
SHPENDI TOPOLLAJ
DASHAMIR JANINA – AUTOR I NJË LIBRI DINJITOZ PËR DETIN DHE
NJERËZIT E TIJ
“Jeta ime mes njerëzve të detit” quhet libri me kujtime për Flotën, Portin dhe Kantierin Detar, i autorit Dashamir Janina, për të cilin qysh në fillim, ai vetë shfaq shqetësimin e natyrshëm që e ka munduar në ja vlente apo jo nisma e hedhjes në letër në një formë të tillë të historikut të Detarisë shqiptare. Edhe unë pasi e lexova atë, qysh në fillim të këtij shkrimi po i them: Të lumtë Dashi! Ke bërë një punë të mrekullueshme dhe i ke lënë brezave një vepër dinjitoze, për përpjekjet e pafundme, vështirësitë, sakrificat, krenarinë, dhe atdhetarinë e atyre burrave që ushtruan profesionin aspak të lehtë të marinarit. I ke përshkruar ata ashtu sikurse janë në të vërtetë; të thjeshtë, të urtë, të ndershëm, të papërtuar, sedërqarë, me dëshirë për të mësuar, familjarë të përkushtuar dhe përherë me mendje dhe zemër te Shqipëria e tyre, kudo që janë ndodhur. Ata që nuk e njohin, duhet ta dinë se ky autor është 86 vjeç, por jeta e gjatë në det, nuk e ka lodhur aspak, kujtimet për dekadat e kaluara mes dallgëve të tij, përkundrazi e kanë mbajtur përherë të ri, dhe nuk ja kanë shterur aspak energjitë. Edhe pasi doli në pension, atij nuk ju nda shpirti nga lundrimet, nga anijet, nga peripecitë e detit dhe heroizmi i heshtur i shokëve të tij në çdo detyrë që u ishte ngarkuar, ndaj dhe u bë nismëtar i krijimit të shoqatës “Adrijon” (shihni sa emër domethënës ky), dhe krijues i muzeut të Detarisë dhe i disa ekspozitave mbresëlënëse si në Durrës dhe Tiranë. Ishim një vend që vërtetë trashëgonim një traditë jo të vogël detarie, por që çlirimi na gjeti vetëm me disa lundra e anije disa tonëshe prej druri dhe ekuipazhe të pashkolluara. Dhe ky autor, pra ky dëshmitar e pjesëmarrës aktiv i atyre zhvillimeve, deri te pajisja e flotës tonë me anije moderne mijra tonëshe që i binin oqeaneve kryq e tërthor, duke alternuar përjetimet e tij me ato të shokëve, na jep në retrospektivë kreshendon e gjithë Flotës shqiptare dhe Kantierit apo Portit, të cilat ndër vite fituan një prestigj të madh, sikurse dhe patën një ndikim po aq të madh në ekonominë tonë. Kuptohet që gjatë gjithë shkruarjes së këtij libri, Dashamirin e ka munduar edhe dyshimi se mos e keqkuptojnë, duke e quajtur nostalgjik. Por jo, nuk është fare kështu. Ai, jep vetëm të vërtetën që pak a shumë e dinë edhe ata që nuk u ka rënë kurrë rasti të hipin në ndonjë vapor. Te “Arti poetik” Horaci thosh se “E meta e zakonshme e pleqve: Lavdërimi i kohës së kaluar”. Por kjo nuk ngjet aspak kështu me Dash Janinën. Ai është i qartë në analizat që u bën ngjarjeve dhe qëndrimeve si në tokë ashtu dhe në det. Patjetër që gjithçka merrte frymë nga politika që shteti monist ndiqte me skrupulozitet. Për të, kudo që shkonin, kudo ku ankoroheshin anijet tona, duhej vigjilencë revolucionare se kishim të bënim vetëm me armiq që i donin të keqen Shqipërisë e cila duhej të paraqitej si fanari ndriçues për mbarë botën.

Pa çka se marinarët tanë, merrnin vetëm një gjysmë dollari në ditë dhe ai që kishte guxuar të merrte fshehurazi njëzet dollarë nga i vëllai, do ta pësonte keq e mos më keq edhe pse ishte vetëdenoncuar te sekretari i partisë. Vetë Dash Janina, duke ravijëzuar rrugën nga kaloi fëmijëria e tij, peripecitë që ndeshi në të gjersa i hyri detarisë, mirënjohjen ndaj kujtdo që e ndihmoi, si fjala vjen Vasil Bixhili etj. arsimimin, deri te rritja si kuadër, kalimin nga njëra anije te tjetra, marrëdhëniet që ndërtoi me ata që gjeti atje, solidaritetin mes tyre, ndihmën e sinqertë që u dhanë të huajt, kalimin tek anijet nga më modernet dhe me kushte akomodimi të admirueshme nga kushdo dhe ku valvitej i papërkulur flamuri ynë, madje edhe shërbimin e fundit që ato tragjikisht i bënë popullit duke i shpënë si refugjatë në atë ikjen biblike, janë tek e fundit vetë historia e secilit marinar, çka përbën vetë historinë e Flotës tonë detare. Dashi nga ana e tij paraqitet edhe si një mjeshtër i portretizimit të marinarëve, oficerëve dhe kapitenëve që lanë gjurmë të pashlyera me aftësitë dhe veprën e tyre, derisa u larguan pa zhurmë e bujë. Ai gjithashtu i ka vizatuar këto portrete me këndvështrimin e një psikologu, shpesh dhe me një ironi të këndshme, në reagimin dhe qëndrimin ngaj halleve që i ndjekin, ndaj të papriturave, si të tekave të detit nga moti i keq, ashtu edhe nga ndonjë ligësi e autoriteteve zyrtare dhe kjo jo vetëm kur ata ishin të bindur se gjithçka bënin ishte në interes të detyrës e vendit, por edhe kur për një serë arsyesh, dikush vendoste të mos kthehesh më në atdhe. Madje, ai shkon edhe më larg, rrëfen pasojat e të afërmëve të këtyre të fundit, por edhe emocionet e takimeve me ta apo fatin që i ndoqi atje ku qëndruan. Dash Janina, shkruan me mjaft kulturë, ai e ndërton frazën dhe mendimin si njeri i mençur dhe me një bagazh të dukshëm në leximet artistike. Këtu duhet përshëndetur edhe puna e përgjegjshme e Silvana Lekës, në rolin e përgatitëses për botim të këtij libri. Njohja e të shkuarës ka bërë që Dashi t`i kushtojë një vend të posaçëm rolit dhe përvojës lundruese të ulqinakëve dhe atyre të Bregut. Në Durrës ai evidenton familje të tëra të ardhura nga Ulqini, pjestarë të të cilave e kaluan jetën e tyre në det. Ndjen mirënjohje të pamatë për kuadro drejtuese si Feruz Mataj, Zihni Muço, Ahmet Jegeni, Agron Fishta, Marko Karoli, Petrit Myftiu, Mehmet Kotorri, Haxhi Shehu, Franc Ivanaj, Barba Gaqo, Teodor Muka, Xhevdet Gashi, Haxhi Kaçani, Gani Ismailati, Arshi Latifi, Mehdi Leli etj. etj. deri tek Eduard Ndreu që meriton vlerësimet më të larta për ndërtimin e mjediseve portuale bashkëkohore që e nderojnë Shqipërinë në sytë e kujtdo. Ashtu sikurse vetë autori ndien keqardhje kur kujton prishjen e Kantierit tonë Detar me punonjës mjaft të kualifikuar dhe konstruktorë të shquar anijesh. Gjatë gjithë shtrirjes së kujtimeve të tij, autori shpesh shmang kronologjinë dhe fut bukur ndodhi mjaft interesante që ashtu si pa dashur marrin trajtat e tregimeve të mirëfillta. Të tilla janë ato për muzikën, vajzat e huaja, letër Milvës, takimi me Pali Carapulin, udhëtimin me anijet e tyre të personaliteteve, prania e futbollistëve të famshëm, ngjarja me Gani Qoshen, ish robi i luftës Narcizio Volpi dhe takimi i tij me Vasilin pas aq e aq vitesh pa u parë, varri i marinarit tonë në Murmansk, Lol Kiptiu etj. Por akoma më tërheqës e bën këtë libër ilustrimi me foto të vjetra e të reja, ku ka kontributin e tij fotografi i palodhur Gëzim Domi. Por ajo që bije në sy është sinqeriteti i autorit gjatë rrëfimit për efektet e propagandës boshe te ne, për varfërinë ekstreme, deri dhe në “parajsën” sovjetike dhe për frikën nga e vërteta e jetës kapitaliste. Marinarët edhe në shtëpinë e tyre nuk guxonin të flisnin për faktin se edhe dokerët në Itali shkonin në punë me Vespa a vetura. Për të mos u zgjatur më tej me këtë libër që më dha aq shumë kënaqësi dhe njohje njëkohësisht, po e mbyll këtë shkrim me fjalët e një specialisti të njohur të marinës, zotit Osman Metalla i cili shkruan: “Libri është një rizgjim i zonave të fjetura të kujtesës. Veç këtyre, aty rivlerësohet edhe fakti se asgjë nuk ka lindur sot, se pas çdo anijeje ka një histori dhe se pas çdo lundrimi dhe linje detare ka shumë e shumë ngjarje si dhe shumë e shumë sakrifica të paraardhësve, që nuk duhen shpërfillur, por duhen nderuar gjithmonë”. Dhe i pari që duhet nderuar për këtë rizgjim është vetë autori dhe njeriu i mirë Dashamir Janina.