OPINION
Marrëveshjet e deritashme mes Kosovës e Serbisë asnjëherë nuk janë implementuar plotësisht
Dialogu Kosovë-Serbi, në kufinjtë ekstremë
Nga Bashkim Hisari
· Problemet e shoqërisë kosovare janë të mëdha, të thella, komplekse dhe kanë historinë e tyre.Aktualisht, regjimi autokrat në Serbi me presidentin Aleksandar Vuçiq, po përpiqen të shfrytëzojnë çdo mundësi për konfrontime me shqiptarët. Duke manipuluar me serbët dhe mbështetur grupet e tyre kriminale në Veriun e Kosovës akuzojnë shqiptarët dhe i bëjnë përgjegjës për të gjitha problemet. Te pala serbe nuk ka vetëdije dhe forcë etike, aftësi të forta praktike politike për t`i tejkaluar problemet.. Obligimet janë marrë në mënyrë selektive dhe në përputhje me interesat e tyre të njëanshme. Dialogu dhe arritja e një marrëveshjeje që do të rezultojë me njohje reciproke nuk ka alternativë për të vendosur paqen e përhershme, stabilitetin afatgjatë dhe parandalimin e incidenteve. Kosova nuk mund të durojë më të jetojë në konflikte të papërfunduara dhe të ngrira.
Gjendja e sigurisë në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë, vazhdon të jetë e tensionuar. Format e deritashme të dialogut për të gjetur zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk po japin rezultatet e pritura.
Në vend të dakordimit, zgjidhjet po zhvarriten. Janë hapur kriza të reja që mund të çojnë në konflikte rajonale. Nga jashtë, ndonjëherë duket sikur është humbur mundësia për shtensionimin e situatës. Aktualisht, shumë subjekte po angazhohen që tensionet të vihen nën kontroll, të mos lejohet të shpërthejë dhuna dhe të gjendet zgjidhje për çështjet shumë komplekse në mes shqiptarëve dhe sebëve. Tanimë çdo gjë është e çartë. Koha rreth taktikave, akuzave të ndërsjella dhe e zvarritjeve rreth Kosovës po skadon.
Komuniteti ndërkombëtar po e humb durimin dhe po kërkon që sa më shpejtë të gjendet rrugëdalje. Ndërkombëtarët nuk po pranojnë më të jenë vëzhgues në "taktikat e vonesave". Nëse palët nuk do të jenë partnerë konstruktivë në shtensionim të situatës, atëherë Kosova dhe Serbia do të kenë pasoja. Pavarësisht që ka disa sinjale pozitive, shtensionimi i situatës në Veri të Kosovës ende ka ngelur në gjysëm të rrugës.
Marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës e Serbisë asnjëherë nuk janë implementuar plotësisht. Nënshkruesit e marrëveshjeve në mënyrë selektive kanë marrë obligime në përputhje me interesat e tyre të njëanshme. Zgjidhje politike ende nuk ka.
Si përgjigje, BE dhe SHBA vendosën masa ndëshkuese, siç u tha, të përkohësishme. Por, edhe pas zotimit të Qeverisë së Kosovës për shtensionime, situata në atë pjesë vazhdon të jetë nën masa.
Kohë më parë, i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi, u dakorduan për zbatimin e masave që çojnë në depërshkallëzimin e situatës. Nga Qeveria e Kosovës u kërkua publikisht të tregojë gatishmërinë e saj për tё kontribuar nё shtensionimin e situatës. Menjëherë të reduktohet prezenca e policëve që janë në apo në afërsi të ndërtesave, demonstruesit serbë që ndodhen para objekteve komunale të tërhiqen njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës, kryetarët shqiptarë që kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët, përkohësisht t`i kryejnë detyrat në lokacione alternative jashtë objekteve të tre komunave dhe të organizohet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Veri të Kosovës.
Në takimin e fundit të kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, në Bruksel, me ndërmjetësuesin e këtij procesi, Mirosllav Lajçak, është diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për Marrëveshjen për energjinë.
Është arritur edhe pajtimi për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se Kosova ka nisur t'ua hapë rrugën për zbatimin e marrëveshjes së arritur me BE për shtensionim të situatës dhe se të gjitha do të finalizohen brenda një afati të shkurtër.
Në rrugën drejtë normalizimit të marrëdhënive, diplomatët ndërkombëtarë vazhdimisht theksojnë rëndësinë e dialogut, kërkojnë zbatimin e shpejtë të marrëveshjeve për të cilat palët tashmë kanë rënë dakord me marrëveshjet evropiane të nënshkruara në Bruksel dhe me marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, ndonëse marrëveshjet për sundimin e ligjit, siguri e qetësi në Veri nuk kanë alternativë, vullneti politik për shtensionimin e situates është i diskutueshëm.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq duke zbatuar fushatën e frikësimit të serbëve të Kosovës po shfrytëzon çdo mundësi për konfrontim me shqiptarët dhe me kryeministrin e Kosovës Kurti, për t'ua ngarkuar atyre të gjitha problemet e shoqërisë kosovare dhe përgjegjësinë për tensionet e krijuara.
Për të qetësuar gjendjen dhe për të gjetur zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një sërë aktivitetesh. Pas takimit me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme, propozoi një konferencë të përbashkët të liderëve të Kosovës dhe Serbisë me zyrtarët e BE-së dhe SHBA-s. Bëri të ditur se ua ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. Zhvilloi takime informale dy-ditore në pesë vendet e Ballkanit Perendimor. Në Tiranë organizoi një takim informal të liderëve të Ballkanit Perendimor me komisionerin e BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Oliver Varhelyi. Por, kryeministri i Shqipërisë Rama anuloi takimin e përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë me atë të Kosovës në Gjakovë. Më vonë, gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Prishtinë, kryeminstri i Kosovës Kurti nuk u takua me te. Derisa disa udhëheqës të Ballkanit Perëndimor u takuan në Tiranë me komisionerin e BE Varhelyi, kryeministri Kurti, ka qenë në ishullin grek të Kretës, për një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor. Disa qëndrime të Kurtit për Veriun, mosbashkëpunimin e mjaftueshëm me aleatët ndërkombëtarë dhe refuzimet e tij për takimet me liderët e rajonit, po vlersohen si të dëmëshme dhe humbje e rastit të mirë për bashkëpunim dhe shtensionimin e situatës. Ngjarrjet e fundit që ndodhën brenda Kuvendit të Kosovës, ku pas një fjalimi të kryeministrit Kurti në seancën e rregullt të Kuvendit, ku ai foli për marrëveshjen e fundit, për shtendosjen e tensioneve në Veri të Kosovës dhe për gatishmërinë e Kosovës që ta shtensionon situatën, me ç’rast ndodhi edhe rrahje mes shumicës dërmuese të deputetëve si nga opozita si nga pozita, ishin të turpshme dhe në dëm të madh të institucioneve të Kosovës. Ato e komplikuan situatën, po e largojnë Kosovën nga rruga demokratike për zgjidhjen më të shpejtë të problemeve në raport me Serbinë dhe po e distancojnë nga aleatët ndërkombëtarë.
Përderisa kryeministri Kurti kërkon zbatimin e plotë dhe pa kusht të ligjeve dhe deklaron se “Nuk mund t’i dorëzoj shtetin demokratik milicisë fashiste serbe në Veri të Kosovës”, liderët politikë serbë, Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vulin, trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të frymëzuesve dhe organizatorëve të luftërave në ish Jugoslavi, Vojislav Sheshel, Slobodan Millosheviq dhe figurave të tjera më negative në politikën serbe, glorifikojnë krimet dhe kriminelët e luftës. Ata nuk po e ndalin qasjen e tyre destruktive dhe histerinë antishqiptare. Vuçiq, Daçiq dhe Vulin ishin shërbëtarë besnikë ndaj shefave të tyre që me dhunën më brutale, qëndrime ç`njerëzore e anti-civilizuese përhapnin urrejtje dhe të gjitha të këqiat. Me çfarë do të merreshin ata sot, përpos me kontrabandë me drogë, armë, plaçkitje, korrupsion, me keqpërdorime të pozitave zyrtare, me orekse hegjemoniste ndaj Kosovës. Për të ruajtur pushtetin, këta autokratë etnonacionalistë manipulojnë me serbët duke përhapur gënjeshtra dhe krijuar probleme. Palajmërojnë se do ti kthejnë forcat e armatosura serbe në Kosovë, intensifikojnë presionin duke rritur gatishmërinë luftarake të forcave të armatosura dhe duke organizuar manovra provokuese afër kufirit me Kosovën. Inkurajimi për vendosjen e barrikadave dhe mos reagimi kundër sulmeve agresive të serbëve ndaj policëve të Kosovës dhe paqëruajtësve të KFOR-it, po shërbejnë si mbështetje për afrimin e tyre me Rusinë.
Edhe pse kaluan 24 vite nga lufta, në Kosovë ende ka shumë çështje të diskutueshme. Armiqësia është ende prezente. Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojë që të shpërthejë dhuna. Nga aleatët e saj duhet të kërkojë të bëjnë më shumë presion për t`u arritur një marrëveshje për të zgjidhur situatën; të bëjnë një luftë diplomatike dhe të pranojnë kërkesat që i kanë shtruar negociatorët ndërkombëtarë, sidomos SHBA si aleat i dëshmuar me rolin e saj thelbësor në ndalimin e spastrimit të egër etnik të popullatës shqiptare në Kosovë nga regjimi serb, në çlirimin e vendit, njohjen e pavarësisë dhe në inkurajimin për ecjen përpara në proceset demokratike ne Kosovë.
Përshkrim i bukur i gjëndjes pa at fjalorintashmë të etabluar në komunikim, plot fyerje e sharje, gjë që po ulë peshen e dramaticitetit të gjëndjes. Ndofta vështrimi i gjëndjes në raporte Kosovë-Sërbi, i shtrirë në një hapsirë më të gjerë me inkludim edhe të faktorëve /në pasvijë krucial/ ndërkombëtarë, do ta jipnin pamjen më të plotë e më të aërtë. Por edhe kështu, mësohet mjaft mirë për gjëndjen.