top of page

Dr. VASIL LABOVITI, SHEMBULL FRYMËZUES

Updated: Mar 20, 2023




Dr. VASIL LABOVITI, SHEMBULL FRYMËZUES


Errësira mbështillte gjithçka. Qëndroja në njërën nga dritaret e odasë së madhe dhe shikoja hënën, yjet dhe trajektoret kaotike të xixëllonjave në kopsht. Në disa orë që qëndroja në dritaren e odasë, tek “Shkalla e Zezë” kalonin jo më shumë se dy, ose tri makina, nga të cilat njëra shquante më shumë, ajo ishte SATA. Kisha dëgjuar shumë histori të frikshme që u ndodhnin udhëtarëve të SATA-s në ato rrugë. Hajdutët, thuajse çdo natë, ngrinin pengesa në rrugë dhe grabisnin e terrorizonin udhëtarët. Ishte kjo arsyeja, që kur shquanin ato drita atje larg, imagjinata ime krijonte shumë skena të frikshme fëminore. Odaja e jonë e madhe, si në të gjitha shtëpitë gjirokastrite, kishte katër dritare të mëdha të veshura me perde pëlhure të bardha, që nëna i kaltëronte lehtë me çivit. Dritaret hapeshin lart e poshtë. Tre prej tyre shikonin gjithë lagjen Meçite e Hazmurat, ku dominonte shtëpia e kadarenjve, e kthyer në spitalin e qytetit. Dritarja e katërt, e hapur në murin e majtë të odasë, shikonte avllinë, derën e madhe me kanat të rëndë dhe gjithë hapësirën deri tek Prefektura, një ndërtesë hijerëndë me stil “Barok” në krye të kodrës. E ngritur në mes të qytetit, ajo dukej madhështore. Në vitet e luftës partizane Prefektura u dogj. Flakët e saj ishin tmerruese dhe shkëndijat e zjarrit arritën deri tek unë në dritare, që rija e soditja atë lemeri. Në errësirën që zotëronte jashtë e brenda shtëpisë, dritat e forta të petromaksit, që ndizeshin në sallën e operacionit të spitalit të qytetit, ndriçonin gjithë hapësirën deri tek unë. Natën, kur salla e operacionit llamburiste, në mendjen time ndizeshin miliona drita vezulluese të vogla, që bashkoheshin në një dritë të madhe, për të më ndriçuar rrugën drejt plotësimit të dëshirës për t’u bërë mjek, dëshirë që rritej bashkë me mua. Përfytyroja punën që bëhej atje dhe përflakej fantazia fëminore. Ëndërrimet e mia kishin ngjyrën e gjakut. Thikën, me të cilën pritnin të sëmurët, e përfytyroja si një shpatë të madhe të artë, që e vendosnin në një dollap të madh, çelësin e të cilit e mbante doktor Vasili. Ai e nxirrte thikën prej andej sa herë i duhej. E përfytyroja thikën në duart e fuqishme të Dr. Vasilit, emrin e të cilit e kisha dëgjuar shpesh, por nuk e kisha parë asnjëherë. Ai ishte heroi i shumë tregimeve në qytet. Ai ishte kryetrimi i fantazive të mia fëminore. . Ky ritual përsëritej çdo natë. Kjo ishte kinemaja, teatri dhe televizori im, në vitin e largët 1940. Ishte, gjithçka, që mbushte orët e mia në dritare, në errësirën që mbështillte shtëpinë jashtë dhe brenda, ku vetëm një llambë vajguri ndriçonte zbehtë në dhomën ku qëndronte familja, ose lëvizte nëpër shtëpi sipas nevojës. Në këto vite, njëherë, më kujtohet nëna ime e sëmurë, e shtrirë në odanë e dimrit që ngrohej me oxhak. Ishte ftohtë. Bora kishte zbardhur gjithë vendin dhe qirinjtë e akullit vareshin nga pullazet.


Nëna nuk shkoi për vizitë tek doktor Kalivopulli, edhe pse e kishim shumë afër, në anën tjetër të rrugës. Vizita tek doktori dhe barnat kushtonin shumë. Unë e përqafova, e putha fort nënën dhe i thashë: “Kur të rritem do të bëhem doktor, që të të shëroj ty”. Ajo më përqafoi dhe me lot në sy më tha: “Mos u mërzit bir, nëna do të shërohet.” Ishte ditë vere, me Karehmanin u ndodhëm para farmacisë së xha Mujtinit. Befas, në shesh, arritën tri tricikla me ushtarë të armatosur. “Gjermanët“! U dëgjuan thirrje të frikësuara. Ne të dy dhe shumë burra të tjerë që ishin në shesh, në panik, vrapuam drejt mesit të pazarit. E ndaluam vrapin në Palorto, tek gjyshi i Karehmanit. Në shtëpi u kthyem vonë. Evituam kalimin nga sheshi i Çerçizit dhe zbritëm poshtë kalldrëmit të Zigait, tek Puçia (afërsisht, atje ku është sot shtëpia e pionierit). Prindërit e shqetësuar na pritën me qortime, nga që nuk dinin ku kishim humbur gjithë ditën, veçanërisht, atë ditë kur gjermanët kishin pushtuar qytetin. Të nesërmen, prej të rriturve mësuam, se gjermanët kishin marë peng rreth tetëdhjetë burra gjirokastritë, të cilët i kishin rreshtuar poshtë shkallëve të Bashkisë, ku ishte vendosur komanda gjermane. Si fëmijë kuriozë, fshehurazi, dolëm nga shtëpia, qëndruam para “Billdingut”(1). Kjo ishte një godinë tre katëshe me dhoga, në të cilën ne hynim pa dalë fare në rrugë. Të fshehur pas murit të sheshit, ne i pamë pengjet të mbështetur tek muri, poshtë rrugicës që zbriste nga ish dopolavoro (shtëpia ku sot jetojnë Zhullajt). Thuhej, se do t’i pushkatonin. Kjo ishte hakmarrja e gjermanëve për pritjen me armë; që qytetarët e Gjirokastrës u bënë tek ura e Nanxës, në hyrje të qytetit. Nga pasditja, mësuam se pengjet ishin liruar, falë ndërhyrjes së Dr. Vasilit. Të rriturit, me adhurim thoshin se, doktori foli gjermanisht dhe i kërkoi komandës gjermane që t’i lironte ata burra të pafajshëm. Lirimi pengjeve u prit me gëzim nga banorët. Kjo histori tregohej në çdo shtëpi. Në përfytyrimin tim, doktor Vasili u bë, akoma, më i madh, më i mençur e më i fuqishëm, ashtu si heronjtë e përrallave që më tregonte nëna. Doktor Vasilin e pashë për herë të parë pas çlirimit, në një mbrëmje vere, tek sheshi i vogël para postës së qytetit, (atje ku tani është salloni i pritjes i hotel “Çajupit”). Kur u afrova tek turma që kishte rrethuar gjahtarët, i fiksova mirë fytyrat e tyre. Më vonë, mësova se ata ishin disa nga gjahtarët më të shquar të Gjirokastrës, Dr. Vasili, babai i Stefo Qurkut, Beqo Mera dhe disa të tjerë, që nuk i mbaj mend mirë. Dr.Vasili, shquhej mbi të gjithë. Ai kishte veshjen e gjahut më të bukur. Ishte hera e parë që pashë një burrë të veshur me pantallona deri në gju, me çorape të gjata dhe potina gjahu.

Ai m’u duk më i zoti, më i forti dhe sikur kishte më shumë thëllëza të varura në brez. Ishte hera e parë që unë pashë gjahtarë, midis të cilëve ishe dhe protagonist i ëndrrave të mia. Vitet kalonin. Qyteti u çlirua. Shkollat rifilluan. Në orën e leximit në klasë të pestë, mësues Dervish Bejleri, më ngriti në dërrasë të zezë për të komentuar një tregim për “Çkallovin”, pilotin e famshëm sovjetik. Në fund ai më pyeti: “Çdo të bëhesh ti, që t’i shërbesh Atdheut si Çkallovi?.” Pas një hezitimi fillestar, u përgjigja: “Do të bëhem si doktor Vasili”. Mësuesi më bëri edhe një pyetje tjetër: “Si mendon ti se një doktor i shërben Atdheut?”. Unë u përgjigja: “Do të bëhem doktor të shëroj nënën time dhe të gjitha nënat dhe baballarët e shokëve të mi.” Kjo shkaktoi të qeshura tek shokët dhe të them të drejtën, edhe mësuesi u befasua. Dr. Vasili ishte një “legjendë” e paarritshme në qytet. Por, këto ishin fantazitë e mia, në atë kohë. Ishin vitet e para të pushtetit popullor. Në ditën e 1 Majit në fushën e vjetër të sportit u organizua parakalimi i parë i punonjësve të qytetit. Të gjitha ndërmarrjet e qytetit, do të tregonin fitoret e arritura. Në atë parakalim ishin edhe punonjësit e spitalit, të veshur me bluza të bardha. Midis tyre në një kamion ishte improvizuar një sallë operacioni dhe personeli i sallës me në krye Dr. Vasilin, simulonin kryerjen e një operacioni. Kjo pamje më mrekulloi dhe ndezi miliona llamba në mendjen time fëminore. Tani, operacionet nuk kryheshin në sallën që ndriçonte natën dritaret e odasë time. Ishte ndërtuar spitali i ri, i madh, shumë larg, tek ura e lumit. Ky ishte spitali më i madh në Ballkan dhe siç thuhej në Gjirokastër, në atë kohë, jugosllavët e kishin sabotuar ndërtimin e tij të plotë. Shtëpitë e lagjes, tani, ndriçonin nga llambat elektrike. Fillova Gjimnazin e Gjirokastrës. Kreva vitin e parë atje. Por mua më digjte dëshira për t’u bërë doktor, ndaj, bëra çdo përpjekje për të shkuar në Teknikumin Mjekësor në Tiranë. Për ta arritur këtë, më ndihmoi burri i motrës¸ Murat Angoni. E lashë Gjirokastrën dhe shkova në Tiranë. Në teknikumin mjekësor të Tiranës gjeta shokë shumë të mirë. Shumica kishim ardhur nga larg dhe jetonim në konvikt. Të gjithë flisnim me dialektet nga vinim dhe ishim veshur me teshat karakteristike të zonës. Atje kishim mësues të mrekullueshëm e të nderuar. Drejtor i parë i shkollës ishte Dr. Nikolla Shurbani, mjek dhe njeri i mrekullueshëm, shefi i kardiologjisë në spitalin e Tiranës. Më vonë, drejtor u bë Dr. Zisa Cikuli, njeriu, shkrimtari dhe mjeku i adhuruar. Elma Libohova, nëndrejtoresha e shkollës, një grua dhe mësuese e shkëlqyer, që na mësonte historinë. Mësues Pjetri, i gjuhës shqipe dhe latinishtes, një burrë flokë-bardhë i mençur, i thjeshtë dhe plot urtësi. Mësuesit e mi të parë për lëndët mjekësore ishin nga doktorët më të mirë të vendit, të cilët, kur shkova në Fakultet lexonin leksione dhe drejtonin praktika, si Dr. Petrit Gace, Dr. Selaudin Bekteshi, Xhanfise Basha, Josif Adhami, Andrea Aroni, Spase Trimcev, Petro Roçi, Dr. Koleka, Dr. Pavllo Pavlli e shumë të tjerë. E mbarova teknikumin mjekësor dhe pas tij studimet e larta. Fillova punën gjithë gëzim në klinikën e Neurologjisë, si asistent i Dr. Bajram Prezës. Nuk kishte neurolog tjetër në klinikën e neurologjisë. Dy muaj më vonë, më thërret në ministrinë e Shëndetësisë Zëvendës-ministrja, Vera Ngjela, e cila më njoftoi se emërimi im ka ndryshuar. Do të përgatitem mjek okulist për Gjirokastrën, emërimi im në neurologji anulohet. I thashë faleminderit dhe bëra të dal nga dhoma. Kur hapa derën, Zëvendësministrja më thërret: “Pa ktheu! Nuk më ka ndodhur, më parë, që ta heq një mjek nga Tirana, ta dërgoj në Gjirokastër dhe të më thotë faleminderit”. Pa hezituar u përgjigja: “ A keni ju forcë ta ndryshoni këtë vendim, po qe se unë e kundërshtoj?” Ajo më uroj një ditë të mbarë dhe suksese.

U largova. Haki Toska, një nga njerëzit e fortë, veçanërisht, për Gjirokastrën, kishte thënë që unë të shkoja në Gjirokastër. Babai më kishte përgatitur për këtë me letrën që më kishte dërguar. Filloi një jetë tjetër për mua. Tani, jam “kolegu” i doktor Vasilit, por Ai, vazhdon të jetë heroi i përfytyrimeve të mia fëminore. E mbaj mend mirë mëngjesin e ditës së parë kur shkova në spital për të filluar punën. Shofer Velua me “Moskviç-in” e tij, priste tek sheshi i Çerçizit për të çuar doktorët në spital. Isha pranë makinës kur njëri pas tjetrit arritën Dr. Vasil Laboviti i cili zuri vend përpara, Doktor Vasil Jorgji, drejtori i spitalit në atë kohë, Dr. Reiz Baboçi pediatër dhe Zëvëndër drejtor i Spitalit. Midis këtyre figurave të larta të mjekësisë në Gjirokastër, unë një djalë i qytetit, tani, një doktor i ri, u ndjeva pak i ndrojtur, por gjithsesi i kënaqur që isha rreshtuar krahas tyre dhe shkoja në spital për të punuar. Atë ditë, u mora me ngritjen e shërbimit të okulistikës. Fillova të përshtat për dhomë vizitash, një ambient pranë sallës së operacionit në repartin e kirurgjisë së spitalit. Ngjitur me këtë kthinë, ku filloi aktivitetin Okulistika në Gjirokastër, majtas, para se të hyje në sallën e operacionit, ndodhej “Muzeumi”. Muret e kësaj dhome ishin mbushur me rafte, ku ishin vendosur disa dhjetëra kavanoza të dimensioneve të ndryshme, brenda të cilave, në formalinë, ishin të vendosura preparate anatomike. Dr. Vasili i kishte zgjedhur ato me shumë kujdes nga aktiviteti i tij i madh si kirurg në Gjirokastër. Në ato kavanoza kishte fëmijë monstra, fëmijë të lindur pa kokë (anencefalikë), kishte tumore me dimensione të mëdha, fëmijë me anomali në ekstremitetet, fëmijë të ngjitur, e shumë të tjera. Ky muzeum dhe ruajtja e tij për shumë vite, tregonte për punën e kujdesshme dhe plot pasion që doktori kishte kryer në gjithë ato vite pune në kirurgji dhe në gjinekologji. Ato preparate ishin zgjedhur, prej doktorit, si rastet më interesante midis dyzetë mijë operacioneve që ai kishte kryer në Gjirokastër.

Kur unë isha akoma nxënës në Tiranë, Kinostudio “Shqiqëria e Re”, kishte realizuar kinodokumentarin “Doktori i dyzetë mijë operacioneve”, dedikuar Dr. Vasilit. Kur pashë këtë dokumentar u entuziazmova pa masë. Kjo ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, dëshmi e së cilës ishin regjistrat e operacionit dhe ky muzeum me preparate anatomike të zgjedhura me kujdes. Duke vizituar “muzeumin”, m’u kujtuan fjalët që më tha Profesor im i okulistikës Kristo Kristidhi, një mbrëmje në shtëpinë e tij më Tiranë: “Do shkosh në Gjirokastër, kam biseduar me Vasilin për ty. Vasilin e kam pasur shok shkolle në Gratz. Në fillim të viteve tridhjetë, ai punoi si kirurg në Tiranë. Ishte kirurgu i parë në spitalin e Tiranës. Po të kishte vazhduar këtu, do të ishte kirurgu më i mirë i Shqipërisë, por iku. Iku sepse insistoi Agllaia (e shoqja), që të shkonte në Gjirokastër. Ajo donte të ishte pranë familjes dhe ai nuk ia prishi, duke shkatërruar karrierën e tij. “ Doktor Vasili dinte me hollësi, gjithçka, që lidhej me ato eksponate dhe me punën e tij nëpër vite. Midis këtyre preparateve vëmendjen time e tërhoqën edhe dy objekte të veçanta: një filxhan kafeje pa dorezë dhe një kavanoz qelqi i gjatë dhe i ngushtë. Kur e pyeta doktorin se çfarë është ky filxhan? Ai më tregoi se atë e ka nxjerrë nga vagina e një gruaje gjirokastrite, në vitin 1938. Pas fëmijës së gjashtë, Gruaja e përdorte këtë filxhan si një kapuç për qafën e mitrës, të ngjashëm me kapuçat e sotme që përdoren në praktikën mjekësore si mjete antikonceptive. Gruaja, më tha doktori, e vendoste këtë filxhan për të mbuluar qafën e mitrës para aktit seksual si mbrojtje dhe e hiqte pas aktit. E lante, e pastronte, e bënte gati për ta përdorur herën tjetër. Por një natë, pas seksit, tentoi ta hiqte, por ishte e pamundur. Pas shumë tentativash indet u pezmatuan dhe u ënjtën. Filxhanin nuk e hoqi dot. E detyruar dhe e turpëruar, gruaja erdhi tek doktori. Filxhanin që shërbente si antikonceptiv, doktori e vendosi në këto rafte. Në atë kohë, kapuçat e qafës së mitrës nuk kishin filluar të përdoreshin në mjekësi. Kavanozin gjatush, Doktori e kishte nxjerrë nga rektumi i një çobani. Këtë kavanoz çobani e kishte përdorur si një penis artificial, për të vetë-kryer seks anal. Një ditë, kavanozi hyri thellë dhe nuk mundi ta nxirrte. Me kavanozin në rektum, ai zbriti nga stani tek doktor Vasili. Kavanozi u vendos në këto rafte. Cdo kavanoz kishte një etiketë, ku tregohej çfarë ishte preparati dhe data që ishte operuar. Është e kuptueshme, ky muzeum personal me shumë vlerë, tregonte vetëm për një pjesë të vogël të punës së kirurgut. Nuk ka muzeum që të ketë vend për gjithë punën e doktor Vasilit. Në njërën nga ditët e mia të para në spital, doktor Vasili më tregoi, se katër vjet më parë, kishin ardhur për praktikë në kirurgji disa studente të vitit të fundit të Fakultetit të Mjekësinë në Tiranë. Ata ishin të parët mjekë që dilnin nga fakulteti.

Që ditën e parë, në sallën e operacionit, ata filluan të kritikonin metodat operatore të doktorit dhe bënin vërejtje se doktori nuk operonte me metodat sovjetike që ata kishin mësuar në shkollë, ose pse nuk përdorte metodën e anestezisë lokale të Vishnjevskit. Qëndrimi i tyre ishte i papjekur dhe ofendues. “Ata ishin mendjemëdhenj dhe kërkonin të silleshin sikur mjekësia fillonte me ata”, më tha doktori. Kjo ndodhi e kishte mërzitur shumë Doktorin. Sot, ishte një ditë e bukur pranverore. U ngjita për vizita në poliklinikë. Me që kisha kohë, u ktheva në kafenenë e Turizmit për një kafe. Në krye të sallës shikoj Dr. Vasilin që ishte ulur vetëm në një tavolinë. Më bëri shenjë që të shkoja tek ai. Doktori e kishte porositur konjakun e tij. Porosita një kafe. Fillova t’i tregoj se para dy ditësh kisha shtruar në pavijon një vajzë të verbër, tek e cila kisha vendosur të kryeja një operacion placebo. (Për këtë rast kam shkruar një ese tek libri “Tim Biri I”). Doktori më dëgjonte me kujdes dhe kur mbarova më tha: “Ide e mirë dhe e guximshme. Provo, por mos bëj dëm”. Përkrahja e tij më lehtësoi. Të nesërmen e asaj dite, pa ditur unë asgjë, doktor Vasili, u ngjit në pavijonin e okulistikës. Me infermieren Afro Kaci, shkoj tek vajza e verbër. U prezantua si Dr. Vasili dhe në përfundim i thotë vajzës: “Je me fat, që të mjekon Dr. Ademi. Po qe se ai të ka thënë se do të të operojë, me siguri do të shërohesh”. Këto i tha dhe u largua duke i rrahur asaj krahët. Këtë histori ma tregoi infermierja ime. Nga kjo sjellje e doktorit të moshuar, kuptova shumë gjëra Vizita e këtij doktori të shquar tek e sëmura dhe fjalët e tij, do të ndikonin pozitivisht në shërimin e të sëmurës. Disa javë pas operacionit të vajzës, kur ajo, tanimë, shikonte, shkoj në poliklinikë në dhomën ku vizitonte Dr. Vasili dhe e falënderoj për ndihmën që më dha me vizitën e tij “sekrete” tek e sëmura. I u bë qejfi dhe kuptova se e priste këtë falënderim dhe mirënjohje. I mbaj mend mirë fjalët që më tha atë ditë. Po përpiqem t’i përmbledh: ”Të jesh doktor është punë e mirë, por e mrin, të mirat dhe komoditetin që të krijon puna si doktor, nuk i ke falas, ato kanë një çmim, madje, një çmim shumë të lartë. Doktori, që punon në një vend të vogël si Gjirokastra, është gjithë kohën i zënë me punë në spital. Kjo kërkon përkushtim dhe vullnet. Kërkon shumë dashuri për pacientët dhe për bashkëpunëtorët.

Sa herë hyja në sallën e operacionit njëra nga infermieret më përshëndeste duke më pyetur: ”Kush na erdhi sot këtu, Vasili apo Dr. Laboviti?.” Një ditë, kur në sallë operonte “Vasili”, një infermiere që e ndërroi turnin dhe do të largohej, akoma, pa mbaruar operacioni i lodhshëm, u përkul dhe më puthi në qafë, ndërkohë, që duart e mia ishin brenda barkut të të sëmurit. Kjo, për mua, ishte një dhuratë e pabesueshme. Kjo më dha fuqi të vazhdoja më tutje. Kjo do të thoshte shumë për dhimbjen dhe dashurinë që shkëmbenim ne me njëri tjetrin në atë sallë operacioni. Dhurata të tilla, nuk i merr një doktor që kërkon të duket si “Zoti”. Këta lloj doktorësh janë shumë të ftohtë dhe nuk këmbejnë asgjë me njëri-tjetrin. U përpoqa që gjithmonë të jem Vasili. Të jesh njerëzor, do të thotë të këmbesh shumë të qeshura, përqafime dhe puthje. Janë infermieret që na ndihmojnë ta lehtësojmë dhimbjen si kirurgë. Janë ato që na thonë se kemi harruar diçka pa bërë. Ato, na kujtojnë, vazhdimisht, se duhet të jemi humanë.” Në vazhdim të bisedës, Ai, më tregoi këtë histori: “Një infermiere, që ndihmonte një të sëmurë që vdiq, thirri një doktor të ri, që të firmoste vdekjen. Ai hyri në dhomë shumë i kapardisur dhe serioz. Ndoqi një sërë procedurash, xhestikulacionesh, përcaktimesh dhe më në fund, në mënyrë shumë ceremonial tha: “Pacienti ka vdekur”. “A u lodhe shumë për ta gjetur këtë?!”, u përgjigj infermieria me qesëndi. Më vonë, ky doktor e tregonte këtë eksperiencë si një moment, që e ndihmoi të ndryshonte dhe të rritej. Kam dëgjuar nga infermieret, se ka disa doktorë, që ato nuk mund t’i përqafojnë dhe nuk mund të qeshnin me ta. Ata janë problematikë për veten dhe për të tjerët.” Kur unë fillova punë në spitalin e Gjirokastrës, Doktor Vasili nuk operonte më. Ai punonte si konsulent në kirurgji, ishte kryetar i KEMP-it dhe bënte vizita në poliklinikë. Ai kishte dëmtuar gishtat e dorës aksidentalisht. E mbylli aktivitetin kirurgjikal pasi kreu mbi dyzetë mijë operacione. Një numër shumë i madh të operuarish prej tij, që unë nuk kam dëgjuar ta arrijë kirurg tjetër. Deri në fund të jetës, doktor Vasili ishte i nderuar me shumë urdhra e medalje të ndryshme, por mbi të gjitha ai ishte i rrethuar nga mirënjohja dhe falënderimet e të sëmurëve që kishte shpëtuar dhe të familjarëve të sëmurëve.

Me doktor Vasilin kanë punuar dhe u përgatitën shumë kirurgë të tjerë të shquar shqiptarë, si Dr. Dhimitër Shyti, Dr. Naum Theodhosi, Dr. Kristo Pandovski e të tjerë. Kur unë isha drejtor i spitalit, në kartotekën e spitalit gjeta një raport vjetor për punën e spitalit të përgatitur nga drejtori i spitalit Dr. Vasili. Në atë raport bëhej një analizë shumë e mirë dhe e saktë për gjendjen shëndetësore të popullsisë së Gjirokastrës dhe për punën në spita në vitin 1938. Kjo analizë ishte shumë e thellë dhe shumë e vlefshme. Atje gjeta, gjithashtu, një nga revistat mjekësore Austriake të kohës, ku doktor Vasili kishte shkruar një artikull shkencor për Anthraxin (plasjen) në zonën e Gjirokastrës. U mrekullova. Revista ishte e fundviteve të tridhjeta. Kjo tregon se Dr. Vasili nuk ishte vetëm një doktor praktik, por edhe një studiues i thellë. Ku i gjente forcat ky doktor për të bërë këtë punë kaq të madhe! Sigurisht, burim i pashtershëm forcash për kirurgun, ishte dashuria e tij për të sëmurët dhe njerëzit. Ka qenë fundi i viteve tetëdhjetë, kisha ardhur me pushime nga Budapesti. Në klinikën speciale të asaj kohe, takoj Haki Toskën, Antar i Byrosë Politike të K.Q. të Partisë. Midis të tjerash mbaj mend që më tha. Tani, pas kaq shumë vitesh, mendoj se kam marrë dy vendime të mira për shëndetësinë e Gjirokastrës. E para, që spitalin e ndërtuam tek ura e lumit, ndonëse, atëherë dukej se ishte shumë larg nga qyteti. Tani, askush nuk thotë se spitali është larg, E dyta, veprova mirë, që pas çlirimit, refuzova kërkesën e organeve të sigurimit për të burgosur doktor Vasilin. “Shumë mirë keni bërë”, thashë dhe vazhdova, “Kush do ta bënte gjithë atë punë që bëri Dr.Vasili, por pse nuk vepruat kështu edhe për Dr. Kalivopullin?” E kuptova se nuk dëshironte ta vazhdonte këtë bisedë dhe i dha drejtim tjetër. Para tre vjetësh, ndjeva një zhgënjim të madh, kur shkova të vizitoj spitalin e Gjirokastrës, pas tridhjetë e një vitesh i larguar. Më shoqëronte doktor Kristaq Xhumbi. Vura re se muzeumi i Dr. Vasilit nuk ekzistonte më. U trishtova!. “Pse kështu? “, e pyeta Kristaqin. “Duket sikur janë përpjekur të zhdukin çdo gjurmë të vjetër të punës ne spital”, më tha Kristaqi dhe vazhdoi, “Edhe librat e operacionit që ne i shkruanim me aq kujdes e hollësisht, i kanë zhdukur.” Kjo më pezmatoj fare. U largova i mërzitur. Si mund të sigurohet e ardhmja, pa respektuar dhe pa ruajtur trashëgiminë e të shkuarës. E shkuara duhet të shërbejë si bazë për ecur më përpara. Pa trashëgiminë shkencore, çdo punë do të duhej të fillohej nga e para. Kjo do të thotë të mbetesh në vend. Dr. Adem Harxhi New York, Janar 2017 American Billding: Këtë godinë e kishte ngritur ngjitur me shtëpinë, xhaxha Azmiu, pasi u kthye nga Amerika në vitin 1923. Kjo godinë që mbante tabelën “AMERICAN BILLDING”, në vite, kishte kryer funksione të ndryshme. Që nga koha që mbaj mend unë, atje kishte klinikën dentisti i qytetit Haki Sejdo. Atje u vendos një repart i vogël gjerman gjatë pushtimit. Më vonë fotografi gjirokastrit Totozani, hapi në “billding” studion dhe e mbushi fasadën me stenda fotografish, midis tyre, disa shoqe të mia bukuroshe të shtatëvjeçares. Në “billding” shiteshin fruta zarzavate, dhe në fund, shumë vite pas çlirimit, ajo u bë agjensia e udhëtarëve të Gjirokastrës, ku përgjegjës për shumë vjet, ka qenë i i mirënjohuri në Gjirokastër Nasho Goga nga Kakavia. Kur u zgjerua sheshi i Çerçizit, në fillim viteve të 50’, kjo godinë u shëmb, që t’i hapte vend zgjerimit të rrugës që çonte në shesh.

156 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page