top of page

DON LUSH GJERGJI: 45 – VJETORI I MARRJES SË ÇMIMIT NOBEL PËR PAQE TË NËNËS TEREZE


DON LUSH GJERGJI: 45 – VJETORI I MARRJES SË ÇMIMIT NOBEL PËR PAQE TË NËNËS TEREZE- (OSLO, 10 DHJETOR 1979)

DISA KUJTIME, PËRJETIME, DËSHMI  DHE POROSI

DON LUSH GJERGJI

BIOGRAFI I NËNË TEREZA // PRISHTINË ME, 26 GUSHT 2024

----------------------------------------------------------------------------------------------------

VITET PO SHKOJNË DHE KALOJNË SHPEJT, MOS TË THEM PO FLUTUROJNË, NDËRSA NE PO PIQEMI dhe plakemi pa shmangieje dhe përjashtime. Pra, po iu kthehem kujtimeve, që për ju ndoshta janë edhe zbulime, dëshmi dhe porosi.

Posa mora vesh që Nëna Tereze do ta merrte Çmimin Nobel për Paqe, në vitin 1979, fill shkova në Beograd te ambasada e Norvegjisë, dhe si biograf i saj shpreha dëshirën që së bashku me Imzot Nikë Prelën, ipeshkvin tonë, të merrnin pjesë në këtë ngjarje unike dhe madhore.

Ashtu edhe ndodhi. Ftesa e qeverisë së Norvegjisë erdhe në Ferizaj nëpërmjet Ambasadës së tyre në Beograd.

Zbulimi im i parë publik është konteksti i kësaj ngjarjeje, kur dy kandidatet kryesor për këtë Shpërblim ishin Papa Gjon Pali II (1920-2005) dhe Kryetari i atëhershëm i Jugosllavisë Josip Broz Tito (1892 – 1980).

Papa i ri polak, i pari si i tillë në histori, në moshën 59 vjeçare, me paraqitje dhe veprime të jashtëzakonshme, në një mënyrë iu “imponuar” mbarë botës, sidomos të krishterëve, në veçanti katolikëve.

Prandaj pritjet, dëshirat, kërkesat, sytë dhe zemra e mbarë njerëzimit ishte drejtuar kah ky leaders i Zotit dhe Popullit. Pritej që Papa Gjon Pali II ta merrte Shpërblimin Nobel për Paqe në vitin 1979.

Në anën tjetër, si rival apo kundër - kandidat ishte Kryetari atëhershëm i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, si bashkëthemelues i Lëvizjes së të pa inkuadruarëve – themeluar më 1 shtator 1961, me Indinë (Xhevahalat Nehru) dhe Egjiptin (Abdel Nasser),  ku e tërë Jugosllavia, me mjete publike, media dhe financa, kishte propozuar dhe përkrahur Titon për Shpërblimin Nobel për Paqe.

Këshilli i Komitetit Nobel për Paqe në krye me Dr. John Sannes kishte kërkuar mendimin dhe vlerësimin e Konferencës Ipeshkvore Jugosllave (KIJ). Vendimi i tyre gati i njëzëshëm ishte ky: Josip Broz Tito ka dënuar, burgosur dhe vrarë me qindra meshtarë, sidomos në Kroaci dhe në Slloveni gjatë viteve 1945 – 1948, kur Jugosllavia u tërhoq prej “Paktit të Varsaves” dhe mori  një drejtim të ri.

Prandaj, Josip Broz Tito nuk e mori pëlqimin e Konferencës Ipeshkvore Jugosllave, dhe si i tillë, ishte i “papërshtatshëm”, ndërsa Papa Gjon Pali II, si kreu i Kishës Katolike në botë, nuk ishte i pëlqyeshëm , sidomos në qarqet e masonerisë dhe ndër botëkuptimet e  shekullarëve apo laikëve.

Figura e tretë, deri diku “neutrale” ishte Nëna Tereze. Këshilli i Komitetit Nobel për Paqe për një javë për së afërmi në Kalkutë dhe në rrethinë e kishte vëzhguar dhe hulumtuar jetën, sidomos veprën e Nënës Tereze dhe Misionareve të Dashurisë.

Vendimi i tyre tashmë ishte i sigurtë, ajo vërtet këtë e meriton ma shumë se askush tjetër.

Dr. John Sannes i tha Nënës Tereze: “Juve iu kemi zgjedhur sivjet për Çmimin Nobel për Paqe.

Nëna Tereze, ndoshta edhe e befasuar nga ky lajm, sidomos e lodhur dhe e mërzitur prej shumë shpërblimeve, tha:“Është një vështirësi e vogël... Më jepni së paku pak kohë  që të mendoj dhe të lutem.”

Ashtu edhe ndodhi. Nëna Tereze personalisht ishte këshilluar me Papën Gjon Pali II, Ajo ndër të tjera i kishte thënë kështu: “Shenjtëri, jam e lodhur dhe e mërzitur nga gjitha këto shpërblime... Shpërblimi im i vetëm është Jezusi dhe të varfëritë...”

Papa Gjon Pali II e kishte dëgjuar me vëmendje dhe i kishte thënë: “Nëna Tereze, pranojeni këtë Shpërblim në emër të Zotit, Kishës dhe të varfërve!”

Aty për aty ajo e kishte pranuar këshillin dhe dëshirën e Papës, pasi që “Fjala e Papës është vullnesa e Zotit!” 

Ndër të parët që ia kishin uruar Nënës Tereze Shpërblimin Nobel për Paqe ishte Presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, i cili ndër të tjera shkruante kështu:

Ju uroj përzemërsisht mirënjohjen e lartë – “Çmimin Nobel për Paqe”. Aktiviteti i Juaj fisnik shumëvjeçar dhe lufta vetëmohuese kundër sëmundjeve e varfërisë gëzon kësodore mirënjohjen e merituar, e cila besoj se do të jetë impuls për angazhim më të gjerë për të mirën e njeriut.”

Me 8 dhjetor 1979 Imzot Nikë Prela dhe unë e pritëm te shkallët e aeroplanit në Oslo. Fjala e parë e Nënës Tereze ishte kjo: “Jam këtu në emër të Zotit, Kishës dhe të varfërve për ta pranuar Shpërblimin Nobel për Paqe!”

Gjatë atyre ditëve Nëna Tereze kurrë nuk kishte thënë asnjë herë:  Çmimi Nobel për Paqe i imi, por i të varfërve, me bindje se tash e tutje bota do t’i njehte dhe ndihmonte të varfëritë, si dhe paqja në botë do të vijë nëpërmjet të tyre.

Në këtë stil ajo kishte refuzuar drekën  apo darkën pas marrjes së Shpërblimit Nobel, duke i  ndarë ato mjete financiare me të “varfër ndër më të varfër.”

Teza bazë që e kishte shtruar Nëna Tereze gjatë fjalimit në Katedra e Paqes ishte kjo:

-       Identifikimi i tyre me Jezusin, pasi që  ata janë vëllezër dhe motra tona;

-       Detyra që të pasurit t’i ndihmojnë në varfrit, sepse vetëm ashtu do të jenë të lumtur.

-       “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”, që me fjalë tjera paqja nuk është fryt i marrëveshjeve të krerëve shtetërorë, i ushtrive apo policive, por më tepër çështje mendjeje dhe zemre, pasi që: “Pa dashuri dhe flijim jeta nuk ka kuptim” dhe “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën.”

Në përcjellje të Nënës Tereze në aeroportin e Oslos ishte edhe Dr. John Sannes, Kryetari i Komiteti Nobel për Paqe. Ai ndër të tjera i tha Nënës Tereze kështu:

“Ju na keni nderuar më shumë neve, se ne Juve, meqë e keni pranuar Shpërblimin tonë. Kjo dukshëm ia rritë çmimin  dhe  vlerën Çmimit Nobel për Paqe, pasi që mbarë bota na ka përgëzuar dhe uruar: Së fundi ky Shpërblim ka ardhur në duar të sakta dhe të vërteta... Për këtë përzemërsisht Ju falënderojmë....”

Pastaj si në hoka, por edhe me bindje, tha edhe këtë: “Tash pas këtij Shpërblimi keni krijuar edhe një hall apo vështirësi për ne, pasi nuk kemi ndonjë personalitet si Ju. Prandaj duhet të na ndihmoni dhe këshilloni për të ardhmen...”

Pas pak pushimi dhe qeshje, ai ndër të tjera tha: “Më së miri do të ishte që Juve t’ua japim Çmimin Nobel për Paqe deri sa të jeni gjallë!”

Nëna Tereze na tha se do ta vizonte në Romë Papën Gjon Pali II dhe do të jepte dorëheqja nga detyre e Eprores Gjenerale të Misionareve të Dashurisë. Në përcjellje ishte vëllai i saj, i ndjerë Lazër Bojaxhiu, mbesa e ndjerë Age lind. Bojaxhiu – Guttadauro dhe disa motra të rendit të saj.

Papa Gjon Pali II edhe një herë ia uroj dhe e përgëzoi për Shpërblimin më të lartë dhe më të njohur në botë.

Nëna Tereze, pasi e përcolli me vëmendje çdo fjalë të Papës, ndër të tjera tha: “Shenjtëri, unë kam vendosur që të jap dorëheqje nga vendi i Eprores Gjenerale të Misionareve të Dashurisë dhe t’i kthehem jetës së vetmisë, uratës, meditimit, adhurimit... në “Qytetin e Haresë”, në mesin e të gërbulurve...”

Papa Gjon Pali II edhe një herë e kundërshtoi me këto fjalë: “Kurrsesi, pasi Ti je Dëshmitarja më bindëse e Krishtit dhe e Kishës Katolike. Prandaj, të lutëm në Emër tim dhe të Kishës: Shko dhe dëshmo Krishtin dhe dashurinë e tij kudo që të thërrasin!...”

Edhe një herë Nëna Tereze e ndërroi vendimin dhe u “dorëzua” para kërkesës së Papës, nëpërmjet tij, kuptohet, Zotit.

Ja, pra, e tillë ishte Shën Nëna jonë Tereze.

 Prishtinë,  26 gusht 2024                                                               Don Lush GJERGJI

205 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page