top of page

Dr. Durim Çaça: Nëpër letërsinë dhe eseistikën e autorit Fatmir Minguli




Dr. Durim Çaça

LIGJËRIM KULTUROR QË T’ENTUSIAZMON

  (Nëpër letërsinë dhe eseistikën e autorit Fatmir Minguli)

       

       Në një pamje të esenciales së veprës letrare e kulturologjike të shkrimtarit, studiuesit, estetit, publicistit, Fatmir Minguli, kundrojmë që ajthi i fjalës së tij është një frymërim ndërmjet ndjesores e kuptueshmërisë, ndërmjet imazhit dhe realitetit, ndërmjet kujtimit dhe shpresës.

      Një autor shumëplanësh: prozator, (me vëllimin me tregime “Shtëpia në rrugicë” ku, si shkrimtar i narrativës artistike, priret të jetojë në atë mënyrë ku, të fshehur në gjërat e zakonshme, aspekte e detaje të jetës së përdishme, sheh të jashtëzakonshmen, duke sfiduar veten për ta ndarë me ne, atë që sheh në atë mënyrë, që ta ndjejmë si një bukuri të papërsëritshme; apo me romanin “Frika”, një narrativë e dhembshme për terrorin e brendshëm psikologjik të një intelektuali të ri me biografi të mirë, me paranojën e frikës së madhe se do të goditet e persekutohet nga çasti në çast prej diktaturës së paparashikueshme komuniste); dramaturg, (me dramën “Amfiteatri”); kritik i spikatur letrar, (përmendim parashtrimet e tij të frymëzuara për veprën e madhe kulturore të Anton Nikë Berishës, personalitetit të shquar shqiptar nga Kosova, (mes të tjerash dhe si shqipërues, nga gjermanishtja, të “Epit të Gilgameshit”, veprës së parë poetike të njerëzimit, rret vitit 2100 p. e.s, ndërkohë, kujtojmë që poemat e Homerit, janë rreth viteve 800 p.e.s.), për poetikën autoriale të të cilit Minguli nxjerr në pah se “te “Prush i bukurisë”, poeti Berisha shkruan sikur vallëzon me çdo fjalë dhe çdo varg përngjan me drithërimë e afsh”; apo për romanin e autorit në fjalë “Gjin Bardhela…”, për të cilin shprehet se narrativa e Antonn Nikë Berishës shpërfaqet “si një sinfoni midis së kryerës së bukur dhe të pakryerës së përjetshme”.

      Minguli paraqitet si një studiues erudit e skrupuloz, me monografinë e tij kulturore -historike për poetikën shqipe të shekullit XII dhe Daniel Arnaut-in, për të cilin nxjerr në pah një sintezë të studiuesit veronez nga Padova të shek. XIX, Viçenco Kreçini, që komenton për poetin në fjalë, mes dhjetëra poetësh të tjerë trubadurë provansalë, përmbledhur në një antologji, në fund të atij shekulli, se poeti Arnaud, me prejardhje shqiptare “ishte aq i admiruar nga Dante dhe Petrarka, për sikstinën (gjashtëvargëshin) e tij të forte, sikstinë që, nga ana e vet, paraqet shkallën më të lartë ku arrin tendenca aristokratike e artit oksitan të këngëve të dashurisë së Provansës së vjetër. Ngaqë Minguli ka një si ndjenjë, apo zë të brendshëm që mund ta quash gëzim, mahnitje ose lumturi që i thotë se është në rrugën e duhur, shenjë se është duke punuar drejt madhështisë, se në atë që punon ka një të vërtetë të thellë e që mbështetet në diçka me vlerë të themelshme.  Dhe kjo zbulesë është zemra e krijimtarisë e çdo krijuesi, ku ruhen idetë në nivelin fizik dhe realizohet përfshirja në ciklin kozmik të krijimit.

        Për të vijuar me një tjetër fushë shkrimësie të autorit tonë, siç janë etydet estetike, shkruar me pathos të frymëzuar lirik dhe shpirt të ngazëllyer poeti, të fërgëllimshëm, të kthjellët, si të një agu të parë, “Trajektoret e haikut”, për lëvrimin e këtij lloji të lirizmit të thellë japonez, në poezinë e sotme shqipe, duke përzgjedhur 15 poetë shqiptarë të këtij zhanri poetik, për të cilin shprehet se haiku, ky brilant ylberor përmban absurdin e gjenialitetit, bukurinë e magjisë, fuqinë e mendjes, deri në qetësimin e shpirtit, si një prehje e ndritshme ngazëllore të përjetshme.

Esetë për shpërfaqjen e madhështisë së veprës së poetit dhe kulturologut të famshëm, Moikom Zeqo, përmbledhur në librin “Tjetërlloj”, përbëjnë një kontribut të çmuar të Mingulit, për ndriçimin e këtij krijuesi të vështirë, “të errët”, “ezoterizmi” (të dijes së të fshehtës), krejt të tjetërllojtë në letrat shqipe. Për këtë lirik dhe eseist ndër më të shquarit, “fantastin me shumë shprehje të shkëlqyeshme artistike”, sipas Poradecit, Minguli ravijëzon një projeksion të këtij “demiurgu”, ku nxjerr në pah nga vepra estetike e mendimore e eruditit tonë të jashtëzakonshëm, faktin se Moikomi, nga format klasike të shkrimit artistik e kulturor, (romani, drama, poezia, legjenda, publicistika, korrespondenca, shkenca, përralla, etj.), bën një përzierje me një formulë të përsosur, si, bie fjala, te “Grishja e Florimontit”, ku “apologjia qiellore ndaj këtij heroi kalorësiak shqiptar të mesjetës franceze, zbret në tokë tek lexon ngjarje aq shumë njerëzore, për dashurinë, mbrojtjen nga barbari”, etj.; apo kur Minguli vë në dukje faktin se ky ky autor i patëdytë në kulturën shqipe, realizon një tipologji me kryeveprën e Da Vinçit, në esenë e tij të mrekullueshme, “Kështu foli Mona Liza”, duke zhdukur kufijtë e dualizmit absurd, përmes teknologjisë së modernitetit të të shkruarit mahnitshëm, nëpërmjet palimpsesteve dhe parabolave të ngazëllyeshme estetike e mendimore, ku “lexuesi kapet në një grackë prej ari, shoqëruar nga ankthi i këndshëm i leximit” të pasionit të një ligjërimi modern të gjithëkohëshëm, “në të cilën gërshetohen të gjitha kulturat e botës”.

      Për të arritur në një nga kulmet dhe kumtet e parashtrimit të tij eseistik shkencor dhe të një projeksioni ligjërimor madhështor kulturor, siç është vepra e tij e shquar studimore, “Kundra ikonathyerësve””, (një vështrim mbi filozofinë e bektashizmit shqiptar), 2024, ngjizur me një frymëzim të gjallë diturak marramendës, inspiriuar nga vepra e semiologut dhe shkrimtarit të famshëm, Umberto Eko, “Lavjerrësi i Fukosë”, romani i magjishëm për magjinë, romani i fshehtë për sekretet, romani i ndritshëm për botën e nëndheshme, sipas historianit po aq të famshëm francez, Zhak le Gof. “Kundra ikonathyerësve” e Mingulit është një vepër erudite përshkënditëse për ikonaklastët, lëvizjen heretike dhe dualizmin; për bektashinjtë, këtë sekt (tarikat) të islamit të themeluar në shek. XV, nga Haxhi Veli Bektash, që kishte në dogmën e vet elemente të panteizmit dhe që, sipas të cilëve, vetëm udhëtari që ka bërë pelegrinazh në botën e tij të brendshme të pakufishme, mund të akostohet në shpirt; për jeniçerët; për Zabatia Zevin, hebreun mistik e asketik, të shek. XVII, që vdiq në Ulqin, i ekzekutuar në mënyrë mizore me një vdekje të mundimshme, ngaqë shprehej se ishte Mesia, varri i të cilit besohej se ishte në Berat, në teqenë e kopshtit të xhamisë Mbret dhe që u bë vend i shenjtë për sektin islamik të bektashinjve, ku bëhej pelegrinazhi i tyre shpirtëror, deri në vitin 1965; për malin e shenjtë të Tomorrit; për bektashizmin dhe intelektualët e lartë të kombit tonë, etj., etj.. Dhe kështu vepra merr formë nga autori, me një nxitim dinamik, për të përshpejtuar çastin që të ndajë me ne, atë ngarkesë të mistershme emocioni. Teksa na sjell ndërmend se vepra më e mirë është ajo që të entusiazmon. (Me pathosin kulturor me të cilin është shkruar, “Kundra ikonathyerësve” të ngjan si një inspirim i autorit të kësaj vepre, nga poema e zjarrtë “ezoteriste” mendimore-estetike e “demonit” të poetikës së parabolës, Moikom Zeqo, “Syri i tretë”, që është syri bektashian i zemrës).

      Duke mos lënë pa përmendur dhe botime të tij të “kronikës kulturore të ditës”, për qytetin, tashmë, të vet, (ardhur që në rininë e tij të largët nga fshati Mingul të rrethit të Sarandës, por shumë vite jetoi, gjithashtu, dhe në qytetin e Kavajës), të Durrësit, si, bie fjala, te një nga publikimet e tij të kohëve të fundit, “E shtuna durrsake”, me një shpërfaqje të ngjarjeve, eventeve, promovimeve letrare, ekspozitave figurative, koncerteve gjer dhe te bisedat e frymëzuara të kafeneve, drejt një mendimi të thellë për kulturën e kohës sonë, të Durrësit të lavdisë antike e të modernes së këtij shekulli, publikim ku Minguli hedh ide interesante, siç janë ato për transformizmin, frymëzuar nga studiuesja bashkëkohëse italiane, Monika Bizi, sipas së cilës, kulturës pagane-mitike dhe asaj kristiane iu përgjigjen në modernitetin tonë të sotëm, poetika e metamorfozës dhe e konvertimit.

        Vepra e gjerë kulturologjike e Fatmir Mingulit të bën të njohësh në terrinën e së tashmes, dritën që, pa mundur të na mbërrijë, udhëton përjetësisht drejt nesh. Ajo shpërfaqet si një thirrje e tij për të shprehur vetveten, ku nuk është e thënë ta kuptojmë veten, apo të na kuptojnë të tjerët.           

Ngaqë ne e ndajmë rrugën tonë të shikimit me bashkëkohësit tanë që të nxitim tek ata një jehonë, sepse arti dhe kultura janë jehonë e një kohe. Ndaj çdo vepër (dhe e këtij autori) luan rol në këtë cikël të madh, ku bota shpaloset pareshtur, natyra përtërihet vetvetiu dhe arti e kultura evoluojnë gjithnjë e më fuqishëm, përmes të cilave përballim së jashtmi botën tonë të brendshme duke u rritur gjithëherë shpirtërisht në një nivel të ri qytetërimi e njerëzimi.

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page