
Prof.Asoc.Dr. Besim Muhadri
Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”
Sot bëhen nëntë vite nga shuarja, apo ikja në amshim e Din Mehmetit. Nëntë vite nga ikja e tij fizike, por asesi nga prezanca e tij në mbamendejen tonë, sepse ai prapa vete la atë më sublimen, atë më të pavdekshmen, poezinë.
I indur më më 7 maj të vitit 1929, në Gjocaj, Din Mehmeti zë një vend të veçantë dhe meritor në letërsinë bashkëkohore shqipe, i cili rrugëtimin e tij poetik i Din Mehmetit do ta zhvillojë në kohë dhe rrethana të vështira dramatike dhe historike, prandaj poezia e tij, e lindur në këso rrethanash, natyrshëm u bë ushqyese shpirtërore e brezave të tërë, të cilët u bënë bartës të proceseve të rëndësishme politike e shoqërore dhe të luftës për liri të Kosovës. Në këtë kontekst, shohim se poezia e Din Mehmetit, ashtu sikurse edhe vetë autori i saj, është e mishëruar me fatin dhe historinë e njeriut të këtij trualli dhe të tokës së atdheut. Duke e ndërlidhur rolin e poetit si individ, në vorbullën e madhe të rrjedhave shoqërore, studiuesit e kanë cilësuar atë si “një këngëtar i dramave intime të njeriut si individ”, por edhe si “bard i dramës së madhe kolektive të popullit të vet”.
Dalja në dritë, apo botimi i librave poetikë të Din Mehmetit, në çdo kohë, ka qenë një ngjarje e rëndësishme letrare në Kosovë, sepse autori i atyre veprave ishte poet, i cili kishte motiv të fortë të shkruante një poezi të tipit atdhetar të brumosur nga thellësia e mendimeve dhe kuptimësia e filozofisë së metaforave poetike. Gjatë dhe pas vështrimit dhe analizës së poezisë së Din Mehmetit në tërësinë e saj, lexuesi dhe studiesi i saj mund të konkludojë lirisht se ajo është edhe një poezi përmasash të larta ideo-estetike, që autorin e saj e radhisin në mesin e poetëve të shquar të kombit.
Poezia e Din Mehmetit, duke qenë poezi e konotacioneve dhe e një koloriti të larmishëm temash e motivesh, e radhitë autorin në mesin e poetëve të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe. Filozofia poetike e Din Mehmetit është një filozofi e mbështetur thellësisht në traditën popullore, të cilën e pati gjithmonë udhërrëfyese të fuqishme. Gjatë gjashtëdhjetë viteve të krijimtarisë së tij letrare, ai i mbeti besnik vokacionit të tij krijues, poezisë, duke u bërë sinonim i poetit të këngës së qëndresës dhe të lirisë; I poetit të këngës së biografisë së kullave; I poetit të klithmave dhe krismave të vazhdueshme. I poetit të metaforave të fuqishme, të cilat e shquajnë atë dukshëm nga poetët e brezit të tij.
Krijimtaria tij letrare u zhvillua në katër faza:
Faza e parë e tij krijuese është fazë e krijimit të identitetit krijues. Kjo fazë mund të konsiderohet edhe si fazë e njohjes dhe e kontaktit me lexuesin, për të ardhur deri të botimi i përmbledhjes së parë poetike,Në krahët e shkrepave (1961).
Faza e dytë krijuese e Din Mehmetit është faza e shenjave të ngritjes por edhe e ndikimeve, e cila karakterizohet si për nga numri i botimit të veprave, por edhe për nga ngritja e cilësisë. Din Mehmeti tashmë do të bëhet emër i shquar i letrave shqipe. Në këtë periudhë, poezia e Din Mehmetit arrin që të botohet edhe në Shqipëri, por edhe në gjuhë të tjera. Ai, po ashtu do të vlerësohet me shumë çmime kombëtare që ndaheshin në atë kohë. Gjatë kësaj periudhe njëzetvjeçare boton vëllimet poetike: Rini diellore, Dridhjet e dritës, Heshtja e kallur, Oradhe Ikje nga vdekja.
Faza e tretë është faza e afirmimit të plotë të këtij poeti, e cila ngërthen periudhën në mes viteve 1981-2001. Është një nga fazat më interesante, më frytdhënëse, më e vlerësuar dhe, ndoshta, më dramatike, e zhvillimit krijues të Din Mehmetit, cila karakterizohet nga botimi i shtatë përmbledhjeve me poezi, i disa përzgjedhjeve poetike si dhe i përkthimit të poezisë së tij edhe në gjuhë të tjera, sidomos në gjuhët e popujve të ish- Jugosllavisë. Në këtë periudhë krijuese poezia e Din Mehmetit arrin kulminacionin e saj, duke e bërë autorin e saj një ndër emrat më të shquar të poezisë bashkëkohore shqipe.
Faza e katërt (2001-2010), është faza e fundit e krijimtarisë poetike të Din Mehmetit, faza e përmbylljee së ciklit krijues dhe jetësor. Gjatë këtij harku kohor, poeti ynë, nuk shquhet për ndonjë ngritje cilësore, por as për ndonjë rënie të ndjeshme. Kjo do të thotë se është mjaft stabil në atë që kishte arritur gjatë periudhave të tjera kohore. Në këtë fazë, poeti bën përpjekje që poezinë e tij ta lansojë sa më denjësisht gjithandej hapësirës gjithëshqiptare, por edhe më gjerë. Përveç në Kosovë, poezia e tij në mënyrë të përzgjedhur botohet edhe në Tiranë, ndërsa përkthehet dhe botohet edhe në.
Në fund të kësaj kumtese, më duhet të them se jam i lumtur që jetova në epokën e krijuesve të përmasave të tilla siç ishte Din Mehmeti, por edhe më i lumtur që e kisha mik dhe udhërrfësyes të shumë aspekteve që kishin të bënin me artin letrar, pa anashkaluar edhe fushën akademike, ku ai e shkriu një jetë të tërë. Për të gjallë të Din Mehmetit, arrita të botoj dy libra që ndërlidhen me jetën dhe veprën e këtij bardi të letrave tona. Të jesh poet (intervistë e gjatë) dhe Dhuna dhe liria në poezinë e Din Mehmetit, temë magjsitrature. Ajo që do të më mbetet më së shumti në kujtesë është libri-intervistë Të jesh poet, sepse nga ajo bashkëbisedë e gjatë me Bacalokun, arrita të zbërthej botën e tij shpirtërore. Përmasën e tij krijueses, intelektuale dhe njerëzore. Nga kjo rezulton se Din Mehmeti, para se gjithash, ishte një burrë i mençur dhe vizionar i Kosovës e në veçanti i Dukagjinit, nga Kullat e të cilit kishte marrë kalitjen e fjalës së matur e të gdhendur si dhe shpirtin e malësorit trim e bujar. Prandaj edhe me aq pasion e dashuri i këndoi atyre kullave, atyre malësorëve dhe në përgjithësi njeriut të këtij trualli, i cili ndër shekuj u përball me padrejtësi e situata të rënda.
Për të vërtetuar këtë, po ua sjell dy tri-tri fjali të bisdeës me Dininnë lidhje me shtytjet të cilat atë bënë poet. Njëra nga to ishte shtytje, pranonte ai, ishte dashuria për këngët popullore, përrallat, tregimet, përrallëzat, legjendat, fjalët e urta, të cilat edhe përbënin letërsinë e famshme të fëmijërisë së tij, e ne veçanti këngët popullore të të gjitha gjinive të cilat që në fëmijëri i dinte përmendësh e pastaj i këndonte nëpër dasma, gazmende e ndeja burrash në kullat e fshatit e të Dukagjinit: Sipas tij, këngët më të kërkuara ishin ato historike, këngët e kaçakëve e sidomos këngët legjendare që flasin për luftërat e Muajit e Halilit e të kreshnikëve të tjerë kundër kundërshtarëve të tyre. I donin populli ato këngë, thoshte Dini, ndoshta pse ato shprehnin trimërinë, durimin, mençurinë, qëndresën, burrërinë, stoicizmin, tradhtinë, besën, nderin, dashurinë e kreshnikëve tanë etj. Si të tilla, këto këngë, forconin moralin e dëgjuesve për t’u bërë ballë vështirësive të shumta të jetës, siç ishin padrejtësitë që iu bëheshin në atë kohë nga hegjmenoizmi i monarkisë sllave, i cili përdorte reformat më antinjerëzore për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova për ta populluar Kosovën me popullatë serbe.
Ndoshta për këtë arsye, sa herë fitonin Muji e Halili apo kreshnikët e tjerë kundër krajlëve në duele të përgjakshme, fshatarët ngrnin kokat lart në shënje krenarie, fytyrat u merrnin gaz dhe dukeshin të lumtur. Nga gëzimi i pamërmbajtur dhe në shenjë solidarizimi me kreshnikët, me fitimtarët, malësorët zbraznin pushkët nga dritaret e kullave, për të treguar edhe në këtë formë se fitoret e kreshnikëve ishin edhe fitoret e tyre. Mirëpo, kur ndodhte e kunëdërta, kur Muji e Halili humbnin betejat, apo ziheshin robër, sipas këngëve, fshatarët ulnin kokat, disi zvogëloeshin të dëshpëruar, pinin duhan me pezëm hidhërimi duke murmëritur diçka të pikëlluar... e kisha të qartë, thoshte Din Mehmeti,-ata nuk i donin humbjet në këngë, sepse kishin humbë në jetë. S’është çudi, pra, pse ata kërkonin fitore në këngët e mia, ani pse të sfilitur nga vuajtjet dhe dhuna që ushtrohej kundër tyre, ata nuk e kishin humbur shpresën për një të ardhme të mirë, se një ditë do të fitonin mbi të këqijat që i rëndonin. Kjo formë e të menduarit dhe e të rezistuarit, u bë njëra ndër temat bosht e disa poezive të mia, të cilat i shkrova gjatë jetës. Pikërisht kjo qëndresë u bë mësim jete për mua. Prandaj, edhe unë, i ndikuar prej tyre, luftoja për vete dhe për ata me këngët që i këndoja, duke i ngjyrosur ndjenjat, duke u dhënë atyre frymën, shpirtin, intonacionin, ritmin tim. Qysh atëherë gëzimet e mia fëmijërore i zëvendësova me vuajtjet dhe hidhërimet e të rriturve. Kështu bëra plak kur ende isha fëmijë”, thosht në mes tjerash Din Mehmeti, duke kuptuar rëndësinë e mesazhit të këngës, por duke pranuar njëkohesisht se ishte i vetëdijshëm për pafuqinë e bartjes në shpinë të të gjitha atyre barrëve të rënda, të të gjitha atyre vuajtjeve, nëpër të cilat ata kishinn kaluar gjatë jetës...
I tillë ishte Din Mehmeti, poezia e të cilit, duke lindur nga kërkesat e popullit, nga vuajtjet dhe e peripetitë e popullit, u identifikua me popullin, me këngën, me historinë dhe me lirinë dhe dashurinë për jetë të dinjitetshme. Ai jetoi dhe veproi në kohë dhe situata të rënda shoqërore, historike e politikë, duke qëndruar vertikal dhe kjo e bën atë më të fuqishëm si poet dhe si njeri. Prandaj duhet të jemi të nderuar dhe të dimë të nderojmë e të vlerësojmë, ashtu sikurse është edhe rasti me këtë akademi përkujtimore. Sepse, Din Mehmeti, është një ndër poetët e shquar e të dëshmuar të letërsisë shqipe, pa emërin e të cilit, siç do të thoshte akademik Rexhep Qosja, “historia e saj do të ishte më e varfër për një vizion, për një disponim, për një shprehje dhe për një ndjeshmëri autoktone...”