top of page

DIELLI PERËNDON VONË, NË NËNTË MALET E DIBRËS


Demir Rusi

Vullnet Mato

DIELLI PERËNDON VONË, NË NËNTË MALET E DIBRËS Poeti Demir Rusi, i afirmuar tashmë me këtë libër të pestë, vjen para lexuesve me një tufë rrezatimesh poetike, ku i këndon vendlindjes së tij të dashur, nga pozicioni i nëntë maleve e Dibrës, në majat e të cilëve, dielli i ndodhur përtej pellgut të Adriatikut, perëndon më vonë se në të gjithë hapësirën gadishullore përqark. Pyetja retorike e tij, përcakton qartë pozicionin e këtyre maleve të lartë me histori luftërash të lashta, me troje të dhuruar nga vet zoti për njerëzit e mirë të këtij vendi. “A e dini ku ndodhet kjo mrekulli?/Diku, rrëzë Korabit, në Peshkopi!.../Kjo është një perlë, falur nga zoti,/Dhuratë e destinuar, ta gëzojë robi.” Dibra ka njerëzit dhe resurset e rralla natyrore, që lakmohen nga turistët e vendeve të largëta, të cilët e shohin këtë zonë malore, si parajsë tokësore. Vetëm me dy vargje autori bën përshkrimin e natyrës dhe portretin e dibranëve, të shquar kudo në punë, e të shtruar në bisedat e tyre, pa fjalë të tepërta: “O fusha, dete dhe male të larta,/O njerëz të punës, fjalëve të pakta,” Por, megjithatë trishtohet, që banorët e kësaj treve të mrekullueshme, të dhënë pas punëve të shumta ndërtimtare, nuk e gëzojnë çlodhjen dhe argëtimin që u ofron natyra bujare e tyre. “Vijnë të huajt nga përtej malit,/Ngrenë çadrat në buzë të zallit,/Dimër, verë ky vend është plot,/Ne i kemi, e s’i shfrytëzojmë dot...” Me mënyrën e zakonshme, tradicionale, të të shprehurit lirik, përmbajtja e një libri poetik, përmbledh meditimet, botën e brendshme dhe përjetimet e vet autorit. Mund të themi, se është një skaner artistik, qe i bën ai shpirtit të vet. Të lëngëzohen sytë nga dhimbja emocionuese, që ndjen, kur ky djalë, me shpirt tepër të ndjeshëm për nënën e sëmurë, shpreh kësisoj keqardhjen e thellë për të: “T'ish n'dorën time, dhe vitet i dhuroja,/Ajo nuk duhet të ikte, dhe unë të rroja./ Me fuqinë e shpirtit, Zotit i lutem,/Ta mëshirojë, që dhimbjet t’i zbuten./Unë jam një hiç, para fuqisë tuaj,/Të lutem po munde, bëje të mos vuaj!/Kur e shikoj, sa një grusht të mbledhur,/Shpirti më dhëmb, që ajo është tretur.” Poeti me përvojë letrare Demir Rusi, rrok nga jeta, temat më të mprehta të ditës dhe vlerësimet e tij shpirtërore. “Tunde sot Kosovë, kalle mos u ndal!/Lirinë vet e fitove, askush s'ta ka falë./Me gjak e vadite, çdo pëllëmbë e gur,/ Këmishët e gjakosura, i ktheve flamur.” Aftësia e autorit për të portretizuar personazhet lirik të poezive të tij, bie ne sy te kjo poezi, për një nënë kuksiane: “E zgjuar e çiltër, i kishte lezet,/Fjala e saj mjaltë, e plot marifet,/Kjo grua simbol, tipike malësore, Shamia mbi kokë, petale bore. “ I vetëdijshëm si poet e si qytetar, për rolin që ka shoqëri, autori ngre zërin e vet, për padrejtësitë dhe keqqeverisjen që vëren në vendin e tij: “Duhet apo jo, protesta që pritet,/mbase është çështja që frika të vritet!/A ka probleme?... plot sa të duash,/Prag katastrofe, është pak të thuash./ Të drejtat si popull, ne të kërkojmë/Të mos pajtohemi, kur na i mohojnë!” Pa e zgjatur, vargu i tij i thjeshtë në dukje, ka një thellësi mendimi që të befason dhe të emocionon, duke të mbërthyer e dehur, si vera e ëmbël e një gotë plot.

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page