DITËT E SOTME NË POEZINË E NJË TË RIU


Ismail Kadare

REÇENCË E VITIT 1969 E LIBRIT «SOT»

NGA ISMAIL KADARE

Kur disa vite më parë një djalë i ri nga Lushnja, Faslli Haliti sillte në redaksi vjershat e para për t’i botuar, ishte e vështirë që të besoje se shpejt do të vinte koha që ai do të botonte librin e tij të parë. Kjo ndodhte sepse vjershat e tij ishin shkruar me mungesa të mëdha teknike, me gjuhë të çrregullt; idetë disa herë nuk ishin të qarta; vjershat disa herë nuk kishin kuptim. E megjithatë, midis strofave të shumta të këtij fillestari shkëlqente tek tuk ndonjë copë e bukur origjinale poetike, e cila për fat të keq humbte përsëri në grumbullin e madh të vargjeve të tij. Sikur Faslli Haliti të ishte dashuruar ahere pas vargjeve të tij, sikur ai të ngulte këmbë dhe të mbronte dobësitë e tij, ishte e sigurtë se nuk do të kishim librin e tij «Sot» që është një nga librat më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit nga Shtëpia botonjëse Naim Frashëri. Por ai vinte nga Lushnja, i thjeshtë dhe serioz, si njeri i vërtetë i punës, dëgjonte me vëmendje vërejtjet, mundohej t’i kuptonte ato, nuk «përgjërohej» për ato që kishte shkruar, por i vihej punës të shkruante më mirë, duke flakur dobësitë e shumta. Pas një kohe të shkurtër iu botuan vjershat e para. Koha e botimit të parë është disa herë periudhë