DIELLI I VARGJEVE QË RREZATOJNË JETË


Xheladin Mjeku, shkrimtar, kritik



Bukurie Buçpapaj kalkulohet si emër që e përshkon fryma poetike e jetës. Ajo prreshtur frymon me vargun që buron nga zemra dhe vjen i çiltër prej kristali, duke e kristalizuar çdo fjalë e varg, me rrezatim bukurish nga Alpet dhe gurgullima e Valbonës, që herë shprehen si bukuri hyjnore, herë si dashuri e pambarim. Ky përkufizim do ta pasqyronte në parim gjithë fushëveprimtarinë e saj krijuese, duke zgjeruar në vazhdimësi hapësirat e vrojtimit në rrafshin tematik dhe motivor. Derisa në poezi e takojmë frymën e artdhedashurisë, si mall, frymëzim dhe motivim për jetë, në brendinë e saj lehtë, por qëndrueshëm gëlon vargu melankolik dhe aroma lirike e dashurisë për njeriun, atë të përhershmin, që e mban pranë gjithandej në hapërimet e saj, me fjalën, afrinë dhe dashurinë që mbrunë në shpirt. Kjo ndjenjë dashurie shpërfaqet në kujtesë me ndiesi ngazëllimi të pandalur.



Dy dashuritë që bashkudhëtojnë përmes vargut


Bëhu diell i shpitit tim” është libri i dytë, pas botimit të librit “Poezia e shpirtit tim“, që zgjoi interesim të menjëhershëm te lexuesi. Pikërisht ky ishte motivi parësor që yshti autoren që të sjell edhe dhuratën tjetër, tashmë plot rreze e diell dashurie.

Bukurie Buçpapaj, tashmë ka gjetur galerinë e saj të çmuar të vargut, përmes të cilit ndërton kullën madhështore të dashurisë për atdheun. “Trishtim e mall, përzier me dashuri/ Ky je për mua, o Atdheu im.” (”Zgjim i bukur”). Ky “zgjim” poetik sa vjen e shtrinë rrezet e veprimit majave e shtigjeve, ku prek ndjeshëm bukuritë natyrore; mrekullitë e saj ia mbajnë ison vargut, që shpërthen si cicërima zogu a këngë bilbili mbi degët e lisit dhe merr aromën e gjethit të gështenjave tropojane. Ai varg vjen si nektari që mbledh bleta lule më lule dhe shpalos çdo petale, për t’u lëshuar në ëmbëlsinë e saj prej malli e dëshire të përhershme në pasqyrimin e peisazhit të vendlindjes. Muza e saj nuk pushon asnjëherë. Ajo e gjen inspirimin edhe atëherë kur bota fle. Nuk përmbahet dot pa e shprehur ndjenjën e saj shpirtërore, siç e thotë edhe në poezinë “Të paktën sonte...”, ku vargu shetit gjithandej ku ndihet e padjallëzuar: “Të bësh rolin e një fëmije të padjallëzuar,/ Të qeshësh si ai, ashtu çiltër e me pastërti,/ Të ëndërrosh botën dëshirash realizuar/ Brenda asaj kornize të bukur dua të rri.” Ajo nuk mjaftohet vetëm me kaq, por ëndërrat e saj i shpreh edhe përmes dëshirave tjera që e shpiejnë edhe më larg, në vitet e hershme të rinisë, ku vraponin pas fluturave e luleve, si do ta kuptojmë nga vargjet:



“Dua të jem një flutur të fluturoj

Në lulet më të bukura të ndalem

Për asgjë s’dua më të mendoj

Veç të shëtis, s‘dua të ndalem.”


( Po aty)


Kësaj mrekullie i jep ngjyrim edhe më bindës me shprehjen e gatishmërisë në përballje të sprovave, sepse “Dua të jem luftëtare e kësaj bote.

Pavarësisht, vendlindja gjithmonë mbetet emër i përveçëm në vargun e saj. Ajo dëshiron të kthej shpesh atje, prej nga i gjen frymëzimet, që i shpërfaq fuqishëm: “Sa mall kam e s’e shuaj dot/ Për ty, o vendi im më i shtrenjtë,/ Për mua je më i çmuari në botë/ Sa kam frymë e sa kam jetë.” (“Përse gjumë nuk kam sonte”). Kush nuk do ta dëshironte kthimin në vendlindje, çoftë edhe për një çast, për të shijuar ëmbëlsinë e saj?

Poashtu, edhe poezia “Të frymoj liri, në qiejt blu” dhe shumë të tjera si kjo, janë të motivuara nga dashuria për atdheun, për të bukurën dhe kujtimet e jetës.

Bukurie Buçpapaj nuk harron të “takohet” edhe me pjesën e lavdishme të atdheut sa herë që kthen andej, çoftë në ditë të shënuara, apo edhe nga dashuria që ta vizitoj atë. Ajo parreshtur do të këndoj nga thellësia e shpirtit për apo “Mbretëri përralore, Alpet e mia”, “Bjeshkët e mia”; pastaj për trimat, si “Bylbyl Breçani”, për të shpërfaqur përmes vargjeve “Dashurinë e pashterrshme”, që ia shton krenarinë.

Por, këtu ka edhe një dashuri që ia provokon unin e saj krijues, e që në asnjë mënyrë nuk mund ta ndaj si çështje të dytë. Një paralelizëm i tillë imponohet domosdoshmërisht, kur shikohet nga prizmi i ndërlidhjeve të fuqishme mes bukurive të vendlindjes dhe njeriut të saj, që në shekuj ka bërë mrekullitë dhe sakrificat në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe kombëtare, në përgjithësi. Dashuria për njeriun e trevës ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e poetes. Ajo pyet “Ku e merr forcën dashuria”, për ta shprehur me pak vargje, që bindshëm e arsyetojnë këtë privilegj: “Kush i shkrin akujt e zemrës/ Përveç teje, o ndienjë hyjnore,/Je ushqim i shpirtit të femrës/ Energji jete, e botës njerëzore”. (“Ku e merr forcën dashuria”)

Një poezi-këngë që farfuritë bukurinë e vajzës tropojane, ashtu të sforcuar me ambientin e gurtë, personifikim qëndrese dhe pathyeshmërie që përjetohet si varg mbresëlënës e gjejmë në poezinë “Zana ul mbi gur”, ku “çikat e Tropojës/ Janë si motrat e shqiponjës”, për ta fuqizuar edhe më këtë vlerësim me pasqyrimin e bukurive të këtyre “sirenave plot me nur”:


“Hijeshi i kanë dhënë Valbonës,

Kur i sheh duken si Zana

Këto janë çikat e Tropojës

Si princesha i ka ba nana.”

(Po aty)


Poetja, për më tepër, vazhdon ta pasqyroj edhe më saktë karakterin e vajzës tropojane, duke ia ruajtur tiparet e një malësoreje, që e përshkojnë virtytet prej fisnikeje. Këto karaktere të saj, të thëna nga shumë poet edhe më heret, në vargun e Bukurije Buçpapajt i gjejmë ashtu origjinale, me prekje epike, që i qëndrojnë mirë kësaj figure të kalitur nëpër shtigjeve të jetës.


“Sytë e tu të pastër si qielli,

E kanë ngjyrën e bukur të kaltërsive.

Më bën që të hidhem në përqafime

Bashkë të fluturojmë në oazin e përjetimeve.


(“Sytë e tu”)


Veçohen edhe shumë poezi tjera që kanë motiv trajtimi dashurinë si fenomen, dhe bukurinë e femrës, si subjekt në vargun e saj, ndër të cilat edhe: “Në njëqind dëshira”, “Më ndiej”, “Për një çast”, “Dashuria”, etj.

Ndërkaq në poezinë “Bëhu diell i zemrës sime” sipas së cilës mund të ketë dal edhe emërtimi i kësaj përmbledhje poezish, Bukurije Buçpapaj shpërfaq gjithë dashurinë që ka për jetën, të cilës i këndon edhe para agimit, edhe në netët e vona, duke shprehur dëshirën e saj që gjithmonë ta ketë jetën behar: “O diell me rreze që ndriço si ar/ Të lutem më ngroh sot veç mua/ Bëhu i ngrohtë si në behar/