DJALOSHI QË KISH TURP TË ZHVISHEJ


Vullnet Mato

Tregim

Ishte viti 1982, sezoni i kontrollit mjekësor të rekrutëve për në ushtri.

Të qeshurat e mbytura, që nisën të vinin nga korridori i ngushtë, tregonin se rekrutët kishin filluar të zhvisheshin. Të tre pjesëtarët e komisionit dhe mjeku patolog, që bënte kontrollin, e prenë njëherësh bisedën e pushimit të shkurtër. Ata zunë sërish vendet në tryezën e gjatë të mbuluar me çarçaf të bardhë dhe u përkulën mbi letrurinat që kishin përpara. Shefi i degës ushtarake, një oficer fytyrëgjerë, që çapitej me vështirësi për shkak të këmbëve dystaban, thirri me emër nënoficerin e shërbimit.

Dera u hap me vrullimë. Bashkë me vërshimin e ajrit të vakët, të përzier me erën e djersës, që lëshonin trupat e sapozhveshur të rekrutëve, hyri ai, që e thërrisnin kapter Xhepi.

-Urdhëro, shef Stefani!

-I ke gati të fillojmë? -pyeti shefi me një ton pakëz të shtrirë e të njëtrajtshëm.

Nënoficeri shtrëngoi nofullat një grimë dhe mustaqet e holla të zeza pis iu mblodhën hark rreth buzëz së poshtme. Duke e bërë të qartë shprehjen nervoze në fytyrën e tij të rruar paq.

-Një rekrut nuk pranon të zhvishet!... - tha kapter Xhepi me duf zemërimi.

-Si ka mundësi? -pyeti shefi, pamja babaxhane e të cilit ndryshoi menjëherë nga habia.

-Kundërshton për qamet, o shef Stefani!

-Mbase nuk e ka kuptuar akoma që këtu s'është të mamaja. - qeshi shefi, duke kthyer vështrimin me nënqeshje nga anëtarët e komisionit.

-Mund të jetë me ndonjë ekzagjerim patologjik në organin mashkullor. - bëri shaka mjeku, bluza e bardhë e të cilit nuk arrinte t'ia mbulonte pjesën e barkut të shëndetshëm.

Shefi u ngrit si me përtim dhe, duke hedhur me ngathtësi hapat e rëndë të këmbëve të dysta, doli mes rekrutëve lakuriq. Ata vunë menjëherë duart përpara dhe i prenë të qeshurat, që u shpërthenin herë pas here, kur shihnin përmasat e ekstremiteteve mashkullore të zbuluara të njëri-tjetrit. Gjysmerrësira, që kishte krijuar zënia e dritares me batanije, e pengoi shefin të orientohet dhe u ndal një grimë. Kapter Xhepi i priu deri pranë dritares, ku një djalosh, i veshur me kominoshe doku, kishte zënë fytyrën me duar, i tmerruar nga ajo lakuriqësi e përgjithshme me gjeste mburrjesh mashkullore, ku secili tundte penisin e forcuar para të tjerëve. Shef Stefani u përkul pakëz, e kapi lehtësisht nga kyçi i dorës dhe u orvat ta kthejë për t'i parë fytyrën.

-Pa dale, mor djalë, çfarë ke ti kështu?...

Djaloshi kundërshtues e tërhoqi dorën me forcë, pa ia hedhur sytë fare dhe u mblodh gërmuq nën cepin e varur të batanies së leshtë. Sakaq  shtrëngoi më fort të dy duart mbi fytyrë.

Shef Stefanit nuk i pëlqeu aspak mënyra, se si kundërshtonte edhe për të kthyer përgjigje. Mbase duhej marrë me të mirë. Shefi u ul mbi gjunjë dhe u afrua te shpina e kërrusur e rekrutit.

-Ma thuaj mua që jam komandant, si e ke punën, pa hë?... -i foli me zë të ulët.

Përsëri asnjë përgjigje. Shef Stefani mblodhi supet dhe tundi kryet i befasuar prej tij.

-Ohu, - ia bëri Xhepi me padurim. -s'lashë gjë pa i thënë unë, po ku ha pyka ky...

-Shprehu lirisht me mua, unë do të të ndihmoj ! - ngulmoi shefi me durim.

Rekruti vazhdonte të qëndronte kundërshtues, shpërfillës dhe gjithnjë i gërmuqur.

-Si quhet? -pyeti shef Stefani duke u kthyer përgjysmë nga nënoficeri, i cili shkumëzonte nga inati dhe ishte gati ta shkundte për krahësh para eprorit këtë rekrut kokëngjeshur.

-Gëzim Alhysa. -tha prerazi kapter Xhepi. -Është nga Funarësi dhe e ka kokën si Shkëmbi i madh i Çermenikës.

Shefi tundi kryet në shenjë pohimi.

-Pse nuk bën si gjithë djemtë e tjerë? -vijoi t'i flasë me një zë gati prindëror. -Këtu s'ka ndonjë gjë për t'u turpëruar, të gjithë shokët janë zhveshur... është rregull, do të të vizitoj mjeku.

Rekruti prap nuk u bë i gjallë. Kapter Xhepi e humbi durimin dhe u bërtiti me nervozizëm rekrutëve të tjerë që ishin grumbulluar përqark, me të dy duart mbi organin mashkullor.

-Si t'ia bëjmë? -pyeti kapteri në hall dhe me shenja tregoi, se kërkonte lejen e shefit për ta zhveshur forcërisht.

-Vazhdo! -tha shefi, duke parë se e vonuan shumë komisionin.

Xhepi i kapi djaloshin me kominoshe për krahësh dhe e ngriti në këmbë me forcë.

Ai klithi egërsisht, u kap pas batanies aq fort, sa e shkuli nga thumbat që e mbanin dhe përplasi këmbët përtokë, duke u bërë më ngulmues në kundërshtimin e tij kategorik. Rekrutët e tjerë klithën nga drita e fortë që u ra përnjëherësh.

-Lere! -urdhëroi shef Stefani dhe drejtoi trupin. - Mirë, mos u zhvish, po çou të bisedojmë në zyrë! Po ke ndonjë hall, mundet mos të të marrim ushtar!...

Toni i tij tingëlloi tepër i butë e mirëdashës në veshët e djaloshit. Ai u kthye me ca sy të hapur tej masës, si sytë e ndonjë egërsire të kapur në lak. Mandej lëvizi ngadalë, rrëzoi kokën mbi gjoks dhe bëri përpara, duke shkarë rrëzë murit. Te pragu i derës së zyrës u ndal si i gozhduar. Shef Stefani i rrahu supet nga prapa për ta nxitur të hyjë brënda. Rekruti bëri edhe dy hapa të tjerë me kokën ulur, por sytë kureshtarë të anëtarëve të komisionit, që ranë mbi të njëherësh, e bënë të shtanget në vend.

Mjeku patolog, me gjithë shtatin e rëndë, kërceu vrikthi nga karrigia anësore dhe i shkoi fare pranë. Ai zgjati dorën te mjekra e djaloshit fshatar dhe ia çoi kokën lehtë. Sytë e tij zhbirues hetuan me kujdesin e ekspertit profesionist fytyrën e njomë, lëkurën me pore të pastra, formën e butë e të lakuar të faqeve me mollëza të përskuqura nga turpi, sytë e druajtur me qerpikë të gjatë e të zinj, ku shëndrisnin ende pikëzat e lotëve të patharë dhe në fund, gjoksin e sheshtë por të valëzuar. Mandej me një nënqeshje të lehtë u kthye nga shefi, që kishte qëndruar përballë dhe i shkeli syrin.