DOSA DHE SHTATË GICAT E ARTË.
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 2, 2021
- 10 min read

DOSA[1] DHE SHTATË GICAT E ARTË.
(Legjendë)
Ali pashai sapo ish martuar me Vasiliqinë pesëmbëdhjet vjeçare, ai vet gjashtëdhjet e gjasht.
Kishin ardhë për muajin e mjaltit në kalanë e tij në Butrint. Muaji i mjaltit bëhet në çdo moshë.
Nuk kish as dy vjet që e kishte shtënë në dorë Butrintin.. U a kish marrë venecianëve. Për ta pushtuar kish luftuar e punuar pesë vjet. I rrethoi dhe ndërtoi dy kala.
Kalaja e parë, në grykëderdhjen e Vivarit, që mbylli furnizimet e garnizionit venecian nga deti, tjetrën , ballë për ballë me Butrintin, në anën e këtejme të kanalit , që u preu furnizimet nga fusha e Kestrinës dhe qyteti e krahina e Konispolit.
Kjo kala u mbylli edhe mundësinë e gjuetisë që bënin venecianët në pyjet e pa fund të fushës së Kestrinës, të Shëndëlliut, të Shënmitrit, të Milesë, të Stillos.
Pyje të pashoq nga bukuria, madhësia, dendësia, shumllojshmëria e kafshëve ,shpendëve, vende të bukura e të bekuara.
Me këto kala u mbyll edhe mundësia e peshkimit në dajlanin e Vivarit dhe të Butrintit, që furnizonin me peshk jo vetëm garnizonin , por edhe ishullin e Korfuzit , deri ne Venecie.
Pas pesë vitesh rrethim e bombardim, garnizoni venecian që e mbante të pushtuar Butrintin që prej njëqind e njëzetë vitesh ,u dorëzua nga uria, se ujë kishin në pusin e nuseve dhe në nimfeumin[2] romak.
Ndonse në Butrint venecianët kishin bërë ndërtime dhe kishin rikonstruktuar të gjithë kalanë në akropol, Aliut i pëlqeu të mos pushonte në to.
I pëlqeu të rehatohej në konakët e bëra posaçërisht për të në kalatë e projektuara dhe ndërtuar nga “inxhinjer”i e miku i tij, usta Petro Korçari, që ua kish kaluar edhe arkitektëve dhe inxhinjerëve francez, të cilët Aliu i kish me shumicë të punësuar në oborrin e tij.
Ditën e tretë të ardhjes Aliu kërkoi të dilte për gjah .
Kur dilta për gjah ai, përgatitjet nga ushtarët dhe shërbetorët bëheshin deri në përsosmëri.
Qentë e gjahut të blerë në Napol, armët e gjahut të lara në ar të bëra në Prizren, varka e bërë nga mjeshtrat ulqinak, kuajt dhuratë nga mbreti i Egjyptit, mik e patriot i tij.
Aliu çdo gjë , e mirë apo e keqe të ishte , e donte të veçantë , të përsosur ,orgjinale.
Kish bërë dashuri me Vasiliqinë tër natën, por nuk ndjehej mirë.
Përbrëndëshmi e kish pushtuar një ndjenjë dhimbjeje , ligështi, që deri atëherë nuk e kishte njohur.
Ndonëse ngopte epshet e tij prej burri cub e pasha të pashoq ,me harem të panumërt, kur e shihte poshtë tij atë femërfëmijë, ëngjëll pafajasie dhe bukurie, të dorëzuar deri në dhimbje, të cilës i
kishte vrarë babanë si fallcifikator monedhash, i kish djegur shtëpinë në Pleshavicë, e ndjente siç ndjen burri, se ajo nuk ndjente asgjë për të.
Bënte vetëm detyrën si skllave e tij, siç bënin detyrën të gjitha shërbetoret dhe shërbetorët që i shërbenin Aliut .
Ai e donte marrëzisht Vasiliqinë, atë bukuri të pashoqe,por ajo nuk e donte.
Burri bindet që gruaja e do, kur ja thot fytyra e saj, buza e saj, syri i saj, trupi i saj, që flasin e thonë sa thonë mijëra fjalë.
Që Vasiliqia nuk e donte ai ndjente, por nuk donte ta besonte.
Ndaj e kish pushtuar ajo ndjenjë dhimbjeje dhe ligështi që i kish zënë e i shtrëngonte fytin.
Donte të shfrynte, të shfrynte deri në gjak, ndaj vendosi të shkonte për gjah.
Çdo gjë ishte bërë gati deri në përsosmëri, siç ai e donte.
Arritën në Shëndëlli pa gdhirë mirë, e lëshuan qentë.
Shëndëlliu është i shtrirë në pesë kodra të ngritura si me dorë nga fusha e Kestrinës që e qafon nga të gjitha anët si ishull, kodra të vogla e të buta, që nuk i kalojnë lartësinë mbi dyzetë metra ,të lidhura mes tyre bukur e ëmbël , të mbuluara me lloj-lloj pemësh të larta, mpleksur me shkurre e rrushkull, sa që njeriu mund të kalojë me vështirësi vetëm në ca rrugë të hapura nga kafshët si tunele,duke u përplasur me degët që varen mbi kokë. Është një vënd ideal për strehë e fole shpendësh dhe kafshësh të të gjitha llojeve.
Lepuj, dhelpra, çakenj, ujq, zorkadhe, derra të egër pa fund, dosa me tufa gicash nga pas si kope, gjela të egër, fazan, turtuj, thëllënxa, mëllënja, zogj të vegjël pa fund, nga cinxamiu e deri tek gardelinat, rosa , pata, llufa, karabullak, pëllumba të egër, gerguj, tufa tufa, që s’kanë të numëruar.
Një magji vënd është Shëndëlliu,i bekuar nga natyra dhe Zoti.
Nga manastiri hapet një fushëpamje e pashoqe.
Në lindje kodrat e Shënmitrit, Armiroit, Mali Milesë si mali i Olimpit e baba Tomorri.
Tutje në horizont ,Konispoli mitik e çuka e Ajtroit.
Nga Nga Jugu Orla, vargkodrat e larta të Stillos që zgjaten me kilometra,deri në det.
Nga perëndimi, i mahnitshëm deti Jon me ishullin e Korfuzit ,si anije e madhe, e mbuluar me ullinj.
Nga veriu Butrinti, ndërsa tutje, tutje sa të ha syri, fusha e Vurgut dhe mali i Sopotit, me kokën mbështetur tek retë.
Në këtë vend e nisi gjuetinë Ali pashai atë ditë, pa aguar mirë.
Qentë u lëshuan nëpër rrugët tunel .Me të dëgjuar të lehurat e tyre, egërsirat dolën nga strofulla dhe çanë ku të mundnin . Shumë ranë nëpër pritat që kishin zënë ushtarët dhe Aliu .
Aliu e kish të ngritur shtratin e gjuetisë së tij tek Bregu i Gorricës. Kishte shtirë disa herë dhe kishte vrarë sa kish dashur, por gjuetari nuk ngopet me gjah.
Dukej se atë dhimbje e dëshpërim që kish ndjerë kur kish parë Vasiliqinë që nuk gëzohej kur ai bënte dashuri me të, do ta shëronte me gjakun e këtyre kafshëve të gjora.
U bëri zë trimave ta ndalnin gjuetinë, dhe të mblidhnin gjahun.
Vetë u ul mbi shtrat nga ku dukej godina e Vivarit ,që nuk ish as dyqind e ca metra larg.
Kërkoi t’i binin çibukun dhe qesen me duhan të grirë , duhan me nam i fushës së Vardharit në këmbë të Konispolit.
Çibuku ishte bërë nga dru piks, gdhendur mjeshtërisht nga një vllah nga Gramozi ,Vangjeli, që ja kish bërë dhuratë nga koha kur Aliu ishte kaçak e errej e gdhihej maleve e staneve.
Vllahu në çibuk kish gdhendur shën Gjergjin majë kalit, madhështor, me një heshtë të gjatë ,që i ishte ngulur në gojën e hapur një kuçedre të tëmerrshme.
Aliut i pëlqente më shumë gdhendja, se sa vet duhani që pinte , se rrallë e pinte, por kur e ndizte, vështirë ta shuante.
Shtrihej brrinjazi, mblidhte këmbët , thithte çibukun instiktivisht e binte në mendime.
Mjerë ata që e shqetësonin apo i flisnin në këto çaste..!
Ndërkohë që po mbushte çibukun në këmbë, drejt të tij nga pylli i Shëndëlliut , e ndjekur nga qentë e gjuetisë, po vinte një dosë me shtatë gica të vegjël nga pas. Dosa ecte sa ecte, ndalej, priste të vegjlit e saj, u kthehej qenëve , ndeshej me ta , i çante me dy dhëmbët e mëdhenj të dalë jashtë anash, merrte kafshime të tëmerrshme nga ta, por pas nuk bënte.
Pas saj ishin gicat , që të mbledhur grusht nga frika, nuk i shqiteshin nënës së tyre.
Luftonte dosa për ta e për vete, ndaj nuk bënte pas.
Kur të tre qëntë i largoheshin pak , kthehej, merrte kulishët e bënte për nga Vivari.
Dukej sikur u tregonte të vegjëlve rrugën nga do të shkonin nëse ajo do mbetej në shesh nga plagët e gjaku që i rridhte krua
Donte të kalonte kanalin e Butrintit , të hidhej në pyllin e tij, t’i shpëtonte të vegjëlit.
Por nuk arrinte të bënte as njëzet hapa dhe qentë prap i afroheshin.
Dosa, prap e gjakosur dhe e kafshuar , me shpirt në dhëmbë u kthehej ,luftonte, i dëbonte, kthehej tek të vegjëlit që nuk kuptonin asgjë nga beteja që bënte e jëma e tyre.
Aliu e shihte i mahnitur këtë betejë të nënës dosë me qentë.
Çibuku i mbushur me duhan i mbeti në dorë i pa çelur.
Diç i kujtoi kjo betejë.
Përhumbi në mendime...
Psherëtiu thellë, frymëmarrja ju bë e rëndë dhe e shpesht.
Sytë i ngrinë mbi luftën e dosë me qentë, por pa e patur mëndjen atje.
Ju kujtua Hankua , nëna e tij , kur në sarajet e tyre në Tepelenë, ndaj të muzgëtuar, hynë me pabesi agallarët kundështar të burrit të saj , dhe bënë gjëmën.
Gjashtë vjeç ish atëherë, por i kujtohej mirë ajo ditë që nuk ju hoq kurrë nga mënd, ndonse ata që e bënë atë mynxyrë e hata ,e pësuan kur ai u rrit ,edhe më keq, aq keq ,sa kurrë nuk do harrohet.
Ujë të zi nxorri në ato vende e mbi ata njerëz....
Me dhëmbë e thap luftoi Hankua me të bijën , Shanishanë , grykë më grykë , deri sa Aliun e shpëtuan duke e fshehur.
Nga vendi ku e kishin fshehur, i pa të gjitha. Pa me sytë e tij si ja plaçkitën shtëpinë, si ja vranë shërbetorët dhe ushtarët besnik, pa si i morën zvarrë nënën e motrën dhe ja shëtitën dyerve të bejlerve të Hormovës dhe të Kardhiqit.. .
U përmënd e u bëri zë ushtarve.
- Mbani qënt! Ata u folën qënëve që e ndalën turrin , duke lëpirë plagët që u kisht shkaktuar
dosa. Dosa , e çliruar nga beteja për jetë a vdekje, ktheu kokën nga erdhën zërat pa u trembur fare , ndonëse ishte shumë afër me ta.
Mblodhi rreth vetes gicat e shpërndarë, lëpiu plagët e shumta që kullonin gjak,u shtri me barkun e bardhë nga Aliu .
Të shtatë gicat ju turrën dhe filluan të pinin sisë.
Ai qumësht i bënte të harronin ç’kishte ngjarë, ç’kishin hequr, ç’kishin pësuar, sa kish luftuar e jëma e tyre për t’i shpëtuar.
Plot brritma derrkucët pinin tër kënaqësi gjirin e nënës, duke tundur e përdredhur bishtin e hollë dhe të vogël.
Ajo i mëkonte duke i nuhatur e duke i lëpirë një e nga një të shtatë.
Sa mbaronte me ta, lëpinte plagët e saj për të ndalë gjakun që rridhte e rridhte.
Çudi, mendoi Aliu, si nuk trembet nga ne, se mos e vrasim bashkë me të shtatë të vegjlit e saj..?!
Kur gicat u ngopën mirë e mirë, dosa u ngrit.
Ktheu kokën nga Aliu , sikur donta ta falënderonte dhe bëri nga kanali i Butrintit.
Vetëm kur ta kishin kaluar atë kanal që lidh detin Jon me liqenin e Butrintit, i gjërë tetëdhjet e ca metra, i thellë njëzet metra, që gjashtë orë ujrat i derdh në det, dhe gjashtë orët e tjera i çon në liqen, do të kish siguruar jetën e gicave dhe të sajën, po të shpëtonte nga plagët e marra nga qentë
As dyqind metra nuk e kishin larg kanalin e Butrintit.
Aliu ju bë pas bashkë me disa ushtarë. Të tjerët mbetën të mbanin qentë e gjahut që mezi përmbaheshin.
Dosa e ndjente që po e ndiqnin, por nuk e nxiti çapin.
E të donte, mezi ecte.
Gjaku i rridhte rrëkezë e linte mbi dheun e hirtë një vijëz të hollë, të kuqe, pas të cilës ecte Aliu.
Fuqitë po e linin, por ajo nuk ndalej.
Bimat nuk kuptonin gjë, dhe të çliruar nga të lehurat e sulmet e qënëve, i brridhnin të jëmës përreth me hare, ca para, ca anash,, ca pas.
Ajo, ndonëse në grahmat e fundit, u gëzohej, i shtynte lehtë me noçkë, i lëpinte, dhe i nxiste drejt kanalit me brritma gëzimi. Arritën. E para në ujin e ftohtë brisk u fut dosa, pas saj të shtatë bimat pa më të voglin hezitim .
Në zjarr të hidhej nëna e tyre, në zjarr pa u mendura do hidheshin ata.
Rryma e baticës ishte në kulmin e saj . E rrëmbyeshme si lumi i Vjosës ,mendoj Aliu. Rryma i mori në drejtim të Liqenit .Ishte e pamundur ta çani dhe të dilnin në bregun tjetër.
Aliu me ushtarët hipur mbi kuaj vërente kokat e tyre që mezi arrinin të dilnin mbi ujë.
Gjithmonë duke u zvogëluar e duke u zhytur, deri sa më nuk u dukën fare.
U mbytën, u mbytën ,psherëtiu nga shpirti Aliu, dhe ktheu sytë nga ushtarët. Edhe ata ,ndonse luftëtar të rreptë, i kishin të mbushur sytë me lot si ai.
U mbyt dosa dhe të shtatë bimat, që para se të mbyteshin, mbërthyen me dhëmbë për herë të fundit sisat e nënës , e nuk i lëshuan më..
E fundit humbi nën ujë koka e dosës.
Aliu nuk e duroi më këtë dhëmbje.
Ulëriti si ujk.
-Ikni , ikni e më lini vetëm , -ju drejtua ushtarëve të tij, që bënë pas.
Zbriti nga kali ,që edhe ai kish ulur kokën sikur ndjente dhëmbje,dhe ra në gjunjë.
Ngriti duart nga qielli dhe ju drejtua Zotit ,që nuk e kish besuar kurrë.
-Zot o Zot, - gjëmoi zëri i tij, si ulërimë dhimbjeje trupi e shpirti bashkë.
-Bekoje këtë mëmë–dosë, që luftoi për jetën e gicave të saj, deri sa dha jetën, bekoji këta bima , që nuk ju ndanë asaj deri në fund të mbërthyer pas sisave , nga ku buron jeta!
-Të lutem, të lutem, dhe mbeti ashtu i gjunjëzuar me duart nga qielli sa u mpi.
Ushtarët ,të mekur edha ata, ranë në gjunjë si pashai i tyre, e bënë të njëjtën lutje.
Sa ndejtën ashtu , vetë Zoti e di,që i dëgjoi .
Vajtën e ngritën pashanë dhe me kuajt marrë për dore u kthyen tek kalaja , që nuk ish as dyqind metra larg.
Vasiliqia flinte ende .
Aliu i fërkoi flokët , i puthi kokën e u fut tek konaku i tij.
Ndezi çibukun që nuk e shoi sa perëndoi dielli dhe errësira mbuloi gjithçka.
Doli edhe hëna e florinjtë ,që u vuri zjarrin ujrave të kanalit, të ngopura me fosfor.
Uji u bë tretësirë floriri.
Sa ra nata, doli në bedenën e kalasë thikë mbi ujrat e kanalit, që po rridhte në drejtim të detit.
I habitur pa kokën e dosës dhe shtatë bimat mbi ujë, tek pinin sisën nën barkun e saj, që rryma i kish marrë me vete dhe po i shpinte në det.
Shkëlqenin si floriri. Zoti i kish bërë të florinjtë .
Aliu, i mrekulluar, i ndoqi me sy sa humbën tek kthesa që bën kanali Butrintit tek shkëmbi i madh.
Prap ra në gjunjë dhe ngriti sytë e duart nga Zoti,tani me besim të plotë se ai egzistonte ,shihte e dëgjonte gjithçka ndodhte e thuhej në botën që kish bër vet.
- Zot , o Zot i madh, -pëshpëriti duke u lutur Aliu.
-Të falënderoj që nuk i humbe për fare, të falënderoj që më dëgjove, të falënderoj për këtë që bëre, i bëre nënën e gicat të Artë...!
Në atë beden i vetëm ndejti deri në të gdhirë me gunën krahëve ,se nata në çdo stinë është e ftohtë brisk nga lagështia në anë të kanalit. Kur rryma pas gjashtë orësh ktheu për nga liqeni i Butrinit, përsëri i pa, siç i kish parë, mbi ujra,të florinjtë, që po bënin nga liqeni.
Prap ra në gjunjë e prap falënderoi Zotin për mrekullinë që kish bërë.
Askujt nuk i tregoi Aliu për këtë , se e njihte lakminë e njerëzve për flori.
Një javë që ndejti në kalanë e tij në Butrint, natën dilte e shihte dosën me të shtatë gicat e saj të bërë të Artë, që gjashtë orë bënin nga deti, gjashtë orë nga liqeni.
Kur do vdiste, këtë ja tregoi trimit të tij, Selim Çamit, që mbante të ndezur flakën në podrumet me barut të kalasë së Janinës, duke e vënë në amanet ,që këtë mbrekulli t’ja thoshte në grahmat e fundit vetëm djalit të tij, e kështu djali -djalit , brez pas brezi, sa më erdhi radha mua.
Unë, rritur në buzë të Kanalit të Butrintit, herë pas here , sidomos në netët e muajit prill, kur uji bëhet i florinjtë, e kaloj natën duke peshkuar ngjala, që edhe ato bëhen të florinjta.
Sa po nis e ndrron rryma, ngjitem tek bedeni ku rrinte Aliu para dyqind vitesh, dhe shoh dosën me të shtatë bimat e saj, të bërë të Artë, që bëjnë të njëjtën udhë, gjashtë orë në drejtim të detit Jon, gjashtë orë në drejtim të liqenit të Butrintit.
Mos kujtoni se duke e shkruar për këtë mrekulli, e shkela besën.
Jooo!
Dosën e gicat e saj të bërë të Artë, mund t’i shohin vetëm ata që nuk e njohin lakminë e floririt, lakminë e pasurisë pa djersë...!
Comentarios