, koncentrohej në një dhomë të vetme, ku ligji dhe e drejta ekzekutohen, ku palët thonë fjalët e tyre dhe merret një vendim që as Zoti nuk e ndryshon dot. Duart sikur po më dridheshin ndërsa shkoja nëpër duar letrat e shumta. Gjykatsja nuk vonoi dhe pasi verifikoi praninë dhe çështjen që ankimohej, më ftoi në podjum. Isha paditës dhe avokat i një çështje që sapo kishte filluar të shqetësonte jo vetëm bashkinë, por edhe investitorët e shumtë.Unë shënohesha si i pari ta çoja këtë padrejtësi deri në gjykatë. Zyrtarëve të bashkisë nuk u pëlqente kjo marathon ankimore, por ata nuk kishin fuqi të ndalonin të drejtën time. Nga kërkimet që kisha bërë, “gjoba për shtëpitë bosh” e ashtuquajtura “vacant bulding fee”-1, sapo kishte filluar të aplikohej, kur shumë amerikanë braktisnin shtëpitë në pamundësi për të paguar taksat dhe detyrimet financiare ndaj bankave. Unë dhe Lola ishim një çift ndryshe që kërkonim të gjallëronim këto shtëpi ta braktisua, duke i kthyer në mjedise luksoze jetese, natyrisht të motivuar nga fitimi i mundshëm. Vetëm për këtë fakt fitorja duhet të ishte me mua, jo me juristin e bashkisë e zyrtarët e tjerë që mbaheshin nga taksat tona.

Mora frymë thellë dhe duke hedhur sytë tek letrat e shumta fillova të prezantoja padinë ndaj bashkisë. Duke imituar avokatët që kisha parë në filma, me kujdes për të shqiptuar qartë shqetësimin tim, në gati 7 minuta parashtrova arsyet pse kisha ardhur aty dhe pse kjo gjobë jo vetëm ishte e padrejetë dhe e pajsutifikuar, por dëmtonte iniciativën e investitorëve privatë. Isha tejet i bindur se po vulsja fitoren time si akuzues dhe avokat. “Mbase jam i gabuar në këtë maratonë, do ta mbyllja akuzën time ndaj bashkisë, por unë vij nga një vend ku ka një shprehje të hershme “Ligji dhe Maliqi”,që do të thotë ligjin e bën njeriu si të dojë. Unë emigrova këtu me bindjen se “Maliqët” kanë mbetur tutje Atlaktikut. Unë besoj tek drejtësia e Amerikës. Faleminderit”.

Juristi dhe shefja nga zyrat e bashkisë më kishin ndjekur me një vëmendje të posaçme. Duke mos pasur auditor, vështrimi im herë pas here ngulej tek ata, dhe pastaj lëshohej nga gjykatsja amerikane si një shqiponjë që kërkon drejtësi. Isha në një moment shkëlqimi oratorik dhe juridik.Emocionet e mia ishin artikuluar qartë dhe kjo dukej edhe tek fytyrat e pranishme. Atë moment që mbylla dosjen dhe palosa letrat duke i zhubravitur në çantën e meshintë, më dukej vetja fitues, triumfues gati si gladiatorët e Greqisë së Lashtë. Kisha bërë histori. Një shqiptar i ardhur nga një vend ish-komunist dhe me tranzaicion të mundishëm, kishte guximin të akuzonte qeverinë lokale për padrejtësi dhe xhvatje gjobash të pamerituara. Nëse do kisha mundur të kisha njoftuar mediat lokale, rasti im do ishte kryefjala e lajmeve të ditës. Por duke dëgjuar Lolën, çdo gjë kishte mbetur private dhe mjaftonte ai moment ngazëllues që të ndihesha i fituar. “I munda, thashë me vehte, gati u shpëtuan lotët…Edhe gjykatsja u emocionua. Triumfova mbi burrokracinë amerikane. Më lumtë”-mërmërita duke u ulur tek rreshti i parë i karrigeve bosh.

-Faleminderit!- u dëgjua zëri i gjykatses duke më shoqëruar me sy me një lloj simpatie të largët. Në ato çaste ajo mu duk njeriu më i dashur, jo thjesht se kishte dëgjuar aq vëmendshëm akuzën time ndaj zyrtarëve lokale, por mënyra se si më trajtonte, vëmendja emocionale ndaj paraqitjes së akuzës sime, ishte shkrirë në fytyrën e saj engjëllorë duke u bërë një çështje e ditës. Unë i kisha rrëmbyer diçka njerëzore që mezi prisja të shapllte vendimin. “Mori fund kjo punë, mendova, madje edhe po nuk fitova, majfton që një shqiptar ka futur në mendime një gjykatëse amerikane. Kjo nuk është pak…” sikur fola me vete duke ledhatuar krenarinë time.

-A ka pyetje pala e akuzuar?- kumboi në sallë zëri i gjykatses Kimberli.

Dy përfqasuesit e bashkisë vërshuan njëri tjetrin në sy. Pastaj juristi i pëshpëriti diçka në vesh shefes së tij dhe shkoi tek podjumi duke marrë fjalën e tij që ishte e shkurtër sa hap e mbyll sytë.

-E nderuar gjykatëse, akuzat që ngre qytetari Kreka, nuk bazohen në ligj. Ne kuptojmë anën emocionale të investitorit, të cilin e inkurajojmë të vijojë investimet në këtë fushë, por ne kemi një pyetje të vetme: Pse u pagua një gjobë që besonit se ishte e padrejtë zoti Kreka?

Kaq tha juristi dhe shkoi tek vendi i tij. Mua më dukej sikur po fillonte loja nga e para. Edhe në ballafaqimet e mëparshme më ishte bërë e njëjta pyetje të cilën juristi me eksperiencë e përdorte si çark për të mbytur akuzën time. E drejta ime nuk kërkonte shumë fantazi, as aftësi juridike, ajo ishte aq e qartë për mua saqë çdo vërdallojse ishte një gjë e kotë, sikurse ishin të kota gjithë ato mbledhje deri tek kjo ditë gjyqi.

Ishte radha ime për t’ju përgjigjur pyetjes së vetme. Shkova sërish drejt podjumit duke mos marrë asnjë dokument tjetër dhe fillova të shpejgohem shkurt:

-E nderuar gjykatëse! Si investitor i ri, unë besoj se të jesh i përgjegjshëm nuk është mëkat, por virtyt. Unë pagova gjobën që ishte hedhur në “koshin” e letrave që ish-pronari nuk i lexoi kurrë, sepse kërkoja që shtëpia e brakitsur të mos ishte më e tillë, e populluar nga minjtë dhe kafshët e tjera të lagjes, por të fillonte jeta sërish aty ku unë dhe imeshoqe investuam punë, mund dhe dollarë. Unë e di se kurrë nuk do të mund ta jepja me qira pa pasur liçensën sipas ligjit. Ndaj përgjigja ime është e thjeshtë: Pagova në respekt të ligjit që shtëpia bosh të gjeneronte dollarë duke më krijuar mundësi për të paguar bankën, taksat dhe vetë punjonjësit e nderuar të bashkisë sonë. Faleminderit!

Sekretarja e diktofonisë me një shpejtësi të çuditshme lëvizte gishtat duke mos mi hequr sytë. Ishte një meso grua brune me ca flokë kaçurela uniforme që të mahniste me magjinë e shkathtësisë së saj. Ajo me siguri përmes gishtave të saj energjikë kishte dokumentuar sa e sa histori në atë sallë gjyqi, ku me siguri çështja ime do t’i dukej më koti fare. Befas puna e saj mu duk gjëja më e bukur që mund të bëjë dikush në Amerikë, thjesht dokumenton debatin në sallën e gjyqit. “Ajo mund të bëhet një shkrimtare e famshme” mendova me vehte duke ditur se sa shumë histori kishte përcjellë truri i saj permes atyre gishtave në regjistrime digjitale. Nëse ajo do të ishte pjesë e jurisë jam e sigurt se do të votonte në favorin tim. Befas zëri gjykatses më tha të ulesha. Me fizinominë e gruas më ngjyrë e kaçurelka të bukura, në sytë e mi, u ula duke pritur vendimin. Pala kundërshtare dukej e qetë dhe po aq e sigurt se më kishte mundur. Unë përsëri besoja se nuk ishte e mundur të humbisja, sepse në fund të fundit ishte një gjobë idjote që mund të besonin vetëm budallenjtë…

-Ka ndonjë gjë tjetër për t’u thënë?- pyeti gjykatsja anën e paditur.

Ata të dy mohuan me një tundje të kokës duke thënë “ No your honor”. Unë mbeta midis akuzës dhe vetvetes. Desha të shkoja sërish në podjum dhe të tregoja më shumë për veten time dhe akuzën që ngrija në atë tempull të drejtësisë amerikane.T’u thosha se unë rastëisht isha lindur në një vend komunist, ku kishte gjykata popullore dhe gjyqet bëheshin në sheshe dhe vatra kulture. T’u rrëfeja për historitë e mia në sallat e gjyqeve në Shqipëri, ku vendimet merreshin për herë “Në emër të popullit” dhe fill pas kësaj sentence binte një qetësi varri dhe pritej vendimi që pak a shumë dihej dhe ishte paravendosur. Desha të tregoja për atë gjyq të fashëm në Shkodrën e bukur, kur unë isha nxënës dhe me urdhër na çuan për të ndjekur akuzat ndaj një rrobaqepsi që bënte punë private dhe kurrë nuk kishte thënë “poshtë kapitalizmi” apo “poshte puna private”. Ishte kohë kur gjyqet bëheshin në salla të mëdha teatri, ku populli dëgjote se si demaskohej armiku i popullit dhe armiqtë e punës kolektive. Ishte gjyqi më rëngjethës që kisha ndjekur në adolshencën time, ku një njeri i thjeshtë therorizohej në emër të “punës private”. Ai nuk kishte krijuar as ndonjë parti, as kishte shtypur ndonjë traktat kundër partisë dhe pushtetit popullor, ai njeri aq punëdashës, monument të vetëm kishte punën dhe pronën private. Ndaj shtëpinë e kishte kthyer në biznes ku qepeshin të gjitha modat që deshën klientët që nuk ngurronin ta paguanin sa të kërkonte. Ai dënohej si armik i punës kolektive, si armik i pronës socialiste dhe politikave ekomomike të partisë. Vetëm për këtë, vetëm për dashurinë e tij të patundur për pronën, që ai e quante “poltron të lirisë” dhe punën private si pasion dhe instikt njerëzor, siç i quante i pandehuri, ai po dënohej si “armik i partisë dhe popullit”.Në sallë ju kërkua disa herë të dënonte pronën private si”djepi i së keqes njerëzore” por ai nuk denjoi kurrë. Me një dashuri të verbër për punën private, edhe në gjyq ai u kthye në një promovues i pronës dhe biznesit privat. “Koha do provojë se unë kam të drejtë” përsëriste rrobaqesi orator. Ishte ai gjyq, ku unë për herë të parë dëgjoja vendime “me vdekje”. Trupa gjykuese, në pamundësi për ta bërë rrobaqensin të kërkonte falje apo së paku të pendohej në kultin që i ngrinte punës dhe pronës private, i kishte dhënë dënimin kapital që tronditi sallën e pranishme, përfshi edhe mua, por jo të akuzuarin. Ai ishte një krenar për punën dhe besimin që kishte tek ajo. Ashtu duke ja komunikuar vendimin, sipas ligjit të kohës, i kërkuan “fjalën e fundit” ose nëse kërkonte mëshirë. Rrobaqepsi ishte ngritur nga vendi i vet, kishte parë nga salla plot, kishte bërë një kryq dhe tha: “Kurrë nuk dua mëshirë nga juve që nuk besoni tek prona dhe biznesi privat. Të gjitha gjërat vdesin, vetëm prona dhe biznesi privat nuk do vdes. Edhe socializmi juaj do vdesë një ditë, po, po, do vdesë siç do më vdesë mua vendimi juaj, por unë nuk do kem fat ta shoh atë ditë të madhe…Njeriu lind duke bërë punë private, sepse vetë dashuria dhe seksi janë puna e parë private që e ka liçensuar Zoti, por ju jeni të pazot e të pa fe…Ju i jeni bashkuar një gënjeshtre të madhe që unë refuzoj të jem me ju dhe si ju, dhe as që dua mëshirën tuaj.Kurrë mëshir ë nga ju të pamëshirshëm. Prona dhe biznesi privat do ta mundin socializmin. Kot mundoheni ta mbuloni këtë të vërtetë me gjyqe popullore…Nuk kërkoj mëshirë. Dua to vdes ne emër të punës private. Socializmi do vdesë një ditë…” Salla ishte shokuar nga ai leksion i pazakontë. Në vend që të merrnim leksione se si “në emër të popullit” luftohej prona private, i akuzuari na dha një mësim të kundërt duke krijuar tronditjen më të madhe nga ajo sallë gjyqi, ku dikur bëheshin meshat katolike…. Duke rrëfyer këtë histori, gjyqi në fjalë do ishte një hiç dhe një paradox. Unë i solla të gjitha këto më mendje edhe si për të nderuar atë ithtar të punës private në qytetin anitqeveri të Shkodrës… Më erdhi ky njeri në kujtime, sepse edhe unë isha në një sallë gjyqi, ku nuk të dënonte kush me vdekje për biznes dhe pronë private, por thjesht të vendosen gjoba që duhen paguar. Natyrisht isha në krejt tjetër pozitë dhe dëshmoja me punën time, se glorifikimi që rrobaqepsi i bënte pronës dhe biznesit privat, më së miri dëshmoheshin në Amerikën e madhe. Po të ishte ajo sallë plot, si dikur Kinema “Punëtori” në Shkodër, unë do kisha rrëfyer këtë kujtim të trishtë por vizionar. Por salla ishte bosh. Së shpejti vinte radha për dosjen tjetër të gjykohej duke mbyllur akuzën time. I mbërtheva sytë nga gjykatsja simpatike. Sikur të kisha mundësi ta njihja më shumë, ta ftoja për darkë tek shëpia ime dhe t’i tregoja historira nga vendlindja Shqipëri. U mundova të shkëputesha nga marrinat që shpesh më pushtojnë trurin si lugatët e fshatit. Ashtu në qetsi prita fjalën e gjykatses:

-Okei. Bazuar në padinë që ngre qytetari Dritan Kreka dhe në provat ligjore që sjell Bashkia e qytetit Minneapolis, konkludoj që kjo e fundit ka të dejtë dhe nuk ka asnjë detyrim tjetër ndaj qytetarit që ngriti akuzën. Gjoba është legjitime. Vendimi është i formës së prerë!

Ajo goditi mbi tavolinë me çekiçin e drunjtë, që mua mu duk si një vare gjigande, duke lëshuar një kumbim që mbuloi gjithë sallën e depërtoi si shpata e Skënderbeut në trurin tim. Sikur më këputi mes për mes dhe unë isha bërë “kokë turku” në një gjykatë të metroloplit verior amerikan. Mbeta si i ngrirë dhe nuk dija ku të përqëndroja shikimin tim të turbulluar. Nëpunësja me flokë kaçurela lëvizte me shpejtësi gishtat duke më parë drejt në sy mua. Mbase po kriptonte vendimin e humbjes sime dhe i vinte keq. Unë po çakërritja sytë sa gjyktses aq edhe asaj nëpunses interesante që thjesht dokumentonte ato që thuheshin në sallën e gjyqit. Isha gati të duartorkisja nga humbja që kisha pësuar, por mu duk fyerje dhe jo qytetari. Heshta duke përmbajtur inatin. Në mendjen time ishte fiksuar se e drejta ishte me mua, por kurrë nuk mund të besoja se ajo gjykatsja me flokë bjondë nuk do të mund ta dallonte këtë. Si ishte e mundur? Vështrimi im drejt podjumit të saj sikur bënte këtë pyetje: Si është e mundur? Dmth i vogli nuk fiton kurrë? I madhi fiton!?...

Mu duk vetja si rrobaqepsi i Shkodrës, humbës, por jo “I dënuar me vdekje”. Në fakt vetë prania ime në atë gjyq, dëshmonte sërish pavdekësinë e ideve të punës private, që ai qytetari shkodran i mbrojti me aq zjarr në atë sallë qyqi, dekada të shkuara, duke mos kërkuar asnjë fije mëshire. Mbase stoicizmi i tij qytetar, ishte ngulur brenda meje si një spirancë duke me ankoruar në këtë hapësirë pafund biznesi e duke më bërë sipërmarrës privat në Amerikë. Janë ca momente ne jetë që të ndjekin si vetëtimë deri në ikje. Janë këto moment drite që fshihen diku brenda teje dhe heshtin, jetojnë me ty dhe nuk bëjnë zë, janë brënda teje dhe nuk ikin pa ikur edhe ti… Është ky shprit i trazuar i njeriut me lloj-lloj eksperiencash, idesh, gjykime, humbje dhe dështime, lavdi dhe dhimbje që bëhen pjesë e jetës e të shoqërojnë kudo. Mu duk sikur në atë sallë gjyqi, ai rrobaqepës anonym, ishte ulur pranë meje dhe sikur më jepte kruajo… “E ç’janë 2,500.00 dollarë në karhasim me dënimin time me vdekje…Prona prap është e jotja, paret shkojnë e vijnë…Suksese për fitoren…” Ai sikur më fliste nga varri. Ishte një njeri që nuk e kisha njohur kurrë, por vetëm në një moment në jetë më kishte mbetur si diçka që nuk vdes. Ai nuk më bëri antikomunist, as armik të partisë dhe të popullit, por thjesht më kishte dhënë një mësim, që unë nuk e dija, që as që më kishte shkuar në mendje që do të më shfaqej si fantazmë në një sallë gjyqi në Amerikë. Ja fuqia e idesë që nuk vdes, që unë nuk e besoja kur shkoja në ato salla gjyqi me turmën…

-Ju mund të vini në zyrën time zoti Kreka! Dua të të jap një kafe!- më shkëputi nga përhumbja zëri i gjyktases. Unë nuk e besova. Me sy sikur kërkoja të përsëritej ftesa por ajo kishte kapërcyar derën kur rrinte gatitu polici. Shefja e departamentit bashkë me juristin e bashkisë, pasi më hodhën një vështrim keqardhës, por triumfues, po linin sallën e gjyqit duke më lënë mua të vetëm. Kisha humbur dhe Lola e kishte paraparë këtë humbje. Futa shpejt e shpejt letrat në çantë dhe pasi u sigurova se kisha rrëmbyer gjithshka hodha vështrimin tek podjumi bosh. Nuk e di nëse vërtet isha i ftuar nga gjykatsja tek zyra e saj, apo më bënë veshët nga zhytja në të shkuarën. Klerkja me flokë kaçurrela që po fërkonte gishtat e dorës si për t’u shlodhur më buzeqëshi dhe më tha: “Shefja të pret tek zyra.Këtej lu lutem…” duke a bërë me dorë dhe më shoqëroi deri tek porta e me dru arre… Mu duk sikur gjithë podjumi ishte skalitur në dru. “Ju bëtë një mbrojtje dhe prezantim të shkëlqyer, më pëshpëriti brunja e bukur me kaçurela” por jo gjithmonë shkëlqimi është fitore. Në gjyq fiton vetëm një palë…Mos u mërzit”. I buzëqesha lehtë duke i shprehur mirënjohjen, sepse fjalët sikur më ishin mbaruar dhe goja sikur ishte përtharë. Befas isha gjendur në zyrën e punës së gjykatses. Ajo më qeshi lehtë dhe më bëri me shënjë të ulesha. E kuptoi se kisha nevojë për ujë dhe më ofroi një shishe plastike që ishe mbuluar nga avulli. Vetja mu duk i mbuluar nga bula djerse. Zyra e saj ishte një parajsë e skalitur në dru ngjyrëmjalti ku syri të zinte kudo një pafundësi volumesh librash. Gjithandej libra me ligje dhe analiza juridike, ca protrete gjykatësisht që si duket ishin idhujt e saj dhe mbi kokë qëndronte portreti i Presidentit George Bush (I biri) , i cili sapo ishte ktheyr atokohë nga një vizitë historike në Shqipëri, ndërkohë që amerikanët po përgatiteshin t’i jepnin pensionin politik. U përpoqa të përmbidhesha nga ai moment i parë i jetës sime në zyrën luksoze të një gjykatëse amerikane. Kimberli Hill mi kishte ngulur sytë si për të lexuar me vëmendje zhgënjimin tim. Kurrë në jetë time nuk isha ndodhur në një pasdhomë gjykatësish. Kisha parë nëpër filma kur aty thirreshin, shpesh edhe në mes të procesit avokatët dhe akuzuesit, duke argumentuar me gjuhën e tyre ligjore.Unë nuk kisha se çfarë të arguementoja.

-Me siguri nuk të pëlqeu vendimi im!- më shkëputi nga përhumbja Kimberli Hill.

Nuk mund të flisja menjëherë, por e pashë drejt në sy si për të shprehur befasinë në vendimin e saj të formës së prerë, që tashmë ishte regjistruar diku në kompjutera dhe as që ja vlente të diskutohej.Pagesa e bërë me besimin se do më kthehej mbrapsh, tashmë do shënohej në humbjet e para të bizesit që sapo kisha filluar. Ndërkohë sekretarja na solli kafetë dhe unë akoma isha si në një ëndërr ndërsa meditoja në atë zyrë magjike. Sikur ta kisha edhe unë atë fat amerikan, të isha shkolluar këtu, të kisha konkuruar në moshën time dhe të isha gjykatës apo avokat. Si mund të ishte jeta ime? Po sikur të mos e kisha njohur kurrë jetën në socializëm, të isha lindur këtu, çfarë fati mund të kisha? Do isha ky që jam? I biri i kujt mund të isha? E dija se njerëzit e ligjit në këtë kontinent janë fuqia e vërtetë e njeriut të lirë. Ata shpesh më dukeshin sikur ishin zotët e vërtetë të Amerikës, sepse pikërisht në ato zyra ku isha ulur unë, aty së pari njerëzit e së drejtës zhyten në sa e sa dosje voluminoze për të marrë një vendim të drejtë që dhe mund të ishte krejt i padrejtë, siç ishte rasti im.

-E njoh popullin tuaj.Kam qënë edhe në Shqipëri edhe në Kosovë dhe çmoj krenarinë tuaj!- më foli përsëri Kimberli Hills, tashmë si një njeri që më kishte hapur derën dhe më ofronte një lloj mikpritje si ato në viset tona.

-Vërtet?! Ju njihni vendin tim?- lëshova tërë habi.

-Po.- më tha ajo duke rufitur kafen e ngrohtë dhe duke më treguar me sy kupën e kristaltë me me sheqer dhe një tjetër me krem kafeje.

Unë mbeta si i ngrirë përballë faktit se jo vetëm që ndodhesha në një zyrë drejtësie amerikane, por njeriu që merrte vendime në emër të ligjit dhe kushtetutës të këtij vendi kishte qënë edhe në vendin tim, njihte kulturën, krenarinë dhe historinë shqiptare. Ajo pra më njihte edhe mua si një ndër shqiptaro-amerikanët e parë që kisha filluar investimet në atë metropol të veriut amerikan. Për herë të parë u ndjeva i çliruar nga ankthi pa kuptim i humbjes së gjyqit. Ajo humbje ja vlente edhe për atë kafe që më ofrohej me aq sinqeritet nga një grua që nuk e kisha takuar kurrë ne jetë dhe as që mund të njiheshim, pa guximi tim kryengritës ndaj bashkisë së qytetit Minneapolis.

-Nëse nuk nget makinën sot, mund ta shoqërosh kafen edhe me një gotë raki, siç e keni qejf ju shqiptarët!- më foli përsëri gjykatsja Hill.

-Raki shqiptare këtu?- nuk munda ta mbaja habinë time.

Ajo lëvizi nga kolltuku i saj i lëkurtë në ngjyr çokollate dhe diku nga kabinetet e shumtë nxorri një shishe “Raki Skrapari” dhe më hodhi një gllënjkë në një gotë kristali. Aq sa për ta shijuar, aq sa për t’i ndjerë aromën e rrushit. Nuk po e kuptoja se ku ndodhesha dhe pse ndodhesha. Pse më tregohej aq miqësore gjykatsja amerikane dhe çfarë fshihej mbas gjithë kësaj. Mos vallë kishte një plan tjetër? Mu kujtua Lane Kromidha një miku im që gjithë jetën e kishte kaluar në Greqi, madje edhe duke bërë drejtor i një kantine të madhe vere që më shokoi kur ma tregoi në një ishull të Athinës, por po aq i shikuar ngela kur më tha: “Këta grekët nuk ta ofrojnë kurrë punë të mirë po nuk u bërë pjesë e tyre…Pa bashkëpunuar me asfalinë nuk ka karrierë dhe biznes këtu….” A mos vallë mua po më përgatitej një grackë e tillë nga misteri i asaj zyre? Në aq vite në Amerikë kurrë nuk isha ndjerë nën ndonjë befasi të tillë.Mbase do t’u duhesha amerikanëve të bëhesha agjent i tyre? Apo ndonjë lojë më e hollë? “Mos u bëj kërriç, I thashë vetes. Këto punë mund të bëhen në Uashington, jo në këtë metropol të largët… Nëse ky do ishte rasti atëherë loja do kishte filluar duke ta falur gjyqin, jo duke të bërë humbës…”

-Pse gjithë kjo mirësjellje ndaj një qytetari që humbi gjyqin me Ju?- pyeta Kimberi Hillin duke e parë drejt në sy,si dikur gocat e bukura në fakultet. Ajo kishte ca sy magjikë ku ishin ndezur të gjitha ngjyrat e natyrës.Nuk mund te gjeja një fjalë shqip për t’i përshkruar ata ngjyra shkruar sysh.

-Të ftova në zyrë sepse ti kishe një pasion të çuditshëm në mbrojtjen e çështjes tënde. Dhe duke të njohur disi nga afër dua të të them vijo me këtë pasion të zjarrtë, sepse edhe kur nuk fiton, përsëri nuk humb asgjë. Sepse unë besoj se pikërisht ky passion që ti e demonstrove në sallë, është një dëshmi e mbijetesës suaj si komb. Unë i dua shqiptarët sepse më duken amerikanë të vërtetë në atë cep Ballkani. Kultura dhe historia juaj janë një shëmbull më i madh se Lashtësia Greke, që mua më ka lënë pa mend. Ndaj vijo, pasioni nuk të moshon kurrë…

Gjykatsja Hill më foli aq shumë për Shqiptarët dhe mbresat që i kishin lënë. Ajo më shpjegoi më pas se pse nuk kisha fituar gjyqin. Sipas saj gjykatsi nuk është qënie emocionale, por një lloj mulliri ku bluhen faktet, provat dhe ajo që thotë ligji. Në rastin tim ligji ishte i gjithi me zyrtarët e bashkisë dhe ajo nuk kishte asnjë shteg që mund të më bënte fitues. Sipas saj, ligji parashikonte jo vetëm fitoren e palës tjetër, por kërkohej që ai që humbte kauzën, duhet të paguante edhe një gjobë tjetër administrative, që ajo kishte fuqinë ta anashkalonte duke më bërë të ndihesha i priviligjuar nga simpatia që kishte gjykatsja Hill për shqiptarët. Unë nuk e kisha problem të paguaja përsëri edhe 100 dollarë të tjerë, gjë që do të konfirmonte plotësisht parashikimet e Lolës sime, por gjykatsja dinte se farë bënte. Ajo përsëri duke më më vështruar me ata sy ngjyraplotë më tha: “Vijo investimin. Biznesi privat është liria e vërtetë e këtij kontinenti”. Mu duk sikur ishte ngritur nga varri rrobaqepsi që nuk kërkoi mëshirë kurrë në gjykatën e atëhershme. Mu duk sikur bota e tij tërë passion ndaj privates dhe biznesit, nuk kishin vdekur kurrë, por ishin transformuar në një mesazh të qartë e univeral deri këtu në Amerikë.

Kisha humbur një gjyq, për të gjetur diçka që nuk fitohet lehtë…


Minneapolis, 13 gusht 2021

29 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page