top of page

DOKUMENT TRISHTUES I NATËS SKËTERRIKE


Prof Dr Nuhi Vinca

DOKUMENT TRISHTUES I NATËS SKËTERRIKE


(Rreth librit “RINGJALLJA” të Uran Butkës, botim

i Fonix, Tiranë, 1995, f. 367)


Autorin e “Ringjalljes”, zotin Uran Butka, pata nderin ta njoh në “Ford Hajm Universitet” të New Yorkut më 22 prill 1995 në seminarin (sesionin shkencor) kur lexoi kumtesën për Faik Konicën me rastin e plotësimit të amanetit të tij për t`u tretur në dheun mëmë, lënë para 52 vjetësh. Nuk mund ta harroj mbresën që la kumtesa e tij për Konicën përfshirë edhe në vëllimin “Ringjallja” që e kemi objekt në këtë promovim. Por një detaj tjetër gjithashtu s`më del mendësh.

Kryesuesi i atij sesioni shkencor, z. Gjon Buçaj, nënkryetar i “Vatrës” famëmadhe të shqiptarëve të Amerikës, duke prezantuar autorin që e kemi sot këtu, tha se në radhë për të lexuar kumtesën e tij është z. U. Butka. Si ta prezantoj pra këtë personalitet? Dhe shqiptoj vetëm një fjali: mjafton të themi se është i biri i Safet Butkës…

Ky mendim i kryesuesit bëri përshtypje të paharrueshme në atë çast. Ndërsa atje u prezantua në mënyrë të denjë për të treguar traditën patriotike të familjes Butka, sot para nesh ky njeri (personalitet) na vjen jo vetëm bir i familjes Butka, por si politikan i gjithë Shqipërisë me vëllimin publicistik “Ringjallja”, një titull simbolik për ringjalljen e jetës shqiptare në shtetin shqiptar, pra kthimin apo ngjalljen e dinjitetit njerëzor.

Kapitujt apo titujt e disa punimeve që radhiten në këtë vëllim flasin me gjuhën e fakteve për netët skëterrike të gjata, një gjysmë shekulli, mbi popullin shqiptar. Aq zgjati ajo natë skëterrike derisa diktaturës komuniste iu shkulën rrënjët, sepse siç do të thoshte Ismail Kadare ”një diktaturë e tharë është më e vdekur se një diktaturë e përmbysur” (“Nga një dhjetor në tjetrin” f. 182).

Për të mos përsëritur ato që u thanë, dua të theksoj se gjatë kësaj nate të gjatë skëterrike u ndoq, u persekutua, u plagos, u vra çdo gjë që vinte nga Perëndimi për të cilin vegimi naimian signalizonte “Eja o ditë e bekuar që lind nga perëndon” apo Perëndimi për të cilin Fishta ynë gëzohej më 1908 me fjalët “Shqipja vojt kah Perëndimi”, duke aluduar në alfabetin latin, shkronjat e të cilit i bekoi Hafiz Ali Korça, duke shprehur vetëdijen kombëtare mbi atë fetare, kur në Shkup e vende të tjera bëheshin demonstrata kundër vendimit të Kongresit të Manastirit. Prandaj një pjesë të librit që po promovojmë sot zë punimi për Shkollën Teknike “Harry Fulc” të Tiranës… Ideja e mrekullueshme për të dhëmë kuadër që i duhej Shqipërisë më shumë se buka, në ato vite të vështira, u përdhos, u vra, e u burgos, aq sa nga… shumë intelektualë të mirëfilltë u pushkatuan, 22 prej tyre pa u dëshmua kurrë faji.

Edhe një segment i jetës krijuese letrare. Në këtë vëllim është edhe i riu i talentuar Vilson Blloshmi për poezitë e tij, veshur me gjuhë poetike, burgoset, i ndërpritet hovi krijues dhe përfundon në breshëritë e plumbave (diktatorial). Kështu në faqet e “Ringjalljes” gjejmë faktet e një jete krijuese, ku përdhoset shpirti i lirikës, ai shpirt që s`e duroi imponimin partiak apo që s`deshi kurrë të bëhet lajkatar i stalinave të Ballkanit.

Le ta kemi në bibliotekat tona vëllimin “Ringjallja” të Uran Butkës tani në këtë ditë pranvere kur gjallërohen shumë martirë e të merituar në tokën mëmë. Rivarrosje në bazë dokumentare të këtij libri po bëhen shumë. Një nënë libohovase (ah, sa nëna si ajo) s`i gjen dot eshtrat e birit qe 50 vjet. Po aty është violina në vend të tij dhe të tekstit “Tingujt e saj (violinës) le t`i thithë dheu… ndoshta do të takoheshin me gjakun e birit e mijëra të vrarëve… Një varr simbolik: komunizmi shkatërroi muzikën e kombit, violinën e tij, vrau këngën e tij, masakroi elitën më të zgjedhur”. (“Illyria” dhe “Ringjallja”.) Në faqet e këtij libri ka shumë këso imazhesh dans macabër.

Kështu ky libër na flet neve sot e atyre që vijnë pas nesh me gjuhë faktesh se forcat reaksionare diktatoriale mund ta pengojnë përkohësisht zhvillimin por jo ta ndalojnë përjetësisht siç ëndërronin adhuruesit e territ të errësirës mesjetare. Apo siç do të thoshte në këso situatash Presidenti martir i SHBA-ve: “Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë; por s’mund të gënjesh tërë popullin tërë kohën” (“Ringjallja”, f.14)

Në fund dua të veçoj tri cilësi apo tri vlera të pamohueshme të këtij libri:

Është vepër dokument rrëqethës historik për gjendjen e Shtetit shqiptar për një gjysmë shekulli;

Është një vëllim monument për shumë portrete morale të martirëve të pushkës e të pendës;

Është një testament për brezat e sotëm e ata që vijnë e që vazhdimisht flet – mos e harroni të kaluarën se kush e harron atë është i destinuar ta rijetojë!

I lumtë autorit, z. Uran Butka dhe të tjerëve si ai që me punë vetëmohuese dëshmojnë për të kaluarën tonë të afërt dhe them me dëshpërim e gëzim: lum ju që keni shtetin! Ju keni mundësinë të miratoni ligjet me të cilët dënoni krimin apo lëvdoni humanizmin! Lum ju që keni shtetin tuaj, edhe pse aktualisht pa ne që na ndau viti 1913!

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page