Mblodhëm dhjetëra metro kub ajër dhe ngritëm me to sallat ku do të takohen poetët në Ditën Botërore të Poezisë, me dhjetëra metro kub resh të bardha veshëm kolltukët ku do të ulen, dhjetëra metro kub dallgësh i vendosëm ndanë rrugëve nga do të kalojnë, ndezëm dhjetëra metro kub hapësira drite buzë netëve, shpalosëm dhjetëra metro kub ëndrrash dhe erërash, si postera të mëdhenj të këtij manifestimi.
Ajrin e ndotur, idetë e ndotura, ujërat e ndotura nuk mund t’i paketojmë e të na shoqërojnë në shtegtimet tona poetike, në manifestimet vjetore të poezisë mesdhetare apo, latino- amerikane mbushur plotë e për plotë me metaforat magjike, me arin dhe vizionin e shpirtrave të dëlirë të poetëve.
Me ne do të jetë edhe Homeri i verbër me aedët e lashtë të shoqëruar nga mitet, nga perënditë pagane dhe heronjtë e tyre që do të mbushin lozhat.Nuk do të ketë hesape të vjetra, zënka, apo qytete që mund të grinden se kujt i takon babai i vjershërimit.
Do të jetë samiti i poetëve dhe jo samiti i radhës i G7-ës me mijëra policë sigurie rreth e rrotull.
Comments