top of page

"Djajtë e qytetit të tij të shenjtë" të Vasil Klironomit

  • Dec 20, 2023
  • 3 min read

Updated: Dec 24, 2023



Në librin "Djajtë e qytetit të shenjtë", ashtu siç tha Grigor Jovani, në prozën e Vasil Klironomit, "Jeta gjallon në tëre larmishmërinë e saj dhe njerëzit që takon ai janë pasuria më e madhe e letërsisë së tij".

Por unë kam zgjedhur të ndalem te disa tregime ku flitet për personazhe që njihen në udhëtim e sipër nëpër rrugët (shpesh pa rrugë) të Shqipërisë së viteve '80 - '90 nga një makinë transporti e asaj kohe...

Në këto tregime (si "Mrekullia", "Udhëtari i panjohur", "Kur rregulli ishte përmbysur", "Bamirësi i paligjshëm") makina e Klironomit shndërrohet në një kamera lëvizëse që nuk i shpëton asnjë nga detajet e peizazheve dhe personazheve që shikon nëpër udhët që kalon. Kabina e makinës së tij kthehet në një skaner të pasagjerëve të tij..., madje edhe ata që hipin pas në karroceri (si 'plaku' i martuar me vajzën e re, te tregimi "Mrekullia", apo 'refugjatët' që donin të kalonin kufirin drejt Greqisë te tregimi "Kur rregulli ishte përmbysur" etj.)...

Por po ndalem pak te tregimi "Bamirësi i paligjshëm", të cilin Klironomi ia dedikon mikut të tij të paharruar (Fatmir (Mishka) Bariami)...

Këtu, tregohet për një shofer në prag të viteve '90 të kohës së socializmit në Jug të Shqipërisë...

Duke bërë punën e shoferit, autori i tregimit, ndërkohë ballafaqohet me realitetin e trishtuar të kohës së socializmit nëpër rrugët e Shqipërisë. Ndërsa automjeti i tij vazhdon rrugëtimin, ai kupton dhe ndjen kapitullimin përpara vështirësive ekonomike dhe sociale që i kanë prekur të gjithë në ato vite, qytetarë e fshatarë...

Duke folur në vetë të parë nga pozita e shoferit, përveç përshkrimit të detajuar të peizazhit, gjithë pasagjerëve të rastësishëm që ai takon gjatë udhëtimit, apo dhe personazheve që e lidh puna, në tregim u bëhet një skaner i mentalitetit të tyre... "Bamirësi i paligjshëm" s'është gjë tjetër veçse leximi i skanerit të një sistemi të dështuar social-ekonomik për shkak të politikës së kohës, sjelljeve korruptive të njerëzve, po për këto arsye...

Duke filluar qysh me sjelljet e veprimet e dispeçerit që i caktonte udhëtimet, pasagjerëve të rastësishëm, bukëpjekësi i një fshati, magazinieri i kooperativës dhe deri te polici rrugor (një gjobëvënës etj.)..., të gjitha këto veprime përkthehen siç janë në të vërtetë në: 'vjedhje për mbijetesë'...



Po pse i quan si "Bamirësi të paligjshme" autori këto veprime?!

Ja u them unë: Se është kokë e këmbë bashkëpunëtor në këto "bamirësi të paligjshme" dhe se edhe atij, si çdo njeriu, i pëlqen të jetojë më mirë, I pëlqejnë bukët e ngrohta, djathi kaçkavall… Prandaj i pëlqejnë edhe paratë, edhe përfitimet në natyrë…

Tregimi "Bamirësi i paligjshëm" shpalos ngjarje reale, shumë të besueshme dhe konflikte njerëzore gati të përjetshme (siç është ballafaqimi me paranë në botën që propogandohej se ishte e zhveshur prej ndikimit të saj), duke bërë thirrje për reflektim mbi vlerat shoqërore dhe përgjegjësinë individuale në një kontekst të vështirë të historisë së Shqipërisë...

Duke reflektuar mbi abuzimet dhe vjedhjet që përshkojnë shoqërinë, vetë tregimtari, shikon, dëgjon dhe ambientohet me histori të paligjshme të pasagjerëve të tij, të cilët, se kanë për gjë që, për t'i shpëtuar varfërisë, sapo u jepet mundësia, komprometohen... Kjo bën që autori të ndjehet gjithnjë e më shumë pjesë e një sistemi ku varfëria shtyn për nga padrejtësia dhe e përshkon në çdo qelizë shoqërinë e atyre viteve...

Përballë këtyre sfidave, ai ndjen një detyrim moral për të rrëfyer historinë e kohës së tij ashtu si e ka parë ai dhe për të shpallur të vërtetën ashtu si e e ka fiksuar...

Për të përforcuar mesazhin e tregimit, shkrimtari Vasil Klironomi përdor detaje simbolike, gati metaforikë, apo oksimoronin, siç është vetë titulli i tregimit "Bamirësi i paligjshëm" një oksimoron i pastër..., si dhe i krejt vëllimit "Djajtë e qytetit të shenjtë", duke e bërë kështu lexuesin të ndjehet pjesë e rrugëtimeve të tij të vështira dhe njësoj si të gjithë një "bamirës i paligjshëm"...

Në fund të rrëfimit të tij, ashtu si "Bamirësi i paligjshëm", edhe lexuesi bëhet palë e përballet me një dilemë gjithherë aktuale, që mund të parashtrojnë vetëm shkrimtarët që bëjnë letërsi të vërtetë:

Për të mbijetuar në një sistem që më shumë se asnjëherë, sot udhëhiqet nga paraja... Dhe që si rrjedhim mbetet një sistem gjithsesi i pa imunizuar nga korrupsioni..., duhet të zgjedhë të pranojë, bashkëpunojë në heshtje me paligjshmërinë...? Apo, duke dëshmuar atë që ka përjetuar në vendlindjen e tij, të tregojë të vërtetën e tij? Këtë të fundit ka zgjedhur të bëjë Vasil Klironomi dhe këtë, besoj se e bën, jo për të dënuar kohën e shkuar apo për të predikuar drejtësi në të ardhmen, por thjesht se ka "vesin" e shkrimtarit, të shkruajë...

Në gjithë tregimet te "Djajtë e qytetit të tij të shenjtë”, Sarandës, shkrimtarin ka bërë miku im i talentuar Vasil Klironomi, të cilin nuk e kam kursyer, por e kam plagjiatuar kur ma ka dashur nevoja për pamfletet e mia kundër ca keqbërësve "të ligjshëm" që koha që jetojmë na i ka falur me bollëk...


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page