Dikush tjetër është përgjithmonë
Nga Fatmir Terziu
Në mure janë ende shenjëzat e gishtave
zjarri ynë është i ndezur bubulak
shëtisim kohën e lumtur si hijet e pishave
bredhim dëshirat që i zgjuam bashkë.
Dhe mani ynë është ende në rritje
në vendin tonë të strukur thellë sekret
aty ku galonin zemrat tona në pritje
aty ku dashuria jonë njëri-tjetrin e gjet.
E dushku fillon të përgatitet
qershia arnon vellon e vetë
fyelli zgjon Drinin ku krihet
në rrjedhën e tij për në qytet.
Atje tej në majën e tij më të lartë
garojnë zogjtë flatrat për të njëjtin fat
ai që dashuron udhët mund të humbasë
mbetet thjesht një i huaj, e kjo kaq e pat.
Ai që tani e mbyll gojën e tij
me gjuhët e tjera në këtë metropol
ai që s'mendon më për atë shtëpi
do të mbush me lotë një tjetër gjol.
Të dy kthejmë atje shpesh nga një sy,
dhe qajmë dhe qeshim si fëmijë,
e perceptojmë puthjen e parë nën qershi,
e presim një tjetër ditë të na vijë.
Tani shtrydhi lotët e tua e dashur
ulërri me forcë në krahët e mia
dhe gjithçka do të mbërrijë pa zbardhur
vetëm si film në ëndrrat e fryra.
Dhe dimri do të bekohet në bardhësi
dhe pranvera do të vishet në qershi
dhe loti do të tretet në pafundësi
të shtrydhet atje ku e nisëm këtë dashuri.
Unë nuk e di se sa kohë do të duhet,
ndoshta ditë, ndoshta javë, a muaj
por di që në sytë e tu e dashur shkruhet
këto fate kalërojnë vitet e të lënë të huaj.
Në mure janë ende frymërat e bardha
zjarri ynë është i ndezur deri vonë,
shëtisim shpirtrat ku heshtjes i ndihet fjala
zgjohemi! Dikush tjetër është përgjithmonë.
Commentaires