DOKUMENTIMI I DIJES SHQIPTARE
NDËR SHEKUJ
Prof Dr Nuhi Vinca
(Prof. dr. sc. Jusuf Vatoci, Leksikon i magjistrave e doktorëve të shkencave dhe të arteve në trojet shqiptare në Ballkan dhe jashtë tij 1430-2000)
Jemi mbledhur sot këtu, në sallën e Fakultetit Filologjik, më 25 tetor 2015 për të promovuar një vepër vëllimore, një vepër të rrallë për kah tematika dhe rëndësia e saj si e para e këtij lloji ndër ne.
Për kah vëllimi kemi vepra të ngjashme siç është FESH i vitit 1995 apo ai i vitit 2009 i ASHA të Shqipërisë në tri vëllime, që mendoj se është më i vëllimshmi me tri pjesë, që kalojnë 2000 e ca faqe. Por, vëllimi për të cilin jemi mbledhur këtu dallohet për një aspekt: është vepër që ka vetëm një autor, ai është Jusuf Vatoci, që e përshëndesim.
Të promovosh një libër do të thotë të flasësh për herë të parë publikisht pa e hapur derën e debatit apo të tribunës shkencore. Për të qenë më i qartë do të them se në trevat shqiptare është një ritual shekullor tradicional për lindjen e foshnjës. Në tretnatën, që organizohet, shtrohet sofra dhe rrokulliset foshnja me urime e përgëzime të stilit festiv. Kështu e mendojmë edhe sot, por jo për një fëmijë por për një vepër siç e thamë më lart.
Libri i Dr. sc. Jusuf Vatocit është një punë shumë serioze e një punë shumë e kujdesshme, me siguri mjaft e mundimshme, por e realizuar në plan shkencor.
Para se të flasim për mr. e dr., që e përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj vepre vëllimore, dëshirojmë të ndalemi në 60 e ca faqet e para të librit, gjithnjë duke kapur vetëm momentet më të rëndësishme të veprës kështu para këtij auditoriumi. (Për këtë vepër nuk mjafton vetëm një promovim siç po bëhen përditë në ambientin tonë kulturor). Mendoj se për veprat e kësaj kategorie, duhet organizuar tribuna shkencore, ku disa persona të angazhohen në mënyrë paraprake për të cekur aspektet e ndryshme të veprës në fjalë.
Në faqet e para të librit, sa për informim, janë shtruar probleme me interes shkencor e informativ të shkencës shqiptare por edhe të asaj botërore.
Në fillim janë recensionet e akademik Pajazit Nushit dhe të Prof. dr. Isuf Dedushajt. Të dy recensentët e këtij libri theksojnë vlerat dhe kohët e përfshira në vepër, duke theksuar gjurmët e para të mendimit shkencor, duke përmendur emrat e Gjin Gazulit, të Martin Segonit, dy shkencëtarëve të spikatur që nga viti 1430. Ky i fundit është nga Artana e Kosovës (1475).
Jashtë rendit alfabetik, autori ka vënë shtatë e më shumë figura e shëmbëlltyra të njohura siç janë: Nëna Tereze, Ferid Murati, Jan Kukuzeli, Piskopia Elena, Gjin Gazuli, Karl Gega, Elena Gjika. Për këta shkencëtarë janë rezevuar si zëra më me shumë rreshta. Po këtë trajtim kanë edhe Isuf Luzaj, Dervish Rozhaja, Bekim Bejta, Qëndrim Gashi etj.
Të gjitha këto personalitete i sqaron dhe i shoqëron me fusnota të nevojshme, pra me aparaturë shkencore, ashtu siç do të vijojë edhe për të shumtët që kapin 1322 faqe biografike dhe bibliografike. Vijojnë edhe mendimet e Prof. dr. Zymer Nezirit dhe Prof. dr. Eqerem Arkaxhiut, dy shkrime këto që sugjerojnë dhe theksojnë vlerat e këtij leksikoni siç i bashkohen me këtë termë këto dy recensione.
Një tekst admirues është në faqen 15 të librit, ku një adhurues anonim i drejtohet autorit Jusuf Vatocit me këto fjalë: “Vlla Jusuf, unë e ndiej veten të nderuar që m`u dha mundësia dhe m`u dhurua libri, vepra juaj. Të quaj edhe vëlla të urtë e të dashur se ti shkrove libër për dijetarët e kombit tonë, o burrë i fortë. Ti e përdore dijen dhe lapsin së bashku me mundin dhe shpenzimet që i ndave nga goja e anëtarëve të familjes për të përshkruar të dhënat e dijetarëve shqiptarë, sepse edhe ti je njëri nga ata. Ti, or Vëlla, Jusuf je shumë i urtë se nuk u mundove me i mbajtur në mend vetëm për veten tënde, por e pasurove popullin shqiptar me një vepër shumë të madhe që mbetet testament për brezat që vijnë. Allahu të bekoftë ty bashkë me njerëzit tu! (Amin)”, Vushtrri, qeshor, 2009.
Lexues anonim, Dumnicë e Epërme
Po këtu duhet përmendur Dr. Tamara Luarasi, e cila përveç vlerësimit që bën, sugjeron që të vazhdojë edhe për vëllim të ri për mr. e dr. pas vitit 2000. Po me këtë ndjenjë flet edhe i mirënjohuri Prof, dr. Shefki Sejdiu në vitin 2012.
Ata që dëshirojnë të mësojnë për gjendjen e arsimit e të shkencës në fusha të ndryshme, le të shfletojnë faqet 43-65. Në këtë pjesë të veprës flitet me saktësi për universitetet iliro-shqiptare në Ballkan e deri në fund të vitit 2000. Pastaj flitet për hapjen e Universitetit të Tiranës, 16 shtator 1957; hapja e studimeve pasuniversitare, zhvillimi i shkollimit të lartë e superior në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë… Autori Vatoci vazhdon me metodën statistikore dhe krahasimtare, me një sistem mendimesh të kthjellta të na njoftojë me këto zhvillime të kulturës sonë: si u hap Universiteti i Prishtinës, më 15.02.1970; si u hapën studimet pasuniversitare në Prishtinë.
Në faqet e këtij libri, ai na njofton shkencërisht edhe për hapjen e Universitetit të Tetovës, më 4.06.1994, ku sot punojnë 400 pedagogë me 8000 studentë nëpër fakultete të ndryshme. Edhe për dy Akademitë tona në Tiranë e Prishtinë, na informon edhe për datat edhe për akademikët me emra dhe mbiemra, me titujt e tyre në faqet përkatëse 54-58. Në këto faqe gjejmë mendimin shkencor të Sami Frashërit e dijetarëve të tjerë si: Dhimitër Frëngu (1443-1550), Gjon Buzuku, Marin Barleti, Pjetër Budi, Bardhi, Bogdani etj.
Arsimi dhe shkenca në përgjithësi, është një bimë e mrekullueshme e cila nuk mugullon apo nuk lulëzon, po nuk e ujite më djersë, lot e gjak- thuhet në një rast. Ky mendim aforistik na kujton zanafillat e arsimit dhe shkencës sonë. Na i kujton patriotët e pavdekshëm që e mbollën këtë bimë, ditën ta ujisin me lot, djersë e gjak, për t`i pritur edhe frytet, të vetëdijshëm se populli, sidomos rinia, që në vazhdimësi do të synonte idealin e bashkimit e të integrimit të një hapësire të vetme arsimore, nuk mund të shuhet. Pika që vazhdimisht bie në një cak, shkëmbin e shpon- flet urtia e popullit që përvojën e pati mësues shekullor. Këtë e patën të qartë engjëjt e arsimit tonë, pishtarët e parë të shkollave tona, ndër të cilët po përmendim: N. Veqilharxhin, P. N. Luarasin, Hamdi bej Ohrin, Qiriazët e famshëm, e në veçanti Hafëz Ali Korçën etj., që u bënë therorë në altarin e arsimit e të shkencës përballë terrorit të egër të shovenistëve fqinjë…
Pra zëri i Rilindësve që janë në këtë leksikon, ishte sinjifikativ, sidomos ai i rilindësve Sami Frashërit e Pashko Vasës: “S`mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s`mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla, në të cilat të mësohet shqipja” , si dhe vargjet kushtrim: Çonju shqiptarë prej gjumi çonju,/ Të gjithë si vllazën një besë shtrëngonju,/ E mos besoni kishë e xhamia/ Feja e shqyptarit asht shqyptaria…”
Le ta dëgjojmë ç`thuhet për Hafëz Ali Korçën në faqet 645 të veprës së J. Vatocit: “Lindi më 1843 në Korçë. Mësimet fillestare i bëri në vendlindje, kurse të mesmet dhe të lartat në Fakultetin e Filozofisë dhe në atë të Shkencave të Natyrës në Stamboll… Është i njohur si filozof, teolog, gjuhëtar, pedagog, poet dhe si enciklopedist. Është pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, ka qenë anëtar i Komisionit për Pastrimin e Gjuhës Shqipe. Punoi 25 vjet si profesor në Universitetin e Tiranës, ku ligjëroi gjuhën arabe dhe logjikën. Në të gjitha regjimet ka qenë i përndjekur duke filluar nga shteti Osman, i Zogut dhe ai Komunist. Ka të botuara 26 vepra shkencore, letrare, fetare dhe filozofike. Në pleqëri regjimi komunist ia pushkatoi djalin. Mandej ai në varfëri të thellë vdiq më 1956 në Kavajë”.
Kështu autori i nderuar na njofton me rrugëtimin e arsimit dhe të shkencës, me magjistraturat e doktoratat duke dhënë kontribut nëpër kontekste historike të vështira dhe të përballueshme.
Pas këtyre faqeve, vjen një titull i ri, radhitur në kapitullin IV, me këtë tekst: “Evidenca amë dhe sinteza kronologjike e magjistrave dhe doktorëve të shkencave dhe të arteve sipas abc-së. Me të dhëna biografike dhe të arritjes së gradave shkencore prej vitit 1430 deri më 31.12.2000”.
Me këtë rend alfabetik që nga A-ja e deri te Zh-ja, renditen autoritetet shkencore të të gjitha fushave që nga faqja 67 deri në faqen 2009. Le të ndalemi pak vetëm te ata që e kanë mbiemrin me A. Sipas rendit alfabetik aty janë 117 magjistra e doktorë shkencash fushash të ndryshme. Në bazë të këtij rendi i pari radhitet Abazi, Y. Alajdin me një tekst prej 26 rreshtash shoqëruar edhe me foto, siç veprohet edhe me 116 të tjerët nën këtë shkronjë, duke u renditur në çdo faqe nga dy autorë. Nga të 117 autorët, bëmë një pasqyrë që mungon në leksikon e flet kush nga cilat vende janë: Kosovë: 50; Shqipëri: 28; Maqedoni: 18; Lugina e Preshevës: 10; Arbëreshë: 5 dhe Mali i Zi: 7.
Ky numër flet se Shqipëria e Kosova ka krijuar kushte për zhvillim të shkencës e arsimit, më shumë se trevat tjera. Përafërsisht kështu është gjendja e atyre të tjerëve nën shkronjat e alfabetit gjer në shkronjën ZH, ku janë vetëm 6 veta, duke përfunduar më një grua shqiptare nga Struga.
*
Një nga çështjet për çka duhet folur, është edhe gjuha e kësaj vepre. Një nga të mirat e kësaj vepre enciklopedike, është se ajo ka për bazë gjuhën letrare kombëtare, atë të Kongresit të Drejtshkrimit të viti 1972, të vitit 1992 e në vazhdim deri në ditët e sotme, pra gjuha e njësuar standard me qëndrimin e njohur: NJË KOMB NJË GJUHË, ashtu siç kanë vepruar të gjitha kombet e përparuara të botës.
Katër a pesë shkrimtarët a shkencëtarët e njohur të kulturës sonë: Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Barleti e të gjithë ata që ishin të hershëm dhe ata që erdhën pas tyre në ditët tona- Arshi Pipa, M. Camaj, E. Koliqi e shumë mendimtarë të njohur si ata, besoj se po të ishin gjallë do të na thoshin neve të gjithëve dhe këtij autori: vazhdoni e përdorni këtë gjuhë standarde, se vetëm ashtu ruhet gjuha e kombi, vazhdoni e pasuroni me fjalë të harruara të dialekteve nga të gjitha viset ku flitet shqipja, që ta kemi një gjuhë sa më të pasur, që të mos na vdesin fjalët e gjuhës sonë, e kështu do të qetësohet Buzuku ynë që na thoshte: “U Dom Gjoni biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të ndigluom n së Shkruomit Shenjtë, n së dashunit së botës sanë, desha me u fedigunë, për sa mujta meditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ndiglonjinë…”
Kështu dëshiron autori i kësaj vepre dhe kështu dëshirojmë të gjithë që flasim e shkruajmë në një gjuhë standarde që na e fali konteksti historik i vitit 1972, në kohë monizmi, por që u verifikua edhe në kohë më të avancuara në 20 vjetor të kësaj gjuhe, pra më 1992 e tutje deri sot kur me mijëra shkollarë të fillores, të të mesmes dhe në fakultete e ligjërojnë këtë gjuhë letrare.
*
I bashkohemi mendimit të I. Kadaresë kur thotë: “Shqiptarët janë krijuesit dhe bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit, një gjuhë që e ka vendin e saj të paluajtshëm midis 10-12 gjuhëve kryesore të botës…”. Ai dhe autori i librit, për të cilin flasim, në frymën e Kadaresë dhe të dijetarëve të tjerë, përmend edhe himnin e madh “Tedeum”.
* * *
Duke respektuar të gjithë këta shkencëtarë të rinj e të vjetër, gjallë e të vdekur, dua të shpreh falënderime për autorin që i mblodhi këta personalitete që na flasin me gjuhë shkencore edhe si dokumente, edhe si monumente edhe si testamente të përhershme për breznitë.
Pra, përgëzoj autorin dhe të gjithë ju që jeni në këtë vepër kështu: ta kemi të qartë e të definuar pozitën dhe pozicionin tonë definitivisht: ta vazhdojmë udhëtimin tonë drejt yllit dantejan dhe naimjan, drejt dritës së ndezur të Rilindësve tanë, ta marrim atë dritë si stafetë, t`ua përcjellim atyre që vijnë me porosinë e qartë. Jemi të një qëllimi: ky det i egërsuar, i trazuar i Ballkanit, duhet të kalohet, të dilet përtej. Vështirësitë janë që të tejkalohen, të ngjitet ç`është ndarë, të bashkohet ç`është shkëputur, sepse “Në do të bësh plan për një vit- mbill grurë, nëse don të bësh plan për dhjetë vjet- mbill pemë, por në do të bësh plan për njëqind e më shumë vjet- shkollo dhe eduko rininë!”
Dy mijë e sa vjet më parë, Virgjili, ai poeti i madh romak, ka thënë: “Gjithkush e ka kohën e vet për të jetuar. Jeta është për të gjithë e papërsëritshme: të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritja e virtytit”.
Comments