Përshëndetje miq!
Do ndalemi pak tek shkrimi i gazetarit të njohur Hyqmet Zane, botuar tek gazeta "Panorama" me titullll: "Amaneti i trashëguar për Çamërinë dhe riformatimi i Shoqatës". Gusht 30, 2022.
1). Në fillim të shkrimit autori na informon për odat e shtëpive, ose qoshqet që përdoreshin në Çamëri në të cilat bisedohej mes burrave për vendime të rëndësishme dhe për ngjarje vendimtare. Ato shërbenin edhe si vatra edukimi. Një kujtesë me shumë rëndësi, që tregon se si ishte organizuar mënyra për ruajtjen e familjes, fisit, fshatit dhe krahinës ndër shekuj. Kështu ishte forma e organizimit e trashëguar, deri para gjenocidit ortodoks grek.
2). Më tej autori ndalet tek këshillat që jepnin prindërit emigrantë çamë, fëmijëve të tyre edhe në Shqipëri dhe që krijonin përshtypje tek vendasit (ishin fillimet e ardhjes së tyre në Shqipëri, të dëbuar nga vendi i tyre autokton).
3). Vëmëndje të veçantë në ato fillime, tërhiqte këshilla e atyre prindërve: "Asgjë s’duhet të na ndajë, çdo gjë duhet të na bashkojë".
Kjo këshillë kishte tepër vlera në ato fillime, sepse pleqtë tanë, të vuajtur nën rregjimin grek, ishin kalitur për tu përballur me çdo lloj vështirësie që u kishte diktuar ortodoksia greke dhe që si hije kishte zgjatur kthetrat deri tek "Byroja Politike", ish udhëheqja e lartë komuniste. Për të përballuar qendrimin nënvlerësues, përbuzës dhe dyshues të kësaj të fundit, pleqësia çame këshilloi urtësinë: "kujdes provokimeve, heshtje, punë, vigjilencë dhe mos u rrëmbeni".
4). Z. Hiqmet kujton edhe veprimtarinë e SHPAÇ. Ndalet tek veprimtaria e saj në 31 e ca vjet, me ngjitjet dhe zbritjet subjektive, që sipas tij e kanë bërë të domosdoshme riformatimin e një bashkimi ndryshe nga organizimi jo i suksesshëm i bërë nga viti 2008 e në vazhdim për "Çështjen Çame dhe gjenocidin greko-ortodoks" ndaj çamëve të pafajshëm.
5). Shkaqet e rënies së veprimtarisë së SHPAÇ, ndër të tjera, mesa kuptova, ai i gjen tek të shprehurit e drejtuesave në vetën e parë, individualisht, po ashtu dhe qefmbetjet personale, që, siç thotë dhe vetë Z. Hyqmet: "Nuk mund të na sjellin në vëmendje asgjë më shumë se sa shprehjen e inateve që nuk na kryejnë asnjë shërbim". Analiza e z. Hyqmet nxjerr në pah dhe godet bukur fort në plagën që krijuan disa drejtues të SHPAÇ. Të pranosh pleqësinë në çdo grup njerëzish, duhet detyrimisht të largosh pikësëpari vesin e "Unit". "Unë i di të gjitha". "U desh që ne t'u mësojmë historinë". Nuk ka asnjë kuptim të personalizohen veprimet. Ashtu si mendimet e ndryshme dhe propozimet duhet të merren, të përpunohen me durim, kurajo dhe me urtësi, kur jepen nga bashkëpunëtorët, madje të bëhen përpjekje për të thithur mendimet e intelektualëve dhe të moshuarve. Nuk ndihmon përjashtimi. Është e vërtetuar se emira qëndron tek largimi nga vetëkënaqësia e mendjes, nga rritja e besimit, respekti ndaj mendimit të të tjerëve.
Janë këto disa nga defektet në veprimet dhe komunikimet që kanë ndodhur në Shoqërinë Politike Atdhetare të Çamërisë, e cila mbi një dekadë ka pësuar pengesa serioze ecurie, që sipas autorit dhe jo vetëm, janë shkaktuar "nga anonimët dhe interesaxhinjtë përballë një kauze që është amanet dhe toka thërret nga përtej me shpirtrat e atyre që ikën dhe mbetën pa varre". Në përgjithësi, aftësia e zotësia e drejtuesave, edhe në rastin e SHPAÇ, është të dinë të komunikojnë dhe të mbledhin produktet e mendjeve të ditura dhe më të ditura. Janë këto anashkalime të bëra, të cilat penguan dhe pengojnë seriozisht vazhdimin pozitiv të programit fillestar të SHPAÇ.
Me vënd z. Hyqmet përdor dhe shprehjen popullore të banorëve të rajonit të Çamërisë: "Ç’u bëmë kështu çep e këmbë?” (ka kuptimin e shpërndarjes, jo të bashkuar, një andej e tjetri këndej), ose shprehje tjetër popullore: "Njëri gozhdës, tjetri patkoit".
Këto këshilla dhe shprehje karakteristike, në një kuptim të thelluar dhe real dhe në përgjigje të problemeve sipas kohës, japin të kuptojmë kompaktësinë, ruajtjen me xhelozi pozitive të brendshme të komunitetit. Ishin të shumta sulmet të drejtëpërdrejtja dhe të nëndheshme që ndërthureshin nga Byroja Politike, ku në anëtarësinë e saj kishte afro 40 përqind antiçam. Ferk bënë (u dalluan, u ndriçuan) këto sulme, kur shkoi sekretar i parë i partisë në Durrës, një nga anëtarët e BP, i cili i largoi brenda 24 orëve të gjithë banorët çamë që ishin ngulur nga fillimi në hapësirat e plazhit. Ata u dëbuan masivisht në disa kooperativa bujqësore, larg periferisë së qytetit të Durrësit.
6). Autori me mënçuri, bën apel për besueshmëri në veten tonë, bashkëpunim mes nesh. Apeli i drejtohet të gjithëve, si bashkëkombas, për të vlerësuar momentin historik, të cilin koha na detyron të kthejmë kokën mbrapa, për të vlerësuar mënçurinë e burrave që kanë lënë emër, me veprimtarinë e tyre mendore, diplomatike, pasurore deri edhe jetën. Gëzohemi kur vijnë zgjedhjet elektorale, se shpresojmë se kandidati ynë do veprojë dhe mendojë sikur mendojmë ne, 12, 15, apo 20.000 zgjedhës që e zgjedhim. Për fat të keq, jo 100 përqind ka ndodhur kështu, se ata që zgjedhim, harrojnë zgjedhësit, harrojnë kauzën tonë. Etnia shqiptare është e njohur për intelektin natyror, po ashtu dhe për trimërinë, nuk e kemi për mburrje, por na është kultivuar nga vështirësitë shumëvjeçare të diktuara nga të huajt, krahas asaj natyrale. Ne, në raste të prekjes së sovranitetit, kemi ditur dhe dimë të bashkohemi. Këtë mirë është të mos ta harrojë askush. Është një karakter historik, por dhe i provuar në vitin e prapë 1997, ku vetë populli i doli zot vendit. Ndali vëllavrasjet të nxitura nga politika anti shqiptare.
7). Në ecurinë e jetës tonë nuk na është ndarë urtësia krahinore dhe kombëtare: “Asgjë s’duhet të na ndajë, çdo gjë duhet të na bashkojë”. Kjo urtësi nuk harrohet!
8). Po e mbyll me fjalët e autorit, i cili këshillon: "Të drejtën për të menduar dhe vepruar për çështjen çame e kemi të gjithë, por ajo merr vlerë më shumë kur këtë e bëjmë të bashkuar, pa paragjykime apo përçmime".
9). Unë vazhdoj ta quaj Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria (SHPAÇ), nuk jam informuar nëse ajo është kthyer në "Shoqata Çamëria". Sidoqoftë, kushdo qofshin që e drejtojnë duhet të largohen nga egot, nga drejtimi individual, të tërheqin mendimin e të diturve, të atyre që ende rrojnë e tregojnë për sa kanë hequr dhe parë, që sëbashku të rivendosen vlerat e vyera të asaj pjese të kombit, të dimë të realizojmë të drejtat e mohuara, të mos na pengojë askush, as vetvetja për të përmbushur kauzën tonë.
Në përfundim, krahas falënderimit për shkrimin plot vlera të mikut tim, gazetarit të njohur z. Hyqmet, nuk nund të mos e mbështesja në trajtimin e kësaj teme të rëndësishme kombëtare dhe pastërtisht etnike.
Ju faleminderit.
Studjues i trevës së Çamërisë Fahri Dahri
31/Gusht/2022.-
Comentarios