Dialog i paturpshëm


SAZAN GOLIKU

Dialog i paturpshëm

“Të lutem, o diell,

na jep një rreze drite, na vdiqe!” – iu luta

perandorit të dritës që qesh e qan për të gjithë.

“Trus bythën! - më shfryu ai i zemëruar.

- Me tepri ju kam dhënë

malet e detin, fushat e lumenjtë...

dhe ju këmbëzbathurit

hidhni pa pra mbi vete

mbi mua

mjegulla të ndotura përtacie,

re shterpe fanatizmi,

plehra radioaktive të botës,

tullumbace me ngjyra që ju vënë

në gjumë hipnotik.”

Dhe dielli u rrëzua përtej detit

ashtu i përskuqur, i lodhur

tej në perëndim...

Nuk e di a do të kthehet mbi ne,

nesër ...

Dhjetë mënyra me vra një flutur

T'i vësh sipër gishtin e ta zgërlaqësh.

T'i ngulësh një gjilpërë në shpinë.

T'u hedhësh luleve herbicide.

Ta kapësh me rrjetë.

T'ia prishësh artin e krahëve dhe ta lëshosh.

Ta futësh një ditë në frigorifer.

T'i thuash je e shëmtuar.

T'i thuash je më e bukura në botë.

Të kalosh pranë saj sikur ajo nuk është.

T'ia flakësh vezët.

A mund të gjesh dhjetë mënyra me vra veten?

Triptik teologjik

Unë jam besimtar, ti je besimtar, ai është besimtar.

Po Zoti ku është?

Unë jam agnostik, ti je agnostik, ai është agnostik.

Po ne, a jemi?

Unë jam zindik, ti je zindik, ai është zindik.

Po kush do ta krijojë Zotin?



52 views

Shkrimet e fundit